Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NË PIQERAS UJË KA E “UJË S’KA”!

Kjo parodi ka vite e dekada që ka nisur, si nëpër skeçet e estradave të dikurshme dhe befas mbrinë gjer në ditët sotme! Në një nga fshatrat më të bukurat e Shqipërisë, me resurse të shumta natyore, me klimë detare e malore bashkë dhe me ca burime të kristalta që derdhen në det kotmasikoti, ndërkohë që dy vite më parë patëm edhe 200 turistë nga Europa e nga kontinentet e largëta!
Mirëpo, ja tek krijohen edhe disa “re të zeza”, jo nga qielli, po nga njerëzit mëtëlartë teje, që ti i ke zgjedhur për “burra të mirë”! Nuk kam as tre ditë që kam ardhur këtu, në vendlindjen time e bashkëfshatarët ma “zunë kafen në fyt”, tek ishin mbledhur në “BAR-BUFE PIQERASI”, duke më thënë se”ç’djall shkruan ti, djali ynë, kur ne s’kemi as ujin e pijshëm me bollëk (po me orare e pikatore, si të qe “shura e kecit!”) dhe as ujin e Kanalit Vaditës, që dikur e merrnim nga lumi i Kalasës që derdhet në det, ndërkohë që po na thahen ullinjtë e agrumet, si edhe nuk bëjmë dot as zarzavatet në këtë stinë të tharë e përvëluese”! Mandej, ç’farë nuk thanë tjetër në adresë të atij e të këtij, kur nuk i kishte dëgjuar kush, ndër vite e dekada dhe kanalit vaditës egzistues i 52 viteve më përpara, i janë ndryshkur jo vetëm tubat, po edhe “zorrët i kanë dalur përjashta”, duke e lejuar ujin të derdhet “jashtë shtratit të vet”… Duke e patur llafin për hekurat e tejkonsumuara e të ndryshkura të betonimeve të dikurshme në kanalet lidhëse. I njejti Problem i Madh, edhe me grumbullimin e ujit të pijshëm, nga dy burime të largëta, që shterojnë në behar e gënjejnë banorët e shkretë (që kanë mbetur aty!), gjatë shirave të dimrit, kur shtohen vetiu, nga Perëndia! Kryepleqtë që ndërrohen sa herë që ndërrohet edhe qeveria, ngrejnë duart përpjetë e s’kanë ç’të bëjnë fare, kur ështe fjala për investime buxhetore të qënësishme e të përhershme e jo për “përci-përci”,-thanë ata të zëmëruar. Se, edhe kur ata që kishin fituar tenderin për “ndërtimin e ujësjellësit të ri”, nuk i ndërruan të gjitha tubacionet e ndryshkura e të varrosura, nën tokë (gjysmë shekulli më parë!), edhe pse disa banorë që i kishin thirrur formalisht e thanë fjalën e tyre, “se mos e bënin një gjë të këtillë…”. Po, ku je e hiç gjëkundi! Dhe, si bënë si deshën, “bashibozukët e tenderit!”, thanë që “tani do të keni 24 orë ujin e pijshëm!”, duke vajtur lartë, nëpër zyra e gazeta edhe gënjeshtra e rradhës! Por, edhe ne,-tha një tjetër,- nuk gjejmë dot fjalë si t’u themi të huajve, turistëve që kanë filluar të vijnë rishtazi, si t’i gënjejmë a t’i dëbojmë! Dikush aty, psherëtiu thellë e tha: “Ah, ku je, o Enver Hoxha, ku je”!? Po aty që u mblodhën edhe të tjerë kafepirës, sikur i kishte “thirrur shejtani”, bënë sikur nuk e dëgjuan këtë folës të dëshpëruar… Se askush nuk e dëshiron atë kohë, ca më tepër që të “kthehemi mbrapa”, në periudhën e vullnetarizmit, të shtetit “shurdh”, pa gojë e pa para, që nuk na la as dhinë e lopën e as ullirin e agrumet, që i kishim mbjellur vetë nëpër shekuj e me to e “shtynim jetën”! Apo që të merreshim badiava me kinezëritë e kinezërve, nëpër male, duke i lënë djerrë taracimet e para të baballarëve tanë… Duke hapur kështu edhe “taracime” me anë të të burgosurve, si edhe me anë të rinisë, të mbledhur me kamiona, nga ana e anës, me flamuj përpara, duke brohoritur për Partinë, Enverin dhe Mao Ce Dunin! Po,-tha dikush tjetër se me këta “vullnetarë të papaguar”, Enveri e hapi tunelin e Sasajit dhe e solli lumin e Kalasës këndej. E kshim ujin me bollëk, edhe për të pirë, edhe për të vaditur! Po tani, ç’bëhet tani?! A thua se do thahemi dhe ne për ujë, si të ishim në Sahara!?
Një investitor privat, po me këtë ujë, që derdhej kot e shkonte në det, bleu ca tubacione fringo të reja, dy turbina e bëri poshtë kodrinës, buzë detit, një hidrocentral të vogël, të cilin erdhi dhe e inaguroi edhe Kryeministri i dikurshëm. Po në kanalin ujitës që e kishte drejtimin nga Piqerasi, nuk vuri dorë më njeri, as privati e as shteti! Dhe e “ndreqnin me mballoma” gjithmonë, duke u thënë edhe fshatarëve të raskapitur nga këto kohëra të habitëshme që kishin ardhur: “Hë de, pagueni edhe juve diçka, për mballomat e pantallonave tuaja të grisura”! Ç’farë tallje! Ku është ai deputeti ynë që na i premtoi të dyja këto gjëra jetike minimale? Po ay Kryetari i Bashkisë, përse nuk vjen e të shohë ç’bëhet këtu, në një nga fshatrat më të bukura të Shqipërisë, kur edhe Muzeu i djegur që në 97-ën, me muret e nxira nga flakët, tromaksin të madh e të vogël, pa përmendur edhe turistët e huaj, që nuk përtojnë të bëjnë edhe foto?! Amani, ore!
Piqeras, më 16 korrik 2022.
Please follow and like us: