QEMAL HYSAJ – STUDENTI QË SHKËLQEU NË AKADEMITË USHTARAKE BRENDA DHE JASHTË VENDIT

(Në përkujtim të patriotit e atdhetarit të spikatur, kushtuar komandant Qemal Hysaj oficerit shembullor të FLD-së, që vjen për lexuesit në librin monografik “Simbol mbi dallgë” të Kapiten Rang. I Astrit Aliaj)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Qemal Hysaj është bir i shquar i trevës së Labërisë, për të cilin është gdhendur me merak, një monografi dinjitoze, një copëz jete e historisë së detarisë shqiptare, një dimension i ri kulture, historie dhe identiteti për Marinën Shqiptare. Në çdo fshat të trevës labe gjen trashëgimi të fuqishme brezash, gjen mençuri natyrale, që mëkohet që në djep. Por për shekullin e XX, gjejmë një rivitalizim të mençurisë dhe intelektualizmit veçanërisht pas messhekullit të kaluar e në vijim. Lufta e madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare edhe një herë i vuri në provë shqiptarët e për rrjedhojë edhe trevën labe, që shkroi histori trimërie e mençurie, dhe që diti ti kthehet vrullshëm ringritjes së jetës. Analiza që i bëhet një figure thelbësisht të pastër dhe të përkushtuar sikurse është komandant Qemal Hysaj është jeta e ushtarakut të denjë të Flotës Luftarake Detare. Libri për Qemal Hysaj është një copëz e historisë e ndriçuar me mençuri, një faqe të ndritur e detarëve, që shkruan histori edhe përtej imagjinatës njerëzore, një spirancë mençurie për brezat. Latinët thoshin “Librat kanë fatin e tyre”! Por Sami Frashëri thoshte se “…nëse do të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim dhe kulturë”. Destinacioni shkollor i birit të Tepelenës Qemal Hysaj ishte shkolla, arsimi dhe kultura për të qenë i denjë me fuqinë që të jep drita e diturisë dhe intelektualizmi elitar, sepse “jeta pa dije është si të shkosh në luftë pa armë”. Qemal Hysaj nga gjithë brezat e shokëve të tij si dhe nga dokumentacioni i depozituar në arkiv e kartotekën e QPR-së rezulton me etiketimin: “kursant i shkëlqyer” i të gjithë shkollave dhe akademive ushtarake, brenda dhe jashtë vendit, ku studjoi. Ai u dallua për zell e ambicje të lartë për dije të thelluara dhe të qëndrueshme.
Qemali ka qenë nxënës në shkollën e “Kadetëve” në Tiranë (1945-1947) menjëherë pas Luftës së lavdishme Nacionalçlirimtare në një prej formacioneve të hekurta, që shkruan lavdinë dhe pavdekësinë e formacioneve partizane. Më tej në vitet 1947-1948, Qemali, shkëlqeu ndërmjet gjithë grupit të tij si “kadet” në shkollën e Marinës në Split-Kroaci, por që me prishjen e marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë kthehet në Atdhe. Në vitet 1948-1952, Qemali sërish me studime si “kadet” në Shkollën e Lartë Ushtarake Detare “Kirov” në Baku të Azerbajxhanit, në ish-Republikën e Bashkimit Sovjetik. Në Shkollën e Lartë detare të Bakusë jo vetëm bëri emër të mirë por edhe u dallua për rrezultate të larta në mësime në të gjithë Shkollën, përfshi edhe ndërmjet studentëve të ish-vendeve të demokracive popullore. Pas tre vitesh punë sërish me studime. Qemal Hysaj përzgjidhet në kontigjentin “Student – Oficer” për të kryer studimet në vitet 1955-1958 në Akademinë e Ndërtimit të Anijeve dhe të Armatimit me emrin “Krillov”në Leningrad e Letoni, ish-Republika e Bashkimit Sovjetik. Tashmë më i pjekur dhe më i rritur, student që i peshonte fjala.
Arsimi i tij ishte plotësuar në nivelet më të larta të dijeve. Ai kishte qenë një kursant e student i shkëlqyer që në një farë mënyre, ishte pajisur me çelësat për të hapur dyert e karrierës së sukseshme ushtarake në detarinë ushtarake shqiptare. Etja për dije, dëshira dhe i apasionuar me leximin e kishte bërë sa solid aq edhe kompetent për detyrat e vështirësitë që e prisnin, veçanërisht dy vjet pas kthimit nga studimet. Flota Luftarake Shqiptare, që ishte në roje të kaltërsive të hapësirës detare shqiptare u bë ndërgjegjësimi në grup, se tashmë vendi ishte përballë një dimër të vetmisë së madhe përballë lindjes e perëndimit. Arsimimi ushtarak e nisi rrugëtimin më 28 Mars 1945, në Shkollën Ushtarake, që atëhere quhej “Shkolla e Kadetëve”, ose “Shkolla e Pionierëve të Luftës”, në bankat e së cilës u ulën për të parën herë 200 partizanë të vegjël të moshave 14-17 vjeçarë, që vinin nga brigadat partizane, djem e (7 vajza) të dëshmorëve të LANÇ, por që vinin nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, për rrjedhojë edhe nga Labëria, atje ku prushi i luftës partizane qëndroi i ndezur gjatë viteve të luftës.
Këtij kontigjenti i përkiste edhe Qemal Hysaj, që e justifikoi plotësisht besimin duke shkëlqyer në shkollën ushtarake “Pionierët e Luftës”, duke kaluar nga fronti i luftës, në atë të edukimit arsimor e ushtarak”. Një periudhë entusjaste dhe me bindje të plotë në sukses, sepse në shkollë erdhën me uniformën që mbanim në luftë dhe me armët personale pushkë, automatik dhe pistoleta, ndërsa ata që nuk kishin qenë në luftë kishin uniformën kadife blu. Edhe mësimi mbante erën e barotit. Mësimi zhvillohej paradite e pasdite dhe krahas saj në kushte tejet të vështira rregullimi, sistemimi, krijimi i terreneve sportive, ishte objeksion i veprimtarisë së pionierëve, ku Qemal Hysaj ishte i zellshëm si në çdo detyrë që i ngarkohej. Ishte një periudhë që edhe armët, këta pionierë lufte i mbanin me vete si pjesë e pandarë e trupit të tyre. Deviza e pionerëve të luftës ishte se “Nuk i dorëzojmë armët, sepse ua kemi rrëmbyer në luftë armiqve… Duhet t’i ruajmë, pasi lufta nuk ka mbaruar akoma”. Ishte përpara tyre lufta për mbrojtjen e truallit arbëror, një detyrim brezash, por këtë herë jo më “partizançe”, por me dije e kulturë, me njohuri të gjera të Artit Ushtarak popullor të kohës.
Qemali ka qenë ish-partizan i BrVSulmuese, dhe u paraqitëm me vonesë në shkollë, në fillim të muajit tetor 1945, ndërsa mësimet kishin filluar në shtator. Fakt është se në bazë të dokumenteve më 15.9.1945 Qemali kishte mbushur moshën 17 vjeç. Katër klasë i kishte bërë në fshatin e tij në Sinanaj. Kështu në shkollën e “Kadetëve” filloi klasën e pestë dhe një vit më vonë, 1946-1947 mori dy vite për një vit “shkollë unike”. Komandant shkolle, ishte Halim Xhelo nga Dukati, i njohur në brigadat partizane, komisar shkolle ishte Bedri Gjergji nga Elbasani. Me BrVS kishte shkuar me luftime deri në Sanxhak me një Brigadë që ishte nderi dhe krenaria e UNÇSH. Në shkollë tani ishte ndryshe. Mësuesit ishim civilë. Shkolla ndodhej në rrugën e Dibrës, mbi spitalin civil nga ana e Dajtit, në disa ndërtesa të ndërtuara nga italianët. Afër ndodheshin dhe disa ndërtesa të kurseve të oficerave, që më 1949 u quajt Shkolla e Bashkuar “Enver Hoxha”. Mësimet në lëndët civile i jepnin mësues civilë, si “Matematikën”, “Fizikën”, “Historinë”, “Gjuhën shqipe”, “Gjeografinë”, ndërkohë që lëndët e preferuara të Qemal Hysaj ishin “Matematika” dhe “Gjuha shqipe”. Duke qenë se shkëlqente në mësime bën pjesë në grupin që u nis me vapor nga Durrësi për në bregdetin e Dalmacisë, në një qytet të vogël që quhej Selcë, në një shtëpi pushimi pionierësh. Pas pushimeve nga Selca shkuan në Rieka me tren dhe më tej në Shkup e Ohër. Në shkollën e “Kadetëve“ vazhdoi deri në shtator 1947, ndërsa në shkurt 1947, shkolla e “Kadetëve” mori emrin Shkolla Ushtarake “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Prej këtij viti deri më 1992 nxënësit thirreshin: “Begsa – Skënderbegas”!
Një etapë tjetër e jetës do ta priste pionerin partizan që u rrit e burrërua në rreshtat partizane por dhe të shkollës Skënderbej. Qemal Hysaj, përzgjidhet në shtator 1947 “Kadet” në shkollën e Marinës në Split, që ishte pjesë e një grupi prej 25 vetësh, që u doli urdhëri i Ministrit të Mbrojtjes kombëtare “me studime në Jugosllavi për oficerë marine”, së bashku me Adem Jaupi, Ali Canosinaj, Aleko Stoli, Abedin Hysenbelliu, Hetem Shkëmbi, Izet Veçani, Kastriot Bitri, Qemal Hate, Rakip Agalliu, Sami Sinani, Seit Jonuzaj, Sefedin Gjoni, Sezai Osmani, Skënder Sulku, Shyqyri Çukaj, Tefik Selfo, Vangjel Nano, Vasil Çiko, Vasil Palodhi, Xhelo Banushi, Zaçe Zhupa, Zeqo Feçani. Nga Durrësi lundruan për në Dubrovnik, ku ishte shkolla e marinës. Por nga Dubrovniku shkolla u trasferua në Split. Në portin e Splitit ishte komanda e marinës Jugosllave. Kadetët ishin bashkë me oficerët jugosllavë, pavarësisht moshave dhe gradave të ndryshme si kapiten, major, nënkolonel, etj. Por “aventura” e shqiptarëve për studime në Split, do vazhdonte deri më qershor 1948, ndërkohë që duhej edhe tre vjet për të dalë oficerë. Krisja e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave bëri që të gjithë studentët të ktheheshin mbrapsh nga Spliti në Beograd e më tej në Shkup. Rrugëtimi i grupit të studentëve ishte Shkup-Ohër-Strugë-Qafë Thanë-Tiranë, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Rrugëtimi për arsimimi do të vijonte si për gjithë grupin edhe për Qemalin tashmë si “Kadet” në Shkollën e Lartë Ushtarake Detare “Kirov” në Baku-Azerbajxhan.
*Një epokë e re për arsimim hapej para oficerave të ardhshëm të marinës, Tiranë-Beogradit-Budapest-Lvov, një qytet ukrahinas –Moskë, një fluturim 13 orë. Nga Moska në Republikën Sovjetike të Azerbajxhanit (një nga 15 republikat sovjetike, të asaj kohe), që zgjaste 3 ditë me tren. Një jetë e re i priste Qemalin dhe shokët e tij në “Shkollën e Lartë Ushtarake Detare” të Bakusë. Para se të niseshin për në BS, për efekt pensioni të prindërve, me urdhër të Mehmet Shehut u graduam nënoficerë me gradën “kapter”, që ishte vetëm për efekt pagese ndërkohë që ishin thjeshtë studentë të detarisë. Studimet në Baku, në këtë qytet të madh buzë Kaspikut, qytet industrial nafte, me një shumicë uzinash e fabrikash të përpunimit të naftës; ndërkohë që Shkolla e marinës ndodhej nja 10-15 km larg qytetit Baku, në rajonin “Zih”. Deti Kaspik ishte një det i trazuar, ku frynin erëra të forta, prandaj edhe vetë qyteti në gjuhën vendase quhej “qyteti i erërave”, megjithëse erërat e shpeshta ishin “ilaç” për qytetin, e pastronin nga era e keqe e naftës dhe gazit. Kursantët ishin ndarë në fakultete, sipas viteve, ku shqiptarët ishin në fakultetin e të huajve bashkë me bullgarë, rumunë dhe një kinez. Shqipëria me 2 milion banorë kishte 10 kursantë në grupin e parë dhe 23 kursantë në grupin e dytë. Në Baku, Qemali me shokët e tij studioi për për 4 vjet, pa u kthyer asnjëherë në Shqipëri, sepse linja ajrore Shqipëri – Bashkimi Sovjetik u mbyll nga jugosllavët, dhe punonte vetëm rruga detare Durrës – Odesa e anasjelltas Odesa – Durrës, vetëm një ose dy herë në muaj.
Është interesante të lexosh në Dosjen personale nr. 3898 të ish-oficerit Qemal Kalo Çukaj (Hysaj). “Karakteristika në gjuhën shqipe”, që ka ardhur nga Shkolla e Lartë e Marinës në Baku: “1.“Mundet me sukes të vazhdojë studimet në akademi. 2.Në flotë eshte e aresyeshme te ngarkohet ne pergjegjesine e komandantit te repartit katerave. 3.E meriton të gradohet me gradën “ N/Toger”. Studenti Qemal Hysa kishte 4 vite pa e parë familjen por solli dritë diturie në familje, në fis dhe në shoqëri. Nëna e tij kur e pa pas katër vitesh i drejtohet si një labe e fortë: “Na lumturove, more bir, që erdhe në shtëpi shëndoshë e mirë, por dhe na nderove e na ke ngritur kokën lart, se ke shkëlqyer në Rusi!”. Ky ishte një motivim i prindit të mençur, sepse Qemali në fund të muajit gusht, u kthye në Durrës për të marrë detyrën. Për tre vjet në komandën e Marinës në Durrës, në detyrën “Shefi i minë-silurës”, pas mbarimit të shkollës së Bakusë, për rrezultate të shkëlqyera në punë i akordohet bursë për të studiuar në Bashkimin Sovjetik, këtë herë në Akademinë Detare në Leningrad.
Leningradi ishte një stacion i ri jetësor e akademik për Qemal Çukaj (Hysaj). Kërkesa urgjente urgjent “për tu paraqitur në Ministrinë e Mbrojtjes”, te drejtori i kuadrit, në një ditë marsi të vitit 1955 nuk ishte sinjal alarmi, por sinjal për një kualifikim të ri. Nga Tirana udhëtimi ishte drejt për në Moskë dhe prej andej nga aerodromi i Moskës “Vnukove” për në stacionin e trenit, për në qytetin e Leningradit, ku ishte Akademia e Marinës. Në Leningrad mbërritën ditën e nesërme. Këtë herë në Akademinë e Ndërtimit të Anijeve dhe të Armatimit me emrin “A.H. Krillov”, që ndodhej në një vend që quhej “Kamenij Ostrov” (Ishulli i gurtë), buzë një dege të lumit Njeva. Qemali dhe shqiptarët e tjerë, por dhe oficerët e tjerë bullgarë, rumunë, polakë, gjermano-lindorë, kinezë e koreano- veriorë ishin përfshirë në Fakultetin e të huajve ku pa përjashtim studentët ushtarakë të huaj, duhej që të zotëronin mirë gjuhën ruse.
Qemal Çukaj (Hysaj) në këtë kualifikim ishte me gradën toger (lejtnant), ndërsa kishte shoqëri edhe me gjermanë, kinezë dhe më shumë edhe me bullgarë që sipas autorit të librit “Simbol mbi dallgë”, të kapitenit të Rang.I (R) Astrit Aliaj, sjell për lexuesin edhe anektoda marinarësh, “Një bullgar donte të ngulte një gozhde në mur, por nuk kishte çekan dhe filloi ta rrahë gozhdën me kokë. Gozhda u ngul në mur, deri në një farë vendi, dhe ngeci, megjithëse bullgari e godiste me forcë. Si e pa që gozhda nuk ecte, kaloi prapa murit të shihte se çfarë e pengonte. Kur, shef aty, qe një shqiptar që kishte mbështetur kokën për muri dhe pengonte gozhdën të kalonte përtej!”, që donin të thoshin se, “bullgarët janë kokëfortë, por shqiptarët jeni edhe më kokëfortë”.
Nga libri qëmtojmë të dhëna interesantë në lidhje me Akademinë në Leningrad që kishte mjaft laboratorë e kabinete të pasura me mjete e teknike bashkëkohore; ndërkohë që mësimet zhvilloheshin në klasa, ndërsa eksperimentet në laboratorë. Pedagogët ishin shumë të përgatitur, me stazh të gjatë në flotat ruse dhe në shkolla marine e akademi. Pedagogët ushtarakë ishin me grada të larta, ku një pjesë e tyre ishin admiralë e gjeneralë, pjesa tjetër kapitena të rangjeve të parë e të dytë (kolonel e nënkolonel). Në këtë akademi kishte veçori sepse kishte edhe shumë prej tyre me grada shkencore si kandidatë shkencash, profesorë, doktorë, që flet qartë për nivelin akademik e profesional, ku edhe u pajisën me dije oficerët shqiptarë. Studimet e kualifikimet e shqiptarëve në Leningradë ishin një histori e plotë suksese dhe vlerësimi të shkëlqyer, ndërkohë që si çdo herë e bënin kthimin me vapor, në rrugën: Durrës – Pire – Stamboll – Varna – Konstancë – Odesë dhe nga Odesa merrnim trenin për në Leningrad. Rruga detare: Durrës – Odesë ishte një rrugë që kalonte nëpër ishujt e Egjeut në ngushticat e Bosforit e Dardaneleve të Turqisë. Oficeri shqiptar Qemal Çukaj (Hysaj) u diplomua “Shkëlqyeshëm“ si në të gjitha arsimimet, shkollat dhe Akademitë. Komandanti i Akademisë së Detarisë, i dorëzoi diplomën “C Otliçiem”, “Shumë Mirë” me nr. 848967, shkruar me ngjyrë të kuqe si dhe 1000 rubla si shpërblim, për punën trevjeçare që ofronte krenari të ligjëshme për plotësim maksimalisht të detyrës ndaj Atdheut. Qemal Hysaj, në kulmin e energjive, në shtator të vitit 1958, kur kishte mbushur moshën 30 vjeçare dhe me energji të pashtershme ishte plotësisht i gatshëm dhe optimist për të marrë mbi supe përgjegjësi edhe më të shumta. Kjo i krijoi mundësi që krahas përkushtimit në mësim intensiv, të bënte edhe zgjerimin e horizontit kulturor e profesional. Fshati, jeta në mal si partizan dhe sidomos shkollat e Akademitë i hapën horizont dhe e bënë më të denjë për detyrat e misionin e pritshëm të oficerit të marinës luftarake detare. Edhe pse përfundoi akademitë më prestigjioze të kohës, përgjatë gjithë jetës nuk e ndali studimin, duke e parë librin dhe bibliotekën si të shenjtë dhe të domosdoshme për prokres dhe sukses në përditshmërinë e punëve.
Jeta dhe puna e tij ishin plot kulturë e finesë pune, sepse dituria që përfitoi në shkollë ishte një rrezatim jete në punë. Ai ja doli që të jetë një kuadër i kompletuar në dije e përvojë por dhe një vlerë për marinën shqiptare, me kulturë e edukatë qytetare të admirueshme për nivelin e kohës. Nuk është e rastit që Qemal Hysaj shërbeu plot dinjitet e krenari në shumë detyra me rëndësi në Flotën Luftarake Detare, ndërkohë që ishte një familjar shembullor, i admiruar në jetën shoqërore si qytetar dhe ushtarak shembullor. Astrit Aliaj meriton përgëzime sepse ja ka dalë që me kompetencën e një historiani të rrokë gjithë dimensionin e një shembullori të Marinës Luftarake Shqiptare sikurse ishte Qemal Hysaj. Kapiteni i Rangut të Parë Astrit Aliaj nuk shkroi thjeshtë një libër, por ngriti një memorial që e përjetësoi Qemal Hysaj, si vlerë shembullore e Marinës shqiptare. Në gjithë etapat e ngritjes, arsimimit, punës dhe veprimtarisë qytetare shoqërore e familjare, padyshim si për të gjithë etapat e jetës së tij ndriçon fort periudha e arsimimit dhe kualifikimit, që jo rrallë autorë të ndryshëm e “harrojnë” ose e thjeshtojnë atë vetëm në pak rreshta. Ushtaraku dhe atdhetari i shquar Qemal Hysaj, meriton plotësisht të gjitha nderimet, por dhe të respektohet në mënyrë të përvitshme, dhe nga institucionet e shtetit, sepse kështu nderohen e shkuara e një brezi të hekurt që morën mbi shpatulla një mision atdhetar dhe mundësuan ngritjen e emrit të Shqipërisë ndër emrat e nderuar dhe repektuar në një kohë të trazuar. Emri dhe vepra e Qemal Hysaj meriton të nderohet thellësisht për dimensionin vital dhe rezatimin që bëri në veprimtariinë e tij në emër të misionit dhe në mbrojtje të misionit kushtetues të mbrojtjes së vendit. Libri është buqetë me dije, për mjedisin intelektual shqiptar të detarisë dhe më gjerë! Qemal Hysaj i vendosi në dispozicion të strukturave ushtarake mbrojtëse njohoritë solide që mori në të gjitha nivelet e shkollimit. Mirënjohje, homazh dhe përjetësi për burrin e shquar dhe ushtarakun e klasit të lartë Qemal Hysaj!
Udhëtimi i parë me nëndetëse në mijëra milje detare, nga Kaliningradi në Vlorë
Qemal Hysaj pasi kishte përfunduar studimet në Akademinë e Marinës “Krillov”, në Leningrad (Shën-Petërburg), në ish-Bashkimin Sovjetik, kërkoi nga komanda të kryente praktikën në një bazë nëndetësesh. “Ishte qershori i vitit 1958. Pas përfundimit të studimeve për specialitetin e armatimit të anijeve luftarake, student shqiptar kërkoi që praktikën ta zhvilloja në nëndetëse, gjë që edhe u aprovua menjëherë nga komanda”. Kështu në korrik të atij viti, ai së bashku me bashkatdhetarin e vet, Hetem Shkëmbi, njëkohësisht edhe bashkëstudent në Akademinë e Detarisë “Krillov”, shkuan në bazën ushtarake detare të nëndetëseve “Bolldaraj” në Riga, kryeqyteti i Letonisë, që ishte një qytet i bukur, i përbërë nga pjesa e vjetër, ndërtuar sipas stilit gjermanik dhe pjesa e re, e ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore. Në bazën e nëndetëseve, ishin ankoruar dhe katër nëndetëset që do të bëheshin bërthama e Bazës Ushtarake Detare të Pashalimanit në Vlorë. Qemal Hysaj dhe studentët e tjerë shqiptarë mësuan se në bazën e nëndetëseve, pas pak javësh do të niseshin katër nëndetëset drejt Vlorës dhe kjo bëhej në kuadrin e një marrëveshjeje me Traktatin e Varshavës, do të krijohej Baza Ushtarake Detare e Pashalimanit. Këtu u aprovua edhe kërkesa e shqiptarëve për të lundruar me grupin e nëndetëseve, ndërkohë që në normalitet duhet të udhëtonim me avion drejt Shqipërisë. Katër nëndetëset u zhvendosën për në bazën ushtarake detare të Kaliningradit (ish-Keningsberg), ku u zhvilluan edhe përgatitjet e fundit. Këtu u krijua edhe njësia që u emërtua Brigada e Nëndetëseve e Pashalimanit, me komandant admiralin Jegorov. Në të përfshihej edhe baza lundruese “Njemçinov” (më vonë u emërtua “Tomorri”), një mjet lundrues tepër modern, prodhuar posaçërisht për Bazën e Pashalimanit”. Në bazën e Kaliningradit, mbërritën edhe ushtarakët shqiptarë, që do të ishin bashkëdrejtuesit e Brigadës së Nëndetëseve dhe midis tyre Xhemal Shani, komandant i Brigadës, Dashamir Ohri, Spiro Kote, Shyqyri Çukaj dhe Beqir Gërbi, respektivisht komandantë të nëndetëseve. Nisja u bë përmes Balltikut, në Detin e Veriut, vazhduam drejt Vlorës. Studentët ishin imbarkuar në bazën lundruese së bashku me pjestarët e tjerë të ekipazhit, ku në bordin e saj, ndodhej edhe komandanti i Brigadës, admirali Jegorov, i njohur si personazhi i famshëm i komandantit rus, në filmin “Ballë për ballë”. Lundrimi i nëndetëseve bëhej mbi ujë dhe kompletimi luftarak i tyre ishte i plotë, në përputhje me kushtet e luftës. Lundrimi bëhej me rreth 15-18 milje në orë. Pas Balltikut, kaluan ngushticën Kategar, në anën e bregdetit të Suedisë, dolën në Detin e Veriut, lundruan drejt Kanalit të La Manshit, në gjiun e Biskajës, në Gjibraltar, përmes Mesdheut dhe më 21.8.1958, në Sazanit. Edhe studentët shqiptare hynë plot ndjenjë në ujrat e kaltra shqiptare.
Karriera Ushtarake e oficerit të lartë të FLD-së Qemal Kalo Hysaj
Qemal Kalo Hysaj ka lindur në fshatin Sinanaj të Tepelenës më 15.9.1928. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes; nga 14.3.1944 deri më 1.10.1945 partzan në BrVS; nga 1.10.1945 deri më 1.9.1947, pionier në Shkollën “Skënderbej”; Nga 1.10.1947 deri më 1.7.1948 kadet në shkollën e marinës në Split, Kroaci, ish-Republika Federative Jugosllave; Nga 1 Shtator 1948 deri më 30.6.1952, Rreshter (kadet) në Shkollën e Lartë të Flotës Luftarake Detare në Baku, Azerbajxhan ish-Bashkimi Sovjetik; dhe nga data 2.9.1952, emërohet me detyrë: “dubland ndihmës” të “Flotiljes” në Durrës; dhe më tej “dubland/ndihmës për punë operative”, në Komandën e Marinës Luftarake në Durrës; ndërsa nga 3.2.1954, emërohet “ndihmës për organin luftarak 1”, në Komandën e Marinës Popullore në Durrës; më 15.3.1955 deri më 15.11.1958, dërgohet “për studime ushtarake në Leningrad, BS”; Pas studimeve emërohet “Shturman” në komandën e Marinës Luftarake, Vlorë; nga data 8.12.1958 deri më 15.9.1959, emërohet “Minjor” në komandën e Flotës Luftarake Detare, Vlorë; nga data 16.9.1959 deri më 7.7.1961, emërohet “Minjor Flamurtar në Brigadën e Mbrojtjes së Ujërave” në komandën e Flotës Luftarake Detare, Vlorë; nga data 8.7.1961 deri më 17.11.1964, emërohet “shef cikli armatimi dhe instruktor i qitjes me silurë” në shkollën e oficerëve të FLD, të komandës së FLD në Pashaliman – Vlorë; nga data 18.11.1964 deri më 5.12.1967, “shef cikli armatimi dhe instruktor i qitjes me silurë”, në shkollën e oficerëve të FLD, të komandës së FUD, Vlorë; më tej nga data 6.12.1967 deri më 18.03.1974, “shef cikli armatimi dhe instruktor i qitjes me silurë”, në shkollën e oficerëve të FLD, të komandës së FUD, Vlorë; nga data 19.3.1974 deri më 29.5.1974, “shef katedre minë-silurë”, në shkollën e oficerëve të FLD, të komandës së FUD, Vlorë; nga data 30.5.1974 deri më 26.2.1975, “në dispozicion” të Akademisë Ushtarake “Mehmet Shehu”, në Tiranë; nga data 27.2.1975 deri më 5.8.1975, më tej “në dispozicion” të komandës së FLD; nga data 6.8.1975 deri më 8.6.1976, “komandant i Grupit MRU” në Sazan, pranë BUD-i Vlorë; nga data 6.8.1976 deri më 15.1.1984, emërohet “komandant i Regjimentit të Anijeve”, pranë Komandës së Ishullit Sazan; ndërsa më 15.1.1984, nxirret në “pension pleqërie”, ku pas saj pati një jetë aktive si veprimtar shoqëror dhe ishte një qytetar i nderuar pas kryerjes së shumë detyrave me përgjegjësi në Flotën Luftarake Detare.
-&-