Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: 10 VJET PA NIK PAVACIN

 

 

 

 

 

Në vitin 2012, mora lajmin e vdekjes së antikomunistit nderuem të Shkodres Nik Pavacit, ish Kryetarit të Shoqatës së të Perndjekunve dhe të Persekutuemëve Politikë të Shkodrës.

E njofta shumë të ri, nga lidhja shoqnore me vllajn e tij, Gjovalinin, kur ishim në bankat e shkollës pedagogjike në Shkodër dhe jo larg me shtëpija njeni me tjetrin.

Të dy palët ishim shirokas të ramë në Shkodër. Në vitin 1956 na e kishim marrë maturën kur ngjau ngjarja ma e madhe mbas Luftës së Dytë Botnore në njenën nga republikat e nderueme të kampit të Lindjes komuniste, të okupueme nga BRSS, në Hungarinë Europiane, ngjarja që zgjoi nga zgjedha staliniane komuniste “të gjitha demokracitë popullore”: Revolucioni i Hungarisë. Gazetat zyrtare shqiptare në faqet e para lajmonin “Kundër revolucionin…” dhe mbas pak ditësh Hrushovin e zemruem tue rrah grushtat në podin e sallës së Kremlinit dhe shumë shpejt mbas Fitores pakditore të Popullit Hungarez në Budapestin e Lirë, u venitën shpresat nga tanket sovjetike që rroposen Lirinë nën sixhirët e tyne. Imbre Nagi u tradhëtue nga ambasada e revizionistit Tito, i rilidhun me KGB e Hrushovit… Amerika nuk u ekspozue në skenën hungareze tue lanë në “fuqi” Marrëveshjen e Jaltës. Hungarezët shpejtë rifilluen robninë sovjetike, gjykatat ushtarake e interrnimet në Siberi. Nuk shkon shumë kohë dhe dëgjohet se në Tiranë, Nik Pavaci dhe studentët e Liceut Artistik Ndrekë Bazhdari dhe Karlo Çefa, të tre nga Shkodra, janë arrestue me një akuzë si “armiq të Popullit”.

Nuk mund të percaktoj data per mungesë dokumentacioni, por Nana ime më tregoi një ditë se Roza Pavaci, Nana e Nikës, i kishte tregue se ia kanë dënue djalin për politikë dhe se Nika ishte në spitalin e burgut në Tiranë. Për arsye të shndetit, e kishin “privilegjue” dhe e kishin çue një ditë në burgun e Burrelit. Ndreka dhe Karlo u dërguen ndër kampe pune dhe shfarosje, ku qëndrimi i tyne ishte shembullor.

Ky grup të rijësh nga Shkodra, i tradhëtuem, ishte arrestue dhe dënue se të tre kanë mendue se edhe Shqipnia një ditë duhet me ndjekë rrugen e Hungarisë, tue kerkue kjoftë edhe me sakrficën e jetës së tyne, “Lirinë dhe Drejtësinë”, të dyja të përdhosuna nga rregjimi diktatorial e terrorist i Enver Hoxhës… Grupi u quejt “kundër Revolucionar”, prandej edhe dënimet ishin të randa dhe me pasoja edhe mbas lirimit të tyne nga burgu.

Kujtoj që për Niken më kanë tregue tre vetë se “shpëtimi i tij nga vdekja kur ai ishte në burgun e Burrelit, asht konsiderue një Mbrekulli nga Zoti, mbasi lanja e Nikës në kohë dimni gjatë hetuesisë në një dhomë i zhytun deri në bel në ujë të pistë dhe pa asnjë ushqim perveç bukës së thatë, i kanë shpartallue mushknitë me një proces tbc…” për të cilin dr. Ali Spahija, bashkëvuejtës, “nuk kishte asnjë shpresë jete”, ndersa Lin Martini, më shpjegonte që “Nika kishte mërrijtë edhe mos me njoh as shokët e dhomës… kur pranë tij rrinte me orë edhe pa gjum tue lutë Zotin për shpëtimin e jetës, At Pjetër Meshkalla”.

Këta tre djelm, bashkë me familjet e të afërmit, edhe mbas lirimit nga burgjet, u përfshine gjithë jetën në “luftën e kllasave”… mbetën puntorë për “kafshatën e gojës”.

Asnjëherë nuk kam dëgjua nga asnjëni emnin e denoncuesit të grupit! Kur pata pyet Nikën një natë tue shkue në shtëpi për një njeri që “dyshojshe” mos i ka tregue ai, Nika më preu fjalën dhe më tha: “Fritz, unë e kam falë, mbasi atë e ka torturue me dorën e vet Hilmi Seiti në mënyrën ma shtazore… por edhe si Katolik ai më ka kerkue të falun, thellësisht i penduem për vuejtjet që më ka shkaktue. Nuk due me zanë në gojë emnin e tij, prandej të lutem asnjëherë mos e thuej se tashti na janë rritë edhe fëmija”.

Një ndër modelet qytetare e fetare të qytetarit Shkodres ishte edhe Nika! U zgjodh Kryetar i Shoqatës së të Persekutuemëve në Shkoder… Dy figura që kanë pasue njeni-tjetrin Ernest Perdoda dhe Nik Pavaci… të dy të smurë perjetsisht nga burgjet… Një ditë herët në mëngjez, sambistët e sigurimit komunist i nxjerrin nga një Grevë që Shoqata organizoi në Shkodër dhe per disa ditë Nikës dhe Ernestit i kanë vazhdue në trup shenjat e shkopijëve nga rrahja mizore prej kriminelave të sigurimit shtetit.

Po a u terhoqën ata burra nga Lufta për Liri, Demokraci dhe Drejtësi?

Jam i sigurtë se edhe ndër varreza ata nuk janë të qetë për si e lanë Shqipninë!

Per këte jam shumë i sigurt!

Besoj, Shkodranët nuk e harrojnë Nik Pavacin, kur po zhvillohej fushata e vitit 1996 per zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë së Shkodres, në kinema Republika.., dhe mbas meje mori fjalen Nika…Sa filloi me folë per rolin e së Djathtes së Bashkueme Shkodrane, na u fikën dritat, dhe gjithë salla ushtoi uuuuuuu. Nika çoi zanin dhe tha: “E dijshe se do të ngjasin kjo punë, prandej ju lutem mos u merzitni dy minuta!” dhe nxori nga xhepi dy qira dhe shkrepsen e vazhdoi fjalen e Tij. E njëkohësisht vazhdonin duertrokitjet!

Ata dy qira sot vazhdojnë me kenë të pashuem ashtu si nuk do të harrohet kurrë nga Shkodra dhe Shqiptarët dashunia e sakrifica e Tij per Liri, Demokraci dhe Drejtësi.

Kujtimi i i Nik Pavacit asht i perhershëm!

Melbourne, 12 Dhetor 2022.

Please follow and like us: