Albspirit

Media/News/Publishing

Amarda Ekmeçiu: Balona e fëmijërisë…

Isha thuajse pesë vjeç. Sapo kishim hyrë në shtëpinë tonë të re. Banonim në katin e tretë. Stili, komshiu që banonte poshtë nesh (djali i teta Ritës, gruas këpucare me flokët e mbedhur topuz në mes të kokës) trokiti në derë. Babai e ftoi të hynte. Ai mbante në duar ca kallama e ca fletë të mëdha tabaku. Pasi u rehatuan bashkë me tim atë në dysheme, filluan të presin kallamat. Në fillim bënë gjashtë kallama në të njëjtën gjatësi. Pastaj kur filluan t’i çajnë në mes, babai filloi të bëhej pak nervoz sepse ato thyheshin lehtë.
-Duan kujdes mor xhaxh,- i thoshte Stilit me zërin disi të zbutur.
-Balona nuk do kallama të trashë, se pastaj nuk ngrihet në qiell,- vazhdoi im atë.
Pasi arriti të siguronte gjashtë kallamat e prerë në të njëjtën gjatësi të ndarë në mes, ai fillio t’i lidhte me spango në qendër, duke i vënë në formë gjashtëkëndëshi. Ky ishte hapi i parë. Pastaj prenë copën e madhe të tabakut të bardhë dhe filluan ta ngjisin përreth gjashtëkëndëshit prej kallami. Para meje ajo që sapo kishte marrë formën e një baloneje, dukej diçka gjigande që do pushtonte qiellin. Pasi ndërtuan dhe bishtin e balonës me spango përreth së cilës lidhën fije të prera tabaku, gjithçka dukej se ishte gati për fluturim. E gjitha kjo zgjati gati tre orë. Im atë kishte ndihmuar Stilin të ndërtonte një balonë tabake. Arsyeja pse Stili ndërtoi balonën e tij me tim atë e jo me të atin, nuk më kujtohet. Mbaj mend veç nënën e tij, teta Ritën, motrën e tij Marta dhe vëllain më të vogël Sandrin. Nejse, kjo ndoshta nuk ka shumë rëndësi. Për mua balona e Stilit ishte e para dhe e vetmja që kisha parë se si ndërtohej. Shpesh fëmijët gëzoheshin në rastet kur kishin balona tabake. Nuk di pse, por sa herë i lëshonim në qiell ata këndonin “ Fluturo balonë tabake”.
Vetë nuk mësova kurrë të bëj një balonë si ajo e Stilit me kallama, tabak e bisht të gjatë e të vërtetë. Edhe pse isha vajzë më pëlqente kjo lojë e bukur. Më ngjallte ndjesinë e lirisë drejt qiellit. Kur doja të bashkohesha me fëmijë të tjerë që ngrinin balona, shpejt e shpejt përgatisja një balonë tauke me gazetat që gjeja në shtëpi. Ajo ishte një balonë e krijuar nga fletëpalosje të rregullta simetrike, me një bisht të shkurtër me shkronja të grisura. Edhe pse nuk ishte një balonë e vërtetë, ajo ishte dëshira që fluturonte mes shumë dëshirash. Përplasej në rrymat e ajrit, bënte rrotullime me trajektore të çrregullta, por pas këmbënguljeve të mia ajo i ngjitej qiellit.
Please follow and like us: