Albspirit

Media/News/Publishing

Persekutorë dhe të persekutuar/Sadik Bejko: Takim me Nexhmije Hoxhën për festivalin e 11 në RTVSH!

Fragmenti më poshtë është shkëputur nga libri me kujtime i gazetarit Bashkim Trenova. Ky episod, fjala ime sy për sy kundër Nexhmije Hoxhës, si pjesëmarrëse në një takim artistësh në vitin 2003, përmendet dhe në librin me kujtime të Agron Çobanit, gazetar dhe drejtues i radiotelevizionit shqiptar.

Ja si shkruan Bashkim Trenova në librin e tij:

“Në një ceremoni të zhvilluar në prillin e vitit 2003 në ambientet e Arkivit Qendror të Shtetit, drejtori i institucionit, Shaban Sinani, ish sekretar apo këshilltar i Ramiz Alisë, pasuesit të Enver Hoxhës, kishte ftuar me këtë rast edhe disa personalitete, emrat e të cilëve lidheshin me Festivalin e XI të Këngës në Radio-Televizion. Shaban Sinani nuk kishte harruar të ftonte gjithashtu edhe të venë e diktatorit, Nexhmije Hoxhën, si edhe të renë e tij Teutën, gruaja e djalit të madh të tij, Ilirit. Në sallë ishte edhe Sadik Bejko, i cili në një moment qetësie, pasi mbaruan diskutimet e të tjerëve, merr fjalën dhe thotë: “Nuk e kuptoj përse janë bashkuar në këtë sallë persekutorët me të persekutuarit! Ne që u shfarosëm për atë të shkretë Festival, tani na duhet të rrimë bashkë me shfarosësen. Ç’do Nexhmije Hoxha këtu”?! Ai nuk shprehu asnjë ndjenjë hakmarrje, vetëm kërkoi që fantazmat e të kaluarës së zezë të qëndrojnë në errësirën e tyre. Askush nuk i shqetëson, le të mos shqetësojnë të tjerët”!

Është një nga ngjarjet që më ka trishtuar shumë në ato kohë.

Në atë sallë të AQSH ishin shumë personalitete të artit shqiptar. Po edhe disa përfaqësues të shoqërisë civile, të shtypit, të kishës protestante.

Përballë Nexhmije Hoxhës, tre metra më tej, ishte Mihallaq Luarasi dhe e shoqja, Edi Luarasi.

Tish Dajia i kishte dorëzuar Arkivit të Shtetit 18 këngë (me tekstin poetik dhe me partiturën e melodisë) të Festivalit të 11-të.

Një ngjarje.

Gjithë muzika dhe tekstet e Festivalit të 11-të u zhdukën, kur ai u dënua si festival armiqësor nga Plenumi i Katërt, më 1973.

Muzikanti i shquar Tish Dajia i kishte ruajtur dhe tani po ia dorëzonte Arkivit.

Panelin atë ditë e drejtonin prof. Shaban Sinani, drejtori i Arkivit të Shtetit dhe Agron Çobani, drejtori i Televizionit Shqiptar.

Në sallë ishin të ftuar kompozitorë, konferencierë, regjisorë, gazetarë, poetë, dirgjentë… disa nga ata që kishin qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në Festivalin e 11-të.

Ishin edhe Aleksandër Lalo, Bashkim Alibali, Ferdinand Deda, Liri Lubonja, Zhani Ciko….

…nuk dua te zgjatëm po aty ishin në shumicë njerëz nga elita e artit shqiptar të kryeqytetit. Mbase dhe disa nga ata njerëz hije që mbushin aktivitetet me praninë e tyre, pa asnjë përmbajtje, pa asnjë parim, veç si prania e virusit në pandemi… fytyra të përhershme, të kota, pa bereqet, ikona pluskuese si hijet në mbrëmjet e pemëve me erë, me shi.

Kishte dhe diplomatë, poetë, gazetarë të njohur e të panjohur, disa prej emrave të tyre ende i kam ndërmend…

Gjithë kjo masë prej dy- a- treqind vetësh, ishte amorfe, pa frymë, pa fytyrë, ajo nuk merrte pjesë për të mbajtur një qëndrim, ajo ishte aty veç që të pohonte veten e vet: ata ishin njerëz të rëndësishëm, derisa ishin ftuarit e një eventimenti në AQSH.

Prania e N. Hoxhës me Teuta Hoxhën të gjithëve u kishte dhënë një maskë në fytyrë. Të gjithë ishin strukur pas asaj maske mbrojtëse. Nuk u ngritën të iknin nga salla, nuk u ngritën të protestonin praninë e asaj, e Monstrës që u kishte bërë jo pak dëm. Disa prej tyre i kishte internuar, burgosur. Vunë përsipër fytyrës një maskë të akullt dhe thanë: le të ndodhë, ne jemi të duruar, po, ç’të dojë le të ndodhë. Ne nuk kemi punë të përzihemi. Ne na ftuat në një aktivitet dhe po marrim pjesë si kukulla, pa e investuar as shpirtin tonë, as mendjen tonë.

Nuk mjaftoi as kjo, indiferenca e shtirë.

Prania e N. Hoxhës bëri që një kompozitor me emër të kthehet mendërisht dhe psikologjikisht pas, të kthehet në mendësinë e vitit 1973. Ai u ngrit dhe e dënoi muzikën e tij të vitit 1973, ai tha: Festivali 11-të artistikisht ishte asgjë. Zero. Mua më dënuan dhe ma bënë mirë. Më çuan në bazë. Po atje unë gjeta nuse. Atje unë gjeta motive muzikore nga folklori që më shërbyen në gjithë jetën time.

Kjo nuk durohej…

Në sallë një mostër po i helmonte me praninë e saj që të gjithë.

Nuk e zgjata, u ngrita.

Kërkova që një kriminele, një persekutore nuk duhet të ishte në të njëtën sallë me ne që na kishte persekutuar. Përmeda ata që kishin bërë burgje e internime sepse kishin kompozuar këngë dhe poezi. Thirra: Kurrë mos u burgostë njeri për këngë dhe për poezi.

E keqja ishte se unë mbeta vetëm. Nga salla nuk më ndihmoi njeri.

Shaban Sinani, që drejtonte panelin, më tha se nuk do të pyesim ty se cilin do të ftojmë në aktivitetet e AQSH.

Në krahun tim ishte prof. Xhevat Lloshi. Kjo që po ndodh, është e turpshme, më tha ai.

Dicka nuk shkontë. Dola nga salla të pi një cigare. Pse duhet të na ftonin bashkë me Nexhmije Hoxhën?| Pse salla po e duronte? Dola nga salla të pi një cigare.

Gjithë dufin ia zbraza atij kompozitorit që shau Festivalin dhe mburri regjimin komunist që e ndëshkoi. Më doli përpara me cigare në buzë.

More qelbësirë, i thashë. Kemi qënë në një redaksi. Kolegë kemi qenë, mbase nuk kemi qenë miq. Po ti paske mbetur i dhjerë në brekë. Akoma ta paska futur frikën në palcë Nexhmija? Akoma i servilosesh si zagar. Si nuk ke turp. Hedh baltë mbi veten tënde. E quan ndëshkimin fatbardhësi. Ptu ptu!…

Desh u përlamë fizikisht.

Po aty doli një i fortë dhe na ndau.

Më tha: Unë jam Minella Gjenerali. Më tha: Si del e flet kundra shoqes Nexhmije?

Isha furtunë nga mendja. Nuk më plas për ty M. Gjenerali, i thashë. Pse fut hundët ti? Më tha: Unë jam ndër oficerët e Sigurisë së Arkivit të Shtetit. Unë e fyeva. Mbro Arkivin, mos mbro Nexhmijen more Gjeneral i leshit. Të ka ikur koha, ty edhe asaj. Pirdhuni.

Piva cigare dhe u ktheva prapë në sallë.

Pashë se shumë emra që nuk dua t’i përmend, ishin me kokë të varur. Disa po dilnin.

Në sallë u ngrit këngëtari i shquar Bashkim Alibali. Ai e mbrojti Fesivalin e 11-të. Tha: Edhe pse i kisha krahët të ngrohtë politikisht, mua më dënuan që për pesë vjet të mos ngjitem në skenë si këngëtar.

Profesori plak dhe i sëmurë me kancer, ikona e mrekullueshme e muzikës shqiptare, Tish Dajia, u ngrit dhe tha se Festivali i 11-të ishte i bukur… Mbrojti muzikën, artistët, performancat…

Kur dolëm nga salla një gazetare e shtypit të shkruar, ish studentja ime, më sulmoi me fjalë të egra. Pse po më shan, i thashë? Më tha: Si guxove dhe e fyeve publikisht një zonjë si Nexhmije Hoxha?

Është një kriminele, i thashë, nuk duhet të shfaqet në publik një monstër që ka mbi supe aq përgjegjësi, aq tmerre, aq krime.

Për rreth një javë kam qënë i traumatizuar.

Kisha menduar se në vitin 2003 Nexhmije Hoxhës, një krimineleje duhet t’i vinte turp nga vetja që të shfaqej në publik.

Ajo atë ditë na bëri një sfidë.

Ishte e ftuar në një institucion shtetëror si Arkivi Qëndror i Shtetit, arkiv ku më së shumti ruhen krime që atë e baltosin si një nga gratë më monstra në historinë e Shqipërisë.

Dhe ajo e kishte syrin pishë. Ajo sfidonte.

Unë pata guximin që t’ia përplasja në sy, t’i thoshja që ti je e papranueshme në shoqëri, ti je një kriminele, ti je një monstër…

Please follow and like us: