ABEDIN BICI MËSUES, EDUKATOR DHE VEPRIMTAR I SHQUAR I GRAMSHIT
(Në nderim, respekt dhe mirënjohje për mësuesin dhe drejtorin e shquar Abedin Bajram Bicin, edukatorin e apasionuar të dhjetëra brezave të nxënësve të fshatit dhe qytetit të Gramshit, veprimtarin shoqëror të palodhur, qytetarin dhe familjarin shembullor, kryetarin e Organizatës së Dëshmorëve të LANÇ-it dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut për Bashkinë e Gramshit)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Gramshi i dijes, arsimit dhe historisë. Vendbanim i lashtë, por qytet i ri
Gramshi është i shquar për trimëri, besë e nder, për mikpritje të rrallë, por edhe për njerëz të dijes, arsimit e kulturës, që i janë përgjigjur në të gjitha kohët atdhetarisë, patriotizmit dhe shqiptarizmës. Me historinë e këtij qyteti janë lidhur dhjetëra ngjarje, por mbi të gjitha ne na lidhin njerëzit e një qyteti me histori të veçantë. Gramshi, në pikëpamje historike, përmendet rreth gjashtë shekuj më parë, në të djathtë të lumit Devoll dhe përballë malit të Tomorrit. Njerëzit e kësaj treve, sikurse na thotë miku ynë, mësuesi dhe drejtori i shkollës Abedin Bici, janë mikpritës, punëtorë, të respektueshëm, patriotë, arsimdashës, tradita kulturore e folklor të pasur.
Fakt është se Gramshi u shpall qytet me dekret nr. 3060 të Presidiumit të Kuvendit Popullor më 18.02.1960 dhe, pavarësisht se është vendbanim i vjetër, konsiderohet një qytet me histori 66-vjeçare. Gramshi ka vlera të larta civilizuese, ekonomike, kulturore, arsimore dhe shoqërore, ku kontributi është i gjithë komunitetit gramshiot. Si vendbanim përmendet në mjaft dokumente, me zanafillë në shekullin XV, sidomos si qendër administrative dhe tregtare, me pozicion gjeografik në kryqëzimin e disa rrugëve që vinin nga Elbasani, Sulova, Berati, Tomorrica dhe Korça nëpërmjet luginave. Fillimisht u vendos një administratë ushtarake dhe civile osmane, xhamia, gjendja civile, mejtepi (shkolla fillore) dhe pak dyqane. Më 29 korrik 1909 u hap dega e klubit “Bashkimi”, me veprimtari patriotike, kulturore dhe arsimore. Më 26 nëntor 1912 u ngrit flamuri i pavarësisë kombëtare, ndërsa më 1.9.1909 u hap shkolla shqipe. Në Gramsh dhe në trevat përreth u nisën luftëtarë që u përbashkuan me regjimentin e qarkut për mbrojtjen e Shkodrës, duke lënë gjurmë gjaku dëshmorësh. Ndër ta përmenden: Isa Hymet Bici, Jashar Vrekë Bici, Laze Mehmet Xhangoli nga Shënepremte/Lenie dhe Cane Dylber Përfundi nga Grabova e Poshtme, të rënë në Tarabosh në nëntor-dhjetor 1912. Po ashtu dëshmorët: Tele Selim Bujku, Arif Sali Toska, Zyber Mehmet Rabo, Pasho Laze Braho, Hasan Dule Avdiu, Nexhip Rexhep Salla, Ibrahim Rushit Dollani, Sulejman Sadush Shaipi, Sulejman Çela, Bilal Bajrami dhe Seran Murati ranë në shkurt–mars 1913 në Malësinë e Madhe. Në vitin 1915 ranë edhe Kamber Dermyshi, Ramo Hysa dhe Sali Olldashi. Kontribut të madh në evidentimin e këtyre të dhënave ka dhënë mësuesi dhe drejtori i pasionuar Abedin Bici. Gramshi dhe veçanërisht fashtrat e sajshkruan histori edhe në periudhat në të vështira të kombit shqiptar e sidomos gjatë luftës së madhe antifashiste Nacionalçlirimtare ku ka edhe dëshmorët e saj. Pasçlirimi mori zhvillim kur më 1950, Gramshi kishte 721 banorë, ndërsa më 1960 bëhet qytet i ri me godina të reja, apartamente banimi, shkolla dhe popullsi u rrit në mbi 1500 banorë, 300 familje e 770 te punesuar, ku 18 shkurti 1960 është dekretimi si qytet, ku u rrit ekonomia, arsimi, zhvillimet kulturore, sociale e urbane, u krijua ndërmarrja bujqësore, kantiere ndërtimi, dega e bankës, zyra e PTT, spitali, SMT, Uzina e njohur ushtarake e Gramshit, e mbi të gjitha deri në 1990-tën popullsia arriti në mbi 16000 banorëe. Të gjitha këto zhvillime natyrshëm i ka përjetuar dhe vëzhguar nga afër edhe Abedin Bici, një nga mësuesit, edukatorët e veprimtarët e Gramshit dhe rrethinave të tij. Ai na flet gjerësisht për Shënepremten, Lenien e tij por dhe për gjithë zhvillimet historike e transformimit e mbi gjashtë dekadave këtu në Gramsh me një ndjenjë të fuqishme qytetare e plot pasion e kulturë.
Një jetë për arsim dhe dituri në fshatra dhe në qytetin e Gramshit
Abedin Bici është lindur më 6 prill të vitit 1946 në lagjen Bicaj të fshatit Shënepremte/ Lenie të Gramshit në një familje ne tradita të shquara atdhetar e patriotikee, punëdashëse, arsimdashëse e mikpritëse. Babai i Abedinit, Bajram Bici dhe nëna e tij Gjyhere, ishin familje punëtore fisnike, të nderuar e respektuar në fshat dhe krahinë, me një trashëgimi të një oxhaku patriot, që jetën e kishin çarë vetë, pavarësisht halleve të kohës dhe kohëve të pushtimit që për shqiptarët kanë qenë kaq të stërgjatura. Fëmijërinë e jetoi në vendlindje, duke u marrë me më shumë punë të lehta në ndihmë të familjes, për arsye se për kohën që erdhi në jetë Abedini akoma nuk ishin shuar plagët e mëdha të luftës. Ishte koha kur nuk mund ta jetoje fëmijërinë. Që në moshën 6- vjeçare filloi shkollën 7-vjeçare “Tahir Sadiku” në Shënepremte ku në klasën e parë u mësua dhe u edukua nga mësuesja Nashifer Uzuni e cila kishte arsimin e mesëm pedagogjik. Duke qenë se u fut para kohe në shkollë qe shumë i suksesshëm në lëndët mësimore shoqërore dhe pati vështirësi në shkencat natyrore. Në shkollën fillore pati mësues me arsim përkatës në klasat I e IV,kurse në klasat II e III i pati pa arsim përkatës. Arsimin fillor e mbaroi me arritje të mira ku u dallua se mbante mend përmendësh e recitonte më se 100 vjersha të detyruara përmendsh. Edhe arsimin 7- vjeçar e mbaroi me arritje të larta në mësime. Gjatë verës qe marrë me punë blegtorie në ndihmë të familjes, por librat s’i ndau nga dora asnjëherë. Babai i tij Bajrami i pati treguar se qe i internuar nga fashistët italianë në kohën e luftës italo – greke në vitet tetor 1940 – prill 1941. Në vitin 1959 në moshën 13,5 vjeçare filloi mësimet në shkollën e mesme pedagogjike të Elbasanit ku vazhdoi të dallohej në lëndët shoqërore, si: gjuhë shqipe, letërsi, gjuhë ruse, histori e gjeografi që ishin edhe prirja e tij në shkollë. Menjëherë pasi përfundoi me sukses të plotë shkollën pedagogjike u titullua “mësues i shkollës fillore”, por për mungesë mësuesish u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare të vendlindjes,atje ku pati marrë themelet e dijes së tij dhe që ku u detyrua të japë dy vjet lëndët matematikë e fizikë. Në vitin shkollor 1965 – 1966 emërohet drejtor shkolle në shkollën 7-vjeçare “Tahir Sadiku” ku punoi deri më 23 shkurt 1969. Më pas kreu shërbimin e detyruar ushtarak në Krrabë si dhe në Çorovodë deri më 30 qershor 1970, që ishte sikurse thuhej “një detyrim për shtetin”. Nga 16 gushti 1970 e deri më 15 gusht 1971 ka qenë nëndrejtor shkolle dhe më tej nga 16.8.1971 e në vazhdim vijoi punën si drejtori të shkollës. Ai punoi dhe njëherazi vijoi edhe Institutin Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë ku u diplomua më 25 gushtin e vitit 1971 për lëndët gjuhë shqipe e letërsi. Pas diplomimit punoi rreth një çerek shekulli si drejtor apo zëvendêsdrejtor në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Tahir Sadiku” Lenie.
Njerëzit vijnë në jetë me një mision të posaçëm në një rrugëtim të gjatë që kërkon shumë mund dhe sakrificë. Në këtë përvjetor të tetëdhjetë të datëlindjes së Abedin Bicit mund ti themi se nuk janë vitet që bëjnë karakterin, njeriun, bujarinë, por ajo që ke arritur arritur në jetë, gjurmët që ke lënë për brezat që të tregojnë, flasin, respektojnë e nderojnë, për atë që je në të vërtetë legjendë e gjallë e arsimimit në fshatrat dhe qytetin e Gramshit. Në hartimin e këtyre radhëve kemi pasur edhe vlerësimet e jashtëzakonshme që kanë për profesor Abedinin edhe punonjësit e Policisë së Shtetit Mitat Tola, Luan Mema dhe Vullnet Silaj, të cilët të flasin me konsideratat më të larta për njeriun e vlerave Abedin Bici. Luan Mema: “Abedin Bici është një mësues i përkushtuar dhe i respektuar, i cili me profesionalizëm, karakter të fortë dhe dashamirësi ka ndikuar pozitivisht në breza të tërë. Edhe sot, në pension, ai mbetet një figurë frymëzuese që nderohet për vlerat njerëzore dhe kontributin e tij të çmuar në arsim”; Mitat Tola: “Abedin Bici është një gjigand i mendimit dhe veprimit, një mësues brilant, përfaqësues i denjë i zonës së Lenies së famshme dhe Gramshit të njerëzve të mirë”; Vullnet Silaj: “Abedini është një përfaqësues i denjë i arsimimit gramshiot, një figurë e nderuar dhe e respektuar, me një trashëgimi brezash të respektuar në qytet dhe fshatra, një mik dhe mbrojtës i flaktë i idealeve të dëshmorëve të Atdheut. Figurë e nderuar në breza, pjesë e elitës intelektuale gramshiote”. Andi Osmani (në DPPSH): “Një mësues dhe drejtor shpirt njeriu, një mësues i pakrahasueshëm, që e donin dhe e respektonin dhe i ngelen mirënjohës për gjithë jetën. Nuk mund të gjesh ish-nxënës të tij që nuk të flasin me superlativa sespe ai i meriton plotësisht të gjithë nderimet”.
Veprimtari në fushën e publikimeve mjaft sinjifikative
Abedin Bici është vlerësuar gjithmonë nga komuniteti gramshiot dhe jo vetëm për penën e tij të spikatur. Ai ka një veprimtari të bollshme e të shkëlqyer në fushën e botimeve siç janë shumë artikuj per historikun e shkollave në rrethin e Gramshit, bashkautor i botimit të dy librave “Historiku i arsimit te Shënepremtes” dhe librin e dytë, “Misteret e Shenepremtes”, botime këto, që në fakt vlerësohen si një enciklopedi nga me të skaliturat për Lenien e Gramshin dhe për zonat që kufizohen me te si Gora, Opari, Pogradeci, Elbasani dhe më tej edhe Skrapari. Në këto botime, janë pasqyruar me një talent të rrallë mrekullitë mahnitëse që natyra ju ka falur banorëve por edhe përshkrimet e mësuesit dhe drejtorit të njohur Abedin Bici kanë dhe mbartin brenda vërtetësi, mjeshtëri e korrektësi të rrallë. Librat e tij janë të gjallë, të prekshëm, të lexueshëm dhe mbi të gjitha janë një një “arkiv muzeal” një pasuri jo për stoli bibliotekash por një pasuri për brezat e ardhshëm të Gramshit dhe për zonat që kufizohet ky rreth. Fakt është se Abedin Bici në publikimet e tij të librave për historikun e arsimit në rrethin e Gramshit, nuk nguron që të ngrejë lartë në mënyrëonumentale sikurse e meriton me të vërtetë epopeja e ndritur e LANÇ-it, ku pasqyrohet qartë kontributi i Shënepremtes dhe i gjithë Gramshit në luftë kundër nazifashizmit. Ai në fakt nxjerr në pah vlera të fshatit Krahinës dhe mbarë rrethit ku vetëm nga Shenepremtja mbushën radhët e formacioneve luftarake partizane 65 luftëtarë për lirinë e Shqipërisë dhe po nga zona e Lenies dolën 120 kuadro me arsim të lartë në të gjitha frontet e zhvillimit dhe të përparimit të Gramshit, por dhanë kontribut edhe në të gjitha fushat e jetës të ngritjes së Shqipërisë së re. Në librat e Abedin Bicit natyrshëm pasqyrohen dhe figurat e shquara të krahinës të Gorës e më gjerë edhe për vlerat kurative të “Ujit të Ftohtë” të liqenit të Zi të Lenies që shërbejnë për shërimin e sëmundjes së reumatizmës. Në liqenin e Zi vijnë shumë njerëz për kurim nga gjithë Shqipëria dhe përtej saj, në muajt korrik-gusht, por që vitet e fundit kjo rrugë është kthyer në atraksion turistiko-kurativ dhe është ndër më të njohurat të Shqipërisë, por dhe për turistët. Shumë njerëz që vijnë në Lenie gjejnë ngrohtësinë, përkujdesjen, mikëpritjen dhe mbi të gjitha njerëzillëkun që ka mbjellë tek gjithë brezat mësues Abedini. Kështu për veprimtarin mësuesin, drejtorin të flasin me respekt në fshatra dhe në qytet nga banorët e Gramshit, për figurën e shquar të Abedin Bicit, për karrierës së tij të gjatë arsimore pasi ai ka punuar në shkollën e mesme të zonës Lenie dhe si mësues edhe si drejtor shkolle ku produkti i tij është jashtëzakonisht i njohur në qindra e qindra nxënës, tashmë kuadro e punëtorë të arsimuar jo vetëm nga rrethi i Gramshit por edhe nga Qarku i Elbasanit. Është kjo arsyeja që për mësues Abedin Bicin të gjithë ruajnë respektin e dashurinë për një mësues të dashur, këmbëngulës, të aftë, të palodhur, të matur, të qetë e gojë ëmbël, sepse për të kushdo ka respekt e dashuri, si një mësues e kuadër i përsosur, e qytetar i denjë në çdo kohë, që ka ditur të mësojë, të organizojë, të drejtojë edhe organizata me peshë dhe përgjegjësi sikurse janë veprimtaritë e shumta shoqërore. Kështu me daljen në pension Abedinit ju shtuan punët edhe më tej pasi u aktivizua në Organizatën e Veteranëve të rrethit Gramshit, por edhe si kryetar i Organizatës së Dëshmorëve të rrethit, në mbrojtje të gjakut të dëshmorëve, si dhe në mbrojtje të vlerave të qytetarisë gramshiote dhe vlerave të larta të LANÇ-it. Me zemër i madh i vogël në këtë fillim prilli e uroj mësues Abedinin për 80-vjetorin e lindjes dhe ne i përbashkoheni këtij urimi për një mik të mirë, të dashur e të respektuar, si dhe i urojmë: edhe 100 vite jetë të gjatë e plotë shëndet në gjirin e familjes dhe të shoqërisë!
Djemtë e Gramshit, pjesë e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve
Ka më shumë se një dekadë që Abedin Bici është bërë promotorë i zbulimit dhe vlerësimit si duhet të gjakut gramshiot të derdhur betejave për shqiptarizmën. Fakt është se Gramshi dhe djemtë e saj provuan edhe një herë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë se janë pjesë thelbësore e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve me mençurinë dhe trimërinë e treguar në mbrojtjen e çdo pëllembe tokë të trashëgimisë së të parëve. Edhe djemtë e tjerë luftëtarë të kësaj treve u përbashkuan me idealin e luftëtarëve për mbrojtjen e tokës arbërore në kufijtë e saj të Shkodrës që për Fuqitë e Mëdha ishin kufijtë shqiptarë e ndërkohë që vetë luftëtarët në front e dinin mirë se kufijtë shqiptarë të 1912-tës ishin kujfijtë e katër vilajeteve shqiptare që ishin shkëputur tashmë nga Perandoria Osmane që po shkërmoqej gjithnjë e më shumë dhe nuk po mundej të mbante nderin e saj gjashtëqindvjeçar si sullltanat dhe jo më të ishte e zonja që të mbronte tokat e shqiptarëve që me luftrat ballkanike kishin dalë në “ankand”. Vetë shqiptarët po luftonin trimërisht në të gjitha frontet në veri dhe në jug të shqipërisë për të mos lejuar që trungu mëmë të sakatohej nga Fuqitë e Mëdha por edhe nga mbretëritë ballkanike të Greqisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Bullgarisë që kishin drejtuar tehun e veprimeve për të përfituar nga largimi dhe disfatat e njëpasnjëshme të osmanëve në hapësirat shqiptare ku ishin shtrirë dhe “kishin shirë” për një kohë të gjatë. Po sjellim një fakt se ku e ka burimin e hapur lakmia malazeze: Në vitin 1905 Kraj Nikolla i Malit të Zi takon Sulltan Hamitin dhe ai i kërkoi Sulltanit që t’i lëshojë pak vend në Tarabosh sa një lëkurë bualli”. Sulltani e priti kërkesën me mospërfillje se “nuk do t’i jepte ndonjë gjë të madhe, vec një copëz shkëmb e gur taraboshi”. Në takim ishte edhe Ramazan Bega nga Oblika e Anës së Malit, i cili ndërhyn dhe i thotë: “Naltmadhëni njikëtu xen vend”. Sulltani në të tijën: “Një copë shkëmb po i jap”. Shqiptari i thotë: “Asht çelës për Shkodrën, shuhet emni dhe s’ka më kala”. Jo më kot kërkonte që më 1905 Krajli i Malazezëve “nji copë shkëmb”, se prej andej niste sulmi përmbi Shkodër, sepse ushtarakisht dhe strategjikisht kush zotëronte Taraboshin zotëronte Shkodrën. Shkodra do të mbrohej nga dy vija mbrojtëse kryesorja ishin shpatet e malit të Taraboshit Kodrat e Bërdicës, Vukatanë si dhe vija e dytë Kodrat e Tepesë, Bardhaj, bregu i lumit të Kirit, Golem Dobrac etj. Betimi i luftëtarëve në Shkodër sikurse edhe luftëtarëve të Gramshit ishte domethënës: “Shja do të hysh në Shkodër kur këmbët tuaja të shkelin mbi shpinat tona”. Nga të dhënat e degës së dëshmnorëve të Gramshit evidentojmë se: “Djemtë e çetës së Elbasanit dhe Gramshit ishin të përbashkuar në luftimet për Shkodrën nën komandën e rreshterit Mehmet Hasan Hasa. Nga Shënepremtja e Gramshit ishin 13 luftëtarë ndërsa nga Grabova ishin gjashtë luftëtarë të shquar, ku ngelën përjetësisht në memorie të kombit katër dëshmorë dhe që të gjithë i përkasin të dy fshatrave ose sikurse thirrej fshati i madh i bashkuar i Shënepremtes. Gjaku muk do të kursehej dhe do të derdhej në themele të lirisë edhe në Shkodër. Abedin Bici na shpjegon qartazi se shumë djem të Gramshit u aktivizuan me çetën e kapedan Mahmut Xhelili dhe në fakt kanë shkruar faqe heroizmi dhe kanë treguar atdhetari të lartë. Këta luftëtarë dhe të tjerë pas tyre katuan “brumin” atdhetar të vazhdimësisë. Prandaj të sprovuar në beteja gramshiotët e treguan veten edhe në Shkodër, në Tarabosh dhe në Malsinë e madhe që me vitalitetin dhe energjinë e shqiptarit të vendosur i thanë “ndal!” dhe “jo” pushtimit, deri sa Shkodra ra vetëm me tradhëti se nuk kishte asnjë lloj mënyre tjetër të mundshme të rënies. Luftëtarë redifë (rezervistë) gramshiotë, që luftuan trimërisht në Shkodër ishin të shumtë si: Isa Hymet Bici, Jashar Vrekë Bici, Laze Mehmet Xhangoli, Cane Dylber Përfundi, Çerçiz Ajazi, Mustë Çekrezi, Sheme Çekrezi, Kame Çekrezi, Bido Çekrezi, Dape Çekrezi, Sulejman Çela, Mahmut Çela, Baze Çela, Mustafa Blogu, Musa Xhaferi, Musa Liçi, Bajram Liçi, Halim Liçi, Dalip Liçi, Xhemal Liçi, Cane Sejdini, Ramo Hida, Jaçe Brahimi, File Dervishi, Shahin Mema, Mete Mema, Mustë Llapushi, Hiqmet Llapushi, Xhelal Koçi, Arif Sali Toska, Pasho Laze Braho, Myslim Koçi, Selman Koçi, Mustafa Plaku, Qamil Elezi, Zyber Mehmet Rabo, Hasan Dule Avdiu, Nexhip Rexhep Salla, Ibrahim Rushit Dollani, Sulejman Sadush Shaipi, Kame Kotorri, Nebi Kotorri, Tele Selim Bujku, Dape Hazisi, Çaush Daja, Bilal Bajrami, Seran Murati, Pelivan Daja.. etj. Por gramshiotët që u sosën të gjallë pas lufte sollën me vete tmerret e luftës dhe historinë se si i varrosën shokët e rënë dëshmorë për Shkodrën atje “ku i zuri balta”, një zakon i trashëguar për luftëtarët që vriteshin në të gjitha anët e katër vilajeteve shqiptare në pamundësi të transportimit të trupave të tyre. Të gjallët gramshiotë sollën njëherazi edhe një këngë që vërtetonte tradhëtinë e Esat Toptanit: “..Karadaku brigje-brigje,/ digje Esat Pasha digje,/ Nuk e djeg se është i vogël,/ do ta lë sa të vijë në Shkodër..”. Ismail Qemali e quajti këtë tradhëti: “atentat kundër shqiptarëve dhe pavarësisë së tyre”! Për trimat gramshiotë për dëshmorët e saj kënga nuk u shua kurrë. Kështu teksti i Abedin Bicit edhe sot dhe përgjithmonë vijon të jetë aktual për të rënët në Shkodër për Shqipërinë: “..Këndojmë për Lazen, Jasharin, Canen e Isanë,/ Që jetën për mbrojtjen e Shkodrës e dhanë,/ lule more djem që ratë për Atdhe..”. Këngët për dëshmorët nuk kanë rreshtur kurrë, për bijtë që gjakun e kanë derdhur si “me lerë”. Por këto nuk I ka lënë mësues Abedini që ti mbulojë pluhuri i harresës pasi jo vetëm i ka rizgjuar, por ka bërë të pamundurën deri në dhënien e statusit dëshmor i Atdheut për të rënët e Gramshit në beteja. Prandaj shqiptaria dhe trojet arbërore shqiptare kanë roje të përhershme amanetin e të rënëve, amanetin e gjakut të derdhur për lirinë. Prandaj edhe Gramshi e gramshiotët janë krenarë për historinë e tyre dhe për kontributin që ata kanë dhënë për Atdhetarinë dhe për shqiptarizmën. Për këtë arsye edhe OKDA qendrore e Tiranës ka një shtyllë të fuqishme të mbrojtjes së idealit të gjakut të të rënëve, kanë padyshim mësues e drejtor Abedinin të pagjumë dhe që sakrifikon për të drejtën e të rënëve për Atdheun.
Vlerësime të merituara për mësuesin pasionant e veprimtarin shoqëror
Abedin Bici përveç se ka qenë mësues që si i thonë “nuk ja hante qeni shkopin”, që dinte të ishte udhërrëfyes për ti detyruar breza e breza nxënësish që ta kishin mësimin passion për gjatë gjithë jetës dhe librin mjetin themelor që të çon në mbretërinë e dijes. Abedini ishte mijionar në shkollë në arsimimin e brezave dhe mijionar në jetë, prandaj edhe u dallua në veprimtarinë mësimore educative por edhe si veprimtar i njohur shoqëror. Ai kurrë nuk punoi për tituj e ofiqe, por me ndershmëri dhe urtësi i orientoi sa e sa breza nxënësish për të renë progresiven dhe zhvillimin që ven vetëm përmes dijes. Në maj 1988 shkolla u dekorua me Urdhërin “Naim Frashëri klasi II”, kurse Abedini u dekorua me Urdhrin “Naim Frashëri, Klasi III”. Nga 8.10.1991 e deri më 12.9.1997 punoi në Gramsh si mësues në dispozicion e inspektor arsimi për punën me kuadrin. Nga 13.9.1997 deri më 8.1.2006 ka qenë përgjegjës personeli në Drejtorinë Arsimore të Gramshit. Nga 9.1.2006 deri më 30.6.2010 ka kryer detyrën e drejtorit në shkollën e Mesme të Bashkuar “Tahir Sadiku” Lenies. Nga 1.7.2010 e deri më sot është mësues në pension,por është veprimtar shoqëror i OVP të LANÇ-it, si dhe që nga 15 maj 2006 dhe veprimtar i dalluar i OKDA-së, dega Gramsh që nga 14 maji 2018. Më 24.11. 2012 u nderua me titullin “Nderi i OVP të LANÇ-it” nga Komiteti Kombëtar i OVP të LANÇ-it. Nga 30 10.2025 mban titullin “Kryetar nderi i OKDA”, dhënë nga Kryesia kombëtare e OKDA-së në Tiranë. Më 19 Nëntor 2012 këshilli i komunës Lenias i dha titullin “Nderi i komunës”. Për punë të madhe si veprimtar shoqëror këshilli i bashkisë së Gramshit i dha titullin “Qytetar nderi”, me vendim Nr. 18, datë 14.02.2022 dhe më konkretisht vendimi thotë: Për dhënien e Titullit të Nderit z. Abedin Bici. Këshilli Bashkiak i mbledhur në datë 14/02/2022 mbështetur në Ligjin nr.139/2015 “Për vetqeverisjen vendore”, neni 8 pika 2, neni 9 pikal nënpika 1.1, shkronja (b) dhe (d), si dhe neni 54 shkronja (k), Ligji nr.112/2013 “Për Dekoratat, Titutjt e Nderit, Medaljet dhe Titujt Vendorë të Nderit në Republikën e Shqipërisë”, Rregullorja e Funksionimit të Këshillit Bashkiak neni 47 dhe Vkm nr.86/2014 datë 10.12.2014: vendosi: 1.Të miratojë Dhënien e Titullit “Qytetar Nderi” për z.Abedin Bici me Motivacionin “Për kontributin e veçantë në rritjen e cilësisë së shërbimit arsimor si dhe për trasmetimin e vlerave dhe parimeve më të mira të dijes në qytetin e Gramshit dhe rrethinat e tij”. 2.Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Kryetari i Bashkisë, Sekretari i Këshillit dhe Anëtarët e Komisionit Këshillimor për dhënien e titujve të Nderit. Sekretari i Këshillit Bashkiak Xhulia Gjini Kryetari i Këshillit Bashkiak Greta Lena (protokolluar me nr. 666 prot. Gramsh, më 15/02/2022). Në vitin 2015 Abedin Bici është vlerësuar nga Këshilli i Qarkut Elbasan me çertifikatë mirënjohjeje në kohën që ky këshill kryesohej nga kryetari Eugen Isaj. Mbarë komuniteti në Gramsh dhe jo vetëm shprehen se ky titull është plotësisht i merituar. Nga viti 2022 e deri më sot vijon që të jetë kryetar i OKDA, dega e bashkisë së Gramshit, ku ka kryer me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe në mënyrë të përpiktë detyrat e ngarkuara,duke bashkëpunuar mirë me bashkinë e organizatat shoqërore. Është bashkautor në librin “Misteret e Shënepremtes” me shkrimtarin Shyqyri Fejzo, autor i librave “Historiku i zhvillimit të arsimit e kulturës në trevën e Shënepremtes e pranë saj” dhe “Ndihmesa e njësisë Shënepremte, Lenies para e gjatë epopesë së lavdishme të LANÇ-it”. Ka punuar me vullnet durim e këmbëngulje për plotësimin e dosjeve të të rënëve në Luftën e Shkodrës dhe në bashkëpunim me organet përkatëse ka arritur që të shpallen 9 dëshmorë nga Gramshi për 5 vjet. Këto arritje të larta janë meritë e punës me përgjegjësi të lartë qytetare nga veprimtari i dalluar shoqëror Abedin Bici i cili mban me nder flamurin “Familje e dëshmorit të Atdheut”. Abedin Bici është nismëtar i dhjetra aktiviteteve në Gramsh dhe në rrethina në nderim të dëshmorëve të Atdheut, sikurse ka qenë vëprimtari perkujtimore kushtuar kater deshmoreve te Atdheut, veprimtaria e datës 31.10.2024 në Qendren Kulturore te Femijeve (QKF) Gramsh u organizua ceremonia e dhenies se titullit “Dëshmor i Atdheut” katër luftëtarëve të trevave të Vërçës, Sulovës e Tomoricës se Gramshit: Arif Sali Toska nga Zamsha e treves së Vërçës, me Vendim Nr.896 datë 21.5.2024 të KQSDA-se; Nexhip Rexhep Salla nga Lubinja e treves se Sulovës, me Vendim Nr. 894 dt.21.05.2024 te KQSDA-së; Pasho Laze Braho nga Tunja e trevës së Sulovës, me Vendim Nr. 897 datë 21.05.2024 të KQSDA-së; Ylber Mehmet Rabo nga Cerruja e treves së Verces, me Vendim Nr.895 dt.21.05.2024 te KQSDA-së, qe dhane jeten per mbrojtjen e trojeve shqiptare ne Shkoder në dhjetor 1912 deri mars 1913 kunder ushtrive serbo – malazeze. Në këtë veprimtari atdhetare e patriotike morën pjesë nga OKDA Tiranë prof. asoc. Bernard Zotaj, anëtari i Kryesise së OKDA prof. asoc. Zaho Golemi, Shefi i Departmentit dëshmorëve në MM z. Behar Salillari, Këshilltari i Ministrit te Brendshëm Bilbil Dervishaj, por edhe të zotët e shtëpisë Kryetari i Bashkisë Gramsh z.Besion Ajazi i cili përshëndeti të pranishmit duke vlerësuar e përulur plot nderim para veprës dhe gjakut të dëshmoreve të Atdheut, Nënprefekti Albert Ceci, Kryetari i Këshillit Bashkiak Eno Zani, Nënkryetari i Bashkisë Tajar Bici. Dhe i gjithë ky organizim ishte padyshim nga Kryetari profesor Abedin Bici “Qytetar Nderi” i Bashkisë Gramsh, pasardhës veterani, anetarë të forumeve drejtuese të Organizatës Veteranëve dhe Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut në qytet dhe këshillat zonale. Organizime të tilla festive kanë një promotor të mirënjohur, është një emër i nderuar dhe respektuar nga të gjithë, i mirënjohuri Abedin Bici.
“Qyteti i Gramshit”: Abedin Bici, një mësues i nderuar dhe krenari për qytetin
Mendimi qytetar i kolegëve e nxënësve është një ortek urimesh, për njeriun-institucion
Është interesantë se po të shikosh në faqen e facebook-ut te “Qyteti i Gramshit” do të lexosh:
Abedin Bici, një mësues i nderuar dhe krenari për qytetin e Gramshit. Nën dijen e tij janë rritur dhjetra breza që sot janë të suksesshëm në jetët e tyre, mësues, mjekë, gazetarë, veprimtarë por edhe njerëz të punës së ndershme. Nderime për këtë njeri që është frymëzim për nxënësit e tij që e thonë me krenari kudo: “Kam qenë nxënësi i Abëdin Bicit”. Mbi të gjitha ka një pëlqim më shumë se 750 vetë dhe qindra komente. Po paraqesim vetëm disa komente të përmbledhura: Vladimir Duzha: “Të flasësh per Abedinin, duhet një natë e gjatë dimri dhe një dite Korriku! Por, të siguroj që përsëri nuk do na del koha! Njeriu, që i shërbeu arsimit të Gramshit me shumë se kushdo! Njeriu, që vazhdon të ndjekë me shqetesim çdo hap të arsimit të rrethit tonë, Njeriu i letrave, shkrimeve e botimeve të shumta me karakter krahinor e kombëtar. Respekte pa fund!”; Dallim Meço: “Respekte për Drejtor Abedin Bici, ky zotëri ka dhënë një kontribut të pa shlyeshëm per shkollën e mesme e bashkuar “Tahir Sadiku” (Lenie) prej shumë e shumë vitesh si mësues por edhe si drejtor i asaj shkolle dhe jo vetëm, megjithatë me duhet të shkuaj një roman për kontributin që ka dhënë ky Zotëri qoftë në komunën e Lenies por gjithashtu edhe në rrethin e Gramshit, Jam krenar që kam qenë nxënësi i Drejtor Abedinit nga viti 1989-1995 por njëkohësisht i jam shumë mirënjohës jo vetëm drejtor Abedinit por edhe djalit të tij zotit Dritan Bici sepse në vitet që unë përmenda më sipër me ka dhënë mësim edhe mësues Dritani, prandaj i uroj me zemër Dr. Abedinit të ketë jetë të gjatë dhe pleqëri të mbarë dhe i dëgjofsha të mirën atij personalisht por edhe familjes se madhe që e rrethon atë”; Ylli Dermyshi: “Nderim e respekt së pari si mësues e drejtues, por dhe si veprimtar popullor, artistik e kulturor. I uroj shendet kolegut e mikut tim…Urime”; Valbona Kala: “Respekte për profesor Abedinin, kam qenë një vit kolege me ketë mësues me vlera dhe virtyte të veçanta”; Vangjelina Hoxha: “I uroj gjithë të mirat në jetë drejtorit të shkolles “Tahir Sadiku”, Lenie. Ka qenë drejtor në këtë shkollë ku unë studiova për tetë vjet, dhe dua ta falenderoj nga zemra drejtorin Abedin Bici dhe gjithë stafin pedagogjik të kësaj shkolle për punën e palodhur që punuan për vite me rradhë. Me njohurite e marra në këtë shkollë unë përfundova shkëlqyer Akademine e Forcave Tokësore “Skenderbej” dhe vazhdova një tjetër universitet në New York (Bachelor Since of Nursing). Ju uroj jetë të gjatë dhe plot shëndet dhe gëzime ju dhe familjes tuaj”; Shkëndi Metani: “Respekte për mësuesin, kolegun, drejtorin tonë të palodhur, të përkushtuar në përcjelljen e dijeve e të kulturës në breza të tërë. I uroj jetë të gjatë dhe shëndet drejtorit dhe familjes se Tij!”; Fatmir Miraka: “Njihem nga larg dhe nga afër me kolegun Abedin Bici. Konsideratat janë në shumë plane, por ajo e të qenit njeri prevalon. Natyra i ka falur fizikun, por dhe dashurinë për punën dhe njerëzit. Përpjekjet për arritjet më të mira. Është koleg i sinqertë, mik i vërtetë, shok besnik. Nuk i njeh hilet, dhe i papajtueshem me padrejtësitë,..kam respekt të veçantë dhe i uroj mbi të gjitha shëndet atij dhe familjarisht”; Kosta Sulioti: “Respekt për Abedinin misionar i pa lodhur i dijes”; Xhile Tafa: “shpallja e një qytetar nderi është pak për profesor Adedinin”; Eni Hoxha: “Gjyshi im! Shume krenari dhe fat per ne të jemi mbesat dhe nipërit e tu! Ke qenë gjithmonë njeriu më pozitiv, gojë ëmbël, kurajoz dhe edukues për të gjith! Të duam shumë!”. Ndërsa i biri i Abedinit, Dritan Bici në një postim me rastin e 7 marsit e formulon kështu urimin: “Është dita kur ne të gjithë shprehim mirënjohjen tonë ndaj mësuesve tanë. Si gjithmonë, mirënjohja ime shkon për mësuesin e jetës sime, për atë mësues të palodhur që më mbajti dorën që të shkruaja bukur e të flisja bukur: babain tim të nderuar, Abedin Bici, i cili për më shumë se 50 vite ia kushtoi jetën edukimit të brezave në mësimin e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Në këtë ditë të madhe dua të falënderoj dhe u jam mirënjohës mësueses sime të parë, Drita Bici, por dhe mësuesve: Muhamet Bici, Peme Bici, Hamdi Bici, Riza Ceci, Izet Ceci, Shkëlqim Ceci, Muhamet Taçe, Guri Hasa, Sali Hasa, Ramadan Bici, Luljeta Bici, Astrit Kosturi, Çelnik Bici, Ali Taragjini, Shqipe Bici Polena, Shkëndi Kosturi, por edhe shumë mësuesve korçarë dhe elbasanas që dhanë një kontribut të çmuar në edukimin e brezave në Lenie, si: Gjergji Polena, Shpëtim Hasani, Leonard Kasa, Luan Mullaj, Alfred Pepo, Koço Taluri, Shkëlqim dhe Dorina Agolli, Elva Koburja, Pjetër Sula, por edhe nga vise të ndryshme të Gramshit si: Meçan Hoxha, Jaup Zenuni, Nefail Çoniku, Pute Bollobani, Sabri Driza, Fatmir Kabashi, Skënder Lumshi, Abedin Dërmyshi, Rrushe Dërmyshi, Durim Kishta, Agim Toçila, Shahin Dyli. Janë shumë e shumë mësues që kanë dhënë kontributin e tyre për edukimin e fëmijëve të Lenies. Ndjesë u kërkoj atyre që nuk ua kam përmendur emrin, sepse e di që mund të jenë shumë, por në një postim të tillë nuk mundem t’i përfshij të gjithë. Do të duhej një sesion shkencor për të vënë në dukje kontributin e shumë mësuesve në Lenie. Kanë qenë 700 nxënës kur im atë ishte drejtor. Merita i takon mentalitetit të zonës sonë, që preferonin t’i dërgonin fëmijët në shkollë në Lenie e pastaj të vazhdonin edukimin në shkollat e vendit tonë, në Elbasan, Tiranë, Korçë, Shkodër, Vlorë etj”. Urime të tilla janë me qindra, çka flet për një jetë plot krenari dhe dinjitet si misionarë të dijes, si mësues dhe drejtues vizionar. Janë rreth dyqind komente në një kohë fare të shkurtër. Mësuesi, drejtori i shkollës, drejtori i arsimit të Gramshit Abedin Bici është një institucion më vete në dijë e mirësi dhe zemërgjerësi, mbi të gjitha një veprimtar i spikatur dhe tepër i angazhuar. Oxhaku familjar i Abedin Bicit është gjerë, kështu ai është babai i nëntë fëmijëve të nderuar, gjashtë djem dhe 3 vajza, por edhe gjysh i 18 nipërve e mbesave, ndërkohë që është bërë edhe 4 herë stërgjysh. Abedin Bici është dhe mbetet një figurë e shquar e arsimit dhe jetës shoqërore, mësues i përkushtuar, qytetar model. Kontributi i tij në edukimin e brezave dhe në ruajtjen e historisë dhe vlerave kombëtare mbetet i çmuar dhe i tejet i vlerësuar.
*