Kosova, gjithë shqiptarët para Traktatit të ri të Shën Stefanit
Gjelok Marko
Historia përsëritet. Më 3 mars të vitit 1878 u nënshkrua Traktati i Paqes së Shën-Stefanit, i cili i dha fund Luftës Ruso-Turke që pat shpërthyer më 24 Prill 1877. Pasi u nëshkrua ky traktat përfaqësuesit e Perandorisë Otomane u kërkonin shqiptarëve që të “qëndronin të urtë e të bindur”, të sakrifikonin trojet e tyre, interesin e ngushtë kombëtar, për interesat e larta dhe të gjëra të Perandorisë Otomane. Në atë kohë shqiptarët bënë të kundërtën. Tani diplomacia e Bashkimit Europian dhe SHBA praktikisht po na kërkon të njëjtën gjë, pavarësisht se në një mënyrë më të kamufluar. Për të realizuar një plan të poshtër duhet caktuar një njeri i poshtër, për të realizuar një plan antishqiptar duhet caktuar një emisar antishqiptar. Për këtë arsye u zgjodh Lajçak.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. E akuzoi në bazë të fakteve, sipas parimeve që Bashkimi Europian dhe SHBA pretendojnë se janë në themel të politikës së tyre.
Të gjithë e dinë se e vërteta dhe e drejta është me Kryeminstrin e Kosovës Albin Kurti.
Nga ana tjetër politikanët e Bashkimit Europian dhe të SHBA e quajnë fajtor dhe të padrejtë Albin Kurtin, dikur i burgosur politik nga regjimi gjakatar i Millosheviçit; kurse ish ministrin i propagandës, Joseph Goebbelsin e Millosheviçit, Vuçiç na e quajnë të “drejtë” e “konstruktiv”?! Anën e kujt të mbajmë? Të themi e të shpallim atë që është e vërtetë, apo ti bashkohemi “korit të bretkocave”, ata që janë “të mëçur” dhe që flasin “politikisht korrekt” dhe të themi se fajin e ka Albin Kurti?
Të gjithë e dinë se Joseph Goebbelsi i Millosheviçit, Vuçiç ka të njëjtat synime si idoli dhe paraadhësi i tij Millosheviç. As ai dhe as politikanët e tjerë të Serbisë nuk e fshehin synimin e tyre se luftojnë që një ditë gjithë Kosova të bëhet pjesë e Serbisë. Përpjekjet për të ashtuquajturin “asociacin” dhe të gjitha propozimet e planet e diplomacisë serbe janë “de facto” etapa për të realizuar qëllimin final : Gjithë Kosova të bëhet pjesë e Sërbisë:
Së pari t’i marrim Trepçën, të mos ketë mundësi të organizojë industri, të mos ketë rezerva ujore, të bëhet e varur ekonomikisht… Pastaj në mënyra të ndryshme të sjellin në pushtet një kryeministër pro-serb, një Edi Rama të dytë që të bëjë Kosovën një qendër kanabisi, krimi e korrupsioni, që ta zbrazë nga rinia…
Po edhe sikur, larg qoftë, pasi Serbia të marrë me ndihmën e SHBA dhe të Bashkimit Europian, jo vetëm ato që kërkon tani, po edhe gjithë Kosovën, a jemi aq naivë të besojmë se kjo Serbi e kënaqur do të bëhet mike e Shqipërisë, pro europiane dhe kundër Rusisë Pansllaviste?!
Për këtë Serbisë më parë do t’i duhej të mohonte rrënjët e saj: Në radhë të parë traditën e kishës së saj Ortodokse si dhe baballarët e kombt serb, intelektualët Çibrulloviç etj. Për sa kohë që nuk është bërë kjo Serbia mbetet ajo që ka qënë dhe sa më shumë t’i rritet forca do t’i rritet edhe makutëria, edhe egërsia, paturpësisa… Fakt është që shpesh diplomacia perëndimore ka bërë dhe bën gabime të rënda. Një gabim i tillë u krye me Putinin dhe me politikën e varësisë nga energjia ruse; vazhdim i këtij gabimi është edhe ajo që po ndodh sot me besimin që kanë se Serbia do të bashkohet me SHBA dhe Komunitetin Europian kundër Rusisë. Politikanët, por edhe intelektualët, gazetarët, etj, shqiptarë duhet të kenë guximin tua thonë në sy këto fakte aleatëve të tyre. Kjo nuk po ndodh sot për arsye të korrupsionit që gjendet sot në qeverinë dhe në masmediat në Shqipëri. Dihet botërisht se Rusia dhe Serbia kanë investuar shumë në këtë drejtim.Është e qartë se politikanët e gazetarët e paguar nga Rusia e Serbia këto të vërteta nuk do t’i thonë kurrë.
Fakt është se shumë të vërteta rreth Serbisë e politikës Ruse Pansllaviste, shqiptarët, për shkak të kushteve historike e të fatit të keq të fqinjësisë së gjatë, i kuptojnë më mirë se aleatët e tyre SHBA dhe Komunitet Europian.
Mjerisht shumë shqiptarë, disa prjej tyre edhe të ndershëm, kanë rënë në kurthin e shpirtit të skllavërisë që i bën t’i shohin SHBA dhe Komunitetin Europian ashtu siç shihen “lopët e shenjta” në induizëm. Në Indi, ky koncept kushtëzon, midis të tjerave edhe rregullat e trafikut: kur një lopë futet në trafikun e një qyteti të madh gjithmonë lopa ka përparësi dhe gjithë trafiku duhet të drejtohet dhe të orientohet sipas lëvizjeve dhe logjikës së lopës. Kur del dikush dhe mundohet ta largojë lopën e “shenjtë” që ka bllokuar trafikun ngrihen gjithë fanatikët dhe e sulmojnë. A mos po ndodh e njëjta gjë sot kundër Kryeministrit Albin Kurti?
Cila është rruga e drejtë: të jemi të “urtë” e të “bindur” , të sillemi “politikisht korrekt” dhe “të dëgjojmë të mëdhenjtë”, si na thotë Edi Rama, Baton Haxhia e co. Apo të luftojmë për të vërtetën si bën sot Albin Kurti? Shtrohet pyetja: Çdo të kish ndodhur me Shqipërinë dhe shqiptarët po të ishin sjellë të të “urtë” e të “bindur”,“politikisht korrekt” dhe “të dëgjoni të mëdhenjtë”, në kohën kur u nënëshkrua Traktati i Shën Stefanit? A do të ish rruga e drejtë atëhere sikur shqiptarët të vendosnin, sipas këshillës të diplomatëve otomanë, tia nënështronin interesat e ngushta kombëtare interesave të gjëra të Perandorisë? Në atë kohë shqiptarët në Kosovë vendosën të luftonin për interesat e tyre kombëtare, edhe kundër aleatit të tyre Perandorisë Otomane prandaj dhe ne mundëm ti shpëtojmë, asimilimit të plotë. Interesat kombëtare janë të përjetshme, kurse aleancat gjithmonë janë konjukturiale, të përkohshme. Kurrë nuk mund të sakrifikohen interesat kombëtare për hir të interesave të një aleace. Vetë historia na tregon se si e sa herë kanë ndryshuar aleancat tona. Po të kish shkuar Ukraina sipas logjikës së Edi Ramës dhe këshillave propagandistike të Baton Haxhisë sot do të ish pjesë e Federatës Ruse. Le të mos e harrojmë fakti se SHBA e këshilluan presidentin e Ukrainës Wolodymyr Selenskyj të largohej, madje i premtuan se do ta evakuonin dhe do t’i jepnin strehim të sigurt në SHBA. Po ashtu çfarë lufte të madhe bën ai dhe gjithë diplomatët e Ukrainës për të marrë armët moderne që i duhen për të thelluar sanksionet kundra Rusisë etj. Ata nuk kanë një qëndrim: Lepe /Peqe me SHBA dhe Europën, përkundrazi ngulmojnë me forcë për të drejtat e tyre. Po të kish patur Ukraina një Kryeministër si Edi Rama dhe një masmedia ala Baton Haxhija sot nuk do të ekzistonte më si shtet, madje Rusia do t’i kish transformuar edhe historinë e gjithcka. Putini edhe sot deklaron se shteti e kombi ukrainas janë thjesht krijesa artificiale, ata historikisht nuk kanë ekzistuar kurrë. Po synimet e Serbisë ndaj Kosovës e gjithë Shqipërisë a nuk janë të njëjta?
Shumë shtrojnë pyetjen: Si arritëm deri këtu? Si arritëm nga pozita ku në fillim SHBA dhe Komuniteti Europian ishin në anën tone, kurse tani janë në anën e Serbisë? Për këtë në rradhë të parë, më tepër se konjukturat politike, e kanë fajin politikanët shqiptarë, kryesisht ata të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Sot të gjithë nderojnë viktimat e Holokaustit. Po nuk ish gjithmonë kështu. Kjo u arrit me vendosmërinë e gjithë politikanëve hebrenj, me vendosnërinë e gjithë personatiteteve të kombit hebre. Për vite me radhë ata luftuan me të gjitha mënyrat për ta arritur këtë gjë. Sa herë ndodhnin bisedime, ata kërkonin të nderoheshin viktimat e tyre. Delegacionet qeveritare të shtetit të Izraelit kurrë nuk uleshin e as nuk ulen sot në bisedime pa nderuar viktimat të Holokaustit. As mund të imagjinohet që ata të ulen në bisedime e negociata politike kur në palën tjetër, pjesë e delegacionit të jenë persona fajtorë për krimet. Politikanët e Kosovës dhe të Shqipërisë bënë të kundërtn. Ata shkelën mbi gjakun e viktimave të popullit të tyre. Hashim Thaçi dhe politikanët e tjerë të Kosovës kurrë nuk duhet të kishin pranuar të ulen në tryezë të bisedonin me Aleksander Vuçiçin, ashtu si edhe asnjë politikan i Izraelit kurrë nuk do të ish ulur në tryezë të bisedonte me Joseph Goebbels sikur ai të ish bërë kryeministër i Gjermanisë. Për fillimin e bisedimeve duhej vënë si parakusht njohja e viktimave, informacion i plotë për të zhdukurit, etj. Po të ish vepruar kështu që në fillim jo vetëm viktimat, po i gjithë populli shqiptar do të respektohej. Aleksandër Vuçiç dhe shteti i Serbisë do të vendosej në vendin dhe pozitën që i takon. Hashim Thaçi, pavarësisht nga meritat që ka në kohën e luftës, historikisht mban fajin e madh që ndihmoi në reabilitimin Joseph Goebbelsit të Millosheviçit, Vuçiç. Vllazërimi kriminal i Ramës me të i vuri vulën. Këto qëndrime bënë që të zhvleftësohet e të harrohet në sytë e Komunitetit Evropian dhe qeverisë së SHBA gjaku i dredhur dhe të arrihet deri aty saqë të ndrohen vendet: Krimineli Vuçiç, Joseph Goebbels i Millosheviçit që punon për përmbushjen e planit të Millosheviçit të konsiderohet zyrtarisht nga diplomatët perëndimorë si njeri i drejtë, konstruktiv, madje dhe viktimë, kurse ish i burgosuri politik Albin Kurti të vendoset në rol të kundërt. Diplomacia e SHBA dhe e Europës nuk kanë më as ndroje e as turp ta bëjnë këtë: Përse jo? Përse të kenë turp, përse të quajnë kriminel e të padenjë për bisedime ata Vuçiçin kur vetë Thaçi ka prnanuar si partner të besueshëm kurse nga ana tjetër Rama e quan vëlla e shkuar vëllait?!
Një popull që nuk respekton vetveten, që ka si përfaqësues të tij politikanë shkelin mbi gjakun e viktimave të tij për hir të miqësisë me vrasësit, siç vepron Edi Rama dhe propagandon Baton Haxhiu e co. të mos presë ta respektojnë të tjerët. Është koha të respektojmë vetveten, të nderojmë viktimat dhe të të themi të vërtetën. Nuk është gabim tu kujtojmë SHBA dhe komunitetit Evropian parimet të cilat ata pretendojnë se përfaqësojnë. Në fakt ne duhet të insistojmë për këtë sepse zbatimi me rigorozitet i këtyre parimeve të shpallura nga SHBA dhe Komuniteti Europian janë e vetmja shpresë që ne kemi. Në asnjë mënyrë nuk duhet të legalizojmë shkeljen e këtyre parimeve nga diplomacia perëndimore duke iu nënshtruar shkeljes së tyre. Albin Kurti vepron drejt duke folur hapur e duke protestuar për këtë. Historia ka vërtetuar se të luftosh për të mbrojtur interesat e kombit sipas parimeve të së vërtetës, në rrugën e drejtësisë sjell fitoren jo e kundërta. Lirinë kombeve gjithmonë ja u kanë sjellë luftëtarët, politikanët e ndershëm patriotë. Lirinë e përparimin asnjëherë nuk mund ta sjellin politikanët servilë ndaj të huajve e diktatorë, përbuzës deri në ekstrem, deri te gjaku i dredhur i popullit të tyre. Sot kemi dy kryeministra. dy rrugë krejt të kundërta. Rruga e Edi Ramës, rruga e vllazërimit me Joseph Goebbels e Millosheviçit, Vuçiç duke shkelur mbi gjakun e viktimave dhe interesat e kombit. Kjo është rruga e shkatërrimit të kombit. Albin Kurti ka zgjedhur rrugën e kundërt, rrugën e drejtë. Ai duhet mbështetur!