Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Selaudin R. Guma

Poetit lirik

Sadik Bejkos

 

Ç’të shkruaj për profesorin

Korife i letërsisë

Si një Promete i ngritur

I bën apel shoqërisë.

 

Njerëz, mos mbyllni sytë kurrë

Mos u bëni baltë e gurë

Breg lumi a vidh i thatë

Të përkulur der nëngjunjë.

 

Kush lexon poezinë e Bejkos

Dhe bën analizën e saj

Kupton filozofinë prej shekujsh

Mendimin skalitur me art.

 

Pushtimi i zhurmshëm nga jashtë

Ndez tokën me flakë e me zjarr

Por më keq është pushtimi i heshtur

Nga shqiptarë mercenarë.

 

S’ka rëndësi ç’pushtime janë

Në një pikë janë solidarë

Ta zhbëjnë, ta zhdukin këtë popull

T’i rrjepin lëkurë dhe asht.

 

Ka beteja e beteja

Nga kohët e hershme deri sot

Kur vargjet gdhenden me ndjenja

Janë kala që s’kapen dot.

 

 

Pronat

 

U desh kjo kohë të njihen njerëzit

Të njihej shoku, miku, fqinji

Të njohësh ata që je rritur

Vëllezër, motra, kushurinj.

 

Në këtë kthesë shumë të madhe

E para del prona, shtëpia

Secili për vete, zoti për të gjithë

U trand, u shkund gjithë shoqëria.

 

Shkriu si borë mali fisi, vëllazëria

Katrahurë vendi, plagë shoqëria

Të vrarë e të plagosur nga çdo anë

Me vello zie mbulohet Shqipëria.

 

Nga prindërit mora emrin e mirë

S’më mundi cmira, langaraqët

Të vjetër e të rinj i shoh drejt në sy

Mëshiroj të pangopurit që befas u shfaqën.

 

 

 

Syzet e diellit

 

Syze të bukura kishe blerë

Të errta shumë si deti i zi

Të mbrosh sytë nga dielli i zjarrtë

A dikush tjetër që të ndjek ty.

 

Matanë trotuarit isha unë

Më pe a s’më pe nuk e di

Unë mbeta thjesht i mahnitur

Nga hijeshia që ke vetëm ty.

 

Dhe thashë me vete u thefshin qelqet

Që fshehin dy sy, të bukur, të zinj

Një femër e bukur gjithnjë admirohet

Dhe njerëzit i mbush veç me bekim.

 

Bjonde është edhe luledielli

Sa hëna e plotë e një pranvere

Qafën rrotullon pas rrezes së diellit

Shoqëron atë nga lindja në perëndim.

 

Zemrat ngjajnë shumë me lulet

Nga veshja, nga flokët, nga sytë

Ndonëse në stinë të ndryshme lulzojnë

Bukurinë përherë tregojnë.

 

Kush ka sytë e tu si rubinët

Pluhurosur me grimca diamantesh

Në netët e gushtit flakërijnë

Si meteor në qiell, ndezur, përflakesh.

Please follow and like us: