Kozeta Zavalani: Me vitalitet gjenetik e dinjitet të trashëguar
Mendime për librin:”Çamëria, toka pa njerëz, njerëz pa tokë”
Në Ditën Botërore të Librit, kur më tepër se kurrë i bëhet homazh botëror librit si instrumenti i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive, ne krijuesit, ndërsa po jetojmë të izoluar ndaj coronavirusit, përpiqemi ta mundim atë, duke krijujuar e lexuar. Midis librave të shumtë po ndalem tek libri voluminoz i kolegut elbasanas Hyqmet Zane me artikuj, komente, analiza e opinione të mbledhura në titullin: “Çamëria, toka pa njerëz, njerëz pa tokë”. Në këtë libër ku janë të përmbledhur 143 artikuj dedikuar çështjes çame, autori Hyqmet Zane, me vitalitet gjenetik e dinjitet të trashëguar jep kontribut të pamohueshëm për veprimtarinë atdhetare. Mendoj se një bir i lindur prej prindërve nga krahina e Çamërisë, ka përgjegjshmërinë, krenarinë dhe detyrim ndaj kauzës çame, për t’a bërë faktor në arenën kombëtare. “Të gjithë mbetëm pa kujtimet e vegjëlisë të stërgjyshërve tanë, po aq sa edhe pa bukuritë e vendit tonë të shtrenjtë. – shprehet Zane. Edhe pse kancelari i nderuar gjerman Shrëder është shprehur se “Një njeri mund ta largosh nga shtëpia e tij, por shtëpinë s’ia largon dot nga zemra”, jam i detyruar të shtoj se neve çamëve edhe historinë duan të na e shkulin dhe kujtimet duan të na i zhbëjnë.
Përfaqësuesit e komunitetit çam janë krenarë për historinë e tyre dhe për trashëgiminë e pasur me kontribute në luftën me penë e pushkë për liri, arsim dhe kulturë. Një ndër bijtë për të cilët është krenar çamëria është edhe Nuri Zane nga Filati, i cili u dërgua bashkë me hebrenjtë e Janinës në fillim në kampin Mat’hausen të Austrisë dhe më tej në Dakao të Gjermanisë. Në shtator të vitit 1945 pas lirimit nga kampet gjermane, ai bashkë me çamë të tjerë u nisën për në shtëpitë e tyre, por atje do i priste një tragjedi edhe më e madhe, masakrimi dhe përzënia nga shtëpitë, këtë herë jo nga gjermanët por nga ushtria greke. Kështu Nuri Zane përfundoi jo në shtëpinë e tij në Filat, por në kampet e refugjatëve në Gjirokastër. Gjithnjë do të gjendej një pretekst që çdo shtetas i Shqipërisë me orgjinë nga Çamëria, të futej në burg dhe të dënohej vetëm e vetëm pse ishte çam dhe pyetja e parë që u bëhej ishte: “Çfarë lidhje ke pasur me Teme Sejkon apo Tahir Demin?” Historia tragjike e shqiptarëve të Çamërisë lidhet ngushtë me historinë e hebrenjve të Epirit, të cilëve nuk u njihet e drejta e rikthimit të shtetësisë së tyre greke. Fatkeqsisht idealet e luftëtarëve të lirisë janë mbytur me gjak, ndonëse jetojnë mes shqiptarëve, e duan kombin dhe nuk hakmerren ndaj askujt. Të ikur nga Çamëria në situatë lemerie të paparë, komuniteti çam mendon se duhet tu jepet e drejta që si trung i shkulur, të mos thahet, por të gjelbërojë gjatë jetës. Hyqmet Zane sjell në libër një shprehje të nënës së vet se; “çfarë i bën vetja vetes gjithë bota të mblidhen nuk ia bëjnë, qoftë për mirë e qoftë për keq”. Sipas dëshmive historike të kohës kanë qenë personalitete të Çamërisë që kanl ndikuar në zgjidhjen e problemeve të kombit, duke dhënë kontribut të spikatur në letrat shqipe si shkrimtari disident Bilal Xhaferri, etj, që bërrtasin nga përjetësia për të rikthyer në vend drejtësinë. Historikisht ka ekzistuar një popullatë shqiptare në një territor të quajtur Çamëri, i cili ka nxjerrë personalitete që nga lashtësia e deri në ditët tona, ndaj kurrsesi nuk mund të mendohet mohimi i të drejtave të tyre. Bismarku i Gjermanisë ka pohuar se “i vetmi faktor i përhershëm i historisë, është gjeografia”. Ndaj edhe libri i Hyqmet Zanes u bën apel strukturave shtetërore që të përcaktojnë vendin që i takon Çamërisë në tekstet shkollore, që historia të mos harrohet ndër breza. Të gjithë duhet të ndihen krenarë që me gjithë persekutimin e kohës, ajo pjesë e shqiptarëve të quajtur çamë, ia dolën të mbijetonin me vitalitet gjenetik e dinjitet të trashëguar.