Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: “KUTIA PREJ ARGJENDI”

Jeta është e çuditshme në kohë të vështira. Se, nganjëherë “bëhej shkas” për një lidhje fatlume dashurie, kur njerëzia trembeshin edhe prej saj. Rrethuar nga “syri i keq” dhe nga mungesa e lirisë. Atëhere kur ne studentët e aktrimit kalonim “dorë më dorë” e lexonim “Lulet e Mollës” të Xhon Gollsuorthit, mbi dashurinë e dy të rinjëve e që e kishte ende në dorëshkrim pedagogu ynë i Letërsisë Shqipe Nasho Jorgaqi, ndërkohë që dikush e kritikoi në gazetë për “mospërputhje me moralin komunist”. Ai kishte shkruar edhe novelën “Dashuria e Mimozës” dhe vinte tek ne, me një biçikletë, gjithmonë elegant e i qeshur. Po mua më kishte mbetur në mendje Anglezi XHON, për forcën jetëdhënëse të dashurisë dhe, kur më dërguan në Teatrin Profesionist të Elbasanit, zgjodha të vija në skenë pjesën e tij “Kutia prej Argjendi”. Më tërhiqte së tepërmi konflikti social, po edhe jeta e basifondeve ku do të ”prehej” edhe një varfanjak si Zhounzi që do ta lozte Demir Hyskja, po edhe prezenca e roli i një prostitute, interpretuesen e së cilës nuk e kisha në Teatër e më duhej ta kërkoja e ta merrja nga jeta. Po të tilla nuk mund të gjeje rrugëve! Dhe do të kërkoja gjithandej ndonjë vajzë të hijshme, gjersa të ndalesha para një infermjereje të shkathët dhe të bukur që nuk kishte dalur asnjëherë në skenë, po që sytë i xixëllinin. I propozova ndërrimin e profesionit dhe rolin që do të interpretonte. Qeshi me qesëndi, refuzoi në çast dhe pastaj tha se “Nuk kam ndërmend të mbetem pa u martue”! Ndofta edhe nga ajo “hija” e traditës, kur dalja e vajzave dhe e grave në skenë quhej si diçka “e pa moralshme” , aq sa edhe rolet e tyre i loznin burrat! Mirëpo atëhere nuk qe e lehtë të kundërshtoje një “lëvizje e tillë”, kur Teatri, si institucion, nisi të quhej “Levë e Partisë” dhe kështu që, kjo infermjere, me emrin Shani Llangu, që s’kishte lozur kurrë në Teatër do të bëhej aktore e Teatrit dhe do të lozte për herë të parë rolin e një prostitute angleze e të dhjetra personazheve të tjera. Po jo vetëm kaq. Nuk do të mbetej pa u martuar, sikundër e kishte “merakun”, po u dashurua menjëhere me aktorin, valltarin e prestigjatorin e Estradës, Florenc Shllakun, do të martohej dhe do të kishte me të dy djem si pëllumba, Aldon me Mikelin. Që sot janë artista shumë të njohur: Aldo në Holliwood,-kompozitor filmash dhe Mikeli në Kanada, si piktor e skenograf. Ndërsa Shanin do ta gjeja pensioniste në Elbasan, para disa ditësh, pas 60 vitesh, në jubileun e këtij Teatri, me të cilin nisi edhe jeta artistike e imja dhe e Shani Shllakut!
U përlotëm të përqafuar që të dy, u fotografuam në atë Fuaje Teatri të “Skampës” të tejmbushur me artistë, që tashmë nuk na njihnin fare dhe u ulëm diku, të mbërthyer nga nostalgjia e atyre viteve, kur artin e donim më shumë se veten… ”A të kujtohet,-tha ajo e përhumbur,-kur të erdha në zyrë me gjithë Bert Ndrenikën dhe doja të sqarohesha përse ma jepje mua rolin e asaj vajze së përdalur dhe ti më the se ajo qe një vajzë e mirë, e pafajshme, që ra viktimë nga braktisja e prindërve dhe e shoqërisë”?! Dhe Shani s’pushonte së foluri duke rikujtuar rolin tjetër që i dhashë, tek drama e Hella Vuolijokut “Justina”, shërbyesen zezake me shpirtin e bardhë e kështu me rradhë: Topsikun tek “Udha e Largët” e Arbuzovit, kur i gjithë Elbasani e thërrisnin në rrugë, vetëm me këtë emër, Lirinë tek drama“Linda” e Xhemal Brojës, me partner Robert Ndrenikën, po edhe ato dy rolet në të njejtën shfaqje të dramës së Thanas Borodanit “Udha e Zavalinajve”, Bardhën,-vajzën e shtëpisë, po edhe korespondenten e gazetës. E do të vnte në repertorin e kësaj aktoreje edhe një rol klasik komedie, sikundër qe Beatriçia e “Shërbëtorit të dy Zotrinjve” të Karlo Goldonit. Duke aritur kështu edhe në kulminacimin e saj me rolin e Lules tek “Lulet e Shegës, me të cilën shpërblehet me Diplomën e aktores më të mirë, ajo Infermjeria e dikurshme Shani Shllaku.E me interpretime rolesh në vazhdim e ndër vite të ndryshme, ndonse e pa shkollë , por tepër e sigurt si partnere, përbri Robert Ndrenikës, Shpëtim Shëmilit, Demir Hyskës, Thanas Borodanit, Haxhi Sejkos, Eduart Çalës e të tjerëve me rradhë. Pa ndonjë dallim nga shoqet e saj të skenës:Olimbi Bilali, Antoneta Kristo, Arta Luzi, Englanina Stefa dhe më pas me Veronikën e Teftën që vinin nga Shkolla e lartë e Aktrimit, me talentin e saj organik.Kështu që teatri u bë si shtëpia e saj e ajo u familjarizua me profesionin e ri… Duke u dashuruar aq shumë me personazhet, sa që të gjitha rolet i dukeshin të përafërt me vlerat e saj shpirtërore…
Por do të vinte viti 91 e gjithçka do të përmbysej. E do të hapeshin “udhë të panjohura”. Udha e parë ishte drejt Greqisë, me të gjithë bashkë: me Florencin, Aldon, Mikelin dhe me personazhet e saj në zemër. Udha e dytë ishte drejt Kanadasë në 94-ën, kur Aldos i dhanë një bursë studimi në Konservatorin e Mon Realit. Duke tejkaluar edhe dy dhimbje të mëdha shpirtërore: dy ikjet e të shoqit: e para, pushimin nga puna të Florencit si “njeri i deklasuar” në vitet ’70 dhe, e dyta, me ikjen e tij nga jeta në vitin 2014, duke ia lënë asaj, mbi supet e brishta, hallet familjare e mirërritjen e të dy djemve që kishin marë për mbarë. Të dy vëllezërit, tashmë artistë të diplomuar, njëri kompozitor e tjetri piktor, do t’i përkisnin Kanadasë. Po Aldo zgjodhi për vete “udhën e tretë”, në drejtim të Los Anxhelos, ku e priste Hollivudi…
Ky djal i talentuar, me një karrierë marramendëse në kryeqendrën e Artit Botëror, është tepër modest e qëndron larg ”zhurmës së vetvetes”, duke e kthyer kokën pas, në atë shkollën “Onufri” të Elbasanit, ku edhe hodhi “hapat e para”. Në një kohë,-thotë ai, kur nuk dinim asgjë se ç’kishte jashtë nesh dhe kur shihnim vetëm atë televizor me viza… kur laheshim nën Urën e Shkumbinit… apo kur shkonim tek kinemaja e vjetër… Ndërsa tani, sa herë që vjen në qytetin e tij sheh edhe ndryshimin e rrugëve me xhama… zhvillimin e hovshëm… copëza jete më ndryshe… pa e harruar dhe brengën e të atit kur i kujtonin shpesh “biografinë e keqe” dhe u thoshte të dy djemve që po rriteshin me sakrifica të mëdha se “s’kam ça baj për ju, me këtë biografi që kam”. “Talentin e pasionin mund ta kesh,-nënvizonte Aldo Shllaku në një intervistë të hershme, por nuk mundesh të “ecësh pa bërë punë të madhe me vetveten. Dhe mandej është puna që do të flas për ty”. As rruga jashtë vëndit e të dy vëllezërve Shllaku nuk qe e “shtruar me dafina”. Në një kohë prej 23 vitesh të përgatitjes e të formimit artistik në Kanada, ku do të ndaheshin “udhët e jetës”!, Mikeli në Kanada si Piktor Skenograf e Aldo në Amerike, si kompozitor i filmit. Dikur kishte kompozuar dhe në vendin e tij, disa këngë festivalesh, po edhe në filmin e Budinës “Agon”. Por Hollivudi do të bëhej qendra e punës dhe e vëmendjes së tij ku do të realizonte 6 filma me të njëjtët regjisor të njohur, me George Gallo dhe Ryuhej Katamura. Filmi i fundit: “Monopati i Kthimit” i shfaqur në Europë, ende nuk është dhënë në Amerikë. Ndër ato filma të muzikuar prej tij do të radhisnim filmin “SALONE” me Al Paçinon e Jessica Chaston (2013), “THE POISON ROSE” me John Travolta e Morgan Freeman (2019), “VANQUISH” me Morgan Freeman e Ruby Rose (2021) etj…
Si përfundim,-i them Shanit,-ja, se si u bë sebep ajo “Kutia prej Argjendi “ që u vodh në shtëpinë e antarit të Parlamentit Britanik, Xhon Bartvik e që Xhon Gollsuorthi shkroi këtë dramë komike, që regjisori i ri i asaj kohe, Miho Gjini, 60 vite më parë, të kërkonte për një rol infermieren Shani, ta sillte atë në Teatrin “Skampa”, ku do të njihej me bashkëshortin e saj, si dhe për të sjellur në jetë edhe këta dy artista të njohur, veçanërisht ALDO SHLLAKUN, artistin e kompozimeve të mëdha në Los Anxhelos, emri i të cilit shkruhet sot në titrat ballore të filmave të famshëm e në pllakatet e ndritshme, për artistët me nam të Globit… Qeshëm me gjithë zemër! Me lotë lumturie… Tek po festohej një Jubile i zhurmshëm e askush nuk na i “vuri veshin”!
Piqeras, më 23 tetor 2022.

 

Please follow and like us: