Astrit Lulushi: Domethënia e Miteve

Skena është vendosur. Kemi informacionin e nevojshëm, në sfond, për të shikuar figurat kryesore të mitologjisë që krijuan botën. Megjithatë, është e rëndësishme të shënohen disa vlerësime të thjeshta.
Asnjë nga mitet nuk ka ndonjë ndikim fetar në shekullin aktual, por sigurisht, janë simbole letrare. Besimtarët e miteve janë zhdukur prej kohësh dhe gjithçka që ka mbetur janë kolonat dhe godinat e tempujve dikur krenarë.
Shpesh gabohet, duke kërkuar një përfundim moral që i drejton mitet drejt “të mirës” dhe larg nga “e keqja”. Tempujt e lashtë dhe njerëzit e tyre nuk funksiononin të tillë; historitë e tyre kishin domethënie në atë kohë dhe merreshin si të mirëqena, fakte; busulla morale dhe rrënjët e universit iu lanë sferës së filozofisë. Mitologjia ekzistonte në një vend ku tani qëndron shkenca. Është gabim ta shikosh etikën e Botës së lashtë përmes konceptit të sotëm; nuk mbajnë të njëjtët elementë si tekstet e mëvonshme që i barazojmë me ato fetare.
Por, mund të jetë e drejtë kur pyesim – A mundet që këto mite të krijimit të përdoren për të nxjerrë disa norma apo parime?
Ka mjaft tekste filozofike të lashta në lidhje me moralin, madje një nga shkrimtarët e mëdhenj, Ezopi, ia kushtoi Fabulat e tij parimeve themelore morale. Megjithatë, temat e veprës së tij nuk janë hyjnorët, që fluturonin mbi rrafshin e tokës, por kafshët që banonin në të, duke ilustruar se në sytë e njërëzve të lashtë, morali ishte një shqetësim thjesht i vdekshëm, jo i përhershëm (këtë e shohin sot).
Perënditë veprojnë sa më afër që të jetë e mundur me krijesat; ata lejojnë tokën dhe banorët e saj të qeverisin veten dhe të krijojnë një kod moral që i përshtatet kohërave të tyre. Kishte raste kur Perënditë ndërhynin, merrnin formën e bishave, manipulonin njerëzit nëpërmjet mashtrimeve, dhe i kthenin individët në gjëra të ndryshme. Vetëm kur arrijmë te poezitë epike të gjysmëperëndive, shohim ndërhyrje të vërtetë. Pra, historia e krijimit të botës së lashtë, bazohet në sferat e banuara nga perënditë maleve, dhe synojnë të shpjegojnë natyrën, botën. Ata e perceptuan atë botë; dhe mjedisi i tyre ndihmoi në lindjen e nocionit të sigurisë brenda strukturës së tempullit. Sa më shumë që hyjnorët e ndanin botën e tyre, aq më shumë i afroheshin humanizimit të vetvetes dhe si të tillë, aq më shumë njerëzit afroheshin për t’u bërë hyjnorë. Hendeku zvogëlohet edhe më shumë me shfaqjen e gjysmëperëndive, dhe gjithçka që mbetet është të zhytemi me kokë në vetë historinë e tyre.
Grekët e lashtë i regjistruan këto mite të mbetura nga pellazgët, dhe, me pak ndryshime, i bënë ashtu siç njihen sot; sepse dihet që bota nuk u krijua prej tyre.