KOTORRI, QENDËR E ILIRISË DHE SHUMË MBRETËRVE ILIRË
Faton Mehmetaj
Boka e Kotorrit është pjesë iliro-arbëre dhe gjithmonë e populluar me shqiptar, deri në periudhat e vona kur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë e ndihmuar edhe nga Kisha Ortodokse serbe, përmes elaborateve të caktuara bëri spastrim etnik dhe kolonizim të tokave shqiptare më dhunë në disa pjesë të etnikumit shqiptar. Iliria – si një kuptim gjeografik dhe njësi politike, si dhe etnogjeneza e saj, pasqyrojnë një përbërje nga shumë fise dhe konfederatat e tyre si: Liburnia, Dallmatia, Panonia, Dardania, Maqedonia, Pellegjia etj. Poenët e Maqedonisë dhe dardanët përmenden nga Homeri si aleatë të trojanëve. Dikur ilirët ishin komuniteti më i madh në Evropë në kohën antike, por edhe sot ata paraqesin kombin më të madh në Gadishullin e Ilirisë. Megjithatë, ata janë populli më i ndarë në Evropë nga kufijtë ndërkombëtar. Sipas B. Hrabak del se numri i shqiptarëve në Bokë të Kotorrit ishte aq i madh sa që mund të thuhet se ata e përbënin elementin themelor të ripërtritjes demografike dhe se ishin pjesë përbërëse e etnogjenezës së popullatës së Kotorrit. Për ta dokumentuar zullumin sllav ndaj shqiptarëve në Kotorr, flet edhe arqipeshkvi i Shkupit Petar Karaxhiq, ai i Tivarit Viҫentije Zmajeviq dhe ipeshvi i Kotorrit Marin Draga, në raportet e tyre dërguar Romës në vitet 1700-1708, vënë në dukje zullumin e madh që patriku i Pejës dhe kleri ortodoks në përgjithësi bënin ndaj shqiptarëve katolikë, të cilët kështu gjendeshin midis dy zjarreve (nga një anë zullumi turk, nga ana tjetër zullumi i kishës ortodokse), dhe kështu këta detyroheshin të kalojnë në fenë islame, ose në ate ortodokse. Pra ndërrimi i fesë te shqiptarët e këtyre viseve nuk u bë vetëm nga «ndikimi turk», siҫ thotë Hilferdingu, por edhe nga zullumi i madh i kishës ortodokse. Edhe për kundër këtyre përplasjeve dhe padrejtësive të mëdha historike që i bëri Serbia në dëm të shqiptarëve, aty kanë mbetur dëshmi të pa kontestueshme që tregojnë për Kotorrin që ishte puro tokë shqiptare. Dëshmitë ilire janë kudo, ato vetëm duhet mbledhur e sistemuar. Kjo pjesë është perla dhe gjiri më i madh i Detit Adriatik. Fillon me gjirin e Hercegovinës, i cili ngushtohet në ngushticën e Kumborit, dhe me këtë kalon në gjirin e Tivatit, e nëpër verigë hyn në gjirin e Kotorrit. Rajoni natyror, kulturor dhe historik i Kotorrit është pjesë e gjirit tërheqës të Boka Kotorska, një liman unik natyror në lindje të bregut Adriatik të Malit të Zi. Në saje të vlerave të jashtëzakonshme, universale, rajoni u fut në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 1979. Jeta në zonën e Kotorrit, daton që nga periudha parahistorike. Nga shek.4 dhe më tej kjo trevë zotërohej nga ilirët. Gjatë periudhës Ilire, në Bokë u themeluan dy qytete: Risani, rezidenca kryesore e mbretëreshës ilire, Teutë, dhe prej saj e mori emrin i gjithë gjiri si Sinus Rhizonicus (Gjiri i Risanit); dhe qyteti Acruvium, i përmendur në shekullin e parë pas Kr. Rhizon-emri antik i Gjuhës së Kotorit, N. Johan e krahasonte me shqipen rrjedh-ë, rrjedha e lumit. Kotorri është përmendur qyshë herët nga shkrimtarët dhe gjeografët antikë romakë. Dëshmi të shkruara lidhur me këtë i gjëjmë sidomos te Skilaksi (gjysma e shekullit IV para kohës së re), pastaj te Probi, Straboni, Ptolemeu, Livi e Plini plak. Fjala Rrezon (rrezet e djellit si rrezon djelli) ishte e përafërt me emrin Risan, por mund të përket edhe me emrin Rrizanë (vend ku rrinë zanat). Në periudhën e sundimit ilir e romak është quajtur prej tyre Sinus Rhisonicus. Agroniumi, sot Kotorri, ka qenë selia e mbretit të Ilirisë-Agron dhe mbretëreshës Teutë dhe e njësisë administrative-politike, Albania Veneta, për disa shekuj me radhë. Ky qytet përfaqësonte një shembull tipik të ndërtimtarisë ilire prej guri. Gurët ciklopik të vendosur me teknikën e mjeshtërve ilir dëshmojnë një epokë dhe arkitekturë origjinale autoktone. Gurët e vendosur na kujtojnë murin ciklopik në Ulqin, Risan, Shkodër etj. Ajo që tërheqë më tepër vëmendjen këtu është fakti se të gjitha ofiçinat e njohura të gurskalitësve, si p.sh.: ajo e Tivarit, Ulqinit, Kotorrit, Raguzës, Korçullës, Zarës dhe e Splitit, kanë qene punëtori që i zotronin shqiptarët. Në kuadër të skulptorëve dhe gurskalitësve që u përmendën më sipër ishin: një tivaras, tre raguzianë dhe dy prej Zare. Pas tivarasit, padyshim, fshihet skulptori zulmëmadh Miho (Mikel) Tivarasi. Ndërkaq, pas raguzianëve fshihen edhe shqiptarët Marin Goga dhe Gjin Aleksi. Miho Tivarasi me siguri ka lindur dhe është shkolluar në Tivar, meqë në çdo dokument të zyrës raguziane, ku zihet n’gojë ky skulptor dhe arkitekt, përmendet edhe qyteti i tij i lindjes Antibar, Antiuar, Antibaro, nga del edhe patronimi i tij Tivarasi, mirëpo në Raguzë ai kishte ardhur në moshë të pjekur. Gjatë historisë, qysh nga kohërat parahistorike deri në shekujt e fundit, talenti ilir shkëlqente në ndërtimtari. Shqiptarët si ndërtues të zellshëm, ishin të njohur në botën antike dhe mesjetare për mjeshtrinë e ngritjes së objekteve monumentale, jo vetëm të atyre perandorake, por edhe për artin e monumenteve fetare. Ata i ndërtonin dhe i mbikqyrnin mirëvajtjen e qyteteve kryesore, të viaduktëve, akueduktëve, rrugëve dhe urave madhështore që qëndrojnë edhe sot, romakëve, të bizantirëve dhe otomanëve. Meqë ilirët banuan pa ndërprerje në Dardani, qysh nga kohrat parahistorike deri në ditët tona, prandaj këtu janë ruajtur monumentet kulturore historike më të spikatura në brendësinë e Gadishullit të Ilirisë. Këtu përfshihen; kullat, kalatë, fushat, kishat, xhamitë, rrugët, udhët, lapidarët, fontanat, urat, akuadutet, gurët mbi varrore, zbukurimet në gurë etj. Ndërtimtaria burimore ilire pas ardhjes së ndërtimtarëve romakë, bizantin dhe otoman, përparoi me pranimin e mënyrave të reja të ndërtimit. Këtu duhet përmendur edhe konfiguracionin e terrenit që është i mbrojtur nga tri anët me humnera e gërmina natyrore që ngjajnë sikur ti kishte zgjedhur një arkitekt i vetëm, këto vende. Ky vend nuk është i njohur vetëm përmes Agronit e Teutës por këtu kohë më parë janë gjetur edhe monedhat ilire me kokën e mbretit të Ballaios, që do të thot se aty ka mbretëruar edhe një mbret ilirë të cilin historia e njeh më pak. Në kështjellat Ilire që gjenden në Mal të Zi ka sunduar edhe mbreti Batua. Gjurmët e sundimit të tyre (si nëpër kështjella e po ashtu edhe në literaturë) gjenden edhe sot e kësaj dite të pashlyeshme. Teuta gruaja e Agronit, udhëhoqi shtetin e Adrianëve nga viti 231-227 p.e re. Ajo pos që ishte mbretëreshë ilire, ishte edhe shenjtore fetare ilire. Ishte prijëse e lartë fetare e fesë autoktone ilire (G.Kovaçi). Bardhyli ishte themeluesi i mbretërisë ilire, ndërsa pas vdekjes së tij besohet se mbretëresha Teuta udhëhoqi perandorinë ilire. Ky shtet shtrihej që nga Ishulli Vis (Isa) në Kroaci duke përfshirë, Risanin, Ulqinin, Shkodrën, Lezhën e deri në Durrës. Në jug të Rizonitëve, gjenden; në fillim kolkiniatët (Ulqin) dhe Labeatët: të parët në perëndim, dhe të dytët në lindje të liqenit të Shkodrës. Me tej, Taulantët, Partinët dhe Albanët ose Skirtonët (Shqiptarët) siç u tha edhe më lartë i përmend edhe Ptolemeu dhe Plini të cilët i ndajnë në dymbëdhjetë fise. Edhe sot e kësaj dite përmenden dhe ekzistojnë dymbëdhjetë fise shqiptare. Këtu duhet përmendur se Shasi, Budva, Kotorri dhe Risani ishin si kryeqendëra të mbretëreshës Teutë. Dacajt e Rozhajes të Kosovës dhe shtrirjet tjera i takojnë fisit të Labeatëve të cilët shtriheshin thellë në Malësinë e Veriut. Sipas Stipçeviqit, në veri të Labeatëve jetonin Dokleatët (Dokleates), të cilët emrin e tyre të fisit e morën sipas emrit të qendresës së tyre kryesore fisnore Doklen (Doklea), Dukla e sotme, afër Titogradit (Podgoricës), të Malit të Zi, ku sipas disa autorëve të lashtë ka lindur edhe perandori romak Diokleciani. Kah shekulli VII p.e.s. fiset e mëdha dhe të forta ilire i bashkojnë rreth vetës fiset e vogla dhe më të dobëta dhe, kështu i krijojnë federatat, të cilat, në krye të tyre e kishin udhëheqesin ushtarak, të quajtur Bazilej. Federatat më të njohura ishin: e Enkelejëve, Taulantëve, Molosëve dhe e Ardianëve, të cilat me kohë u kthyen në mbretëri të fuqishme. Kulmin e zhvillimit dhe të forcimit shteti ilir e arriti në periudhën e (Mbretërisë) së Ardianëve në kohën e sundimit të mbretit Agron. Pas vdekjes së tij (231 p.e.r.) politikën e tij e udhëhoqi e shoqja, Teuta, e cila sundoi si tutore e mbretit të mitur Pinesit. Kurse, Drishti (Drivasto), në bazë të dokumenteve del si dioqezë në vitit 458, sikurse edhe Lezha (Lissus-Alessio) në vitin 592. Një kohë Mbretërinë e Adrianëve e udhëhoqi mbreti ilir Genti, i cili në një betejë me romakët e humbi betejën dhe u zu rob bashk me të shoqen Etuten dhe komplet suiten mbretrore të cilët me pastaj u syrgjynosën në Umbria të Italisë ku edhe vdiqën e që edhe sot e kësaj dite gjendet varri i Mretit Gent atje. Pas fitores ndaj Gencit gjenerali romak Anicijc Galato thirri kuvendin e fiseve kryesore ilire në Shkodër dhe aty shpalli “në emer të senatit dhe popullit romak” se këto fise dhe qytete të cilat kaluan në anën e Romës para rënjës së Mbretit Gent janë të lirë dhe nuk do të paguajn tatime. Kjo ka të bëjë me fiset e Taulantëve, Pirustëve, Daorsëve qytetarëve të qyteteve Rhizon, Olcinium dhe Lissos. Kah shekulli VII (sipas anonimit të Ravenës) Kotorri ishte quajtur Dacaderan apo Dacadon.
Ne këtë vend në shek III, IV para eres se re, ishte qyteti ilir Medeon, apo Meteon.
Oktacian Augusti banorëve të Risanit ua ka ndarë të drejtat si të qytetarëve romakë dhe qytetin prej atëherë e ka quajtur zyrtarisht Iulium Risinium (Ilirum Risinium). Nga të dhënat arkeologjike, nga koha romake janë ruajtur mbetjet e villave romake të shekullit tretë të epokës sonë me mozaiqe të njohura polikrome, nga të cilat më i njohuri është medaljoni me ftyrën e zotit grek Hipnosit, rasti i rrallë në botë. Si qendër peshkopate përmendet në vitin 590. E përmend edhe mbreti bizantin Konstantini VII Parfirogeni, ndërkaq Pop Duklanini shkruan se në gjysmën e dytë të shek. X Zhupa Risan (Rissena) ka qenë në përbërje të Travunisë. Në kohë të Nemanjiqve Risani ka qenë nën sundimin e Rashkës. Gjatë shekujve Risani ka qenë nën sundimin e shumë pushtuesve (venedikas, serb, turq, austrohungarez etj, Risani ka qenë tregu kryesor detar i Hercegovinës). Ka qenë qytet dhe skele detare. Në shek. III p.e.re. Kotorri ka qenë koloni greke. Plini i Ri e përmend si Acruvium. Fuqia e piratëve të guximshëm ilir nëpër Adriatik dhe Detin Jon ka bërë që grekët kolonist, ta thërrisnin në ndihmë Perandorinë Romake. Luftërat e gjata Iliro-romake u përfunduan në fillim të shek.I. Atëherë ka filluar edhe romanizmi i popullsisë ilire në Bokën e Kotorrit. Vendbanimet morën karakter të qyteteve romake simunicipiume. Gjuha latine u bë gjuhë zyrtare për komunikim. Në shek. V. e pushtuan Gotët, por si qytet i rindërtuar Kotorri ra nën sundimin e Bizantit. Emri Perast ka lidhje me fisin ilir Pirustët. Në defteret e vjetra më 1326 përmendet me emrin Perastum. Prej kohërave më të vjetra ka qenë qendër detare. Aty janë ndërtuar edhe anije. Rreth 1200 vjet p.e.re fillon procesi i ndarjes së ilirëve nga thrakasit. Prej atëherë ata jetojnë ndaras sipas lumenjve Morava e Vardari. Në lindje trakasit e në perëndim të Ballkanit ilirët. Në zonat e Malit të Zi kanë jetuar shumë fise ilire. Ardiejt janë kolonizua nga Neretva deri në Budvë. Krahina e tyre kryesore ka qenë Boka e Kotorrit, ndërsa qyteti Rhizon (Risan) ka qenë kryeqyteti i tyre. Andriejt kanë pasur rolin kryesor në formimin e lidhjes fisnore tek Ilirët. Në lindje të Ardiejve kanë jetuar Enkelejt, të cilët e kanë populluar rrypin nga Boka e Kotorrit deri në Durrës. Siç dihet, gjurmët e para të civilizimit (qytetërimit) në Bokën e Kotorrit datojnë nga koha kur në këtë vend paraqitet shteti Ilir gjatë shek. IV para e.re. Në Rison ka qenë (kovnica) shkritorja vendi për prodhimin-fabrikimin e parave. Pos kësaj, Risani ka qenë vendi i gjurmëve të shumta të gjuhës ilirishte. Burimet e para të shkruara janë ato të të vitit 228, kur Teuta u vendos në Risan për tu mbrojtur prej Romakëve. Nga ato kohëra, përveç qyteteve (Acruvium dhe Butua), kanë mbetur mjaft gjurmë të (tempujve) ndërtesave të mëdha, villave me mozaiqe (mozaiqet në Risan janë të zbuluar më figurën mitologjike të zotit Hipnos), xhade (rrugë), mbishkrime, pjesë të ujësjellsit, furra, (keramika) etj. Krahas ilirëve, në disa hapësira si në (Budva, Solilla) etj, ka gjurmë edhe të kolonëve grekë. Por me pushtimin e Ilirikut nga Romakët në vitin 168, ata e qeverisën Bokën deri në vitin 476. Risani në periodën e Romakëve ka qenë vendbanimi kryesor i Bokës, e prej periudhës ilire deri në shek. XII e gjithë Boka është quajtur Gjiu i Risanit (Rizo-nikos kolpos). (Sinus Risonicus). Kurse Bizanti ka qeverisur me Bokën pas rënjës së Perandorisë Romake të Perëndimit në vitin 476. Në mesin e shek. XI. këtu u vendosën Vajisavleviqit në mesin e shek. XI. është kjo kohë kur mbreti Mihajlo Vojisavljeviq u çlirua nga qeverisja bizantine. Një kohë Kotorri u gjend në përbërje të mbretërisë së Duklës. Mbreti e kishte oborrin mbretëror. Në Kotorr është zhvilluar pushteti lokal autonom në bazë të rregullimit munipacial romak përmes politikës ekonomike dhe organizimit kishtar. Në Kotorr u formua rregullimi komunal i tipit mediteran që edhe krahas ndërrimit të shpeshtë të zotrinjve e ruante qeverisjen stabile. Kotorri për shumë kohë kishte njohje tranziti të limanit detar ndërmjet Ballkanit, Gadishullit Apenin dhe Mesdheut. Në këtë kohë, Kotorri ishte ngritur në pikpamje kulturore. Në periudhën mes viteve 1391-1420, Kotorrin e gjëjmë nën sundimin e Balshajve. Por për ta ruajtur pavarsinë e brendëshme bëri marrëveshje me Republikën e Venedikut dhe mbet nën qeverisjen e saj deri më 1797. Në këto procese, sllavizimi i qyteteve ishte proces i ngadalshëm që filloi pas shek. X. Mirëpo problemet e mëdha u shkaktuan pasi Nemanja gjatë udhëtimeve pushtuese nëpër Duklë shkatërroi qytetet bregdetare. Edhe për kundër kësaj, Kotorrasit në oborrin serb kanë qenë pjesë e përfaqsimit të pushteti, kishin poste të diplomatëve për sferën perëndimore, ishin udhëheqës financiarë, gjykatës dhe doganier të oborrit e para së gjithash ishin të pasuruar si tregtarë. Gjatë udhëve të karvaneve ata kishin formuar kolonitë e kotorrasve, sdiomos në epokën e zhvillimit të xehtarisë dhe të fuqizimit të shitjes (transportit), të argjendit, plumbit dhe bakrit në shek. XIV (Brskovo, Rudnik, Trepҫa, Novo Brdo), etj. Gjatë shekujve XVII e XVIII Boka e Kotorrit e themeloi (mornaricën), floten detare ndër më të fuqishmet në qendrat tregtare Mesdhetare dhe Evropiane. Detarët e Bokës në fillim nuk kishin potencial të madh por filluan të hynë në luftëra antipirate në det me qendrat në Afrikën veriore në Barbarij (Tunis), Ulcinj (Ulcinium) dhe Herceg Novi. Ata i kërkuan Venedikut për t’i dhënë luftëtarë, tregtarë, detarë dhe anije. Në saje të bashkpunimit me Vendikun, ata fituan statusin e fshatrave bregdetare, komunave, privilegje të shumta tregtare, fituan orendi e medalje për shërbimet në luftra. Mornarcia-flota e Kotorrit ka luajtur rol të madh, përmes saj është bërë tregti, sidomos me drithëra nga shqipëria, me djath të Greqisë e Malit Zi, me lesh, duhan, lëkura, mish të terur, me peshk, ulje, është bërë tregti edhe me rroba etj. Në këtë hov ekonomik ka prosperuar Perasti që në fund të shek. XVII kishte më shumë se 200 anije. Në këtë kohë u ngritën disa familje aristokratike që pasurinë e tyre e fituan përmes tregtisë. Më e njohura ishte familja shqipare e Zmajeviqve, Vishoviqve, Bujoviqve dhe Martinoviqve (Familjet Martin+aj = Martinaj dhe Bujaj+Buj+aj), etj. Në shek. XVIII të ardhurat e këtyre familjeve nga tregtia për një vit ishin përafersisht rreth 200.000 lira ari. Dioqeza e Kotorrit Sipas Suflayt, krishterimi hyri në Shqipëri prej Italisë përmes dy portave: Durrësi e Solona e Dalmacisë. Kështu, terminologjia kishtare më e vjetëra e shqipes është latine. Boka e Kotorrit në shek. VI ka qenë e organizuar në tri (biskupi) dioqeza (peshkopata, ipeshkëvi): Kotorri, Risani, Budva. Ipeshkvi i Kotorrit Sebastiani përmendet në shkrimet e papës Gërguri i Madh, 591 – 595…Papa i Romës Klimenti VI ka kërkuar nga mbreti serb Dushani 1346 që besimtarët pravosllavë t’i kthehen dioqezës së Kotorrit. Në atë kohë Kisha serbe “ka persekutuar klerin katolik, i ka uzurpuar kishat katolike, i ka detyruar shqiptarët të paguajnë taksa të ndryshme, të ndërrojnë emrat e tyre dhe të marrin emra sllav, i ka detyruar ata (shqiptarët) të pagëzohen në kishat serbe, por edhe ka bërë punë të madhe në sllavizimin e toponimisë vendëse etj”. Kështu që, mund të konsiderohet, se me bëmat e saja mban tani rekordin botëror për mizoritë fetare. Më 1367 papa Urbani V i ka luftuar qeveritarët Venedikas që t’i marrin nën mbrojtje katolikët e ritet romake sepse po trazoheshin nga hertikët. Shpeshherë ka ndodhë që pravosllavët i kanë marrë kishat katolike romake… (shih. f. 801). Në kohën e Nemanjiqëve (1186-1371) dioqeza pravosllave ka pasur juridiksion mbi të gjithë katolikët romakë në Serbi (Rashkë)… Kreu aktual i dioqezës së Kotorrit është monsinjori Ilija Janjiq i cili i ka bashkuar në Kotorr dhjetëmijë (10.000) katolikë romakë. Në një letër tjetër, Papa kërkonte nga Dushani, t’i lejojë Ipeshkvisë së Kotorrit për t’i mbledhur kontributet e caktuara kishtare në famulli. Edhe përkundër vrejtjeve dhe presioneve që i bënte Papa, Dushanit, që të mos e presekutonte elementin e krishterë, e që në shumicën e territorit ku e kishte shtrirë ndikimin Dushani, ishin toka shqiptare dhe popullsi shqiptare ai vazhdoi ta presekutojw atw. Prej shek. V-VII në Gadishullin Ilirik-Ballkanik erdhën sllavët, një popull nomad, atdheu i të cilëve ishte ultësira përtej Karpateve. Ardhja e tyre është ngjarje më e rëndësishme për popullsinë e këtyre trevave. Serbët, nën udhëheqjen e zhupanit të madh Stefan Nemanjës (1165-1195) e themeluan dinastinë e Nemanjidëve, të cilën e ngritën në kohën e Manuel Komnenit në territorin e Rashës, njëherë si vasalë, e më vonë e fituan pavarësinë dhe i zgjeruan kufinjtë e shtetit të tyre. Stefan Nemanja, para se të hipte në fron (1168) e pranoi fenë ortodokse sllave (Pravosllavle) në kishën e “Svetog Petra” (Tani nw Novo Pazar), se para kësaj date ishte katolik.