Albspirit

Media/News/Publishing

TAKIM NË VLORË ME POETIN LAUREAT RUDOLF MARKU

TAKIM NË VLORË ME POETIN LAUREAT RUDOLF MARKU NGA LEZHA E POETËVE

 

MSc. Albert Habazaj
 
Përgjegjës i Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universitetit Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë
Moderator i veprimtarisë

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë zhvilloi një takim në formën e një bashkëbisedimi të ngrohtë me poetin laureat Rudolf Marku, veprimtari që mendoj se përbën një ngjarje letraro-kulturore të veçantë jo vetëm për universitetin tonë, por edhe për qytetin kulturëdashës të Vlorës.

Që kjo veprimtari e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike e Ballkanistike, Departamenti i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Poetëve “Petro Marko” dhe Biblioteka shkencore “Nermin Vlora Falaschi” e Universitetit tonë në formën e një feste letrare apo më mirë si një kuvendim kulturor zhvillohet në mjediset e Bibliotekës, është një fatmirësi, besim dhe përgjegjësi që na ngarkoi Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, prof. dr. Roland Zisi, njëkohësisht një ndër studiuesit më të njohur të Letërsisë Shqipe.

Që në këtë veprimtari merr pjesë vetë rektori bashkë me albanologun e njohur, prof. Bardhosh Gaçe është vlerësim serioz.

Që poeti laureat Rudolf Marku shoqërohet nga poeti elitar Sadik Bejko, me një nga përkthyesit më të mirë të vendit Bajram Karabolli dhe Piktori i Popullit Nestor Jonuzi është fisnikërie lartë kriujese dhe qytetare.

Nuk kam ndërmend të bëj një jetëshkrimin e autorit, ndoshta të domosdoshëm, sidomos për studentët, që mbushin këtë auditor, por në këtë rast do ta quaja burokratikisht të tepërt, sepse Rudolf  Marku është një poet antologjik specifik, por shumë i dashur për dashamirësit e poezisë së sotme shqipe, sepse gjatë pyetjeve tuaja Dolfi do të na i dëftojë të gjitha e do të zbërthehet, si bora e bukur në prill…

Rudolf  Marku është zotëri i poezisë dhe sot ne, këtu në Vlorë, kemi një festë letrare kuptimplotë: Dolfi bën 50 vjet që princëron në Principatën e Poezisë. Një gjysmë shekulli! Qoftë e përgjithmonshme poezia e Rudolf Markut dhe e poetëve vargjebukur!

Ndërkohë, “brenda kureshtjes dhe gëzimit”, nëse I FTUARI YNË SPECIAL më lejon të përdorë këtë shprehje të të parit Poet Laureat shqiptar Rudolf Marku, shpallur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit së bashku me Ministrinë e Kulturës, dëshiroj t’ju them se veprimtari dhe politikani, atdhetari i devotshëm dhe qytetari universal, poeti e shkrimtari, redaktori dhe kritiku, eseisti dhe përkthyesi, i ndëshkuari dhe i trajtuari, mësuesi dhe pedagogu, nëpunësi dhe diplomati kulturor, biografi  dhe antologjiku Rudolf Marku, ky dekadenti i atëhershëm, vetëm 21 vjeçar me gabime ideologjike shfaqur qysh në vëllimin e parë poetik “Me shokët e mi”, kritikuar në Pleniumin IV të Komitetit Qendror të Partisë të 73-shit, sot, falë talentit të rrallë letrar, erudicionit të thellë dhe mendimit bashkëkohor filozofik, me vëllimet poetike që ka botuar, është renditur si njëri ndër poetët më të talentuar të gjuhës shqipe. Ai, edhe si romancier, veç të tjerash, shquan edhe për natyrën satirike koniciane, duke na dhënë karikaturën e politikës dhe gazetarisë shqiptare të tranzicionit. Ky autor ka marrë shumë medalje e çmime nga më të lartat letraro-kulturore, por meqë Dolfi beszdiset nga dekoratat, nuk po ia përmend, veçse dua të them, se ai ka meritën se është i pari që i ka paraqitur lexuesit elitar shqiptar shumë autorë të huaj të konsideruar të ndaluar. Rudolf Marku ka bërë të këndojnë shqip me shqipërimet apo redaktimet pena të rënda si Thomas Streans Eliot, Ezra Pound (Paund), W. Oden, Giuseppe Ungareti, apo si redaktor, Kostantinos Petrou Kavafis e Milan Kundera e shumë autorë të tjerë të shek. XX.

Ai është mirëpritur shumë nga lexuesit shqiptarë dhe të huaj, po ashtu dhe është vlerësuar lartësisht nga kritika letrare shqiptare dhe e huaj. Robert Elsie e  quan “Poet intelektual, i meditimeve dhe gjykimeve të urta”.

Në kujtesën time dhe të grupmoshës sime, vijnë si 3 skalione me dallgë drite, që, në rrafshin e poezisë së sotme në Shqipëri, tronditën Tiranën metropolite me poezinë e viteve 1975. Ishin pikërisht Tropoja e Veriut me trininë e shenjtë letrare: të ndritshmin Hamit Aliaj, si dhe Skënder Buçpapaj e Ndoc (Anton) Papleka; Tepelena e Jugut me trininë e shenjtë letrare:të ndritshmit Petrit Ruka e Qazim Shemaj, si dhe Ilirian Xhupa, si dhe shpërthimi nga Lezha Veriperëndimore me trininë e shenjtë letrare: të ndritshmin Ndoc Gjetja, si dhe Preç Zogaj e Rudolf Marku.

Ndjej detyrimin, se qoftë edhe telegrafisht, mund t’tju them dy fjalë për autorin. Rudolf Marku ka lindur më 28.10.1952 në Lezhë, në qytetin e Poetëve, ka kryer studimet e larta për Gjuhë – letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe ka punuar për disa vjet në gazetën letrare “Drita”, në faqet e së cilës i paraqiteti lexuesit shqiptar shumë poetë të rinj apo të ndaluar më parë. Në vjeshtë 1991, u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme për problemet e marrëdhënieve kulturore me jashtë, më pas u bë deputet dhe pastaj diplomat në Londër… Por zonjat dhe zotërinj të poezisë së çmuar “nuk e duan veten të mbytur nga zëri i partisë”. Në fakt, të paktën në Shqipëri, nuk janë partitë në opozitë me njëra-tjetrën, por poetët janë në opozitë me partinë në pushtet, kushdoqoftë ajo.

Pa e lënduar autorin, kujtojmë se lindja e parë poetike e tij, “Shokët e mi” më 1974 e syrgjynosi në fshat. Por ai nuk u tërhoq nga udhëtimi magjik i poezisë së bukur. Në vitin 1977 boton vëllimin e dytë poetik “Rruga” më 1982, “Sërishmi” dhe “E dashur” më 1985; “Udhëtim për në vendin e gjërave që njohim” më 1989; pa përmendur romanet e autorit dhe antologjitë e përgatitura, vijojmë me vëllimin poetik “Një ballkanas në Londër”, 2012; apo vëllimin më krenar të derisotëm “Rrathë të brendashkruar”, Tiranë, Onufri, 2020/ Athinë, 2023, etj.

Deri më sot, në katalogun online të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë kemi 195 regjistrime të gjetura nga Rudolf Marku, ndër to 28 regjistrime bibliografike janë libra, ku Marku shfaqet si autor, bashkautor, përkthyes, redaktor, përgatitës tekstesh shkollore, përpilues antologjish.

Rudolf Marku është poet i mençur, i pranvertë në ndjenja e i thellë në mendime, që përbën tipologji të poetit modern shqiptar në univers. Ai është një poet që fal dashuri jo me bardhakë, as me dete por me oqeane shpirti.

Edhe pse mund të mendohet që R. Marku ka një vend midis hermetikëve, ky, lezhjani londinez është poet i galaktikave të shpirtit human

Rudolf  Markun, veç të tjerash, e admiroj, sepse ai i do poetët me vlera si veten, ndoshta dhe më shumë. Aq më tepër që ai i ka kushtuar një nga poezitë më të bukura të mundshme që kam lexuar unë lirikut altruist shqiptar Frederik Reshpjes, të cilin, jo vetëm se e kam takuar për herë të parë në Tiranë në vitin 1996 me dashamirësin tonë të madh prof. dr. Bardhosh Gaçe, por se e çmoj për lirikat e tij të arta të trishtimit. Më lejoni t’jua lexoj këtë poezi, që vjen si ditiramb i rrallë e buron gurrë mirësie, që kullon dinjitet letrar dhe njerëzor:

 

Rudolf Marku: Frederik RESHPJES

 

Poet skandaloz, rebel, i lirë si një zog,

Tëngritënkurthekafazesh- burgjeshkudo,

Dhetiqëpërherë i injorovezingjirët, qelitë, gardianët

Kurr nuk e përmende vetminë sa një kontinent të Poetit,

Ti që talleshe me kafazet, që pëlqeje t’i vije në një rrjesht

Gjahtarët, kritikët, lavdikërkuesit, mediokrit dhe kostumet e lakuriqsisë së Mbretit;

Asnjë varg për vitet e burgjeve,asnjëherë

Pa të shkuar ndërmend t’i ktheje vuajtjet në dyqane shkëmbimi valutor

Në poste ambasadorësh, lavdi të rreme, reçensione – Hosaná,

Në dyqane spekulative ku shesin lirinë.

Ty, që të mjaftojnë veç krahët e mëdhenj,

të arrish përjetësinë.

Krahët e tu prej aeroplani qenë tepër të mëdhenj për kafazët,

Le të rrinë aty gardalinat e verbërta:

Brenda kafazeve me dyer të çelura të presin lavdinë!

 

 

 

Please follow and like us: