Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Jashari: Pse NATO e bombardoi Jugosllavinë?

Gjatë këtyre viteve, pas ndërhyrjes humnaitare të NATO-s, kundër Jugosllavisë, kemi parë dhe dëgjuar shpesh, qëndrime e deklarime nga më të ndryshmet, në jo pak raste edhe me qëllime jo të mira, duke dhënë kahje tjera nga ajo që realisht kishte.

Pas Luftës së II Botërore, ka pasur rreth 1200 konflike e që NATO-ja ndërhyri në rastin e Kosovës, Bosnjës, por jo edhe në rastet e Burmas, Kamboxhias, Çeçenisë, Kongos, luftës Iran-Irak, Liberisë, Libanit, Somalisë etj.[1] Kjo organizatë (NATO) e formuar në Traktatin e Atlantikut Verior, më 4 prill 1949 është sistem i mbrojtjes kolektive, ndaj një sulmi të armatosur kundër një a më shumë anëtarëve të këtij traktati konsiderohet si sulm kundër të gjithve dhe për pasojë të gjithë duhet të veprojnë bashkarisht dhe individualisht edhe me përdorimin e forcës së armatosur për ta rikthyer dhe mbrojtur sigurinë në hapësirat e Atlantikut Verior.[2] Kundër NATO-s ishte Pakti i Varshavës, e që NATO gjatë Luftës së Ftohtë, nuk ndërmori asnjë operacion ushtarak, edhe pse në këtë periudhë Pakti i Varshavës kishte kryer disa ndërhyrje ushtarake kundër disa vendeve joanëtare të NATO-s, si ndaj Polonisë më 1956, pastaj më 1968 kundër Çekosllovakisë. Derisa pas Luftës së II Botërore deri në përfundim të Luftës së Ftohtë, në mbi 75% e vdekjeve kanë ndodhur në konflike.[3] Derisa SHBA, kishte ndërhyrë në më shumë se 240 herë e që mund të kalonte në rreth 300 raste, duke përfshirë nga veprimet demonstrative e deri të luftërat e mëdha, derisa SHBA pas Luftës së Ftohtë në 36 raste ka dërguar misione paqëruajtëse, e që prej Luftës së II Botërore deri në Luftën e Ftohtë kishte dërguar 10 herë misione.[4]

Mirëpo vetëm pas Luftës së Ftohtë, u pa nevoja që NATO, të ndërhyjë edhe në rastet kur dështon diplomacia, me qëllim të menaxhimit të krizës.[5] Pas presionit të publikut, OKB kërkoi nga NATO, që të intervenonte, në Luftën e Bosnjës, pas dyshimeve për kryerje të krimeve të luftës kundër civilëve.[6] Për herë të parë, në konfliktin e Bosnjës, NATO bëri përpjekjet e para për dhënijen fund të trazirave, e që filloi me:

  1.  Operacionin “Martime Monitor” më 16 korrik 1992 deri më 22 nëntor 1992, që ishte bllokad në ujërat ndërkombëtare për Serbinë, e sanksionuar me rezolutat 713 dhe 757 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.[7]
  2. Pasuar me Operacionin “Sky Monitor”, prej 16 tetor 1992 deri më 13 prill 1993, i sanksionuar me rezolutën 781 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ndalonte zonën e fluturimit në hapësirën ajrore të Bosnjës, por që avionët serb në rreth 500 raste e shkelën ndalesën.[8]
  3. Operacionin “Maritime Guard”, prej 22 nëntor 1992 deri më 1993, i sanksionuar me rezolutën 787 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ndalonte lundrimin në ujërat e Adriatikut për anijet Jugosllave.[9]
  4. Operacioni “Deny Flight”, prej 13 prill 1993 deri më 20 dhjetor 1995,  ndalonte fluturimin në hapësirën ajrore të Bosnjës, e sanksionuar me rezolutat 816 dhe 836 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në incidentin e Banja Llukës, më 28 shkurt 1994, avioni amerikan në kuadër të NATO-s, duke përmbushur Operacionin “Deny Flight” rrëzoi 4 avion prej 6 sa kishin bombarduar një fabrikë boshnjake,[10] për shkelje të zonës së ndalimit të fluturimit. Derisa burimet serbe theksojnë që janë rrëzuar 5 nga 6 avionët e tyre në këtë incident, Ky incident ishte i pari rast në historinë e NATO-s, që përfshihej në luftime.[11]
  5. Operacioni “Sharp Guard”, që prej 15 qershor 1993 deri më 2 tetor 1996, që kishte të bënte me bllokadën navale ndaj Jugosllavisë, e që ishte sanksionuar në një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit të OKB-së si rezolutat 713, 757, 787, 820, 943.[12]
  6. Kulminoi me kampanjën e parë ajrore i filluar më 30 gusht dhe përfunduar më 20 shtator 1995, në Opracionin “Deliberate Force”, pasi ushtria e të vetëquajturës “republika srpska” kishte kërcënuar dhe sulmuar zonat e sigurta të caktuara nga OKB, në Srebrenicë dhe Markala, pastaj në granatimin e tregut të Sarajevës, më 28 gusht 1995.[13]

Pas përfundimit të konfliktit në Bosnje, me Marrëveshjen e Dejtonit, NATO kreu edhe tre operacione në këtë vend, e që janë IFOR( Operation Joint Endeavour) dhe SFOR( Operation Joint Guard dhe Operation Joint Forge).

Prandaj me rastin e konfliktit të Bosnjës, shohim evoluimin e NATO-s, nga një organizatë krejtësisht defanzive ushtarake, që nuk kishte vepruar në asnjë rast më parë, në një organizatë që do merrte rolë më aktiv.

Në të njëjtën kohë Perëndimi nuk ishte i përgatitur që ta emërtonte si luftë dhe që t’i përgjigjej Serbisë, madje tërë kohën duke u përpjekur ta shmangnin veprimin ushtarak kundër Jugosllavisë, duke përdorur diplomacinë dhe duke menduar që përmes saj do arrinin të shmangnin veprimet ushtarake, madje edhe përmes demonstrimit të veprimeve ushtarake vetëm nëse dështonte diplomacia.[14] Askush nuk do hynte në luftë, askush nuk do sakrifikonte jetën e vetë, për ta mbrojtur dhe çliruar vendin e tjetrit. Ndërhyrja humanitare e NATO-s, në rastin e krizës humanitare në Kosovë, ishte rasti më i pastër në histori. Derisa zërat që ndryshe theksojnë, që kishte edhe qëllime të tjera, qartë janë pjesë të propagandës serbe karshi kësaj ndërhyrjeje humanitare. Në rastin kur Serbia përgatitej për ekzekutimin e planit për spastrim etnik në Kosovë, NATO e kuptoi situatën që ishte tejet serioze dhe me qëllim të parandalimit të saj,[15] edhe pse nga shumë burime theksohet që ajo veproi me vonesë, do duhej të ndërhynte edhe më përpara.

Kosova paraqiste një nga imperativët moral më të qartë, që impononte veprimin ushtarak, që nga Lufta e II Botërore. Afër 2 milion njerëz në Kosovë, kërcënoheshin nga spastrimi etnik dhe s’kishte asnjë dyshim për atë që ndodhte dhe për pasojat që në të ardhmen mund të ndodhnin. Perëndimi kishte përvojën e holokaustit në Luftën e II Botërore dhe poashtu edhe pasojat e spastrimit etnik në Bosnje. Të njejtat operacione Serbia i përgatiste edhe në gusht të 1998 dhe me shkeljen e kushteve të marrëveshjes së tetorit 1998, qartë provohej që Serbia shumë shpejt do të shkonte në luftë me popullin e Kosovës.[16] Gjegjësisht ishte e pritshme lufta e Serbisë ndaj popullatës civile tërësisht të papërgatitur për t’iu kundëvënë forcës ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë. Pushtimi Osman, në bashkësundim me Patrikanën e Stambollit, e kishte bërë të veten, duke tjetërsuar edhe kulturën Shqipëtare të mbrojtjes së vendit. E kjo do nënkuptonte një krizë të rëndë humanitare dhe një spastrim etnik të ri në Europë, edhe në rastin e Kosovës.

Vetë NATO deklaroi më 23 prill 1999, se objektivat e saj ndaj ndërhyrjes ushtarake humanitare në rastin e Kosovës synonin:

  1.  Verifikimin e ndalimit të të gjitha veprimeve ushtarake dhe dhënijes fund menjëherë të dhunës dhe represionit;
  2. Tërheqjen nga Kosova të  forcave ushtarake, policore dhe paramilitare;
  3. Vendosjen në Kosovë të prezencës ushtarake ndërkombëtare;
  4. Kthimin e pakusht dhe të sigurtë të refugjatëve dhe personave të zhvendosur dhe mospengimin  në qasjen e tyre në organizatat e ndihmës humanitare, si dhe
  5. Themelimi i një marrëveshje-kornizë politike për Kosovën, mbi bazën e Pajtimit të Rambujes, në pajtim me ligjin ndërkombëtar si dhe me Kartën e Kombeve të Bashkuara.[17]

Madje edhe intensifikimi i bombardimeve kundër Jugosllavisë, u bë me rastin kur Serbia filloi spastrimin masiv etnik,[18] gjë që tregonte praktikisht se ndërhyrja ushtarake e NATO-s, kishte qëllimin parësor ndalimin e spastrimit etnik.

Prandaj ishte dhe mbeti tërësisht ndërhyrje ushtarake humanitare, aksioni më i pastër dhe më i pakontestuar deri më tash.

 

 

 

 

 

[1] https://csis-website-prod.s3.amazonaws.com/s3fs-public/legacy_files/files/media/csis/pubs/kosovolessons-full.pdf, faqe 55.

[2]https://www.nato.int/nato_static_fl2014/assets/pdf/stock_publications/20120822_nato_treaty_en_light_2009.pdf, neni 5, paragrafi 1.

[3] The historical survey work of Herbert J. Tillema, International Conflict Since 1945, Boulder, Westview, 1991.

[4] https://csis-website-prod.s3.amazonaws.com/s3fs-public/legacy_files/files/media/csis/pubs/kosovolessons-full.pdf, faqe 56 dhe 81.

[5] https://www.nato.int/nato-welcome/index.html.

[6] https://www.brookings.edu/articles/decision-to-intervene-how-the-war-in-bosnia-ended/ .

[7] The Air Force Law Review, Vol.41, 1997, faqe 261.

[8] Beale, Michael. Bombs over Bosnia: The Role of Airpower in Bosnia-Herzegovina. Air University Press. 1997, faqe 19; https://www.nytimes.com/1993/03/19/world/un-moving-to-toughen-yugoslav-flight-ban.html.

[9] https://www.globalsecurity.org/military/ops/maritime_guard.htm; http://www.euc.illinois.edu/_includes/docs/ReportoninterplayWEB.pdf, faqe 33-79; https://www.nato.int/acad/fellow/99-01/lemos-maniati.pdf, faqe 22.

[10] Beale, Michael, Bombs over Bosnia: The Role of Airpower in Bosnia-Herzegovina. Maxwell Air Force Base, Montgomery: Air University Press, 1997,faqe 2-3; https://peacekeeping.un.org/sites/default/files/past/unprof_b.htm .

[11] Owen, Robert, “The Balkans Air Campaign Study: Part 1”. Airpower Journal, (verë 1997). faqe 21.

[12] Peter L. Hays; Brenda J. Vallance; Alan R. Van Tassel. American Defense Policy. JHU Press. 1997, faqe 533; https://www.nato.int/ifor/general/shrp-grd.htm ; https://www.nato.int/ifor/un/u960924a.htm.

[13]http://www.afsouth.nato.int/factsheets/DeliberateForceFactSheet.htm .

[14] https://csis-website-prod.s3.amazonaws.com/s3fs-public/legacy_files/files/media/csis/pubs/kosovolessons-full.pdf, faqe 54.

[15] Po aty, faqe 78.

[16] Po aty, faqe 54.

[17] Po aty, faqe 23-24.

[18] John A Tirpak, “Short’s View of the Air Campaign, Air Force Magazine, September 1999, faqe 43-47; https://csis-website-prod.s3.amazonaws.com/s3fs-public/legacy_files/files/media/csis/pubs/kosovolessons-full.pdf, faqe 84.

Please follow and like us: