Ruzhdi Gole: Kallëzime
Kallëzojmë shiun se ra
shpejt i dyshimtë,
kallëzojmë fluturën
se sa hap e mbyll sytë u shfaq,
spiunojmë pallatin që
rrjedh vrer nga ullukët e përhimtë,
spiunojmë shegën plot shëndet
që na doli e thartë,
kallëzojmë qenin që leh kotnasikoti
i shkel syrin hajdutit dhe ia mbath’ me të katra,
kallëzojmë peshoren
që i gënjen të mugëtit, të dobëtit
termometrin që sot
na përvëlon grackash,
spiunojmë
pëllëmbën e përvëluar të mjedisit
dhe i rrijmë anash sikur veç ne
jemi bashkëkombas të zgjuar,
gajasemi me endacakun
e gropës thellë sfinksit
veten tonë qëlluar.
Sfinki na qëllon
me kamxhikë të padukshëm,
ne pa faj jemi, të gjithë me pak faj?
Na rrahin, pështyjnë ne qeshim
të urtë… paskëtaj!
Andrralla e rrecka të pluhurit
rreth kokës
koka ku e gjeti gojën së fundmi?
Veliera natën vrapoi tej florës
dhe tej mokrës
dikush e kallëzoi…
Kush… kryespiuni?!