KUJTIM BISHAJ, USHTARAKU PROFESIONIST DHE VEPRIMTARI SHOQËROR
(Në mirënjohje për veprimtarinë profesionale ushtarake, patriotike e shoqërore të birit të Kuçit të Labërisë Kujtim Bishaj, që ka shërbyer plot dinjitet në radhët e Gardës së Republikës dhe në detyra të tjera si dhe Kryetar i OKDA-së Njësia Administrative nr. 3 në Tiranë, Kryetar i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Vëllazërimi kuçiot”, kryetar i Nëndegës së Labërisë të Njësisë Administrative nr.3 në Tiranë, njerëzor, me dije e kulturë që rrezaton mirësi dhe shpirtgjerësi, por që zyrën dhe muzeun “Xhevat Lluri” e ka kthyer në një vatër kulture, bibliotekë dhe pikë takimi të rëndësishëm të brezave).
Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi
Kuçi me rrënjë të thella labe
Kushdo që është nga Kuçi i Labërisë e thotë me krenari: “jo për mburrje por jam nga Kuçi”. Po cili është ky fshat me histori e traditë luftarake në historinë e kombit shqiptar. Nga thellësia e shekujve flet historia, trimëritë, heroizmat në mbrojtje të identitetit, truallit arbëror, ky fshat i etiketuar si “Kuçi i dëshmorëve”, i kulturës e traditës, vendbanimi tipik i Labërisë. Natyrshëm të jesh në Kuç nënkupton eksperiencë tipike labe. Tërë fshatrat e tjera, që kanë dallime prej Kuçit, prej banorëve të Kuçit konsiderohen si devijime nga tradita e vërtetë labe. Kënga, trimëria, lavdia janë pjesë e Kuçit që shekujve janë përballur me barbaritë romake, bizante, osmane, normande, veneciane, greke, italiane e gjermane, janë përballur me të keqen dhe kanë triumfuar mbi të. Kuçi është vend mahnitës me peshë në krenarinë kombëtare ku në shkrime e gjejmë, “zemra e kryengritjeve”, e luftës, e triumfit, e kuvendeve, vend që të frymëzon imagjinatën edhe përtej realitetit historik. Kur themi kuçjot nënkuptojmë labin tipik, burrëri, shkathtësi, energji, temperament dinamik, vitalitet, kulturë dhe traditë. Në këtë sofër të labërishtes, në Kuçin e njohur të Labërisë është lindur edhe ushtaraku profesionist dhe veprimtari i njohur shoqëror Kujtim Bishaj, bir i këtij fshati të mirënjohur jo vetëm për trevën kaonike por për mbarë truallin shqiptar. Kuçi i Kujtim Bishaj dhe qindra mijëra të tjerëve të lindur 620 m mbi nivelin e detit, 62 km larg Vlorës, që shtrihet rrjedhës së lumit te Shushicës, i rrethuar nga kurora të bukura me male të larta dhe pyje. Lugina e Shurit e Gryka e Zarelit bën lidhjen e Kuçit me Kurveleshin e sipërm, Progonatin, Golemin, Gusmarin një rrugë 15 km nga rrugët turistike të vendit, që kalon kanionin mahnitës të Grykës së Lepushkës, përroit të Dushoberit e të Zarelit dhe përroin e Shurit që zbret nga buza e Dervenit dhe Qafa e Gomarthit, ndërsa simbolikisht në pjesën e detit fshati është në pikënisjen e luginës së Borshit dhe shtrihet drejt juglindjes, drejt detit. Të dhënat historike na çojnë thellë në histori. Historiani turk Halil Inalxhik shprehet: “..në 1431 Kuçi kishte 49 shtëpi me 180 banorë..”, ndërsa më 1942 rreth 500 shtëpi me 4000 banorë ndërsa sot si në gjithë trevën labe ka firuar shumë numri. Buronjat janë fillesa e një fshati përmendoresh si ajo e kapedanit të Labërisë Zenel Hito Gjolekës në mes të fshatit, një trim luftëtar që udhëhoqi labët kundër reformës së Tanizmatit të Perandorisë Osmane, 1830-1848, një përmendore e poetit dhe shkrimitarit të Rilindjes Kombëtare, që i bëri një vlerësim dedikues Kuçit, kur udhëtoi në zonat e Kurveleshit dhe vizitoi fshatin më 1887 kur ishte 21 vjeç, ndërkohë që më 1903, Çajupi shkroi një poemë me 64 vargje, publikuar në “Baba Musa Lakuriq”.Ja vargjet çajupjane:“Grykë e Kuçit kush ka shkuar,/ dhe gjaku si ka qëndruar,/ udhëtari nga të vejë,/ mal këtej e mal andej,/ në mes një lumë i harbuar,/ vërtitet duke gulçuar,/ në këtë grykë të shkretë,/ U vranë dymijë vetë,/ po Gjon Lekën nuk e dinë,/çi pret në grykë të vijnë,/ O burra shqiptarë/ Thirri Gjon Leka me pallë/ turku kërkon të na marrë/ po këtu tu bëjmë varrë/kur dëgjuan këto fjalë/ Nuk mbeti lab pa dalë/ treqind lebër qimeverdhë/ te grykë e Kuçit u derdhë. Kuçi është një copëz labëri. Dhe kënga oshëtin shekujve: “Labëri, Labëri lule,/ Ke hije të jesh fodulle,/ Ç’vend i egër a i butë,/ Kërren trima si të tutë…”. Në luftën epope të Vlorës Kuçi nxorri pesë çeta luftëtarësh dhe më tej Kuçi mblodhi rreth vetes kuvendarët e Labërisë më 28 nëntor 1924, ku mori edhe përshëndetjet e burrit të shquar Fan Nolit, që nuk pati mundësinë të ishte prezent në kuvend në Kuç. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, Kuçi nxorri 600 luftëtarë ndërkohë që kishte 400 shtëpi me rreth 3000 banorë, nga të cilët 105 ranë dëshmorë, 5 heronj të popullit. Fshati edhe pse u dogj katër herë nga nazifashistët nuk u përkul kurrë. Kuçi ka folur edhe me vlerave historike, kulturore dhe intelektuale, me kuvende e Kanunin lab si një sistem normash ligjore popullore. Nëse flaim për “Kuçin legjendar”, ja vlen të perifrazojmë Ismail Kadarenë që thotë se “…Kuçi ka prodhuar më shumë heroizma se grurë”.
Origjina dhe rrënjët familjare pasaporta e përjetësisë
Kujtim Bishaj është lindur më 25 janar 1951 në fshatin Kuç të Kurveleshit, që dikur ka qenë përfshirë në rrethin e Vlorës, ndërsa aktualisht i përket Bashkisë së Himarës. Ai erdhi në jetë në një truall të njohur atdhetar. Kujtimi është me prejardhje nga një familje me tradita të forta atdhetare e patriotike, por edhe e lidhur ngushtësisht më LANÇ-in. Ai u rrit në një oxhak familjar që e ushqeu me dashurinë njerëzore me traditat, zakonet e doket e zonës së Kuçit, Kurveleshit dhe më gjerë, kultivoi vetitë më të mira të familjes së tij. Familja e Kujtim Bishaj kishte qenë pjesë e traditës luftarake, që në kohën e kryengritjeve të mëdha antitanzimat, që udhëhiqeshin nga Zenel Gjoleka dhe më tej farefisi i tij ka luftuar kundër pushtuesve osmanë, kundër okuatorëve të fqinjëve tanë juforë në vitet 1878, më 1897 për Janinën, në luftën kundër andartëve grekë më 1913-1914. Gjithashtu aktiviteti luftarak i këtij fshati me emër në Shqipëri ka qenë aktivizuar masivisht edhe në luftën çlirimtare të Vlorës më 1920-ën, si dhe masivisht që nga fillimi kur vendi u pushtua nga okupatorët italianë e gjermanë ju bashkua kauzës së madhe të forcave partizane, për liri e çlirim kombëtar. Prejardhja e kësaj familje patriote flet qartë jo vetëm për pjesëmarrjen në luftë, por edhe për gjakun e derdhur për atdhe dhe njerëzit e tij të afërm janë sot në panteonin e kombit me titullin e lartë të nderit, dëshmorë të Atdheut. Prindërit e Kujtimit gëzonin respekt jo vetëm në fshat por edhe në krahinë e më gjerë. Babai i tij Ali Axhem Bishaj (1918- 1997) ka qenë martuar me Xheko Bilbil Balili. Aliu ishte partizan në Br6S, dhe më tej ka punuar pas fitores mbi pushtuesit dhe çlirimit të Shqipërisë në fabrikën e orizit në Vlorë, në Kuç me tregëti deri më 1953, ndërkohë që kur Kota u bë “rreth”, punoi në Kotë në ndërmarrjen e grumbullimit, në tregëti, në gjendje civile të Kotës. Ndërsa së fundi punoi edhe në NB “Kanan Maze” në Kotë. Rrethi i Kotës funksionoi rreth 10 vjet, që edhe pse trashëgimia e gjyshit të tij ishte jetëshkurtër, pasi gjyshi ndërroi jetë më 1918 nga gripi spanjoll, familja e Ali Bishaj, babait të Kujtimit trashëgoi vetitë më të mira njerëzore të fshatit Kuç. Natyrshëm traditat e mira i vijoi i biri, Kujtim Bishaj që është rritur dhe edukuar me dashurinë e prindërve të tij të mirë. Nga të dhënat dokumentare rezulton se, Ai ka kryer arsimin shtatëvjeçar në Kotë të Vlorës që në atë periudhë ka qenë qendër lokaliteti, duke sakrifikuar dhe bërë goxha rrugë për të mësuar dhe këtë e arriti me përvetësim e me rezultate shumë të larta në mësime. Më pas kryen studimet në shkollën e mesme profesionale politeknikum specialiteti “Radioteknik” në Tiranë për të cilin mori edhe vlerësimet më maksimale.
Në vitin 1970-1972 kryen shërbimin ushtarak në institucionin elitar të Gardës së Republikës së Shqipërisë, në shërbimin e Radiondërlidhjes, si një detyrë shumë e rëndësishme për sigurinë e personaliteteve dhe udhëheqjes kohës duke garantuar shërbimin e pandërprerë të komunikimit në radiondërlidhje. Kujtimi është dalluar për korrektësinë në zbatimin e detyrave, urdhrave rregulloreve me dhe të disiplinës korrekte në pozicionin që kishte. Ndërkaq pas përfundimit të shërbimit ushtarak me kërkesën e tij si dhe me miratim nga institucioni, përkatës, Kujtim Bishaj kërkoi që të shërbente si ushtarak aktiv në Gardën e Republikës. Kështu nisur nga vlerësimet shumë pozitive dhe arritjet sinjifikative në shërbimin që kryente ju besuan detyra shumë të rëndësishme në grupin e shërbimit pranë personaliteteve të larta shtetërore shqiptare. Gjatë periudhës së kryerjes së detyrave ushtarake, por dhe atyre shoqërore është dalluar për zbatimin me korrektësi të lartë të tyre të vlerësuar nga instancat eprore të Gardës së Republikës.
Kujtim Bishaj ka shërbyer në Gardë si ushtarak aktiv për dy dekada rresht, nga viti 1973 deri në vitin 1993 duke punuar sipas detyrave dhe ligjeve në strukturat e Gardës Republikës. Për këtë periudhë është vlerësuar dhe nderuar nga për korrektësinë dhe disiplinën në zbatimin e detyrave. Me ndryshimet politike dhe demokratike që ndodhen në vendin tonë Kujtim Bishaj me shokë e kolegë të tjerë të Gardës ishin në fokus të valës së ndryshimeve e largimeve nga puna edhe në mënyrë fare të pa arsyeshme. Kështu ai është liruar nga detyra si ushtarak dhe kaloi në rezervë, ku arsyet e tranzicionit politik ishin të pleksura me tranzicionin shtetëror. Pas daljes në rezervë në vitin 1993 në një moshë të konsiderueshme të re dhe me mjete financiare minimaliste për jetesën e familjen e tij, ai si të gjithë shokët dhe kolegët e tjerë që patën të njëjtin fat si Kujtimi filluan të shikonin se si të mbijetonin pasi drejtuesit e pushtetit dhe shtetit të kohës me zgjedhjet e para demokratike hoqi nga puna kategori atdhetare, që i kishin shërbyer denjësisht dhe krenarisht shtetit, kombit shqiptar, dhe një nga këta që familja kishte derdhur gjak për lirinë e Atdheut sikurse ishte Kujtim Bishaj. Fakt është se për periudhën u quajt “i papërshtatshëm” për të vijuar punën në institucionin e Gardës, ndërkohë që në punën e tij ka pasur vetëm lavdërime e falënderime, vlerësime maksimale të eprorëve kolegëve dhe vartësve. Kujtimi ishte dhe mbarti pjesë vitale e vlerave të shoqërisë sonë, që kishte punuar gjithmonë me besnikëri dhe me ndershmëri, por dhe kishte përmbushur edhe kërkesat dhe obligimin rigoroz ndaj betimit ushtarak, betim që e bënte krenar për të shkuarën familjare, për vlerat që përfaqësonte, për gjakun e dëshmorëve që kishin derdhur gjak për këtë shtet si dhe që në fakt ishte betuar para flamurit dhe Atdheut. Gjatë periudhës që shërbente në Gardën e Republikës, në vitin 1984 ka qenë edhe anëtar i Këshillit Popullor të Lagjes Nr.10, të kryeqytetit, Tiranës, detyrë që e kryen me korrektësi e dinjitet duke qenë aktiv në mbledhjet e këshillit duke ngritur probleme që shqetësonin komunitetin që ai i përfaqësonte si i zgjedhur nga populli dhe në shërbim të popullit.
Përfaqësues dinjitoz në organizatat shoqërore. Jetë aktive në mbështetje të komunitetit
Në rrugëtimin jetësor të Kujtim Bishaj nuk ka qëndruar asnjëherë indiferent ndaj problemeve shoqërore të lagjes ku banon. Ai edhe ndaj sfidave ka qenë në vijimësi pjesë e strukturave shoqërore si anëtar i SHAK “Labëria” që me themelimin e saj dhe më tej edhe pjesë e strukturave drejtuese si sekretar, por edhe si kryetar i nëndegës së Labërisë së Njësisë ku banon (Nj. Ad.3). Natyrshëm është trashëgimia e një fshati me rrënjë dhe me dashuri njerëzore, pasi për Kuçin ka edhe me dhjetra libra, gjenden edhe kryevepra kolosale me 3000 faqe, ku janë pasqyruar 25.209 emrat, 136 fiseve që ka Kuçi, të paraqitura në tabela gjenealogjike, me 2900 fotografi ilustruese, me 9500 emra të shkruara nga Seit Alikaj, ku çdo lexues do të gjejë befasi të këndshme dhe mahnitëse, hajmali e pasuri, jo stoli bibliotekash por enciklopedi veçantë mençurie. Një prej tyre është edhe biri i Kuçit heroik Kujtim Bishaj. Kuçiotët festojnë ditën e çlirimit të Kurveleshit 25 qershorin, ndërkohë që janë i vetmi fshat në vend që ka varrezë dëshmorësh (një ndër 36 grupvarrezat e dëshmorëve në Republikë). Janë të shumtë ata që kanë shkruar për Kuçin por ne përzgjodhëm një gjeneral lufte: Shefqet Peçi i burgosur në burgun e Gjirokastrës shkroi: “Kuçi në gropë e në anë,/ do këndojë me krenari,/ I vanë trimat partizanë,/ brigadierit në shtëpi,/ lirona shokët tanë,/ gabohu me dhelpëri,/ gjithë fshati mori armë,/ tregoi besnikëri… Uroj Kurveleshin mbarë/ të marrë shembell aty”. Brumi atdhetar kuçiot rronte në çdo zemër në çdo shtëpi dhe tek oxhaku familjar “Bishaj”, kjo trashëgimi që manifestohej tek ushtaraku profesionist dhe veprimtari Kujtim Bishaj. Kujtimi është angazhuar në Organizatën e Veteranëve të LANÇ-it dhe si pasardhës veterani, në Njësinë Administrative nr.3, nga 14.8.2003 e në vijimësi si dhe i spikatur është kontributi i çmuar në mbrojtje të vlerave themelore dhe idealet e LANÇ-it ku vetë familja e tij vjen nga kjo shtresë shoqërore, që rrënjët e lirisë janë vaditur me gjak të familjarëve dhe rrethit të familjar, ku natyrshëm është i njohur se fshati i tij është tërësisht i lidhur me LANÇ-in që është një fshat tejet i martirizuar. Nga ana tjetër Kujtim Bishaj është aktiv korrekt si familje dëshmori të LANÇ-it, pasi ai është zgjedhur në mënyrë unanime Kryetar i Organizatës së Dëshmorëve të Njësisë Administrative tre, që prej tetë vitesh, pra nga viti 2016 e në vijimësi. Kujtimi dallon nga të tjerët bashkëpuntorë dhe antarë e drejtues të niveklit të tij për kontribute në drejtim të forcimit të punës në Njësinë administrative nr. tre të Tiranës, duke qenë edhe i zgjedhur në në forumet drejtuese si anëtar i Asamblesë Organizatës Kombëtare të dëshmorëve të LANÇ-it dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut, por edhe anëtar i asamblesë OKDA, ku dallon sjellja e tij për komunikim të vijueshëm me njerëzit, si një aktivist mjaft njerëzorë dhe i palodhur dhe i kudogjendur. Nga ana tjetër aktualisht përveç detyrës si kryetar i OKDA më 16.2.2024 është zgjedhur në detyrën e Sekretarit të OVPA të Këshillit zonal të lagjes pranë “Oxhakut” në Tiranë. Në punën dhe detyrat e kryera është vlerësuar me stimuj të ndryshëm dhe me urdhra e medalje nga instancat ligjore si dhe asnjëherë nuk i ka parë vlerësimet si privilegj e stoli, por si pjesë e përgjegjësisë në detyrat shoqërore e vullnetare.
Është tashmë një fakt i njohur se zoti Kujtim Ali Bishaj ka dëshmorë, dy djem të hallave, të motrave të babait dhe më konkretisht Ali Rrapo Aliaj nga Kuçi si dhe Alem Arshi Brahimaj nga Kuçi. Nga libri “Dëshmorët e Atdheut”, botimi i vetëm zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes (2012) gjejmë se Ali Rrapo Aliaj ishte lindur në Kuç dhe ka rënë më 1944 në Sarandë, është i shpallur me titullin e lartë “dëshmor i Atdheut” me vendim nr.97 datë 22.9.1972 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Vlorës. Alem Arshi Brahimaj ka lindur më 1930 në fshatin Kuç dhe ka rënë më 24 shkurt 1948 në Krujë (Mali i Bardhë) si dhe është shpallur dëshmor i Atdheut me Vendim nr.147 datë 31.7.1970. Mbi të gjitha vullnetarizmi dhe korrektësia e tij dallon për cilësi shumë të mira që gëzon si aktivist i Shoqatës “Labëria”, si antar i forumeve qendrore të saj, por dhe si një nga më të apasionuarit në lidhje me publikimet dhe shpërndarjet e tyre të gazetës së njohur dhe patriotike të SHAK “Labëria” Nderi i Kombit, që në zyrën e këshillit zonal gjendet gjithmonë jo vetëm gazeta Labëria, gazetë atdhetare me nerv dhe prush atdhetarie gjithmonë në shërbim të kombit. Nuk është e rastit që nisur nga vlerat e veçantaKryesia e Labërisë, në Tiranë si dhe nëndegët në Tiranë, e propozuan në Kryesisë së Shoqatës “Labëria” në Tiranë, si dhe Kryesia e Përgjithshme e Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” njëzëri vendosi që Kujtim Ali Bishaj t’i jepet vlerësimi “Personalitet të shquar të Labërisë”, me këtë motivacion:“Për kontribut të shquar si mbrojtës i idealeve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si ish-ushtarak në shërbim dinjitoz në përmbushjen e detyrave të mbrojtjes së Atdheut në strukturat e Gardës së Republikës, për kontribut të veçantë në organizimin, mbështetjen dhe zhvillimin e aktiviteteve të Shoqatës “Labëria” dhe pjesëtar në gjithë kuvendet e saj, si drejtues i disa organizatave vendore të njësisë nr 3 të Tiranës, kryetar i Shoqatës Atdhetare Patriotike Kulturore “Vëllazërimi Kuçiot”, kryetar i OKDA së njësisë, aktivist e veprimtar i njohur i jetës shoqërore e qytetare të kryeqytetit duke rrezatuar vlerat më të larta të trevës së Kuçit, Kurveleshit dhe Labërisë”. Vlerësimi për patriot e atdhetarë, që e duan vendin pa kushte, që energjitë nuk i kursejnë asnjëherë për familjen shoqërinë komunitetin dhe meritojnë nderimin dhe respektin për cilësitë njerzore si ish-ushtarak, familjar shembullor, i ndershëm, veprimtar dinjitoz, që ja vlen në çdo kohë për miqësinë e humanizmin njerëzor.
Bibliografia: Të dhëna nga arkivi familjar i zotit Kujtim Ali Bishaj, Të dhëna nga dosja e ushtarakut Kujtim Bishaj, Të dhëna nga libri Zabit Cuku, Historiku i organizatës veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ-it zona, Nj Ad.-3, Tiranë; Periodiku i gazetës “Labëria”, Periodiku i Revistës “Pavdekësia”, organ i OKDA-së, të dhëna nga Shoqata Atdhetare Patriotike Kulturore “Vllazërimi Kuçiot”, të dhëna nga arkivi i Shoqatës së Historianëve Ushtarakë shqiptarë. -&-