Albspirit

Media/News/Publishing

17 shtator 1914 & 28 qershor 1915/Marrëveshjet e Esat Toptanit me serbët

Marrëveshja Nikolla Pashiq – Esat Pashë Toptani, 17 shtator 1914

Pasi që me dëshirën e zotit të dy popujt, serb dhe shqiptar e banojnë një territor, vetvetiu janë të detyruar nga ngjarjet historike të jetojnë në paqe dhe miqësi, të ndihmohen reciprokisht dhe bashkërisht të mbrohen. Që të plotësohet dëshira e zotit dhe urtësia politike, paria – përfaqësuesit e të dy popujve janë pajtuar ta bëjnë këtë marrëveshje:

  1. Serbia dhe Shqipëria lidhin midis tyre paqe të përjetshme dhe miqësi. Do t’i shmangen si njëra ashtu edhe tjetra që të mos ofendojnë dhe dëmtojnë interesat dhe nderin e palës tjetër.
  2. Serbia dhe Shqipëria marrin mbi vete detyrë dhe obligime, që prej tani mos të bëjnë marrëveshje me cilin do shtet tjetër në dëm të interesave dhe zhvillimit të palës tjetër, dhe kurrë me askënd mos të bëjë marrëveshje kundër mikut dhe aleatit të vet.
  3. Serbia merr mbi vete obligim ta ndihmojë rregullimin e Shqipërisë në frymën e vetive popullore dhe të nevojave të kombit shqiptar, duke pasur parasysh veçoritë e fiseve që janë zhvilluar gjatë historisë.
  4. Po ashtu Serbia merr mbi vete obligim ta ndihmojë formimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku do të jenë të përfaqësuara të gjitha fiset. Këshilli do të ketë fuqi ligjdhënëse dhe do t’i emërojë gjyqtarët e popullit.
  5. Të dy palët janë dakorduar që për sundimtar të Shqipërisë ta njohin atë shqiptar, të cilin do ta zgjedhë Kuvendi i madh popullor i përbërë nga dy përfaqësues të fiseve më të mëdha dhe nga një i fiseve më të vogla.
  6. Nëse do të zgjidhet Esat Pasha, ose çdo shqiptar tjetër i aftë dhe i denjë, atëherë të dy palët obligohen që bashkërisht t’i nxjerrin tre kandidatë dhe atë që do ta zgjedhë Këshilli i madh popullor, atë ta njohin dhe ta përkrahin të dy palët.
  7. Për t’u siguruar miqësia e përjetshme dhe aleanca midis Serbisë dhe Shqipërisë, ata që tani janë dakorduar për doganën e përbashkët, mbrojtjen e përbashkët, përfaqësinë e përbashkët ndaj vendeve tjera si dhe për mjetet e përbashkëta të komunikacionit.
  8. Nëse e kërkon nevoja, për ruajtjen e miqësisë dhe aleancës së përbashkët si dhe kontakteve të drejtëpërdrejta për mbrojtjen e të dy shteteve, do të themelohet me kohë një trup i përbashkët që do të kujdeset për zhvillimin dhe ekzistimin e enteve të përbashkëta.
  9. Krerët shqiptarë marrin mbi vete obligim se në territorin e vet nuk do të durojnë kurrfarë agjitacioni kundër Serbisë dhe qetësisë së saj dhe se do t’u lejojnë të krishterëve predikimin e lirë të besimit dhe mësimit në dialektin me të cilin flasin.
  10. Kufiri definitiv midis Serbisë dhe Shqipërisë do të caktohet nga një komision që do të përbëhet nga një numër përfaqësuesish serbë e shqiptarë.
  11. Shqipëria merr mbi vete obligim se nuk do t’i kundërshtojë Serbisë në ndërtimin e hekurudhës së Adriatikut deri në Durrës, pasi që kjo të marrë obligim që t’ua kompensojë pronarëve për tokën që ua merr për nevoja të hekurudhës.
  12. Që të mund t’i paguaj shpenzimet rreth sendërtimit të kësaj marrëveshjeje Serbia obligohet të japë nga 50. 000 dinarë në muaj, deri sa të zgjidhet sundimtari. Pasi të zgjidhet ky, do të bëhet një marrëveshje e posaçme për pagesën e shpenzimeve për nevoja të enteve të përbashkëta.
  13. Ushtria serbe nuk guxon të kalojë kufirin serbo – shqiptar, po ashtu edhe ushtria shqiptare ose njerëz të armatosur, nuk guxojnë të kalojnë në tokat e Serbisë.
  14. Kjo marrëveshje është arritur tani midis përfaqësuesve të Serbisë dhe përfaqësuesit të Shqipërisë Esat Pashës, kurse më vonë do të vërtetohet nga sundimtarët e Serbisë dhe të Shqipërisë, kur të zgjidhet ky.
  15. Përfaqësuesi i Shqipërisë, Esat Pasha, pranon mbi vete obligimin se nuk do të punojë asgjë kundër përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje dhe se gjithnjë në marrëveshje dhe me besnikëri do të punojë me përfaqësuesin e Serbisë, pa marrë parasysh se kush do të caktohet nga ana e Serbisë.

Në Nish, më 17 shtator 1914.

Në emër të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar Esat Toptani. Teksti i marrëveshjes është shkruar në turqisht me shkrim arab, kurse nënshkrimi i Esatit është në latinisht. Po ashtu një kopje është edhe në serbisht.

Marrëveshja Toptani- Jovanoviq, më 27 qershor 1915

I. Qeveria mbretërore serbe do të veprojë në atë drejtim, që asnjë fuqi e jashtme mos ta pushtojë Shqipërinë dhe nuk do ta lejojë copëtimin e saj, por ajo të mbetet si tërësi shtetërore, e cila për jetë do të jetë në aleancë dhe bashkësi me Serbinë në bazë të marrëveshjes së mëparshme, si dhe në bazë të dispozitave të këtij protokolli.

II. Pasi që kufijtë midis Serbisë dhe Shqipërisë nuk janë të natyrshëm, por janë vendosur sipas dëshirës së Austrisë e cila ka dëshiruar të krijojë konflikte dhe shqetësime të përhershme midis këtyre dy shteteve fqinjë. Kufiri i tanishëm do të përmirësohet, kështu që Serbisë do t´i takojnë Pogradeci me rrethet e Gollo Brdos, Malësia e Dibrës, Luma dhe Hasi deri në Spaç. Derisa ky kufi i ri të mos caktohet nga fuqitë ndërkombëtare, Serbia në viset e përmendura do të mundet me vendos pushtetin e saj.

III. Ekselenca e tij Esat pashë Toptani do ta kryejë sa më parë organizimin e pushtetit në Shqipëri, do të formojë komuna, nahi (rrethe) dhe qarqe, duke pasur parasysh sa të jetë e mundur ndarjen e vendit nëpër fise. Do të emërojë për nëpunës njerëz të vet e miq të Serbisë. Serbia do t’i vejë në dispozicion njerëzit e saj për këtë punë.

IV. Ekselenca e tij Esat pasha do të fillojë menjëherë organizimin e ushtrisë dhe xhandarmërisë. Për udhëheqës dhe instruktorë të ushtrisë dhe xhandarmerisë qeveria mbretërore serbe do të vejë në dispozicion njerëz të vet, si dhe një numër të konsideruar xhandarësh.

V. Pasi ta kryejë organizimin e komunave, rretheve dhe qarqeve Esat Pasha do të fillojë zgjedhjet e deputetëve për kuvend dhe do të kujdeset që në Asamble të vijnë njerëz të besueshëm dhe ithtarë të tij dhe të Serbisë. Në këtë punë Serbia do ta ndihmojë Esat Pashën.

VI. Po sa të bindet se e ka shumicën e ithtarëve Esat Pasha do të konvokojë mbledhjen e Asamblesë, e cila do ta zgjedh për sundimtar me titull princ.

VII. Sa të zgjidhet për princ, Esat Pasha do t’i paraqesë Asamblesë projekt Kushtetutën e Shqipërisë, e cila më herët do të përgatitet në marrëveshje me qeverinë mbretërore të Serbisë. Pasi që Asambleja ta aprovojë Kushtetutën, Esat pasha do ta formojë qeverinë nga njerëzit që përkrahin idenë e bashkimit serbo – shqiptar.

VIII. Esat Pasha obligohet që pas kësaj, në momentin e përshtatshëm ta aplikojë në jetë, me anë të Asamblesë unionin real me Serbinë, sipas të cilit Serbia dhe Shqipëria do të kenë ushtri të përbashkët, union doganor, përfaqësues të përbashkët jashtë vendit, entet e përbashkëta të tregtisë dhe komunikacionit, një sistem financiar dhe bankën popullore. Gjyqet, arsimi, punët fetare, taksat dhe të ardhurat tjera të dedikuara për nevoja të enteve të veçanta shqiptare, do të jenë thjesht shqiptare. (Esat Pasha do të mundet lirisht të qeverisë me punët e brendshme).

IX. Deri sa të arrihen këto, Esat Pasha do t’i marrë në duar të veta të gjitha doganat, kurse për drejtor do ta pranojë një nëpunës të doganës serbe, i cili tani do ta zbatojë sistemin turk, e më vonë do ta rregullojë doganën sipas ligjeve serbe, që të mund t´i dakordojë legjislacionin doganor serb.

X. Pasi të kryhen të gjitha këto që u përmendën, do të realizohet unioni doganor. Nëse më vonë nuk aprovohet marrëveshje e re, që me të ardhura doganore e të tjera të përbashkëta të plotësohen shpenzimet e përbashkëta (ushtria, përfaqësitë jashtë vendit etj), të ardhurat doganore do të ndahen sipas destinimit të mallit, pasi të heqjen shpenzimet e regjisë.

XI. Që të mund të sigurohet komunikacioni sa më i plotë ekonomik midis Serbisë dhe Shqipërisë, Esat Pasha do të kujdeset që më vonë t´i përshtatë shpenzimet monopolike dhe të taksave në atë mënyrë që të dakordohen me ligjet serbe mbi monopolet dhe taksat (brenda mundësive).

XII. Me kërkesën e Esat Pashës qeveria mbretërore serbe do t´i vejë në dispozicion ekspertët që do t´i ndihmonin ta zbatojë dhe përsosë organizimin e qeverisjes dhe të enteve të nevojshme për shtetin shqiptar.

XIII. Për të bërë të mundur një komunikacion sa më të fortë midis Serbisë dhe Shqipërisë, menjëherë do të fillojë ndërtimi i rrugës prej kufirit serb gjer në Elbasan, e prej andej një vijë do të shkojë për në Durrës, kurse tjetra për në Tiranë.

XIV. Ndihmën që qeveria mbretërore serbe ia ka dhënë ose pas tashti do t’ia japë Esat Pashës, shkon në llogari të borxheve të Shqipërisë.

XV. Gjatë kohës së punëve të përmendura (gjersa të gjitha punët mos të kryhen), ushtria serbe do të mbetet në Elbasan, eventualisht edhe në Tiranë. Kur të paraqitet nevoja e të lejojnë kushtet, ajo në marrëveshje me Esat Pashën dhe komandantin e ushtrisë serbe do të ndërmarrë ndjekjen dhe shpartallimin e kundërshtarëve të vet dhe të Esat Pashës, duke bërë lëvizje sipas marrëveshjes reciproke.

XVI. Nëse Esat Pasha heton se Italia mendon ta okupojë Durrësin, menjëherë për këtë do ta lajmërojë qeverinë mbretërore serbe dhe do të thërras ushtrinë mbretërore serbe, që në emër të tij ta okupojë Durrësin, para se Italia ta bëjë këtë.

XVII. Nëse Esat Pasha e sheh të nevojshme të kërkojë një numër ushtarësh serb, të cilët si xhandarë do t’i mbajë në Durrës, komandanti i ushtrisë serbe do t’i vejë në dispozicion.

Më 28 qershor 1915, Kryetari i qeverisë Esat Pasha.

Edhe kjo marrëveshje është shkruar në turqisht me shkrim arab, si dhe në gjuhën serbe.

Cilat marrëveshje i kishin nënshkruar me Serbinë e Pashiqit, Ahmet Zogu, Esad Pashë Toptani, Ceno beg Kryeziu? I

Please follow and like us: