Albspirit

Media/News/Publishing

Ahmet Xhavit Delvina: PAK HISTORI PËR PARTINË TONË KOMUNISTE


Fragment nga libri “Enigma e një epoke” të Ahmet Xhavit Delvinës

Që në fillimet e shek. XX pati shumë intelektualë kualitativë që përqafuan idetë e majta si Fan Noli, Tajar Zavalani, etj, por triumfi i Revolucionit të Tetorit në 1917 në Rusi dhe ngjarjet e mëvonshme kriminale, bënë që në këtë kategori intelektualësh, të zbeheshin simpatitë e tyre të majta, aq sa më vonë këta u bënë edhe armiq të bolshevizmit. Triumfi i këtij revolucioni u shoqërua me terror të pashoq dhe reforma antidemokratike nga më absurdet. Rrjedhimisht ky kualitet njerëzish i shkëputi përfundimisht lidhjet dhe simpatitë nga ky revolucion dhe ideologji.
Nga bisedat e mëvonshme shoqërore dhe private ndërmjet miqsh dhe shkrimeve të kohës, ata ndjenin keqardhje dhe iu kishte mbetur peng që pse ky revolucion nuk u bë në vendet e zhvilluara si Angli, Gjermani, Francë, etj, por u bë në Rusinë Aziatike të muzhikëve. Por edhe pas shkëputjes së këtij elementi me prestigj e unikal, simpatitë e majta egzistuan edhe më vonë, por nga njerëz të ndryshëm me vlera intelektuale, apo të rinj shqiptarë që studionin nëpër universitetet e botës, bij të pasurish apo edhe bij të familjeve të mëdha, deri te shtresa e mesme dhe e puntorëve. Vitet e mëpastajme që vijuan, për këta njerëz aktivistë të ideve të majta, kaluan kalvare peripecish të ndryshme nga ato më të lehtat e deri ato më tragjiket, deri sa ra komunizmi si sistem.
Grupet komuniste në Shqipëri ishin disa, por nuk kishin lidhje ndërmjet tyre. Po të shihje përbërjen e këtyre grupeve, ato karakterizoheshin nga një sektarizëm krahinor fetar etj., psh. grupi komunist i Korçës përbëhej vetëm nga ortodoksë ose siç thuhej atëhere në kaurë dhe njiheshin simpatitë patologjike të tyre për grekët; në këtë grup “militonin” vetëm Mihalët, Stefat, Koçët, Pilot, etj, dhe s’para gjeje musliman.
Ndërsa te grupi i Shkodrës “militonin” në mazhorancë katolikët me simpati të veçantë për sllavët e me kësi përbërjesh ishin edhe grupet e tjera komuniste. Kjo gjëndje pa unitet “veprimi e mendimi” apo më shumë kaotike e grupeve komuniste shqiptare, nuk iu kishte shpëtuar të “zotëve” që ishin të dëshiruar për përhapjen e komunizmit në botë, prandaj u pa e nevojshme që këtyre grupeve duhej t’u jepej një shtysë për bashkimin e tyre deri në formimin e një Partie Komuniste të vetme.

Për fat të keq të këtij “qëllimi të madh” që e gjithë bota në perspektivë të jetë komuniste, u vu në krye të Revolucionit Botëror, siç e thamë edhe më lart, Rusia e varfër, e krishterë dhe tërësisht e prapambetur. Politika e saj propagandistike ishte me teza të pëlqyeshme dhe joshëse për popujt e botës dhe dënglat bolshevike përfaqësoheshin me bazë të një mendimi internacionalist që do të bashkonte gjithë popujt e botës në një “atdhe” ku nuk do të kishte më dallim rracash, as do të kishte të pasur, as të varfër, por vetëm barazi shoqërore e sociale.
Kështu që kjo politikë e majtë e mbushur plot pallavra të tilla, nuk u realizua kurrë pavarësisht punës së madhe që ata mendonin se bënin me organizmat e saj të shtrira në të gjithë botën si KOMINTERNI, etj. Kështu edhe tek ne në Shqipëri mbërritën rekomandimet e Moskës nëpërmjet KOMINTERNIT që vepronte në Europën Qëndrore për të mirë të “Revolucionit”. Sugjerimet e para ishin që të realizonin ekuilibrin e përbërjes së grupeve në raporte të drejta me bazë fenë apo krahinën. Kjo masë u konsiderua nga më të domosdoshmet e të vihej në plan të parë, se për belanë e të “pafeve” komunistëve, në Shqipëri predominonin shumica e popullsisë me fe muslimane dhe bënte “mu” ky fakt sepse atëhere feja në popull qëndronte në krye të çdo gjëje. Pasi të zgjidheshin këto probleme, neve do të merrnim “ndihmën” për të organizuar dhe realizuar bashkimin e grupeve, duke filluar nga ai i Korçës, që në fakt ishte dhe grupi më i madh dhe pastaj të hidheshin te grupi i Shkodrës, i të Rinjve etj. U tha, u bë. Kështu menjëherë filloi “militimi” i muslimanëve ndër grupe.

Për bela të kokave të tyre dhe të gjithë Shqipërisë, Koço Tashko së bashku me Ymer Dishnicën, që ishin kuadro të KOMINTERNIT dhe të Partisë Komuniste Franceze, i mbushën mendjen Enver Hoxhës, që të aderonte te grupi i Korçës sepse kishin siguri tek ai sepse e kishin njohur që në Liceun e Korçës, edhe në Francë si një njeri me prezencë fizike të mirë dhe që nuk “turbullonte” gjë, sepse ata kishin patur deri intimitet dhe e njihnin deri edhe në veset e tij deri ku shkonin, ata e njihnin si “zhigolo” i përkryer dhe e dinin gjithashtu që e “admironte” dhe perversitetin, kështu që ky do të ishte marionetë në duart e tyre dhe njëkohësisht rregullonte në një farë mase dhe raportin fetar kaur-musliman në grup.
Pak më vonë vjen urdhër i prerë nga Moska që të organizohej një Konferencë për të bërë bashkimin e grupeve komuniste për të formuar sa më shpejt Partinë Komuniste Shqiptare. Njëkohësisht bashkëngjitur me këtë urdhër ishte edhe një sygjerim kaluar urdhrit që meqënëse ne shqiptarët nuk kishim eksperiencë për të ndërmarrë kësi veprimesh të kalibrit të madh, ngarkohej Partia Komuniste Serbe që të organizonte këtë aksion tepër të rëndësishëm. Si rrjedhim Jugosllavët ngarkuan dy anëtarë të Komitetit Qendror si specialistë zyrtarë të tyre për të kryer këtë super detyrë. Ata ishin Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, njëri malazez dhe tjetri serb. Por njëkohësisht ata na bënë edhe sugjerimin që, meqë Miladini ndodhej i burgosur në kampin Italian të Peqinit, shqiptarët duhet ta lironin me çdo kusht, qoftë edhe me ndonjë aksion luftarak po të ishte nevoja. Por nuk ndodhi kështu sepse lirimi i tij shkoi shumë “ëmbël” dhe pa asnjë problem. Për këtë të quajtur “aksion” u caktua Mustafa Gjinishi, komunist i porsakthyer nga arratia në Jugosllavi dhe daiu tim Esat Dishnica, njeri i pasur por me simpati të “fiksuara” të majta, njëkohësisht dhe mik i të gjithë komunistëve të vjetër dhe shumë të vjetër. Këtë mikroekip, që nuk besoj të jetë shkruar në Historinë e Partisë, por kështu është, lirimi i Miladinit nuk iu krijoi shumë probleme këtyre dy të ngarkuarve sepse Esati kishte armën më të fuqishme “Paranë” e cila shkonte shumë këtu në Shqipëri për të kompromentuar. Njëkohësisht në rrethin Peqin-Elbasan ai kishte kredi dhe respekt si nip i Aqif Pash Elbasanit, po ashtu edhe Mustafai i takonte një familjeje të nderuar e të respektuar në Peqin. Mesa duket eprorët ruso-serbë e kishin menduar mirë këtë gjë.
Me t’u liruar, Miladini menjëherë filloi nga detyra për formimin e Partisë, ndërsa Dushani punoi për krijimin e njësive të para luftarake partizane të vogla dhe më vonë për organizimin e formacioneve të mëdha të Ushtrisë “Nacional – Çlirimtare” shqiptaro – serbe. Kështu të dy këta spiunë serbë iu vunë punës me zell të madh, duke gjetur edhe mbështetjen masive nga elementë negativë brenda vendit. Kështu që lëvizja komuniste mori zhvillim të madh dhe të menjëhershëm, sepse me ta u bashkuan dhe masa të tëra popullore duke përbërë një grupim masiv antifashist. Për fat të keq u bashkuan edhe ata me prirje republikane, dmth antimonarkistët të cilët vonë e kuptuan se “republikanizimi” i tyre në ato momente delikate e dëmtoi maksimalisht interesin kombëtar. Kështu ata gjetën kushte që mund të them speciale për të luftuar nacionalizmin shqiptar i cili ishte pengesë historike për gllabërimin apo coptimin e territoreve shqiptare, sigurisht në favor të serbomëdhenjve apo edhe grekëve.
Bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavin, si republikë e 7 e saj, pala Jugosllave nuk e diskutonte sepse kishte marrë konfirmimin e palës Sovjetike, e cila qëndronte në krye të lëvizjes komuniste botërore dhe Rusët do të na njihnin vetëm nëpërmjet Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë. Por a ka turp më të madh për këta individë shqiptarësh, për ç’ka përshkrova më lartë e në vazhdim dhe ndoshta me ndonjë përsëritje, për të cilën ju kërkoj ndjesë për arsye profesioni, por të jeni të sigurtë se këto përshkrime janë mëse të sakta, ato janë grimca të mbledhura për kohë të gjatë nëpër mjediset familjare që më lejohej të rrija sepse kisha edhe lidhje gjaku, sidomos te shtëpia e dajës tim Esat Dishnica, ku hynin e dilnin kuadro të larta komunistësh nga më të vjetërit, të cilët kanë qenë “dikur” në krye të lëvizjes dhe pastaj pas periudhave të caktuara, Partia e tyre i kishte centrifuguar jashtë rradhëve të saj duke i internuar, burgosur etj dhe madje disa prej tyre që paraqisnin “rrezikshmëri”, iu kishin hequr edhe kokat. “Lavdi dëshmorëve viktima” të ekzekutuar nga Partia e tyre.
Me ironi a me shaka apo me të gjitha format e mundshme, ata lëshonin ndonjë bisedë që unë e regjistroja në memorien time. Kjo formë bisede nga këta njerëz “trima e të pjekur” bëhej për të shmangur ndonjë rrezik “eventual”; këta fatkeq ishin psh Ymer Dishnica, Spiro Moisiu, Kadri Hoxha, Sejfulla Malëshova, e deri te Mane Nishova, Petro Marko, Skënder Luarasi, Qamil Çela, etj. Ideologjia Komuniste për atë periudhë të “mallkuar” u bë si opium për rininë, entuziazmi rinor filloi natyrshëm të shquaj në punën revolucionare që bëhej, individë të ndryshëm u shquan për trimëri, zgjuarësi, aftësi drejtuese të punëve revolucionare, oratori, etj. Këta të dalluarit filluan dhe të diskutojnë më shumë se ç’iu takonte, madje filluan të shprehnin dhe nevojën për përmirësime në filozofinë e tyre komuniste, por ama dihej se ky “liberalizëm” ishte i dëmshëm dhe duhej frenuar dhe mbyllur goja “këtyre të papjekurve”. Prandaj Partia duhej të vepronte për të mirën e së ardhmes, kështu u autorizua ligji Rus të përdorej edhe tek ne në Shqipëri. Asgjësimi periodik brenda familjes dhe një nga të parët që e pësoi ishte Qemal Stafa, antar i Komitetit Qendror.

Hipokrizia komuniste arriti deri atje sa spiunllëku që iu bë tek italianët për vendndodhjen e Qemalit, atje ku ai u “asgjesua”, ndodhi pikërisht në këtë ditë që ata më vonë e quajtën si dita e Dëshmorëve të Atdheut në 5 Maj 1942 dhe sot festohet me madhështi në të gjithë vendin si ditë përkujtimore. “Çfarë Hipokrizie”! Shumkush që atëhere dyshoi për këtë vrasje sepse vinte era tradhëti dhe më vonë u pasua nga shumë e shumë të tjerë, por asnjëherë nuk u arrit të mbyllej apo të sqaroheshin këto çështje, por gjithmonë u diskutua me zë të ulët për to sepse të “hante dreqi” dhe kjo situatë vazhdoi derisa ngordhi Partia. Në vrasjen e Qemalit një gjë bënte “mu” dhe se ishte një absurditet i madh që po atë ditë, në po atë aksion të fashistëve, të shpëtojnë për bukuri të gjithë pjestarët e asaj baze që ishin konkretisht: Kristo Themelko, Flora Sata (Dishnica), Ana Jakova, si edhe e fejuara e Qemalit, Drita Kosturi. Kristo Themelko iku për “punë” para se të vinin fashistët, ndërsa gjatë rrethimit ikën si zonja të mëdha “duke kapërcyer muret” të tre heroinat, fillimisht shoqe.

Kur e pyetën njëherë Xhustinën në vitet e “demokracisë” pas 1991 se si mendonte ajo për rrethimin e papritur që iu bë asaj baze të re nga fashistët, bazë apo shtëpi, ajo sapo ishte marrë me qera nga familja Minxhozi nga Mati, ajo u përgjigj: Ne të tre femrat jemi akoma edhe sot gjallë, të vij edhe Beqir Minxhozi, ai që ishte ngarkuar nga Partia ose ma mirë direkt nga shoku Enver që të binte një autoveturë për të udhëtuar Çemali (Qemali) për në Vlorë me shërbim partie dhe të bëjmë një mbledhje të tipit “Maria Oktobër” dhe aty pas kujtimeve, debateve dhe diskutimeve nga më të ndryshmet, të shofim se mos sqarojmë se si ndodhi që në vend që të vinte Beqiri me makinën, erdhën italianët pa Beqirin dhe kur e pa dhe u sigurua se shtëpia ishte e rrethuar, ai u largua menjëherë pa iu futur ferrë në këmbë, njësoj si Kristo Themelko apo Shulia siç i thoshin atëhere atij. (Flora për arsye dialekti emrin Qemal e shqiptonte Çemal). Nga bisedat e mbledhura ndër vite nga “shokët” komunistë të centrifuguar më vonë nga Partia, del që Qemalit kur i tha Drita Kosturi, përpara se ajo t’ia mbathte që, shih atje larg po vijnë fashistët në formacion luftimi në drejtim të shtëpisë sonë dhe ja ku i ke, Qemali u trondit shumë dhe u rrotullua rreth vetes por nuk pa njeri, të tërë kishin ikur dhe për fat të keq të tij, i ranë syzet e trasha të miopit dhe u ul t’i gjente, por nuk i gjeti dhe u plagos me një plumb që e mori poshtë qafës dhe në shpatullën e djathtë, ai aty ra përtokë, pati hemoragji të madhe gjaku, u mor nga italianët, u dërgua në spital, por nuk e shpëtuan dot. Pra siç e shihni vdekja e tij ishte me të vërtetë “heroike”, luftoi me patllake derisa i doli xhani! Mirpo për denoncimin e bazës ku ndodhej dhe u plagos për vdekje Qemali, shumë flitet, por një gjë është e sigurtë që Qemali duhej vrarë, sepse ai si pjestar i grupit të Shkodrës, përkrahte për në krye të Partisë Zef Malën, biles thuhej se në këtë ngatërresë është përfshirë edhe Justina Sata (Dishnica). Kjo ishte dhe dëshirë e jugosllavëve.
Gjithashtu më kujtohet një rast shumë interesant me nënën time në lidhje me këtë problem të Qemal Stafës dhe të emrit Beqir Minxhozit, që hedh dritë të mëtejshme për zbardhjen e këtij misteri apo tradhtie “alla komunist”. Ishte viti 1954, vij rastësisht për arsye shërbimi natën në orët e vona në shtëpi nga Burreli, ku kryeja shërbimin ushtarak. Kur hyj në të vetmen dhomë që kishim, nuk e shoh nënën të flinte në vendin e vet, ku flinte ngahera në dysheme dhe pyes babanë se ku ishte nëna në atë orë të vonë të natës. Por edhe ai m’u drejtua po me habi se nuk po e kuptonte se ç’ishte kjo lëvizje e nënës në emër të punës apo detyrës! I habitur më drejtohet, nuk e di more bir, erdhën dhe e morën me makinë për të vajtur “delegacion” në Peshkopi, së bashku me disa punonjës të ndërrmarjes së tyre si edhe me drejtorin Beqir Minxhozi. Ç’të të them unë, kaq di, është koha e çudirave të mëdha! Iu luta, të lutem më thuaj të vërtetën, mos vallë është e sëmurë dhe po ma fsheh të vërtetën? Jo nuk bëj shaka, e morën në orët e vona të natës, “Parol d’onor” dhe a e di psenë? – pika atyre që duan të mbështeten në eksperiencën e madhe që ajo ka për tregtinë, edhe këtë përvojë që ajo ka, t’iua transmetojë punonjësve të tregtisë së atjeshme që edhe ato të bëhen si Asimeja, pika që nuk ju bie. Atëhere pasi u qetësova iu drejtova prapë por me shaka, epo more baba neve të mos habitemi, se ata do të kenë dalluar ndonjë cilësi të veçantë pozitive tek ajo, bashkëshortja jote, e patjetër kështu duhet të jetë. Ai u bë nervoz dhe menjëherë reagoi me zë të lartë: – Ik ore bjer e fli se me siguri do të çohesh nesër shpejt. Mirpo urdhëri i tij ishte urdhër dhe ashtu u bë.
Shyqyr për mua qëlloi që për arsye shërbimi, mu shty afati i qëndrimit dhe 2-3 ditë plus dhe për fatin tim dhe të saj, ajo erdhi një ditë përpara se unë të ikja për në Burrel. Tregimi i saj për shërbimin që sapo kishte kryer, i shpjeguar me humorin e saj karakteristik duke u hequr se fliste seriozisht, i lejoi asaj ta zgjas bisedën plot shaka sa deshi, ndërsa ne fëmijët e saj u kënaqëm dhe po qeshnim, babai u bë nervoz, sidomos kur ajo hiqej si një mësuese dhe ndihma e saj që dha, u konsiderua plot efektivitet duke marrë dhe shumë lëvdata nga punonjësit e tregtisë Dibrane. Babai ndërkohë duroi sa duroi dhe bërtiti me deklamacion, mjaft, mjaft më me këto budallallëqe dhe broçkulla të kohës. Kështu që ajo e ndërpreu menjëherë bisedën dhe nuk u ndje më sepse urdhri ishte urdhër dhe se ai kishte autoritet të padiskutueshëm në familje.
Mirëpo kurioziteti im më shtyu ta ripyesja prapë kur babai doli nga shtëpia dhe iu drejtova asaj me pyetjen se çfarë ishte me gjithë mend kjo “aventurë” shtetërore e pakuptimtë dhe ajo mu përgjigj, kjo vizitë që ne bëmë ishte në programin e Partis, në kuadër të fushatës për shkëmbim eksperience ndërmjet punonjësve të dalluar të sistemit të tregtisë në të gjithë vendin, por me ç’mora vesh, pavarësisht se unë isha punonjëse e vjetër e sistemit të tregtisë dhe drejtor kishim Beqir Minxhozin, ai ato ditë kishte marrë vesh se unë isha e motra e Esat Dishnicës dhe Meli Dishnicës dhe menjëherë dha urdhër që unë t’i bashkohesha atij ekipi propagandistik. Gjatë kohës së lirë ai më tha se kishte marr vesh se kush isha dhe më dha shumë muhabet, mua më interesonte ta kisha mirë me drejtorin, se puna sot, – më tha, ajo e shkretë, do të thotë bukë për ju dhe babain, por duke mu afruar më thotë se as më… (që nuk e kuptova se ku e kishte qëllimin)! Ai donte të merrte vesh direkt nga unë ndonjë opinion a mendim që kishin ata të Esatit për të dhe a kisha dëgjuar rastësisht të flitej për të në atë shtëpi, ku siç thamë edhe më lartë vizitohej shpesh nga ish kuadro komunistë, si shtëpia e Esatit helbete.

Me ç’mora vesh, ata të dy, Esati me Beqirin kishin njohje të vjetër pasi Beqiri u takonte grupeve të rinisë antifashiste dhe kishte direkt udhëheqës Qemal Stafën për të cilin thonin që ai u zgjodh Sekretar për Rininë në 8 Nentor 1941. Gjatë gjithë kohës që ishim të lirë, ai më bënte pyetje dhe biseda të kohës së ilegalitetit dhe unë çuditesha se si ai e njihte me aq imtësi atë periudhë të parë të ilegalitetit, gjithashtu më tregonte për njerëzit dhe ngjarjet si psh ato të fabrikës së cigareve “Flora” ku punonte si menaxher Enver Hoxha. Natyrisht unë nga jeta e Esatit dija shumë gjëra, helbete si motra për vëllanë dhe kjo i lejoi atij të bisedonim shtruar për Mustafa Gjinishin, Mustafa Kaçaçin, Qemal Stafën, Kajo Karafilin, Nako Spiron, Vojo Kushin, Gogo Nushin, Kozma Nushin etj, dhe kur flisja unë, ai më dëgjonte me shumë vëmendje të veçantë dhe herë pas here më bënte ca pyetje të çuditshme si: Ç’mendim kishin Meli me Esatin për këtë apo atë problem të atëhershëm apo dhe ç’kisha dëgjuar ndonjë bisedë ndërmjet shokëve që vizitonin Esatin në shtëpi, qoftë edhe ndonjë bisedë nga Xhustina apo Ymeri (Dishnica), Spiro Moisiu, Sejfulla Maleshova, Kadri Hoxha, etj., e kam fjalën, – thoshte Beqiri, si i lidhnin ata bisedat e vjetra me mendimet e sotme. Unë pa të keq i bëja biseda në lidhje me ato që kërkonte, por vura re se disa nga bisedat e mia i bënin shumë përshtypje dhe nganjëherë më dukej se shqetësohej dhe ndoshta i dëgjonte për herë të parë se s’kish si shpjegohej ndryshe interesimi aq i madh për bisedat që i bëja unë. Pasi u ktheva nga “shërbimi” unë gjithë qejf i shpjegoj Esatit (vëllait) suksesin që pata me Beqirin dhe çdo bisedë që patëm bërë me të dhe u çudita që ju paskeni patur aq lidhje të ngushta me të, ai ju njihte mirë të gjithëve.
Mirpo çuditërisht Esatit nuk i erdhi hiç mirë për ato biseda që unë kisha bërë me të dhe në një moment më ndërpret dhe më thotë: Lëre moj lëre atë budalla, me ç’duket qenka plakur dhe matufepsur, paska rrjedhur fare, ç’i duhet atij të “kruaj” sot bisedat e vjetra të asaj kohe. Në këto punë që kërkon të rrëmojë e të hyjë ai, e ka krejt gabim, se këto historira të shkuara i ka sqaruar Partia me kohë dhe ai e di mirë që nuk lejohet të diskutohen këto gjëra jashtë kuadrit që Partia ka fiksuar. Çudi, unë atë “qen të zgjebosur” e kam ditur njeri me mend, por mesa duket i paska ardhur koha për të ngordhur. Tundi kokën dhe më pyeti rishtaz, pa m’i thuaj edhe njëherë bisedat e tij pikë për pikë për Qemal Stafën “më qafsh”, nëse nuk të mërzis, por kujtohu mirë ama. Unë filloj të përsëris pikë për pikë bisedat, por vura re se ai sikur nuk u dha më rëndësi si më parë, por vetëm tundi kokën dhe më tha: Ai “gomar paska për ta gjetur belanë, do ta gjej si Qemal budallai”.
Kaluan vite nga ajo kohë dhe unë e pyes një ditë që pse u revoltua atëherë për bisedën që kishte bërë Asimeja me Beqir Minxhozin? Ai mu përgjigj: Të kam folur edhe njëherë tjetër më duket për këtë çështje dhe posaçërisht ai gomar nuk duhet të flas, madje vetëm ai nuk duhet ta zërë kurrë me gojë Qemalin, pa psenë e di ai vetë dhe mbylle të lutem këtë muhabet sepse nuku është për ty, në qoftë se dhe ti nuk do të të gjej belaja dhe bela e madhe biles. Ndëgjon? Ndëgjova thuaj. Kështu që bisedën e Esatit e lidha me atë të Flora Dishnicës ku dallova që të dy palët kanë për protagonist Beqir Minxhozin. Dreqi i merr vesh sot misteret kriminale të komunizmit. Por të gjithë shqiptarët e dinë në fakt dhe nuk dyshojnë aspak, sidomos veteranët dallkaukë të asaj kohe, sepse denoncimin për vendndodhjen e Qemalit në ato momente e urdhëroi Enver Hoxha. Po në këtë mënyrë u asgjësuan edhe “heronjë” të tjerë: Vojo Kushi, Vasil Shanto dhe shumë “luftëtarë” komunistë të tjerë të këtij kalibri.

Metodologjia auto-vrasëse e importuar si eksperiencë me shumë vlera nga Rusia Sovjetike, e prishte ritmin e kësaj ecurie konstante ekzekutimesh brenda kuadrove të veta sa herë që acarohej situata ndërkombëtare, e cila sigurisht reflektonte për keq edhe në jetën e Partisë sonë. Në këto momente krize “hanxhari i Diktaturës” nuk shihte asgjë për kandidatët që do të përfshiheshin në programet e asgjësimeve apo ekzekutimeve, nuk vlerësohej as vjetërsia në Parti, as pozita që kishin në udhëheqjen e saj, as popullaritetin që mund të kishin në popull, etj, por një gjë ishte shumë interesante të shihje, kur ata shkonin me një urtësi sigurisht të shtirur drejt vdekjes ose me e shpjegu më thjeshtë, ishin kamikazë prej zori. Ata menjëherë sipas zakonit, për të spjeguar në popull arsyet e asgjësimit të tyre, inkuadroheshin në grupe që kishin tradhëtuar kauzën apo sabotatorë, agjentë e poliagjentë, në shërbim të shteteve të huaja dhe mbyllej ky kapitull për ta, për të filluar sipas rastit më vonë me grupe të tjera. Jo pak e çuditshme ishte se ata edhe në këto momente të fundit të jetës, si servilë klasikë që ishin, jepnin kontributet e tyre për jetëgjatësinë e Partisë, duke pranuar çdo faj apo përgjegjësi të paqenë apo të pamenduar ndonjëherë prej tyre, ata ishin të bindur se shumë shpejt do t’i rehabilitonte Partia e tyre.
Shembull që ia vlen ta kujtojmë e që është shumë interesant, është ai i “Shules” – Koçi Xoxes, ish numri 2 i Enver Hoxhës. Ky “maqedonas” ishte një kryekriminel sadist ordiner si njeri, ai s’ishte veçse një teneqexhi i kualifikimit të ulët, shumë injorant, bishë me vartësit e me popullin dhe qengj i urtë me Enver Hoxhën. Ai ishte Sekretar i II i Komitetit Qendror të Partisë, Zv. Kryeministër, Ministër i Punëve të Brendshme dhe i Sigurimit të Shtetit dhe mbi të gjitha kryeshok armësh me komandantin e tij Enver Hoxhën. Enveri pikërisht këtë përdori për t’i shkarë përgjegjësive pa lagur, për fajet që kishte vetë Enver Hoxha ndaj popullit të tij në marrëdhëniet me Jugosllavinë, të cilat mbërrinin nga çdo gjykim në nivelin e Tradhëtisë Kombëtare.
Pasi biseduan të dy së bashku, si dy vëllezër komunistë, për Koçin, u bë e qartë që në momentet e para, që ai do të ngarkohej me përgjegjësira të rënda tradhëtie dhe se ai duhet t’i pranonte pa asnjë rezervë ato. Ndërmjet shumë fajeve, ai duhet të pranonte se i ishte rritur shumë mendja ngaqë kishte marrë përgjegjësi dhe detyra shumë të larta si në Parti edhe në shtet dhe me këto detyra ai mund të bënte ç’të donte sepse i konsideronte pjesë të punëve të nomenklaturës. Faji i tij më i madh ishte se ai asnjëherë nuk e vuri në “dijeni” për këto punë që kryente sipas mënyrës së tij, as Komitetin Qëndror dhe as Enver Hoxhën. Kur u “zbulua” puna e dobët e Koçit, fillimisht ai u urdhërua që të shkonte në të gjitha rrethet kryesore të vendit ku do të organizoheshin aktive Partie për të bërë autokritikë bolshevike dhe të vinte në dijeni bazën e Partisë për ç’ka kishte ngjarë dhe përgjegjësinë që ai ndjente në prizmin personal për këto faje të rënda dhe rrezikun që mund të rridhte prej tyre. Enveri në mënyrë private dhe konfidenciale i tha Koçit se pasi ti do të kryesh këtë detyrë të lartë Partie, Komiteti Qëndror do ta ketë parasysh “pendesën tënde të sinqertë” dhe do të tregohemi zemërgjerë me ty duke të falur dhe biles në një të ardhme shumë të shpejtë, do të të ngrej në përgjegjësi. Ky rast me ty do të vërtetonte katërcipërisht demokracinë e brendshme në Parti dhe zemrën e madhe të saj. Por Koçi e dinte se ç’donte të thoshte të kundërshtoje “kërkesën miqësore” të Enver Hoxhës në ato momente të rënda që po kalonte Partia. Ai ishte i atij zanati me profesion, kryeterrorist, Ministri i Burgjeve, torturave, internimeve, ku thyenin këmbët me sopat viktimës për ta futur në një arkë më të vogël, etj. Prandaj ai e pranoi kërkesën e Komandantit me gëzim, biles duke i thënë Enverit se, kur ti na ke futur në Parti, ne të jemi përgjigjur se për nevojat e Partisë, japim edhe jetën. Ashtu të lumtë – i tha komandanti dhe për ironi të jetës, ata që nga ai moment nuk u panë më në këtë botë, dhe për fatin e keq të Koçit “edhe këtë herë si përherë”, fjala e dhënë nga Enveri-Koçit, nuk u mbajt. Partia ndaj tij jo vetëm që nuk tregoi mëshirë dhe mirënjohjen e premtuar për “autokritikën e porositur si edhe të imponuar” prej saj, por u prononcua duke u shprehur në të kundërt duke thënë, se ishte pikërisht vigjilenca revolucionare e Partisë e udhëhequr me largpamësi nga shoku Enver Hoxha që “zbuloi brenda rradhëve të saj”, shokë që kishin mbërritur deri në udhëheqjen e lartë dhe që nuk ishin veçse armiq shumë të rrezikshëm si Koçi Xoxe me shokë, dhe pas një fjalimi “historik” të tij në Komitetin Qendror, ky grup armiqsh e tradhtarësh iu kalua për gjykim “Gjyqit të popullit”. Cinizmi dhe sadizmi i Enver Hoxhës nuk kishte të sosur, ishte i paimagjinueshëm. Caktoi për ta gjykuar Bedri Spahiun i cili në gjyqin special për “kriminelët e luftës” në vitin 1945, ishte prokuror dhe kishte për kryetar të gjyqit të pandehurin e sotëm Koçi Xoxen dhe për çudi “stil Rus”. Gjatë zhvillimit të gjyqit, Koçi me shokë “pranuan” pa asnjë kundërshtim aktakuzën, edhe i tërë grupi me Pandi Kriston, Vangjo Mitrojorgjin dhe Vaskë Kolecin iu përmbajtën skenarit të parapërgatitur me përpikmëri komunistësh. Të pandehurit gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit mbajtën qëndrim të patundur besnikërie sipas skenarit. Në përfundim të gjyqit, Koçi Xoxe u dënua me vdekje dhe u ekzekutua në mënyrë rrufe, ndërsa shokët e grupit me afate të ndryshme burgimi. Kështu Partia kaloi pa u lagur fare nga çështja e mardhënieve me Jugosllavin dhe la prapa të gjitha fajet dhe gabimet, në saj të sakrifikimit të bijve të saj “më të mirë” për interesat e atdheut. Pak më vonë edhe Bedri Spahiun e arrestuan dhe e dënuan me burgime e internime, i shkatërruan edhe familjen derisa edhe ai vdiq si qen i braktisur si të gjithë shokët e sërës së tij.
Ky avaz vazhdoi fatkeqësisht për sa kohë rrojti Partia dhe “Enveri ynë”. Më interesante ishte se si ky mekanizëm auto-vrasës në Parti që funksionoi pa ndërprerje, nuk u kuptua kurrë nga rradhët e kandidatëve kuadër për t’u viktimizuar. Ishte me të vërtetë e pabesueshme se të gjithë të zgjedhurit e rinjë që merreshin nga baza apo klasa (glasa) punëtore apo edhe nga fshatarësia kooperativiste, për ti futur në rrugën e karrierës, ishin të paraedukuar me bindjen se paraardhësit e tyre kishin tradhëtuar Partinë dhe Atdheun për shkaqe banale, ose iu ishte rritur mendja dhe iu kishte marrë koka erë, prandaj edhe i gjithë “opinioni popullor” i miratonte njëzëri dënimet, biles organizoheshin edhe mbledhje solidariteti për këto vendime dënimesh.
Jo pak e çuditshme ishte me kuadrot e reja kur fillonin punë për herë të parë, ata as që e mendonin kurrë se do të vinte një ditë që edhe ata do të hynin apo do t’i fusnin në rrugën e “tradhtisë” si paraardhësit e tyre. Ata fillonin detyrat e reja me entuziazëm dhe zbatonin me përpikmëri “urdhërat kriminale” nga lart, pa i diskutuar apo analizuar ato në asnjë plan. Rrjedhimisht që edhe këta si paraardhësit e tyre me kalimin e kohës dhe pak e nga pak, zhyteshin në rrugën e krimit të organizuar nga Partia Shtet, si rrjedhim edhe këta bëheshin po dëshmitarë të rinjë që dinin shumë gjëra që nuk duhet të diheshin në të ardhmen, ishin fakte shumë kompromentuese për shoqërinë e çdo kohe, prandaj ky rrezik dekonspirimi qëndronte përsëri në kokat e këtyre të rinjve në këto detyra “delikate”, prandaj edhe këta “fakir” duhet të sakrifikoheshin me metodën e “auto-vrasjes.” Kështu që rruga e Partisë për në Komunizëm mbetej gjithmonë e pastër dhe e ripërtërirë gjithmonë me element të freskët dhe të etur për karrierë.
Metodika e këtij auto-krimi bazohej në dosjen e gjithësecilit e cila kishte një fillim, si ç’do gjë mbushej gjatë periudhës së punës me fajet dhe “aktakuzën” e ardhshme e cila pastaj lejonte organet e “Drejtësis” për të asgjësuar mikun, bashkëpunëtorin apo shokun e tyre në mënyrë të ligjshme. Detyrat që kryenin “viktimat e perspektivës” në sektorët e ndryshëm të organeve të diktaturës, instiktivisht atyre u kultivonte njëfarë krenarie dhe besimi në vetvete sepse ata ishin njerëz të fortë dhe vetë karriera në kësi punësh, u krijonte domosdoshmërisht dhe lidhje të reja shoqërore apo kredi kudo. Këta preferoheshin kudo dhe në shumë raste kjo preferencë ishte edhe nga halli, nuk ishte keq për këdo të kishte mik një njeri të tillë. Puna dhe detyra e tyre i favorizonte për tu alkolizuar, për të ndërhyr kudo dhe për të krijuar favore të padrejta, etj. sepse ky element “militonte” kudo si në qeveri apo organet e larta të Partis – Shtet. Prandaj e gjithë jeta e tyre evidentohej dhe kur ju duhej për të vepruar kundër tyre, këto probleme shumoheshin artificialisht dhe bëheshin shkaqet ose motivet për goditjen e tyre nëpër proçeset gjyqsore “fars” e deri në format nga më banalet, si aksidente rruge, vetvrasje etj. Duke patur për bazë këto realitete dhe fakte, mund të themi pa frikë se këtij fati apo metodologjie ju nënshtruan të gjitha nivelet e kuadrove të atij sistemi që nga komandantët e të ashtuquajturës Ushtri “Nacional-Çlirimtare, burrat e shtetit komunist, udhëheqësit e ndryshëm të Partisë e deri tek sigurimsat relativisht të thjeshtë.
Mund të jetë e pabesueshme për logjikën njerëzore apo atë perëndimore, por është fakt i dokumentuar dhe e kemi jetuar edhe vetë, po t’i rreshtosh emrat e genocidit komunist ndaj nacionalistëve apo të këtij “rigjenerim freskimi” kriminal ndërmjet tyre, duhen volume të tëra. Nuk po përmend nacionalistët që vranë këta, por auto-vrasjet ndërmjet llojit të tyre, si komandant e komisar të “Brigadës I “heroike” nga Mehmet Shehu e Tuk Jakova dhe deri te një nga brigadat e fundit, ajo e XXIV – me komandant Abedin Shehun. Për një ilustrim të lehtë të këtij realiteti po përmend disa nga komandantët historik të luftës “Nacional-Çlirimtare” apo udhëheqës të Partisë së tyre, pa harruar dhe “burrat e shtetit” si psh. Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dume, Gjin Marku, Teme Sejko, Hulus Spahiu, Rrahman Uruçi, Tahir Kadare, Mestan Ujaniku, Sadik Bekteshi, Rrahman Përllaku, Dali Ndreu, Pëllumb Dishnica, Islam Radovicka, Nexhip Vinçani, Kadri Hazbiu, Halim Xhelo, Kadri Hoxha, kryekriminelja Liri Gega, të cilën për “mirënjohje” e ekzekutuan shtatzënë, Liri Belishova, Naxhie Dume, Fiqirete Shehu, Bedri Spahiu, Nako Spiro, Abdyl Këllezi, Koço Tashko, dhe shumë e shumë të tjerë. Po të bazohemi tek auto – viktimat e mësipërmë që janë vetëm një pjesëz mikroskopike e të asgjësuarve që u etiketuan zyrtarisht në bazë të gjyqeve të tyre si tradhëtarë, agjentë etj. Atëherë ne nxjerrim konkluzionin se: Lëvizja Komuniste në Shqipëri që në themelimin historik të saj, ka qenë një grumbullim njerëzish pa asnjë cilësi morale pozitive, agjent në shërbim të zbulimeve të huaja, të cilët punuan për interesat e shteteve të huaja në dëm të Atdheut të tyre. Pra përfundimisht këta agjent politikanësh, pa asnjë llojë atdhedashurie, mbetën si përfaqësuesit e pjesës më të zezë të historisë së kombit tonë.