Albspirit

Media/News/Publishing

Robert Aliaj Dragot: Një vrasje si simptomë, jo si anomali


Kur dikush vret një gjyqtar, ka vrarë mundësinë për drejtësi. Diçka që shumica e shqiptarëve e kanë vrarë ndoshta brenda vetes shumë më herët. E kanë vrarë idenë se shteti funksionon, se drejtësia ekziston, se besimi tek drejtësia është kthyer në trauma psikologjike kolektive.
Shqipëria funksionon mbi një heshtje të gjate si tis që mbulon mungesën e thelle të drejtesise, të sigurise dhe shpresës. Dhe ne kete boshllek dhuna nuk ështe më e jashtezakonshme, eshte vetem forma e fundit e komunikimit.
Por përsëri kjo nuk e justifikon aktin, thjesht e shpjegon, sepse në një vend normal gjyqtarin e korruptuar duhet ta ndëshkoj ligji, jo revolta e individit. Në këtë kuptim, gjykatësi dhe vrasësi janë pasojë i të njëjtit dështim moral, i po të njëjtit mjedis.
Mos e merr hakun vetë, sepse jemi ne që të mbrojmë.
Por në Shqipëri, kjo marrëveshje themelore mes qytetarit dhe shtetit është djegur prej kohësh.
Drejtësia është luks. Për të tjerë biznes.
Në një vend ku shteti është spektakël, ku ndershmëria nuk të çon askund dhe arroganca e pushtetit të jep edhe patentë për të shkelur mbi të tjerët, vjen ai momenti ku njeriu i zakonshëm e humb busullën. Nuk është gjithmonë krimineli klasik ai që të tremb. Është ai i zakonshmi që është lodhur. Është ai që ka parë se si një sistem të bën hi pa e ngritur zërin.
Ata që kanë zgjedhur të ikin, kanë shpëtuar. Por ata që nuk ikin dot, digjen këtu. Dhe kjo djegie nuk është metaforë, është realitet.
“Unë ekzistoj. Kam vuajtur. S’kam më durim. As frikë”.
Tragjedia është se në vend që ta shohim këtë si simptomë të një sëmundjeje kolektive, po e shpallim menjëherë si “akt individual”. Sepse është më lehtë të fajësosh një person sesa një sistem.
Të gjithë jemi pjesë e të njëjtit sistem të brishtë. Vrasja e njërit nuk është më shumë ose më pak e rëndë se e tjetrit, është thjesht më simbolike.
Mendoj se kemi nevojë për një rikthim tek besimi i harruar i respektit për jetën e tjetrit.
Pa këtë ndryshim të brendshëm, çdo reformë institucionale do të jetë si fasadë mbi ndërtesën që po shembet.