Albspirit

Media/News/Publishing

Ramiz Lushaj: Ambasadorë amerikanë për shqiptarët (6)

15 MARS 1991: RIVENDOSEN MARRËDHËNIET DIPLOMATIKE SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS – SHQIPËRI

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria i rifilluan marrëdhëniet e plota diplomatike më 15 mars 1991, pas më shumë se pesëdhjetë vjet mosnjohjeje dhe vetëm tre muaj pas heqjes së regjimit komunist shqiptar.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua në një ceremoni zyrtare në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Ndihmësi i Sekretarit të DAP të SHBA-së, Raymond Seitz (Raymond George Hardenbergh Seitz, i lindur më 1940 në Honolulu Hawai të SHBA, i pari diplomat i karierës në historinë moderne të Amerikës i emëruar ambasadori i SHBA në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, 1991-’94, sepse ky post zakonisht i jepet një të emëruari politik. Ai, kohë më parë, ishte në Mbretërinë e Bashkuar  i Sekretar i parë apo Ministër i Ambasadës së SHBA. Ai u nderua me gradën “Honorary Doctor” në shtatë universitete në Mbretërinë e Bashkuar (1992-’99). Ndër vite ishte në detyra e funksione të ndryshme në DASH. Presidenti Amerikan Xhorxh H. W. Bush e emëroi NdihmësSekretar të Shtetit Amerikan për Europën e Kanadanë 1989-‘91) dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Muhamet Kapllani (Diplomati Muhamet Kapllani, 1943 ka qënë tre herë ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë në qeveritë Nano e Bufi nga 22 shkurt deri më 6 dhjetor 1991). Ceremonia u ndoq, gjithashtu, nga krerët e Partisë Demokratike të Opozitës, Sali Berisha dhe Gramoz Pashko (Gramos Pashko, Doktor i Shkencave Ekonomike, pedagog i USHT, ndër themeluesit e PDSH më 1990, Zv/kryeministër e ministër i Ekonomisë 11 qershor-6 dhjetor 1991, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Mjeshtër i Madh).

 

Kristofer R. HILL, I Ngarkuar me Punë (a.i.) SHBA në Shqipëri, 1 tetor–21 dhjetor 1991

PËRPARIMI I SHQIPËRISË NË NJË ÇEREK SHEKULLI I NGJAN NJË PROJEKTI TË MADH NDËRTIMI…

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, me Dekretin 9748 të dt. 30.09.206, e ka nderuar diplomatin e parë amerikan rezident në Tiranë, ambasadorin amerikan Christopher R. Hill (Kris Hill) me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” (“Urdhri Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” për nga rëndësia e tij, në Shqipëri, vjen i dyti, pasi “Urdhrit të Flamurit Kombëtar”)  me rastin e 25-vjetorit të rihapjes së Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Ceremonia e dorëzimit u krye në institucionin e Presidencës, në Tiranë, më 1 tetor 2016. Ambasadori amerikan Kristofer Hill ishte “I Ngarkuar me Punë Ad. Interim i SHBA në Shqipëri” nga 1 tetori deri më 21 dhjetor 1991.

Motivacioni i dekoratës:

“Në vlerësim të kontributit të rëndësishëm që ky mik i çmuar i shqiptarëve ka dhënë në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; për përkrahjen dhe inkurajimin e palëkundur ndaj vendosjes së demokracisë në vendin tone në fi llim të viteve 1990-të si dhe për ndihmesën e vyer në konsolidimin e marrëdhënieve historike, strategjike dhe miqësore mes popullit shqiptar dhe atij amerikan”.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani:

“Pikërisht sot një çerek shekulli pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës,–një gur themeli në marrëdhëniet tona strategjike, miqësore dhe të përjetshme, kam kënaqësinë e veçantë të organizojmë së bashku këtë ceremoni solemne për të nderuar dhe vlerësuar një mik të sinqertë të vendit dhe popullit tonë. Dhjetë muaj më parë festuam 25-vjetorin e shembjes së diktaturës komuniste në vendin tonë. Duke nisur nga demonstratat paqësore të studentëve në vitin 1990 e deri tek themelimi i partive të para opozitare, vendosja dhe konsolidimi i demokracisë – shqiptarët dhe Shqipëria kanë përjetuar ngjarje dramatike, që na kanë ndryshuar jetën kryekëput dhe tashmë jemi anëtarë të NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Të gjitha këto arritje dhe fi tore të Shqipërisë, vendit të fundit të Evropës që u çlirua nga Perdja e Hekurt, u bënë të mundura dhe realitet edhe në saje të ndihmës dhe mbështetjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara dhe popullit mik amerikan. Dhe tashmë Shqipëria e gjen veten një aleate besnike e Amerikës, pjesëtare kontribuese në koalicionin e madh ndërkombëtar që lufton terrorizmin dhe ekstremizmin e që përpiqet pareshtuar në përhapjen, mbrojtjen dhe lartësimin e vlerave dhe të parimeve të lirisë e demokracisë anembanë rruzullit. Ambasadori Hill ishte diplomati i parë amerikan rezident në vendin tonë pas më tepër se katër dekadash, dhe dita e shumëpritur kur u më në fund, pas izolimit të imponuar nga vetë shqiptarët dhe territ të diktaturës komuniste, në Tiranë u hap Ambasada e Shteteve të Bashkuara, shënoi edhe një pikë kthese vendimtare në ripërtëritjen e lidhjeve historike dhe shpirtërore mes vendeve dhe popujve tanë. Nuk duhet të harrojmë se ndryshimet demokratike në Shqipëri gjatë viteve 1990-91 shënuan edhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me tri shtete të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, me të cilat Shqipëria e izoluar për gati gjysmë shekulli nuk kishte as një lloj kontakti diplomatik. Këto vende që në histori kishin qenë gjithmonë pranë shqiptarëve ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vatikani dhe Shteti i Izraelit, dhe pavarësisht lidhjeve të ngushta shpirtërore, historike dhe tradicionale që ushqeheshin dhe mbeteshin të patjetërsueshme në zemrat e qytetarëve të thjeshtë shqiptarë, regjimi i kishte privuar nga këto lidhje dhe komunkime.

Puna e palodhur, veprimtaria e pareshtur dhe kontributet e një miku të Shqipërisë dhe popullit shqiptar për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin, miqësinë, mirëkuptimin, ndjenjën e afërsisë, ofrimin dhe dhënien pa rezerva të shembullit, përvojës së vyer amerikane në shumë fusha me interes të përbashkët, kanë karakterizuar misionin diplomatik të Ambasadorit Hill në vendin tonë. Askush më mirë se ai nuk diti në fi llim të viteve 90-të e më pas, të na gjendet në krah, këtu në mes të Tiranës, duke punuar fi llimisht në Hotel ‘Dajti’ e më pas në selinë e rihapur të Ambasadës amerikane, të na ndihmojë me përvojën e tij të pasur diplomatike të shtrirë në disa kontinente, të ndajë me ne vizionin për një të ardhme më të ndritur bashkëpunimi dhe partneriteti strategjik, në ngulitjen e parimeve të shenjta të lirisë, demokracisë e të kulturës e mendësisë amerikane, si dhe në organizimin dhe planifi kimin e vizitave të rangjeve më të larta zyrtare.

E paharrueshme në kujtesën tonë do të mbetet vizita historike në Tiranë e Sekretarit të Shtetit James Baker dhe mesazhet frymëzuese e shpresëdhënëse që ai përcolli – vizitë që u parapërgatit dhe u mundësua në mënyrë të përkryer edhe nga Ambasadori Hill”.

Ambasadori amerikan Christopher R. Hill:

Pasi mori në dorëzim Dekoratën e lartë, e falënderoi Kreun e Shtetit duke u shprehur se “gjatë këtij rikthimi në vendin tonë ndihej pozitiv e i nderuar, duke qenë se përparimi dhe gjithçka që ka arritur Shqipëria gjatë këtij çerek shekulli i ngjan një projekti të madh ndërtimi mbresëlënës, por ende i papërfunduar dhe se të jesh shqiptar, është diçka e veçantë dhe krenari njëkohësisht”.

 

Kristofer R. HILL, I Ngarkuar me Punë (a.i.) i SHBA në Shqipëri (1 tetor – 21 dhjetor 1991)

Kristofer Hill, i datëlindjes 1952. Djalë i një diplomati amerikan, Robert Hill. Diplomat i karierës, prej nga v. 1977 kur fi lloi në DASH deri Ndihmës Sekretar i Shtetit Amerikan për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit (2005- ’09). Ishte Sekretar për çështjet ekonomike në Ambasaden e SHBA në Korenë e Jugut (1983-’85). Pas misionit të tij në Tiranë (1991) kreu detyra diplomatike: ambasador i SHBA në Maqedoni (1966-’99); ambasador i SHBA në Poloni (2000-’04); ambasador i SHBA në Korenë e Jugut (2004- ’05); ambasador i SHBA në Irak (2009-’10). Iu besuan e realizoi misione të mëdha diplomatike të Amerikës në Europë, Azi e Paqësor (Oqeani): Zëvendës i Hollbrukut në Grupin Negociator të SHBA në Bisedimet e Paqes të Dejtonit 1995 për zgjidhjen e krizës në Bosnje-Hercogevinë; Përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën (1998-‘99) dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i ish-ambasadorit Riçard Holbruk, i dalluar në punën e tij të palodhur dhe diplomacinë ecejake Shkup-Prishtinë-Beograd dhe për rolin e tij në bisedimet e Rambujesë, për çka u dekorua me çmimin prestigjioz të DASH për Negociata Paqësore, “Robert S. Frasure”; Drejtues i Delegacionit të SHBA në Bisedimet Gjashtë Palëshe për zgjidhjen e krizës bërthamore në Korenë e Veriut; etj. Shteti Amerikan ia pat’ zgjatur me 16 muaj mandatin e ambasadorit në Irak duke ia shtyrë atëherit kohën e pensionimit të tij. Aktualisht është Ambasador i SHBA në Serbi, (2022). I zotëron gjuhët polake, serbo-kroate, maqedone, shqipe. Ka marrë vlerësime me tituj, grada, dekorata e çmime në Amerikë, Shqipëri, Maqedoni, BosnjeHercegovinë e Zelandën e Re.

BALLKANI, PROÇES I PAPËRFUNDUAR…

-Intervistë e ambasadorit amerikan Kristofer Hill dhënë “Zërit të Amerikës”, gazetarit të saj, Ilirian Agolli, më 3 tetor 2016 –

Zëri i Amerikës:

-Ambasador Hill! Ju ishit diplomati i parë amerikan, që erdhët në fi llim të viteve 90 në Shqipëri, e cila për shumë dekada nuk kishte lidhje me SHBA dhe e kishte deklaruar atë si armikun më të madh. A mund të ndani me ne çastet e para kur erdhët këtu? Si ishte të punoje në një vend të sapodalë nga diktatura komuniste, vendi më i izoluar, njëlloj si Koreja e Veriut, që ju gjithashtu e njihni mirë?

Ambasadori Kristofer Hill:

-Viti 1991 ishte shumë i rëndësishëm, sepse nga fillimi i atij viti SHBA dhe Shqipëria rifi lluan marrëdhëniet diplomatike, të ndëprera qysh nga viti 1946. SHBA sollën një ekip për të vëzhguar zgjedhjet në fund të marsit 1991 dhe më vonë unë isha përfaqësuesi i parë, që nisa punën dhe hapa ambasadën, në pritje të ambasadorit të parë Bill Rajerson. Ishte një vit I vrrullshëm, kur ndodhën shumë gjëra. Por ai ishte një vit shumë i veçantë dhe i vështirë për vetë shqiptarët. Në fundin e një diktature, këtu ishin gjithë problemet; nga mungesa e ushqimit dhe e shërbimeve, uji dhe energjia. Shqiptarët ndeshnin shumë probleme çdo ditë. Ne u përpoqëm të ndihmonim, por detyra kryesore ishte ta bënim jetën e tyre më të mirë duke ndihmuar që të ata kapërcenin tranzicionin shumë të vështirë. Unë kurrë nuk u ndjeva në rrezik dhe kasha një mbështetje të jashtëzakonshme nga shqiptarët dhe partite politike. Kishte një konsensus në Shqipëri, madje edhe mes një pjese të ish-komunistëve, se ishte koha të ecej përpara dhe të bashkëpunohej me SHBA. Pata një mbështetje të madhe këtu dhe shqiptarët më bënë të ndjehesha si në shtëpi.

Zëri i Amerikës:

-Si e gjetët Shqipërinë pas 25 vjetësh?

Ambasadori Kristofer Hill:

-Kthimi këtu është i jashtëzakonshëm. Nuk kisha qenë prej vitesh. Herën e fundit isha nga mesi i viteve 90. Kaloi një kohë e gjatë, mbi 20 vjet. Tani sheh ndërtime, sheh trafi kun dhe kujton se në 1991 askush nuk kishte makinë dhe vetëm nga prilli 1991 u shfaqën disa makina. Tirana është tani plot me makina në trafi k, jeta e njerëzve ka ndryshuar; ata janë të zënë dhe nxitojnë në angazhimet e tyre. Kjo tregon se vendi po lëviz. Shqipëria është antare e NATO-s dhe ka një miqësi dhe aleancë të ngushtë me SHBA. Këto janë ndryshime të rëndësishme. Shqipëria ka përparuar drejt BE-së. Ka shumë përparim dhe po bëhet një vend europian, sepse i tillë ka qenë për shumë shekuj. I kuptoj problemet që ndeshin njerëzit çdo ditë, i di vështirësitë ekonomike dhe politike, por, nëse çdo individ ndalet një çast dhe sheh prapa, do ta kuptojë se shqiptarët kanë bërë një rrugë të gjatë.

Zëri i Amerikës:

-Shqipëria është një vend antar i NATO-s dhe kandidat i BE. Por tranzicioni i saj ka qenë i dhimbshëm dhe madje po vazhdon ende. A mendoni që Shqipëria ka humbur shumë kohë?

Kristofer Hill:

-Nëse shihni pas në histori, 25 vjet nuk është një kohë e gjatë dhe megjithatë ka patur shumë zhvillime. Shqetësimi se po humbet koha ia ka lënë vendin detyrave për t’u integruar në BE, planeve se si shqiptarët t’i bëjnë punët më mirë. Edhe me fqinjët kanë ngritur marëdhënie të mira në kaq vite dhe kjo është e jashtëzakonshme. Ishte shumë e vështirë 20 vjet më parë të përfytyrohej kjo. A mund të ishin përdorur këto 25 vjet në mënyrë më efi kase për zhvillimin? Sigurisht, që po. Por mendoj se është bërë më e mira, që mund të bëhej në kaq vite.

Zëri i Amerikës:

-Gjatë gjithë këtyre viteve, elita politike nuk ka ndryshuar shumë. Kjo duket në të njëjtat retorika të ashpra, që vazhdojnë të jenë shumë të forta, dhe që shpesh dalin jashtë kontrollit. Çfarë duhet të bëjë një vend për të ndryshuar kulturën politike?

Ambasadori Kristofer Hill:

-Është e këndshme, që mua, si amerikan të më pyesin mbi debatet e ashpra politike në Shqipëri, sepse ju e dini se çfarë po ndodh në SHBA së fundi me fushatën tonë zgjedhore. Ajo është më e ashpra që kam parë në të gjithë jetën time. Jam i kënaqur që nëna ime nuk i dëgjon ato lloj gjërash, që po thuhen në atë fushatë çdo ditë, sidomos ato që thotë kandidati Trump. Pra, nuk jam në kushtet e duhura për t’u dhënë shqiptarëve një leksion për klimën e ashpër politike. Shqipëria ka shumë për të arritur. Ky 25 vjeçar i parë është një fillim i mirë. Shqipëria ka bërë shumë. Por për ta mbyllur këtë proces, duhet një respekt i dyanshëm mes forcave politike.

Asnjëri nuk duhet ta shohë çështjen se sa ka pushtet më shumë se tjetri. Por secila palë duhet ta mendojë mirë se ka një mission historik, që ta përmbushë këtë detyrë. Kjo është e vërtetë edhe për politikanët shqiptarë, për ata amerikanë dhe për çdo politikan në botë. Koha është shumë e shkurtër. Shqipëria duhet të lëvizë përpara dhe palët duhet të bashkëpunojnë për integrimin në BE-së; të bëhen gati për fazën tjetër të histories së vendit, sepse këtë kërkon populli. Në këto kohë, kudo në botë, përfshirë edhe SHBA, ka një reduktim të ndjeshëm të atmosferës së mirë politike dhe të gjithë po kërkojnë që kjo të përmirësohet. Shqiptarët janë të shqetësuar dhe kërkojnë rregullimin e shumë gabimeve të kaluara. Për këtë përmirësim ka nevojë Shqipëria, sepse misioni i saj historic nuk ka përfunduar ende. Politikanët duhet ta kuptojnë këtë dhe të punojnë më shumë.

Zëri i Amerikës:

– SHBA dhe BE, veçanërisht SHBA përmes ambasadorit të vet këtu, po japin një shtytje të madhe që Shqipëria të miratojë reformën në drejtësi. Ndërsa qytetarët mezi po e presin këtë reformë, një pjesë e politikanëve kanë shfaqur hapur mungesën e dëshirës për ta kaluar këtë reformë. Sa e rrezikojnë reformën këto qëndrime?

Kristofer Hill:

-Unë kam qenë më parë ambasador këtu. Ambasador Lu është tani ambasador dhe kjo është një pyetje për të. BE ka një listë me çështje që Shqipëria duhet të arrijë para se të integrohet. Një prej tyre është reforma në sistemin gjyqësor. Kjo është një çështje që populli shqiptar e kupton shumë mire dhe politikanët duhet ta kuptojnë. Të shohin listën dhe të përmbushin ato detyra. Politikanët shqiptarë, edhe pse e kanë të vështirë të punojnë së bashku këto kohë, nuk kam asnjë dyshim se do ta kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë për t’u afruar në BE. Por nuk kam qenë këtu për 20 vjet dhe nuk mund të them shumë për çështje të brendshme si reforma në drejtësi.

Zëri i Amerikës:

-Ju keni qenë pjesëmarrës kryesor në disa ngjarje me rëndësi në Ballkan. Si e shikoni Ballkanin sot? A është akoma ky rajon në një proces të pambaruar?

Ambasadori Kristofer Hill:

-Padyshim që Ballkani është një proces i papërfunduar. Mendoj se është bërë përparim. Kam punuar në Shqipëri dhe më vonë kur bisedoja me negociatorin e Kosovës, një gjë e kuptova më mirë se të tjerët; që Shqipëria nuk donte të ishte një vend me Kosovën; e kuptova se ishin dy vende me të ardhmen e vet. Asnjëherë nuk shqetësohesha si të huajt e tjerë mbi krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shqetësimi kryesor për mua ishte të arrihej mbizotërimi i ligjit, ngritja e institucioneve demokratike, të cilat ishte shumë vështirë të krijoheshin. Tani që pashë përparimin e Shqipërisë jam shumë i kënaqur me këtë. Në Kosovë ka ende shumë për të bërë. Jam i kënaqur me disa përmirësime në Bosnje. Ky është një proces i vështirë, por mbi të gjitha në Ballkan dhuna u la mënjanë dhe nuk ka luftëra. Rajoni ka sfi da të mëdha, por mendoj se Ballkani është një projekt i papërfunduar dhe si i tillë ka nevojë për më shumë vëmendje jo vetëm nga njerëzit e rajonit por edhe nga SHBA dhe nga BE. Kjo është pjesë e Europës, nuk mund të lihet jashtë saj, por duhet përfshirë në të. Shumë përparim u bë, por është e papërfunduar.

Maqedonia është tani në një situatë veçanërisht të vështirë e delikate. Ka probleme me fqinjët, që e shohin si një çështje. Nëse shihni historinë e Maqedonisë ajo ka qenë vazhdimisht një çështje, por tani ajo pyetje e ka një përgjigje; Maqedonia është një shtet tani dhe duhet të punojë shumë fort për të zgjidhur problemet e brendshme.

Zëri i Amerikës:

-Më lejoni t’ju drejtoj një pyetje për Rusinë. A jeni i shqetësuar për rolin e Rusisë në Ballkan dhe për përpjekjet e saj për të ndërhyrë këtu?

Ambasadori Kristofer Hill:

-Rusia nuk ka vepruar mirë vitet e fundit. Jam shumë i shqetësuar për veprimet e Rusisë në Ukrainë, në Ballkan dhe në vende të tjera si Siria. Shqetësimi është se Rusia synon të jetë një nga fuqitë e mëdha; ne duhet të punojmë me Rusinë, Këshilli i sigurimit i Kombeve të Bashkuara po ashtu. Ende nuk kemi gjetur ndonjë shembull bashkëpunimi deri sot me Rusinë. Ja pse shqetësohemi për këtë. Amerikanët po përpiqen të bashkëpunojnë me Rusinë, sekretari Xhon Kerry punon me ta çdo ditë në lidhje me Sirinë. Po mundohemi të ndreqim disa probleme, por është shumë e vështirë. Mendoj se sjelljet e Rusisë së jashtmi refl ektojnë problemet, që ajo ka nga brenda. Unë shoh një shtet rus që ende përpiqet të përcaktojë vetveten për 20 vjet, që nga fundi i Bashkimit Sovjetik. Ndërhyrjet në Ballkan Rusia i ka bërë edhe më parë. Unë nuk mendoj që është në interesin e Rusisë që të jetë aggressive me këto vende, por shohim një Rusi që përpiqet të ndërtojë marrëdhënie me ta. Mendoj se vendet e Ballkanit kanë mjaft marrëdhënie me këdo, por çështja është tek lloji i marrëdhënieve, që ato kanë nevojë. Atyre u nevojiten marrëdhënië që forcojnë lidhjet institucionale dhe demokratike, por në disa raste rusët e kanë të vështirë t’i kujtojnë këto.

Zëri i Amerikës:

-Dhe një pyetje të fundit, si i vlerësoni marrëdhëniet midis SHBA dhe Shqipërisë sot?

Kristofer Hill:

-Marrëdhëniet tona janë shumë të mira, vërtet të shkëlqyera. Vizita e sekretarit Kerry tregoi forcimin e këtyre marrëdhënieve mes shteteve dhe popujve dhe rolin kryesor, që luajnë shqiptarët dhe amerikanët. A mundet që këto marrëdhënie të jenë më të mira? Po. Mundet. Dëshiroj të shoh këtu më shumë investime amerikane. Ne kemi disa gjeneralë këtu, sepse Shqipëria po përmbush përgjegjësitë e saj si antare e NATO-s. Por unë dëshiroj të shoh edhe disa gjeneralë të tjerë si General Motors, General Mills etj. Duke nisur nga fi llimi i viteve 90, nevojiten më shumë investime dhe më shumë lidhje në ekonomi. Por ne kemi ndarë vlera, interesa dhe respekt, sepse ne jemi në një project historik, që nisi 25 vjet më parë; për të sjellë plotësisht Shqipërinë dhe fqinjët e saj në rrymën euro-atlantike. Shumë përparim u bë, dhe nuk duhet të dekurajohemi për çfarë është bërë. Përkundrazi, ato që janë arritur duhet të na shtojnë kurajon dhe këtë inkurajim duhet ta përdorim për të ardhmen.

 

William RAJERSON, Ambasador i SHBA në Shqipëri 1991-’94

Ambasadori amerikan William Edwin Ryerson. Shteti i Rezidencës: Virxhinia. Zyrtar i Shërbimit të Huaj, diplomat i karierës, me gradën “Këshilltar”. Titulli: Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotëfuqishëm. Emëruar: 2 Dhjetor 1991. Prezantimi i Letrave Kredenciale: 21 Dhjetor, 1991. Përfundimi i Misionit: U largua më 13 Tetor, 1994. Detyrat e tij të maparshme: shef i Delegacionit të SHBA në Shqipëri (1991); drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve të Vizave në Byronë e Çështjeve Konsullore në DASH të SHBA (1990–‘91); Konsull i Përgjithshëm në Ambasadën e SHBA në Beograd (1986–’90); në Institutin e Shërbimit të Jashtëmnë trajnimi i gjuhës serbo-kroate (1985–‘86); shefi i Sektorit Konsullor në Ambasadën e SHBA në Bon (1981–‘85); Drejtor i Zyrës në Zyrën e Ndërlidhjes Publike dhe Diplomatike, Drejtoria e Shërbimeve të Vizave, Byroja e Çështjeve Konsullore në DASH të SHBA (1980–‘81); zyrtar në Zyra e Çështjeve të Europës Qendrore në DASH të SHBA (1978–‘80), etj. U lind më 10 dhjetor 1936 në Pompton Lakes në New Jersey (Nju Xhersi). U diplomua në Universitetin Cornell në New York.

JEMI TË INTERESUAR, SIGURISHT, QË TË ZHVILLOHEN MARRËDHËNIET SHBA – SHQIPËRI

 

-Ç’mendim keni për zhvillimin e punimeve të Kuvendit të parë pluralist në Shqipërinë e pasluftës? (Kuvendi i parë pluralist u zhvillua në Tiranë më 15 prill 1991, pas Zgjedhjeve Pluraliste të 31 marsit e turit të dytë të 7 prillit 1991. Ishte Sesioni i parë i Legjislaturës të 12-të. Në seancën e hapjes, morën pjesë deputetët e PPSH-së e të “Omonia-s”, pasi ata të PD-së e bojkotuan atë, vetëm kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Neritan Ceka, lexoi një Deklaratë ku dënoheshin “terrori shtetëror dhe vrasjet politike më 2 prill 1991 në Shkodër”. Seanca tjetër fi lloi të mërkuren (17 prill 1991) ku morën pjesë dhe deputetët e PD dhe u ndezën diskutimet me fjalën e dr. Sali Berishës, Azem Hajdarit, Neritan Cekës, Ali Spahisë, Abdi Baletës, Gramoz Pashkos, Bashkim Koplikut e të tjerë. Kryetar i Kuvendit Popullor u zgjodh prof. dr. Kastriot Islami (PPSh), nënkryetarë Lush Përpali (PPSh), Aleksandër Meksi (PD). Pastaj u kalua në diskutime rreth Projekt-Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë?

Rajerson: Duke dëgjuar debatin në Kuvendin tuaj mendoj se mund të mësojmë nga ju.

-Mos është ky një kompliment i madh që po na bëhet?

Rajerson: E keni merituar. Në Kuvend u bë një diskutim shumë i ndershëm i çështjeve kryesore kushtetuese, madje me tone tolerance. Sigurisht që çdo njeri në Kuvend, edhe ne që ishim në llozhë, jemi shumë të ndërgjegjshëm për të kaluarën e Shqipërisë. Megjithatë, më ka bërë përshtypje përgjegjësia për t’u marrë me të ardhmen, pa qëndruar në vërejtjet e panevojshme për vitet e fundit.

-Mendoni se nuk duhet folur për të kaluarën?

Rajerson: Përkundrazi. Nuk ka vend që të mohojë historinë e tij. Kam parasysh edhe Gjermaninë. Pas luftës gjermanët nuk fl isnin për të kaluarën. Pastaj e panë se ishte e nevojshme të konfrontoheshin me të e të mësonin prej saj. Megjithatë do të theksoja se u përket shqiptarëve për të vendosur se kur dhe si do të merren me të kaluarën e vonët të historisë.

-Po për rezultatin e zgjedhjeve ç’mendim keni?

Rajerson: Besoj se e keni dëgjuar komentin zyrtar të Qeverisë Amerikane për Zgjedhjet në Shqipëri (Fjala është për zgjedhjet e 31 marsit 1991 në Shqipëri, ndaj të cilave Qeveria Amerikane mbajti një qëndrim kritik dhe pati disa prononcime zyrtare në nivele të larta në SHBA rreth kësaj çështjeje. Presidenti i Republikës u zgjodh Ramiz Alia, në seancën e Kuvendit Popullor të datës 30 prill 1991, të fi lluar në ora 09.00 të paradites, duke fi tuar me 68.8 përqind të votave të parlamentarëve. Rivali i tij ishte Namik Dokle. PD nuk paraqiti kandidatin e saj. Ramiz Alia u propozua për President i Republikës, në emër të një grupi prej 30 deputetësh, nga Xhelil Gjoni). Duket qartësisht se mund të kishin qënë më të mira. Procesi i zgjedhjeve nuk ishte aq i mirë sa ç’duhej.

-Do të ndikojë një gjë e tillë në zhvillimet e ardhshme në Shqipëri?

Rajerson: Një gjë e tillë është dëshmuar tani në paketën e ligjeve të miratuara në Kuvend e në betimin e Presidentit . Mendoj se deri tani në Kuvend punimet janë zhvilluar drejtë, janë vendosur gjëra të mira. Të gjithë presim çdo të thotë praktika.

-Shqipëria ka hyrë në rrugën e demokratizimit. Do të ishte më mirë që të shpejtoheshin ritmet e ecjes në këtë rrugë apo të vazhdojmë me ritmet ekzistuese?

Rajerson: Çdo lëvizje drejt demokratizimit sa më shpejt të bëhet, aq më mirë është. Por edhe e ngadaltë qoftë ajo, prapë mire është. Kryesorja, mendoj unë, është që ajo të jetë një lëvizje e pastër shqiptare drejt demokracisë dhe nga kjo varet edhe shpejtësia.

-A keni qënë më parë i interesuar për Shqipërinë e shqiptarët?

Rajerson: Kam qënë i interesuar edhe më parë për Shqipërinë e shqiptarët. (Përfaqësuesit e parë të diplomacisë amerikane, në periudhën e pluralizmit në Shqipëri, arritën në Tiranë, më 20 mars 1991. Në përbërje të këtij delegacioni ishin zoti Dejvid Swarc nga Departamenti i Shtetit, zonja Suzan Suton, zyrtare për problemet e Shqipërisë dhe të Bullgarisë etj. Ky delegacion erdhi në kuadër të përgatitjeve për hapjen e Ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Në kuadrin e zgjedhjeve të 31 marsit 1991 në Shqipëri erdhi një delegacion i Institutit Kombëtar Republikan për Çështjet Ndërkombëtare të SHBA, i cili ndoqi nga afër ecurinë e zgjedhjeve në vendin tonë. Më 25 mars 1991 erdhi në Tiranë një grup i Senatorëve e Kongresmenëve Amerikanë, i kryesuar nga Senatori Dennis De Konsini, Kryetar i Komisionit të Helsinkit për Sigurimin e Bashkëpunimin në Europë. Më 27 mars 1991, Kryetari i grupit të Departamentit të Shtetit të SHBA, zoti Dejvid Swarc, dha një pritje në hotel “Dajti” me rastin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Shqipërisë. Në këtë veprimtari merrnin pjesë Kryeministri Fatos Nano, Sekretari i Përgjithshëm i KM, Aleks Luarasi, ministri i Punëve të Jashtme Muhamet Kapllani, ministri i Drejtësisë Dashamir Kore, ministri i Arsimit Kastriot Islami, Kryetari i KQZ Rexhep Mejdani, përfaqësues të partive politike shqiptare etj Ndodhej edhe grupi i Senatorëve e Kongresmenëve Amerikanë, i kryesuar nga senatori Dennis de Konsini. Më 29 mars 1991 erdhi në Tiranë dhe Senatori Klejbërn Pell, Kryetar i Komisionit Politik të Jashtëm të Senatit Amerikan). Kam mësuar pak shqip kur isha në Beograd dhe më rrëmbeu bukuria e Shqipërisë. Në Jugosllavi ka shumë shqiptarë. Po kështu në SHBA shumë nënshtetas amerikanë fl asin vetëm shqip. Kisha dëshirë të bisedoja me ta, prandaj fi llova të mësoj shqipen.

– Si e shikoni të ardhmen e Shqipërisë?

Rajerson: Nëse ato që janë arritur në letër në Kuvend deri tani, në fushën politike e ekonomike, do të zbatohen në praktikë, atëherë kam shumë shpresa. Natyrisht ka shumë për të bërë, sidomos në fushën ekonomike. Në qoftë se dëshira e mirë që u tregua në Kuvend do të tregohet edhe në jetë, edhe kjo do të jetë një garanci për të ardhmen.

-Ç’mendim keni për vonesën në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona?

Rajerson: Ka pasur çështje të rëndësishme për t’u diskutuar dhe mendoi që u bë mirë që u zgjidhën këto më parë se të vendoseshin këto marrëdhënie.

-Si e shihni perspektivën e këtyre marëdhënieve?

Rajerson: -Jemi të interesuar sigurisht që të zhvillohen marëdhëniet. Nesër vjen një ekspert ekonomik që do të qëndrojë në Shqipëri dy javë. Ai do të përgatisë një raport për Qeverinë Amerikane dhe fi rmat private në SHBA. Mendoj se ky hap si edhe qëllimi ynë për t’u vendosur në mënyrë të përhershme (deri tani nuk kemi njerëz të përhershëm pranë përfaqësisë sonë në Shqipëri) sa më shpejt të jetë e mundur, janë tregues për interesin tone. (Më 15 mars 1991 në Uashington u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë e Qeverisë së SHBA lidhur me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Intervistë e dhënë gazetës “RD” në Tiranë, më 6 korrik 1991, fq.6. Intervistoi Napoleon Roshi).

 

William RAJERSON, Ambasador i SHBA në Shqipëri 1991

SHBA JANË TË INTERESUARA T’I JAPIN NDIHMA EFEKTIVE SHQIPËRISË

“Rilindja Demokratike”- RD: – Keni disa muaj që jeni dërguar në Shqipëri. Kanë qënë muaj të rënduar, por edhe të paharruar. Ju keni asistuar në procesin e vështirë të kalimit nga diktatura moniste në shtetin pluralist, kemi parë angazhimin tuaj të plotë, ndër të paktit, ndoshta i vetmi, që keni qëndruar deri vonë në parlament për të ndjekur punimet e tij. Do të donim t’ju falenderonim për angazhimin tuaj të sinqertë dhe falenderojmë Departamentin e Shtetit që dërgoi një specialist të tillë në Shqipëri. Me këtë rast urojmë edhe popullin amerikan për 215 vjetorin e Pavarësisë të SHBA, që kanë qënë e janë një shembull i vyer për popujt e tjerë, veçanërisht për ata që ende nuk kanë arritur progresin, demokracinë. Këtu donim t’ju bënim edhe pyetjen e parë: Ç’mund të na thoni për proceset demokratike në Shqipëri?

Ambasadori Rajerson:

-Më gëzojnë sinqerisht urimet dhe përshëndetjet tuaja për 215 vjetorin e Pamvarësisë të SHBA. Do t’ia përcjell ato me gëzim popullit amerikan. Kam ndjekur punimet në parlamentin tuaj. Më ka bërë shumë përshtypje niveli i tolerancës atje. Ky është një ogur i mirë për të ardhmen e Shqipërisë. Jo të gjithë kishin të njëjtat pikëpamje, por në këtë tolerancë qëndron garancia për një Shqipëri me të vërtetë pluraliste. Siç tha Sekretari i Shtetit Xhejms Bejker kur foli në parlament, aty do të bëhet puna e vështirë e arritjes së demokracisë, nxjerrja e ligjeve të reja, të cilat do të bëjnë që tregu i lirë të funksionojë me të vërtetë e të mos jetë vetëm parullë. Dhe, siç tha edhe ai, nuk do të jetë e lehtë t’i nxirrni ligjet nga parlamenti dhe as do të jetë e lehtë t’i vini ato në jetë.

RD: – Çdo të na këshillonit si dashamirës i Shqipërisë dhe si specialist për nesër?

Ambasadori Rajerson:

-Unë jam i huaj. Por kam dëgjuar nga Presidenti dhe nga zyrtarët e lartë të çdo partie si dhe nga të tjerët me të cilët më është dhënë rasti të bisedoj, se rruga e nisur është e pakthyeshme. Duke pasur parasysh sa më sipër, mendoj se nuk ndërhyj në punët e brendshme, po t’ju them: vazhdoni sa më shpejt. Kalimi në ekonominë e tregut është një proces i dhimbshëm e ta bësh ngadalë atë më duket të zgjatësh dhimbje, është si t’i presësh bishtin qenit pak nga pak në disa kohë. E mira është të bëhet njëherë e mirë e pa dhimbje të vazhdueshme.  Kjo nuk është e lehtë. Do të ketë që do të mbeten për një kohë edhe pa punë. Kjo do të jetë shumë e vështirë për t’u kuptuar nga këta individë.  Unë do t’i inkurajoja njerëzit në Shqipëri, udhëheqësit politikë, që të ndihmojnë e përgatisin njerëzit për këtë ndryshim e të mos punojnë në prapaskenë kundër këtyre ndryshimeve.

RD: – Është e nevojshme të bëjmë terapinë shok e të përgatisim popullin. Për këtë është e nevojshme edhe ndihma e huaj. A mund të na thoni diçka për angazhimin e SHBA ndaj Shqipërisë?

Ambasadori Rajerson:

-Kur Sekretari Bejker ishte këtu tha se do të vijnë disa ndihma për Shqipërinë. Megjithëse më duket se shtypi nuk e pasqyroi qartë, por ai theksoi se SHBA presin të shohin progress drejt demokracisë, zgjedhje të lira e të drejta në të gjitha ato zona ku ka patur probleme, atëherë mund të mendojmë për ndihma të mëtejshme. Për gjëra të menjëhershme do të vijnë ekspertë këtu për të bërë vlerësime. Në fi llim do t’ju duket se do të ketë më shumë vizita sesa ndihma. Por, nëse ndihma duam të ketë efektivitetin që dëshirojmë të ketë, atëherë duhet mbështetur mbi njohuritë për nevojat. Nuk ka ndihmë të vërtetë nëse ajo identifikohet thjeshtë me bamirësinë. Bamirësia ka vendin e vet për gjëra urgjente, por për zhvillime me afat të gjatë do të ishte humbje parash e kohe nëse, siç themi ne, do të hedhim ca dollarë. SHBA nuk janë të interesuar të nxjerrin në titujt e gazetave “x” dollarë. Jemi të interesuar t’i japim ndihma efektive Shqipërisë.

(Intervistë e dhënë gazetës “RD” në Tiranë, më 6 korrik 1991).

 

William RAJERSON, Ambasador i SHBA në Shqipëri (2010)

MBRESA IME NGA SHQIPËRIA, DASHURIA E JASHTËZAKONSHME PËR SHTETET E BASHKUARA

-Intervistë e ish-ambasadorit amerikan William Ryerson, dhënë më 7 dhjetor 2010, “Zërit të Amerikës”, gazetares Laura KONDA.

Zëri i Amerikës: Si u pritën në Shtetet e Bashkuara fi llimet e Lëvizjes Demokratike të Shqipërisë 20 vjet më parë?

Ambasador William Ryerson: -Nuk besoj se ato u vunë re nga shumë njerëz, përveçse në Departamentin e Shtetit, ku njerëzit interesoheshin më tepër për Ballkanin në përgjithësi. Dihej shumë pak për Shqipërinë, ajo ishte si një pikë e bardhë në hartë. Dhe e kam thënë edhe më parë, se përsa i përket politikës së jashtme amerikane, Shqipëria nuk kishte asnjë lloj rëndësie; në se Shqipëria do të ishte zhdukur në valët e detit ndoshta do të shqetësoheshin; ndoshta vetëm si një vend në kufi me Kosovën. Kjo është e pakëndshme të thuhet, por është e vërtetë. Në marrëdhëniet tona me jashtë Shqipëria nuk kishte asnjë lloj rëndësie.

Zëri i Amerikës: Ju shkuat fillimisht në Shqipëri në prill të vitit 1991, në një kohë të vështirë, cilat ishin përshtypjet e para që patët?

Ambasador William Ryerson: Unë shkova fillimisht për një mision 30-60 ditësh, me funksionin e pranisë amerikane atje. Pas asaj që ndodhi më 2 prill në Shkodër, fillimisht unë u trondita nga masakra, pastaj nga varfëria, nga pisllëku, njerëz të veshur keq, të paushqyer mirë. Kujtoj një ushtar të ri, të gjatë, që ecte në bulevard dhe që kishte një pallto që nuk ishte për trupin e tij, me palën të grisur. Pashë një vetëshërbim afër sheshit Skënderbej dhe mendova, “Ndoshta mund të shkoj e të ha mëngjes”. U afrova dhe ndjeva një erë të keqe. Dhe ky ishte kryeqyteti. Mendoni se si mund të ishte periferia.

Zëri i Amerikës: -Ju keni qenë diplomat karriere dhe keni patur rastin të vizitoni një numër vendesh. Ishte Shqipëria ndryshe nga këto vende që ju i kishin vizituar më parë?

Ambasador William Ryerson: Pyetja që i bëra vetes ishte: “A jam në Evropë?”. Unë kisha shërbyer kryesisht në Evropë, dhe nuk kisha parë shumë vende të tjera, me përjashtim të disa vizitave 1-javore në Najrobi dhe Nju Delhi, pra nuk kisha parë shumë vende të varfëra të botës. Prandaj i bëra pyetjen vetes: “A është këtu Evropë?” Po, ishte.

Zëri i Amerikës: Kur erdhi Sekretari amerikan i Shtetit James Baker në qershor të vitit 1991 në Shqipëri, atij ju bë një pritje madhështore nga populli shqiptar, kujtoj mitingun e Tiranës, ku ishit dhe ju i pranishëm. A e prisnit ju një pritje të tillë, apo ishte ajo një surprizë për ju dhe për zotin Baker?

Ambasador William Ryerson: Më tepër ishte surprizë për Sekretarin Bejker, se sa për mua, se unë e nuhasja se çdo ndodhte. Unë fillimisht isha i shqetësuar për gjendjen e sigurisë. Chris (Hill) erdhi dhe na çuan në një miting në Kavajë. Unë shkoja çdo ditë tek sindikata dhe thoja, më falni, në se këta bastardë do t’i dëmtojnë këta njerëz, bota do ta marrë vesht dhe ata do të duhet të më vrasin mua, (gjykimi im i ishte se nuk do të më vrisnin) dhe më thanë: mos u shqetëso zoti Rajerson, trenat punojnë dhe ne do të sjellim njerëz dhe atëhere mendova “ka për të qenë e madhe”. Nuk e prisja të kishte kaq shumë njerëz. Unë kam qenë gjatë vizitës së JF Kenendit në Berlin, isha me shërbim, isha i ri atëhere; ishte e njëjta gjendje emocionale. Xhejms Bejker u çudit dhe madje u befasua. Kujtoj fjalimin e tij. Një politikan shumë i lartë që ishte në podium me Bejkerin, tha pasi foli Bejkeri, se ishte hera e parë në jetën e tij që ai ndjeu se mund të fl itej lirshëm në vend. Ai punonte në Komitetin Qendror. Efekti ishte si një vetëtimë dhe i dha energji situatës.

Zëri i Amerikës: Ju keni qenë ambasador i SHBA në Shqipëri nga viti 1991 deri në 1994. Cilat janë disa nga ngjarjet që ju kanë lënë më tepër mbresë?

Ambasador William Ryerson: Dashuria e jashtëzakonshme për Shtetet e Bashkuara. Më kanë pyetur vazhdimisht, “a ishte e vështirë puna në Shqipëri?” por unë them: “Jo, nuk ishte, të paktën nuk ishte për mua. Unë u bëra objekti i kësaj dashurie për Amerikën, që nuk ishte për mua personalisht, por unë isha përfaqësuesi i saj, prandaj shfaqej ndaj meje. Pashë një përparim shumë të madh, me zgjedhjet e marsit 1992, të cilat ishin të parat zgjedhje të drejta dhe të lira në Shqipëri. Ato të 1991-ishit nuk ishin as të lira, as të drejta, pavarësisht se si i cilësuan ato disa evropianë. Mbaj mend kur Presidenti Berisha bisedoi në telefon me Presidentin Xhorxh Bush në Shtëpinë e Bardhë, ishte një moment i veçantë. Më kanë lënë mbresë individët që kam takuar gjatë qëndrimit tim atje dhe u habita së tepërmi se sa i njohur isha. Në fi llim ishte pak e vështirë. Kur mora në telefon Shefi n e Zyrës së Protokollit ditën që arrita në prill, I thashë: pres me kënaqësi ditën kur të shkoj në Parlament, për të dëgjuar debatin dhe ai më tha: “Jo nuk mund të shkosh”! “Si nuk mund të shkoj? – i thashë, – në Uashington mund të shkosh në Kongres dhe të dëgjosh seancat”. Atëhere i thashë: ”Unë protestoj, qeveria ime proteston”. Atë pasdite takova Gramoz Pashkon dhe ai më tha “Jam i sigurt që nesër do të jesh në Parlament”. Unë i thashë se do të doja shumë. Ai më tha: “Do të shohim në se kemi me të vërtetë një Parlament të lirë, apo jo”. Të nesërmen në mëngjes më morën në telefon dhe më thanë: “Mund të vish në Parlament dhe të marrësh me vete edhe përkthyesen”. Dhe më falënderuan shumë diplomatë të tjerë në Tiranë, që nuk kishin mundur të hynin në parë në parlament.

Zëri i Amerikës: Dhe që atëhere ju shkonit rregullisht në Parlamentin e Shqipërisë…

Ambasador William Ryerson: Unë shkoja atje në çdo kohë. Haja drekë dhe darkë në “Dajti” shpesh dhe prej andej shkoja…

Zëri i Amerikës: Shqipëria tani është anëtare e NATO-s, në pritje të një ftese për anëtarësim në BE. Megjithatë, atje vazhdon të këtë një politikë konfl ikualiteti, ju si i përjetoni këto zhvillime?

Ambasador William Ryerson: …Jam në dijeni, që është një gjendje kofl iktuale. Por aktualisht edhe ne në Amerikë nuk po ofrojmë një shembull më të mirë. Ne këtu duhet të kemi një bashkëpunim më të madh se sa kemi tani. Është diçka e mrekullueshme që Shqipëria është në NATO. Po të ma kishit thënë këtë në vitin 1990, do t’ju thoja: “Jeni e droguar”? E vetmja gjë që më vjen keq është që Safet Zhulali nuk arriti ta shikojë këtë, spese ajo ishte ëndërra e tij. Mendoj se është e rëndësishme për Shqipërinë se para së gjithash, është një ekpozim më i madh ndaj Perëndimit dhe drejt BE-së. Shqipëria ka nevojë të bëjë më tepër brenda vendit për ta bërë këtë hap. Refuzimi i kohëve të fundit ishte një vendim shumë i ashpër. Një fi llim i mirë për këtë mendoj se do të ishte një demokratizim i plotë brenda Partisë Demokratike. Ju e dini që unë e kam mbështetur Partinë Demokratike. Por mendoj se ajo duhet të ketë demokraci brenda radhëve të saj. Një njeri, një votë, votim i fshehtë. Kështu mund të ecet përpara. Ndoshta edhe partitë e tjera do ta pasojnë atë dhe do të bëjnë të njëjtën gjë.

Zëri i Amerikës: Shpesh thuhet se Shqipëria po përjeton një tranzicion të zgjatur. Sipas jush, çfarë është bërë mirë dhe çfarë mund të ishte bërë më mirë në Shqipëri gjatë këtyre viteve?

Ambasador William Ryerson: Nuk është për t’u çuditur. Ju e dini, ju keni qenë atje, e dini si ka qenë vendi më parë. Çfarë mund të ishte bërë më mirë? Ndoshta një mundësi mund të kishte qenë të hapeshin të gjitha dosjet. Kjo kishte rreziqet e veta, siç pati thënë i ndjeri Pjetër Arbnori: “Po sikur të mësosh se kunata të ka spiunuar tek sigurimi? Ndoshta Sigurimi e ka frikësuar dhe ajo mund të jetë detyruar të ketë thënë se ke qenë spiun”. Sigurimi po ashtu, mund të ketë sajuar dosje të kësaj natyre. Kjo kishte rreziqet e veta dhe nuk mendoj se dikush nga jashtë do të gjykonte mirë se çfarë rruge duhej ndjekur.

Zëri i Amerikës: E kam fjalën tek korrupsioni, për shembull…

Ambasador William Ryerson: -Kris Hill dhe unë shpesh thonim: Perandoria otomane i ka rrënjët të thella në Ballkan. Kjo është e lehtë të thuhet. Ajo që nevojietet sipas meje, është që gjykatat të jenë plotësisht të pavarura. Nevojiten gjykatës të mirë, të cilët të jenë të ndershëm dhe kjo nuk është e lehtë, sepse edhe ndaj tyre ushtrohet presion. Shqipëria është një vend i vogël. Të gjithë e njohin njëri tjetrin. Kjo është shumë e vështirë të realizohet. Por Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe unë jam shumë i lumtur për këtë.

Zëri i Amerikës: A keni ndërmend të shkoni një ditë në Shqipëri?

Ambasador William Ryerson: Kam thënë se po. Dua të jem atje për 100 vjetorin e pavarësisë në vitin 2012. Dhe ndoshta deri atëhere, ndërtesa e Parlamentit do të jetë dhe duhet të jetë në bulevard dhe monumenti i atij njeriu të tmerrshëm që njihet si Piramida, do të jetë hequr. Mendoj se ajo nuk është aspak funksionale edhe nga brenda, një tendë gjigande prej guri, e pakuptimtë.

 

Deklarata për VOA/Madelene OLLBRAJT, Ambasadore e SHBA në OKB, 1993

Madeline Ollbrajt ishte ambasadorja e 20-të e SHBA në OKB (në kohën e Presidentit Amerikan Bill Klinton) në periudhën nga 27 janar 1993 deri më 21 janar 1997.

GJYQI NDËRKOMBËTAR TË KRYEJË PUNËN E VET

“Gjyqi Ndërkombëtar ta kryejë punën e vet, edhe pse shumë të akuzuar nuk do të dalin para Gjyqit. (Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi themelimin e Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës për gjykimin e kriminelëve të luftës në ish-Jugosllavi, prej nga 1 janari 1991, i cili përbëhej nga 11 anëtarë, prokurori i pavarur, dy kolegje gjykuese për seanca dhe një për ankesa).

Gjyqi do të japë urdhëresa edhe për atë se a do të mund të paraburgosen ata për të cilët dyshohet se kanë bërë apo jo krime, duke shtruar se këta individë do të mbeten renegatë ndërkombëtarë. Edhe pse këta kriminelë do të mund të fshehen nëpër Serbi, nëpër pjesë të ndryshme të Bosnjës dhe nëpër Kroaci jetën që u ka mbetur do të mund ta kalojnë vetëm në shtetin e vet”.

Në këtë Gjyq u përcaktua të aplikohet parimi i gjykimit të drejtëpërdrejtë dhe askush nuk do të gjykohej në mungesë, kurse për kriminelët kishte dënime vetëm me burg. Gjyqi i Hagës gjykon vetëm individë dhe jo grupe të njerëzve, rregjime a kombe të tëra. Në listën e delikteve penale, për të cilat do të dënohen fajtorët, gjenden vrasjet, dhunimet, genocidi dhe spastrimi etnik. Asokohe, diplomatët theksonin se ky Gjyq i Hagës nuk do të jetë gjyqi i fitimtarëve, i atyre që triumfuan, siç ishte Gjyqi i Nurembergut dhe ai i Tokios pas Luftës së Dytë Botërore dhe do të jetë e rëndë burgosja e atyre që dyshohen se kanë bërë krime. Gjyqi, qysh në ngritjen e tij, dihej se gjetja e dëshmive në formë të dokumentave që çojnë deri tek personalitetet e larta është një punë shumë më e rëndë se sa ishte rasti me Gjermaninë naziste. Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krimet në Ish-Jugosllavi (25 maj 1993-31 dhjetor 2017) pati 161 të akuzuar, nga të cilët 94 serbë, 29 kroatë, 9 shqiptarë, 9 boshnjakë, 2 maqedonas e 2 malazezë dhe, prej tyre, u dënuan 62 serbë, 18 kroatë, 5 boshnjakë, 2 malazezë, 1 maqedonas e 1 shqiptar. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u mor’ dhe me rastin “Kosova”, me krimet e kryera gjatë Luftës në Kosovë. Aktualisht është ngritë dhe Gjykata Speciale për Krimet e Luftës në Kosovë, e cila thirret ndryshe dhe: “Gjykata Speciale për Kosovën në Hagë”, “Gjykata e Posaçme e OKB”, “Dhomat (zyrat) e Specializuara” dhe “Zyra e Prokurorit të Specializuar”, e cila ka filluar zyrtarisht veprimtarinë e saj me seli dhe në Hagë prej 3 janarit 2017. Kjo Gjykatë Speciale do të hetjë dyshimin e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë dhe jo-shqiptarë gjatë dhe pas Luftës në Kosovë, nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

 

Joseph Edward LAKE, Ambasador i SHBA në Shqipëri, 1994

Joseph Edward Lake.I datëlindjes 1941. Shteti i Rezidencës: Teksas. Zyrtar i Shërbimit të Huaj, diplomat i karierës. Titulli: Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotëfuqishëm i SHBA në Shqipëri. Emëruar: 5 Korrik, 1994. Prezantimi i Letrave Kredenciale: 17 Tetor, 1994. Përfundimi i Misionit: U largua në 15 Mars, 1996. Para ardhjes në Shqipëri ishte i pari ambasador amerikan në Mongoli (1990-’93). Ai është diplomat i karierës (prej vitit 1962), që ka shërbyer në detyra e funksione të ndryshme diplomatike e konsullore në Kanada, Kinë, Benin, Taiwan, Nigeri e Bullgari.

JU DO TË VAZHDONI TË GËZONI MBËSHTETJEN E SHTETEVE TË BASHKUARA

Ju uroj të gjithëve një vit të ri të lumtur dhe një 1995 të suksesshme dhe të begatë. Populli dhe Qeveria e Shteteve të Bashkuara i mbështesin përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për të ndërtuar një shoqëri të fortë demokratike dhe një ekonomi të fortë tregu. Duke vazhduar këto përpjekje ju do të vazhdoni të gëzoni mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

RD, 31 dhjetor 1994.

 

Marisa LINO, Ambasadore e SHBA në Shqipëri, 1996

Marisa R. Lino. E datëlindjes, 1950. Shteti i Rezidencës: Oregon – SHBA. Zyrtare e Shërbimit të Huaj. Titulli: Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotëfuqishëm. Emëruar: 2 Korrik, 1996. Prezantimi i Letrave Kredenciale: 4 Shtator, 1996. Përfundimi i Misionit: U largua më 20 Maj, 1999. Ajo ka shërbyer në detyra e funksione të ndryshme në DASH e në ambasadat amerikane në Itali, Pakistan, Siri, Irak, Tunizi e Peru. E mban titullin “Doktore Nderi” e “John Cabot University” në Romë-Itali.

E SHOH ME SHUMË INTERES MIQËSINË DHE BASHKËPUNIMIN MIDIS DY VENDEVE TONA

“Jam shumë e kënaqur që vij si ambasadore e SHBA në Shqipëri. Unë e shoh me shumë interes miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve tona dhe dua t’ju siguroj se jam plotësisht e vendosur dhe e angazhuar për të dhënë kontributin tim në këtë drejtim”.

4 shtator 1996.

Marisa LINO, Ambasadore e SHBA në Shqipëri

22 Nëntor 2012

SHQIPËRIA E SHBA KANË TË PËRBASHKËT IDEALET E LIRISË

Përshendetje e ish ambasadores amerikane në Shqipëri, Mariso Lino, në “Zëri i Amerikës”, më 22 nëntor 2012, drejtuar Popullit Shqiptar në 100 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë.

Ishte nder i veçantë të përfaqësoja Shtetet e Bashkuara në Republikën e Shqipërisë gjatë disa prej viteve më të vështira të historisë pas komuniste të saj. Shqiptarët kanë një trashëgimi krenare dhe i përkasin një civilizimi të hershëm, ata janë luftëtarë trima, që, sipas traditës së Skënderbeut, luftojnë kundër shtypjes – sot, kjo do të thotë që Shqipëria është përkrah Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të NATO-s në Afganistan. Shqiptarët janë të njohur për bujarinë dhe mikpritjen, tipare që pata rastin t’i shoh nga afër gjatë fl uksit të madh të refugjatëve nga Kosova në vitin 1999. Shumë shqiptarë hapën dyert e shtëpive dhe strehuan njerëz të panjohur që po i largoheshin shtypjes – ashtu siç shqiptarët kishin bërë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu unë pata rastin të shoh shpirtin shqiptar të pavarësisë, që çoi në shpalljen e pavarësisë nga Perandoria Osmane 100 vjet më parë, e mbështetur me krenari nga Presidenti Udrou Uilson. Në historinë më moderne, i njejti shpirt pavarësie ka çuar në krijimin e shumë partive politike dhe në konflikt politik, në periudhën pas viteve 1990 e deri sot. Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë të njejtat ideale për lirinë. Në Shtetet e Bashkuara ne kemi punuar për t’i kthyer këto ideale në realitet për më shumë se 200 vjet dhe ende nuk i kemi arritur të gjitha synimet tona. Shqiptarët kanë qënë të lirë të punojnë për këto ideale për një kohë shumë më të shkurtër, kështu që kur njerëzit më pyesin në se unë jam optimiste për të ardhmen e Shqipërisë, unë përherë përgjigjem PO. Shikoni sa shumë keni arritur. Nëse shqiptarët e thjeshtë janë aq bujarë sa të mirëpresin të huajt, unë kam besim se klasa politike shqiptare do ta gjejë rrugën e saj drejt të ardhmes, ndonëse shpresoj që për këtë nuk do të duhen 100 vjet të tjerë. Kam vetëm një gjë tjetër që dua shtoj: unë lashë një pjesë të zemrës time në Shqipëri dhe ky vend do të jetë përherë shumë i veçantë për mua. Urime të gjithë shqiptarëve.

Robert H. FRUIK, I Ngarkuar me Punë i Ambasadës së SHBA në Shqipëri 1999

Robert H. Fruik (Robert H. Frowich) (1930-2007), ka lindur në Des Moines (Iowa), u diplomua në Universitetin e Indianës (1953); punoi pilot i forcave amerikane në Kore; kreu studimet edhe në Universitetin Yale (1959) për Master në Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Në vitin 1961 iu bashkua Shërbimit të Jashtëm Diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai shërbeu në disa funksione të ndryshme diplomatike, si në Washington (SHBA), Montreal (Kanada), Paris (Francë), Pragë (Çekosllovaki), Romë (Itali), Bruksel (Belgjikë), Vjenë (Austri), Bukuresht (Rumani) etj. Vetëm në vitet 1989-2001 shërbeu në 13 misione diplomatike. Ambasadori Robert H. Fruik, ishte një ndër diplomatët kontributorë në rënien e “Perdes së Hekurt” dhe të Komunizmit Euro-Lindor, i cili, edhe pas pensionimit përkohor, e rifi lloi karierën e tij diplomatike, duke shërbyer në detyrën e lartë të Shefi t të Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Misionin e OSCE në Maqedoni (FYROM) dhe në BosnjeHercegovinë si dhe përkohor në detyrën e lartë si “I Ngarkuar me Punë (a.i) i Ambasadës së SHBA në Shqipëri, në vitin 1999. Në të tre këto shtete të Ballkanit Perëndimor ka qënë në detyra të larta diplomatike në kohëra të vështira për këto shtete, për Ballkanin Perëndimor dhe për diplomacinë Euro-Atlantike, si në Maqedoni (FYROM) në kohën e shpërbërjes së Ish Jugosllavisë; në Bosnje-Hercegovinë në kohën e Marrëveshjes së Dejtonit dhe në Shqipëri në kohën e Luftës së Kosovës. Në ’92 ndërsa drejtonte misionin e OSBE në Shkup ai vizitoi për herë të parë Tiranën me qëllim parandalimin e zgjerimit të krizës së ish Jugosllavisë, më tej në rajonin e Ballkanit. Atë kohë Frouik takoi për herë të parë Presidentin Berisha, me të cilin pati kontakte të mëpastajme edhe në ’94, ’95. “Ishte kjo njohje e vjetër, thotë ambasadori, që ndihmoi në ndikimin dhe rolin tim që PD të futej në Parlament, gjatë qëndrimit tim në Tiranë“. Ai nuk e fsheh kënaqësinë që në ditën e Pavarësisë së Amerikës mundi të bashkojë nga njëra anë kryeministrin Majko dhe qeverinë e tij dhe nga ana tjetër ish liderin socialist Nano dhe doktor Berishën. Përsa i përket konfl ikteve në Partinë Socialiste, ambasadori sipas njohjes që ka i shpjegon si “sulme dhe manovra të drejtuesve të vjetër kundër udhëheqjes së të rinjve që bashkë punojnë në një ekip me vullnet dhe vrull”. Ambasadori i sapolarguar nga Shqipëria pohon se shumë shpejt ndoshta menjëherë pas ardhjes së ambasadorit të ri, ambasada amerikane në Tiranë do të rifunksionojë më shumë se normalisht ndërsa ai vetë ka për të qenë në Uashington një avokat i madh i Shqipërisë, vendit “në qendër të vëmendjes së Amerikës, që tashmë do të presë shumë vizita të rëndësishme…”. Shqipëria seç ka diçka që më risjell ngaherë. Ku i dihet ndoshta do vij sërish… – e mbyll bisedën ambasadori Frouik.

NË PS, DREJTUESIT E VJETËR, SULME KUNDËR UDHËHEQJES SË TË RINJVE, ATA TË RINJTË PO QEVERISIN ME VULLNET DHE VRULL

 

Duket sukses diplomatik juaji, hyrja e PD-së në Parlament, mendoni se Kryetari demokrat Berisha jua dha këtë shans në emër të njohjeve të vjetra që keni pasur vite më parë, në vizitat tuaja në Shqipëri.

Fakti që unë me zotin Berisha jemi takuar edhe më parë kur isha në Shqipëri edhe në raste të tjera nëpër konferenca të ndryshme, mendoj se kishte krijuar një lloj miqësie e cila ishte instrumentale në këtë proces. Pas ngjarjeve që pati Shqipëria në ’96, ’97, ’98 të shihje një Parti Demokratike jashtë parlamentit ishte një surprizë për mua. Ndoshta unë mendoj se edhe koha kishte ardhur që edhe partia po e mendonte një kthim në Parlament. Mendoj se është logjike që gjithë partitë politike të përfshihen në jetën politike të vendit. Veçanërisht muajt e fundit gjatë Krizës së Kosovës, e gjithë vëmendja e Komunitetit Ndërkombëtar ishte drejtuar mbi Shqipërinë dhe në fund të fundit patëm mirëkuptim dhe Partia Demokratike u kthye në parlament, megjithëse mendoj se në fi llim pati persona të cilët mund të kenë pasur ndonjë ide të gabuar, por më duket se tani të gjithë mbështesin gjithçka që ka ndodhur. Jam munduar që gjatë gjithë kohës t’i informoj të gjitha palët për çdo lloj gjëje që ka ndodhur.

Ju ka ardhur keq, apo për të qeshur, kur shtypi ka publikuar drekat tuaja të punës me zotin Berisha?

Më është dukur që shtypi i ka kushtuar kaq shumë rëndësi çdo lloj evenimenti në të cilin unë jam takuar me zotin Berisha, kur në mënyrë të dukshme unë jam takuar me drejtuesit aktualë, të shtetit shqiptar, gjë të cilat media nuk i ka mbuluar aspak.

PD pohon që ju keni premtuar zgjidhjen e çështjes Hajdari. Në fakt çfarë garancish keni dhënë ju për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe pse besoni se ajo ka për t’u zgjidhur shumë shpejt?

Në radhë të parë më lejoni t’ju sqaroj diçka mbi natyrën e këtij mirëkuptimi. Që në fillim e kam bërë të qartë që do të kishte një inisiativë nga Ambasada për të marrë një deklaratë nga Partia Demokratike për këtë çështje, një deklaratë e lidhur me faktet që kishin të bënin me vrasjen e zotit Hajdari. Pastaj do të merrej informacioni i dhënë dhe do t’iu përcillej autoriteteve përkatëse, në radhë të parë Prokurorit të Përgjithshëm. Ndoshta ju jeni në dijeni që juristë të shquar, kryesisht norvegjezë dhe suedezë, janë atashuar si konsulentë pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, njëkohësisht u kemi dhënë një kopje të kësaj deklarate këtyre personave. Gjithmonë me shpresën se kjo çështje do të ecte drejt një procesi të drejtë ligjor. Përfshirja jonë direkte ishte përfshirje diplomatike, jo përfshirje ligjore. Ne shpresojmë që gjithë pjesët e përfshira në këtë proces, gjithë individët të ecin përpara drejt një konkluzioni të drejtë. Më duket se është një çështje themelore, një çështje që duhet të zgjidhet patjetër. Kjo nuk është vetëm pikëpamja e Ambasadës Amerikane. Në takimin e “Miqve të Shqipërisë”, javën e kaluar në Bruksel, të gjithë pjesëmarrësit treguan se ishin shumë të interesuar për të parë zgjidhjen e kësaj çështjeje. Më duket çudi që deri tani nuk i është dhënë një trajtim i veçantë dhe në thellësi kësaj çështjeje, sepse ne shpresojmpë gjithmonë që vrasja e zotit Hajdari do të shkojë drejt asaj që ne e quajmë një zgjidhje të drejtë.

A do të realizohet ftesa e aq përfolur e zotit Berisha në Uashington dhe a do të ndodhte kjo nëse PD nuk futej në Parlament?

Në radhë të parë unë doja t’ju thoja se PD është futur në Parlament dhe kjo është një çështje e mbyllur dhe në radhë të dytë unë doja t’ju thoja se nuk di cilat janë planet specifi ke të zotit Berisha për këtë vizitë në Uashington. Jam i gëzuar që PD është futur në Parlament dhe funksionon si një opozitë pluraliste. Dhe mendoj se edhe Uashingtoni e shikon këtë çështje në këtë drejtim.

Edhe Partia Socialiste është në prag të kongresit të saj. Duke u bazuar tek njohjet që keni mundur për socialistët gjatë kontakteve që keni pasur me ta këto kohë, a keni një koment, një opinion personal për zgjedhjet në këtë parti?

Nuk jam shumë i sigurtë se çfarë të them, më duket se një pjesë e drejtuesve të vjetër të kësaj partie janë duke bërë manovra dhe sulme ndaj udhëheqjes aktuale. Më duket se ka një diferencë brezash. Është një brez i ri i cili ka ardhur në krye të partisë. Zoti kryeministër Majko dhe qeveria e tij kanë mjaft vullnet dhe vrull për t’u marrë me problemet më shqetësuese të vendit. Mund t’ju përmend këtu punën e zotit ministër Poçi, punë të cilën gjithë Ambasada Amerikane e mbështet fuqimisht për fuqizimin e strukturës së ligjit dhe të rendit. Është e kuptueshme që pas periudhës së ’97 dhe ’98 duhet kohë që gjërat t’i kthehen stabilitetit. Më duket se do ketë një kongres aktiv në Partinë Socialiste.

A e keni takuar zotin Nano, ish kryetarin e Partisë Socialiste?

Po, e kam takuar zotin Nano një herë, ditën kur zoti Nano mori pjesë në festimin e Ditës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aty morën pjesë të gjithë përfaqësuesit e spektrit politik shqiptar. Më duket se ka një pikëpamje të përgjithshme që ka pasur një progres politik në këtë drejtim. Kemi pasur nga njëra anë kryeministrin Majko dhe ministrat aktualë të qeverisë. Zoti Nano ka qenë i pranishëm, doktor Berisha gjithashtu. Zoti Godo etj. Mendoj se ishte një kontribut ndaj asaj që mund t’i themi kthimi i të gjithë drejtuesve politikë shqiptarë sëbashku.

E megjithëse ju i shihni të gjithë drejtuesit politikë shqiptarë sëbashku, shtypi komenton shprehjen tuaj për ribalancim të jetës politike shqiptare në pragvjeshtë. Me këtë keni nënkuptuar zgjedhje të reja?

Mund t’ju them që gjithmonë balanca është kyçi i suksesit dhe kur kam ardhur në Shqipëri kam vënë re që një balancë e tillë nuk ekzistonte. Të gjitha përpjekjet e mija të fundit kanë konsistuar në krijimin e kësaj balance, ose ribalance. Nuk di çfarë ka nënkuptuar shtypi shqiptar me  ribalancim politik, por mund t’ju them që në vjeshtën e ardhshme do të ketë zgjedhje lokale të përgjithshme, ndërsa përsa i përket zgjedhjeve të përgjithshme kjo i përket partive politike shqiptare ta vendosin.

Në rast se do të kemi së afërmi Zgjedhje të Përgjithshme a i shikoni ju PD dhe PS në qeverisje të përbashkët, apo është krejt e pamundur që sot e për shumë kohë të ketë ndonjë pikëtakimi mes tyre?

Unë nuk mund të them gjë përsa i përket një qeverie koalicioni të gjerë, kjo i përket vetëm klasës politike shqiptare. Por mendoj se spektri politik shqiptar ka një dëshirë për ta mbajtur vendin sëbashku dhe për të ecur përpara. Se si do të mund të ketë një qeveri më të gjerë, përsëris se këtë e vendosin vetëm partitë politike shqiptare.

Një nga prioritetet e punës së ish ambasadores Lino ishte gjetja dhe investimi për politikanët e rinj, gjë që rezultoi e pamundur, për shkak të kohës dhe problemeve më të forta që ofroi Shqipëria. Ju a i keni kushtuar vëmendje këtij problemi?

Unë nuk di çfarë ka bërë zonja Lino në këtë drejtim, por mund t’ju them se unë kam respekt të madh për gjithçka ka bërë ajo në lidhje me forcimin e miqësisë së Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Mesa di unë jam takuar me gjithë drejtuesit kryesorë politikë të Shqipërisë. Dua të përfi toj nga rasti që të shpreh vlerësimin tim maksimal për udhëheqësit aktualë shqiptarë, presidentin Mejdani, kryeministrin Majko dhe gjithë ministrat aktualë shqiptarë që unë i kam takuar, për një punë integruese dhe punë në ekip që ata kanë bërë në periudhën që Shqipëria ka përpara një shans të madh historik.

Në intervistën e lamtumirës që zonja Lino ka dhënë u shpreh se ikte me përshtypjet më të mira për shqiptarët, por s’mund të thoshte të njëjtën gjë për politikanët shqiptarë. Ju ndani të njëjtin mendim me të?

Ndoshta mund të kemi ndryshim në opinion në këtë drejtim me ambasadoren e mëparshme, por pjesa e përbashkët gjithmonë qëndron që ne besojmë te populli shqiptar, te mençuria e tij. Zonja ambasadore Lino ka kaluar këtu një periudhë shumë të vështirë, që unë nuk e kam kaluar. Unë kam qenë i lumtur dhe me fat që isha në Shqipëri, në kohën e fitores ushtarake të aleatëve në Kosovë, në një vëmendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare ndaj Shqipërisë. Ndoshta këta janë faktorët që më bëjnë mua të kem pikëpamje më optimiste mbi Shqipërinë.

Zërave se Pas Luftës në Kosovë Qeveria Amerikane është disi më indiferente ndaj Shqipërisë, duke i kushtuar gjithë vëmendjen Kosovës, si do t’i përgjigjeshit ju zoti ambasador?

Nuk më duket i saktë një konstatim i tillë. Mund t’ju them se nga takimet e shumta që pati zoti President Klinton me qeveritarët shqiptarë, nga vizita e parapakkohëshme e Zv.sekretarit të Mbrojtjes së SHBA dhe një sërë gjeneralësh të tjerë mendoj se Shqipëria vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes amerikane.

Ndërsa flisni për rritje të stabilitetit në Shqipëri, pohoni se do të bëheni avokati ynë në SHBA, pranoni se shumë shpejt në Tiranë do ketë vizita të zyrtarëve të lartë të SHBA, atëherë si e shpjegoni mosvënien në funksionim të plotë të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Cilat janë arsyet që e pengojnë?

Javët e fundit kemi marrë masa shumë të rëndësishme për ta kthyer ambasadën në funksionim të plotë. Kur mendoj se si e kam gjetur ambasadën kur arrita këtu në maj, gjërat më duken mjaft ndryshe. Natyrisht që këtu atëherë ka pasur një staf me jo më shumë se 5 veta. Një periudhë të gjatë kohe ne jemi larguar nga rezidencat tona sipër dhe jetonim në ambasadë brenda. Ndërsa tani një pjesë e madhe janë kthyer në rezidencat e tyre. Dhe personat e fundit që janë ende në ambasadë do të largohen drejt rezidencave në fund të kësaj jave. Prandaj unë mund t’ju them se shumë shpejt kjo ambasadë do t’i kthehet funksionit të saj normal, madje më shumë se normal.

Botuar në “Zëri i Popullit”, 3 gusht 1999.

Please follow and like us: