Albspirit

Media/News/Publishing

MADHËSHTIA E MBRETIT PIRRO TE EPIRIT

Prof dr. Resmi Osmani

Pirrua (318-272 e.v.), në plejadën e mbretërve ilirë, Bardhylit, Glaukut para tij dhe Agronit, Teutës e Gentit pas tij, është ylli i ndritur i asaj kurore. Me bëmat, trimërinë, mënçurinë dhe madhështinë e veprës së vet ai e vuri veten ndër njerëzit më të medhenj të epokës së tij. Me të do të mburresh çdo vend e popull. Edhe për ne ai është burim krenarie dhe vlerësimi, si pjesë e historisë sonë të lashtë e të lavdishme.
Ai i përkiste familjes mbretërore molose të Ajakidëve, që pretendonin se rridhnin nga Pirro Neoptolemi, biri i heroit të famshëm, Akilit pellazgjik, që u vendos në Epir pas luftës së Trojës. Princeshë e kësaj familjeje ishte edhe Olimpia, nëna e Aleksandrit të Madh. Ati i tij ishte mbreti Ajakid. Pas trazirave politike të brendshme dhe intrigave maqedonase, Ajakidi u përmbys nga një grusht shteti. Pirrua ishte dy vjeç, e kërkonin që ta vrisnin, por besnikët arritën ta dërgonin në oborrin e mbretit ilir të taulantëve, Glaukias, ku u rrit nën kujdesin e mbretëreshës Beroia, e cila ishte princeshë molose.
Deri në moshën dymbëdhjetë vjeçare ai u pais me edukatën, zakonet, traditat dhe shpirtin luftarak ilir dhe fliste ilirisht. Me ndihmën e mbretit Glaukia, në vitin 307 p.e.r.,kur ishte dymbëdhjetë vjeç, ai u vendos në fronin e mbretërisë atërore, por pesë vjet më pas, kur shkoi në dasmën e djalit të Glaukut, me të cilin ishin rritur bashkë, kur mungonte, me një grusht pallati u shfronësua dhe në fron hipi Neoptolemi,
djali i Aleksandër Molosit.
Për Pirron e ri, nisin vitet e vështira. Vihet si oficer në shërbim të kunatit, burrit të së motrës Deidemasë ,mbretit të Maqedonisë, Dhimitër Poliarketi , i cili e dorëzon si peng te mbreti Ptoleme në Egjypt. Këtu, pasi rrëfen trimëri në beteja e mënçuri në drejtim të ushtrisë, martohet me thjeshtrën e Ptolemeut , mbretit të fuqishëm të Egjiptit, Antigonën dhe me ndihmën e Ptolemeut, më 297 p.e.r. në moshën njëzet vjeçare rimerr fronin mbretëror, për të qenë njëzet e pesë vjet mbret i Epirit.
Pirrua, si edhe mbretërit e tjerë të kohës para së gjithash, ishte një mbret luftëtar, që luftoi për pavarësinë dhe fuqizimin e shtetit të trashëguar, Epirit, të rrezikuar nga Maqedonia dhe fqinjët grekë, por i ndryshëm prej tyre, që veç të tjerash, lavdinë e kërkonte në fitoren e fushbetejave. Modeli dhe idhulli i tij ishte i kushëriri, Aleksandri i Madh.
Trim, i mençur, i talentuar, guximtar, strateg dhe takticien ai luftoi dhe fitoi kundër mbretërve maqedonas dhe u shpall për dy vjet edhe mbret i Maqedonisë. Luftonte krahas ushtarëve, atje ku ishte rreziku më I madh duke rrëfyer akte heroike. Kur ishte me ta e konsideronte veten ushtar,
si njërin prej tyre. Pas fitores së parë të madhe kundër ushtrisë maqedonase, Ushtarët e tij e quajtën “Shqiponja e Epirit” dhe “Pirro Burri” ai u përgjegj se ishte ngritur aq lart në fluturim në sajë të krahëve të tyre. Ndryshe nga Aleksandri i Madh, që e kërkoi lavdinë në lindje, Pirrua ashtu si mbreti Aleksandër Molosi, i drejtoi sytë nga perndimi, u hodh në Gadishullin Italik, ku gjatë gjashtë viteve bëri beteja
të përgjakshme kundër romakëve dhe kartagjenasve ne Siçili.
Madhështia e tij si gjeneral, faktohet ngaqë, në fushatat e tij luftarake në Maqedoni, Greqi dhe Itali, ai nuk humbi asnjë betejë. Edhe e famshmja betejë, që ka hyrë në histori si “Fitorja e Pirros”, pavarësisht nga humbjet njerzore e materiale, ishte një fitore. Pirrua organizoi dhe ngriti në këmbë ushtrinë e përhershme,profesioniste.
Për herë të parë, në teatrin evropian të luftimeve ai futi në luftë elefantët.
Pirrua, përveçse gjeneral e luftëtar, ishte një mbret politikan, diplomat e reformator. Riorganizoi Lidhjen Epirote si një mbretëri federative të qëndrueshme me tre krahina: Molosinë,Thesprotinë dhe Kaoninë, me të drejta të barabarta, që qeveriseshin nga Asambleja dhe Këshilli i Përfaqësuesve. Të drejtën e mbretërimit e kishte Molosia. Secili nga antarët e federatës kishte asamblenë e vet dhe nxirte e miratonte ligjet në bazë të interesave të shtetasve të vet. Njësoi monedhën në tërë mbretërinë, vuri kontrollin mbi tregëtinë e jashtme, taksat dhe doganat e monopolet. Mallrat epirote eksportoheshin në vende të tjera. Mishi i të leshtave dhe djathi gëzonin nam të madh në Romë. Në kantieret e anijeve ai ndërtoi flotën me të cilën më von u hodh përtej Adriatikut. Sesa e qëndrueshme dhe funksionale ishte kjo formë qeverisje u vërtetua pas mungesës së tij të gjatë në fushatën italiane.
Vlen të vihet në dukje se nga historianët,nuk ka të dhëna që ai të ketë luftuar kundër mbretërve ilirë të kohës.
Kufiri i tij me ilirët mbeti lumi Vjosa. Pavarësisht nga interest e shtetit të vet, ai kishte ndjenjën e panilirizmit përkatësisë të të njëjtit gjak. Një fakt kurioz: pas vdekjes së gruas së pare, Antigonës nga tre martesa që bëri, me dy prej tyre u lidh në miqësi me mbretërite Ilire të Paionëve dheTaulantëve. Kjo nuk është pa domethënie.Pirrua e fuqizoi dhe e zgjeroi shtetin e vet.
Pas luftërave me Maqedoninë dhe grekët, ai i ktheu Epirit rajonet e banuara nga ilirët: Tymfein, Parauejin dhe Dolopinë, mori gjysmën e Maqedonisë dhe kufirin e vendosi në lumin Aksios (Vardar), i bashkoi mbretërisë së tij një pjesë të Tesalisë
dhe Etolo-Akarnaninë.
Kufiri i qëndrueshëm i shtetit të Epirit ishte: Në veri krahu i majtë i Vjosës, në perëndim gjithë bregdeti jonian, në jug gjiri i Ambrakisë dhe Etolo-Akarnania, malet e Pindit e ndanin nga Maqedonia.
Për hir të gjenialitetit të tij, fuqisë ushtarake dhe ekonomike, Pirrua, vendin e tij të vogël e të varfër, e ktheu në faktor politik me ndikim në gjithë zhvillimet mesdhetare, siujdhesës ilirike dhe botës greke. Pirrua kishte ambasadorë dhe të dërguar në gjithë vendet e rajonit. Si diplomat dhe politikan ai ndiqte zhvillimet dhe dinte të përfitonte nga dobësimi apo kontradiktat e kundërshtarëve, duke hyrë në veprime kur duhej dhe në vendin që duhej, duke përdorur befasinë. Dinte të sulmonte e të fitonte, por kur e donte puna edhe të tërhiqej me nder.
Nën sundimin dhe qeverisjen e Pirros, si rezultat i luftrave që fitoi, grabitjes, dhe plaçkitjes së vendeve të mundura( gjë e zakonshme në luftërat e asaj kohe), skllevërve dhe haraçeve, Epiri u pasurua shumë. Këtë pasuri, Pirrua e vuri në shërbim të zhvillimit të vendit.
Transferoi kryeqytetin nga Pasaroni malor në Ambraki
(Arta e sotme), e cila u bë një kryeqendër e lulzuar.
(Më vonë pas pushtimit romak, nga ambrakia u grabitën mbi 1000 statuja!) Pirrua ndërtoi qytete të reja: Në gjirin e Ambrakisë, në siujdhesë, u ndërtua qyteti i Berenises (Preveza e sotme) i quajtur kështu për nder të së vjehrrës. Në Lunxheri të gjirokastrës ngriti qytetin e Antigonesë (me emrin e së shoqes) ndërsa në Gjirokastër ndërtoi fortifikimet që u quajtën Pyrrikastra dhe që shërbeu si bërthamë e qytetit të sotëm të Gjirokastrës. Ndërtoi rrugë të brendshme që lidhnin Kaoninë me Eurimenin (Janinën) e shumë e shumë punime të tjera, përfshi edhe murin rrethues të orakullit të Dodonës dhe amfiteatrin e saj me afro tridhjet mijë vende që ruhet edhe ne ditët tona.
Pirron,veç trimërisë e karakterizonte edhe fisnikëria, bujaria dhe burrëria në trajtimin e kundërshtarit. Është i njohur rasti, kur pas betejës me romakët ai zuri robër shumë legjionarë. Konsulli romak për lirimin e tyre vuri në dispozicion shumë flori, por Pirrua i tha se ne nuk luftojmë për flori, se luftën e bëjmë me hekur, me trimëri zemër dhe krahët tanë! Dhe i liroi pa shpërblesë 1800 robërit dhe varrosi me nderime të rënët. Këtë rast human, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, në vitin 1952, e mori si shembull që duhet ndjekur edhe sot e kësaj dite nga fuqitë ndërluftuese. Historiani i lashtësisë dhe biografi I “Jetëve paralele”, Plutarku, na thotë se mbreti Pirro ishte edhe teoricien ushtarak,se ai kishte shkruar disa traktate për strategjinë dhe taktikën luftarake, por që me kalimin e shekujve kjo trashëgimi ka humbur.
Pirrua kishte dhe një të metë: dëshirën e pafashitur për të luftuar, për të siguruar, fuqizuar dhe pasuruar shtetin e vet. Zgjodhi të bënte një jetë heroike. Në kurorën e mbretërimit të tij, çdo vit shkëlqen si një margaritar i veçantë nga gjenia krijuese, mençuria, trimëria, guximi, këmbëngulja, vullneti I papërkulur për fitore dhe lavdia me të cilën mbuloi emrin e tij dhe Epirin. Kjo etje e pashuar për beteja dhe fitore i solli edhe vdekjen e parakohëshme. Vdekjen, edhe pse e mendonte,nuk mund ta zgjidhte dot. Fati dhe rasti i ruajtën një fund të trishtueshëm në betejën e Argosit të Greqisë. Për vdekjen e tij vlejnë si epitaf, ajo që ai tha për të birin, Ptolemeun ”Vdiq më vonë sesa pritej”. Guximi, trimëria dhe kurajua për t’u përballur me çdo rrezik mund të kishin qenë për të, në çdo rast një mundësi vdekjeje. Gjithnjë ka një fund, por ndërsa njeriu ikën, vepra mbetet, nuk vdes. Kur e pyetën Anibalin e kartagjenës se kush ishin gjeneralët me të mëdhenj të kohërave, ai të parin përcaktoi Aleksandrin e Madh, të dytin Pirron e Epirit dhe të tretin veten e tij.PIRRUA DHE TRASHËGIMIA HISTORIKE.

 Nga mbretërimi i Pirros, kanë kaluar njëzet e tre shekuj. Për Epirin dhe tre krahinat përbërëse të tij: Molosinë,Thesprotinë dhe Kaoninë, është folur e shkruar shumë, por do të flitet dhe do të shkruhet ende shumë për shkak të interpretimeve dhe pretendimeve greke për këtë trevë thjesht pellazgo-Iliro- shqiptare, që asnjëherë, e theksojmë: Asnjëherë nuk ka qenë tokë apo popullatë greke. Këtë pjesë toke në veri të Greqisë, historianët grekë e quajtën “Epir”, stere. Ndërsa banorët e saj i konsideruan barbarë, që ka kuptimin jogrek. Thesprotinë dhe mbretin e saj Fedon e përmend Homeri që në shekullin e IX p.e.r. Homeri përmend edhe orakullin e famshëm të Dodonës dhe lumin Akeron që përcillte të vdekurit në botën e nëndheshme(Had). Të mos harrojmë se këto vende mitike janë në Çamërinë e sotme. Këto treva janë burim i miteve,i valles së famshme çame “Pirrike”dhe fustanellës, i folklorit dhe trashëgimisë gojore mahnitëse.
Në gjithë historinë e tij, Epiri dhe Thesprotia janë shquar si vendlindje e burrave të zotë, të vyrtytshëm, bujarë dhe të zgjuar. Por Pirrua mbetet më I shndritshmi ndër ta, Ai rrezatoi me ndriçimin e tij çdo skaj të botës. Edhe sot e kësaj dite, ajo kumton para kujtdo se në këto troje të lashta kanë jetuar njerëz krenarë, njerëz që kanë lindur e rritur figura të përmasave proverbial si ajo e Pirros. Edhe pas vdekjes së Pirros, trashëgimtarët e tij sunduan në këtë shtet deri sa ndodhi pushtimi romak. Edhe më vonë në mesjetën e hershme, këtu vazhduan të banonin fiset vendes si ai i Mazarekëve, që luftuan kundër Karl Tokos, lindën trima të shquar e luftëtarë si princi Gjin Bua Spata apo Depe Zenebishi, të cilët gjenin shembull dhe frymëzim te figura e Pirro Burrit. Por,shembullin dhe frymëzimin më të madh prej tij e mori heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili trashëgoi cilsitë e tij prej burri shteti, strategjinë dhe taktikën e tij, jo vetëm përdori emblemën me shqiponjë, përkrenaren me brirë dhie, zhvilloi fushata në Itali si ai, por për rastësi, mbretëroi me të njëjtën madhështi si ai plot njëzet e pesë vjet!
Tradita luftarake, kryengritëse dhe liridashëse vazhdoi në shekuj, për të kulmuar në kryengritjet antiosmane dhe ato mbrojtëse nga agresioni megalideist pas formimit të shtetit grek. U shquan kapedanët e çamërisë dhe te labërisë si kapedanët e Sulit, Çaparejtë e Luaratit,Prronjot dhe Dinejtë e Paramithisë, Husajt e Marglliçit, që bashkuan dhe vllazëruan armët me Çelo Picarin, Zylyftar Podën , Halit Frashërin, luftë që më pas e vazhdoi kapedani legjendari Çamërisë Muharrem Rushiti. Shqipëria ishte një dhe shqiptarët të bashkuar, të besëlidhur e vllazëruar. Epiri dhe Çamëria, deri para vitit 1913, asnjëherë nuk kanë qënë domen grek, atje nuk kanë banuar grekët por shqiptarët. Fataliteti historik i vitit 1913, interest e fuqive të mëdha dhe lakmitë gllabëruese të fqinjëve i ndanë . Është një padrejtësi historike e cila duhet të vihet në vend. Shekulli i XXI pas pavarsimit të Kosovës, është shekulli që punon për shqiptarët, për bashkimin dhe njësimin në një shtet të vetëm kombëtar. Ky është mesazhi që na vjen nga trashëgimi historik dhe amaneti i rilandasve tanë të ndritur
Please follow and like us: