Albspirit

Media/News/Publishing

Irma Kurti: UNË QAJA PËR TY

 

Unë qaja për ty. Lot më rridhnin rrëke

mbi kraharor. S’do të t’prekja më, s’do

të të puthja, trupin tënd të imët s’do ta

shtrëngoja në krahët e mi, më jo.

 

Kush do t’më dhuronte dashuri pafund

si oqean? Kush do t’më bënte të qeshja

me shpirtin hareplot, kush do t’më falte

gëzim në një jetë të pabesë si kjo?

 

Avulli i kafesë më mbulonte si mjegull,

po ja që gjithçka e shikoja qartë! Fjalët

mbyteshin në atë pellg të errët dhe unë

e pambrojtur ndihesha qysh në atë çast.

 

Nënë, unë qaja për ty, për jetën tënde

që do të tretej shpejt si rrufe, për atë

dashuri që dot nuk ta dhashë pa kufij,

për ndjenjat e pendimet që si grushta

ma rrihnin gjoksin pa mëshirë. Nëse

do të kisha mundësi të të falja shumë

ditë e vite nga të miat, do t’i nxirrja

që atë moment nga shpirti im që ty të

të kisha pranë edhe ca stinë të tjera e

të të mbështillja ende në një përqafim.

 

Unë qaja për ty…

Please follow and like us: