Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Kohë e demostratave të mëdha – prill 1939

Fragment nga libri “Ali Demi – Pranvera dy hapa pranë”

—-

…Në fillimin e vitit 1939, Tirana përjetonte një atmosferë të tensionuar. Kjo ndjehej kudo, në gjithë jetën dhe shoqërinë shqiptare. Italia, gjithnjë e më shumë tregohej kërcënuese ndaj politikës shqiptare dhe mbretit Zog. Ato kohë u arrestuan nje grup të rinjsh revolucionarë si Qemal Stafa, Vasil Shanto, etj, të cilët u burgosën në burgun e Beratit të akuzuar për veprimtari revolucionare. Një nga shokët e afërt të Aliut ishte pikërisht Aladin Stafa. Ja pse qëndrimi i Qemalit në proçesin gjyqësor i kishte bërë një përshtypje të veçantë. Aliu, Kristo Frashëri, Aladin Stafa, Vladimir Shanto e shumë gjimnazistë të tjerë të gjimnazit të Tiranës ishin mbledhur në sheshin para bashkisë së kryeqytetit dhe dëgjonin zhvillimin e proçesit që transmetohej përmes autoparlantit. Pikërisht atë ditë ata kishin dëgjuar dhe deklarimin e famshëm të Qemalit para trupit gjykues: “Unë kam qënë dhe jam komunist sepse kam bindje të thellë se komunizmi do të shpëtojë vëndin tonë nga padituria dhe mjerimi…”.

Ndërkohë, politika italiane në Shqipëri po bëhej gjithnjë e më kërcënuese. Edhe mbreti Zog e kishte kuptuar tashmë se s’kishte asgjë në dorë dhe se fashistët italianë ishin të pranishëm kudo në jetën shqiptare, në ushtri, në xhandarmëri; ishin ata që e mbanin ekonominë shqiptare dhe se një pjesë jo e pakët intelektualësh e politikanësh ishin bërë filo-italianë që me veprimtaritë e shoqërisë «Dante Aligheri», të vendosur vite më parë. Pra Shqipëria “de facto” ishte vasale dhe në gjunjë para Italisë fashiste. Mungonte veç pushtimi ushtarak i Shqipërisë. Ndërkohë flitej për ultimatumet e Musolinit dhe të ministrit të Jashtëm të Italisë, kontit Çiano ndaj qeverisë së Zogut. Ishin ditët e pragut të nënshtrimit…

Më 3 prill 1939, episod që është përshkruar dhe në kujtimet e Kristo Frashërit, midis gjimnazistëve u përhap lajmi se në “Kinema Gloria” do të bëhej një demonstrate antifashiste. Në mbrëmje, Aliu me grupin e shokëve të tij mbërritën në “Kinema Gloria”. Rrugët e Tiranës atë ditë ishin plot njerëz që demostronin kundër ndërhyrjes së Italisë fashiste, e cila kërcënonte tashmë hapur për pushtimin e Shqipërisë. Salla e kinemasë atë natë ishte plot spektatorë. Bashkë me nxënësit e gjimnazit ishin bashkuar dhe ata të Shkollës Teknike në Tiranë. Në fund të shfaqjes, në skenë u shfaq papritur flamuri shqiptar dhe të gjithë duartrokitën. Ishte një ndjenjë e fuqishme patriotizmi që i kishte pushtuar gjithë të rinjtë. Filluan të këndonin të gjithë këngën “Për mëmëdhenë”, ndërkohë që të tjerë thërrisnin “Rroftë Shqipëria e Lirë”. “Për Mëmëdhenë, për Mëmëdhenë/ Vraponi burra se s’ka më prit…! Mes të rinjve këndonte dhe Aliu. Kur dolën nga salla, ata vërshuan drejt pallatit mbretëror duke kaluar nga rruga «28 nëntori». Kërkonin armë që të mbronin Shqipërinë nga një sulm i mundshëm i ushtrisë musoliniane. Pastaj turma e tyre morri rrugën drejt ambasadës franceze.

Të nesërmen nxënësit i ndërprenë mësimet si në gjimnazin e Tiranës ashtu dhe në Shkollën Teknike si dhe në Institutin Femëror. Një ditë më vonë përsëri u bënë thirrje kundër Italisë Fashiste dhe Musolinit, por meqë drejtori ishte italian, atëherë menjëherë erdhi policia. Tashmë nxënësit mbushnin oborrin e shkollës. Vetë ministri i Arësimit, Musa Juka, u detyrua të vinte tek nxënësit për t’i qetësuar ata. «Në marrëdhëniet e Italisë me Shqipërinë asgjë nuk ka ndryshuar. Italia është mike e Shqipërisë» – do tu thoshte ai… por kjo nuk do t’i ndalonte dot demostrimet e nxënësve nëpër rrugët e kryeqytetit, përpara legatave të huaja. Më 5 prill gjëndja ishte akoma më e ndezur.

Kristo Frashëri ishte një shok shumë i afërt i Aliut dhe që kishin të njëjtat pikëpamje për ardhmërinë e një Shqipëri të re. Në Paris, duke kujtuar së bashku periudhën e gjimnazit dhe shoqërinë e ngushtë të tij me Aliun, Frashëri më tregonte: “7 prilli i vitit 1939 ishte një nga momentet më dramatike të brezit tonë. Ishim 19-20 vjeçarë dhe thamë ‘o sot, o kurrë’ do të luftojmë si kanë luftuar paraardhësit tanë, etj, siç ka luftuar Mihal Grameno, Çerçiz Topulli. Ishin figura që na bënin thirrje, si Isa Boletini, etj. Erdhi koha të bëjmë edhe ne si ata. Kështu që u rreshtuam dhe vërshuam në të gjithë Tiranën. Kërkuam armë. Donim të shkonim të luftonim për tu mbrojtur në Durrës…”.

Në pasditen e 6 prillit, avionë ushtarakë italianë fluturonin zhurmshëm mbi qiellin e Tiranës. Në mëngjezin e 7 prillit, kryqëzorët kishin mbërritur në Durrës. Me ikjen e Zogut, më 9 prill u formua menjëherë Komiteti i Përkohshëm Administrativ i kryesuar nga Xhafer Ypi. «Këmishat e zeza» zbarkonin rradhazi në kryeqytet.

Hyrja e trupave të ushtrisë musoliniane në Tiranë ishte e dhimbëshme në sytë e Aliut, ashtu siç ishte në sytë e gjithë një populli. Por shpejt, rinia do ta tregonte shpirtin e revoltës së saj. “Ditën e pushtimit, – kujtonte Vehbiu, – kërkoja Aliun nëpër Tiranë se kisha frikë se mos ishte nisur në Durrës të luftonte, se kështu kishte thënë dy ditë më parë. E kërkova ngado dhe isha i bindur se ashtu siç ishte, gjithë revoltë do kishte ikur, por në mbrëmje, më në fund e gjeta. Mezi e mbante vëndi. Ziente i tëri. “A mund të luftohet Musolini pa armë ?! – tha më së fundi dhe nuk foli më. Qeveria e Zogut nuk pranoi t’i shpërndante armë të rinjve, popullit. Të nesërmen, iku që në mëngjes pa më thënë gjë. Shkollat ishin mbyllur…».

Më 28 nëntor 1939, demonstrata të mëdha u zhvilluan pothuaj në shumë qytete të Shqipërisë. Në Tiranë, nxënësit e shkollave të mesme, të gjimnazit, Shkollës Teknike dhe të Institutit Femëror vërshuan nëpër rrugë për të demostruar patriotizmin e tyre dhe përkushtimin ndaj atdheut. Ishte një ditë e mbarsur me një ndjenjë dashurie të thellë dhe dufi ndaj pushtuesit të ri. Aliu bashkë me shokët e tij të ngushtë të gjimnazit, ishte në atë kortezh të gjatë, duke shkuar drejt varrit të Naim Frashërit. Fjalime, këngë patriotike, thirrje të zjarrta për atdheun gjer natën vonë.

Që në shtator të atij viti Italia fashiste po e shtonte veprimtarinë e saj propagandistike, duke dashur t’i joshë të rinjtë shqiptarë përmes organizimit të vizitave të ndryshme ku me profesorë italianë shkonin të vizitonin qytetet e ndryshme të Italisë. Po në shtator vërshuan dhe prostitutat e shumta nga Italia, edhe pse shtëpitë publike ekzistonin tashmë. Por fakti është se dhe tek të rinjtë komunistë, veçanërisht tek ata të Grupit të të Rinjve, kishin filluar të diskutoheshin kodet e reja të moralit, mbi martesën e lirë, mbi shoqërinë e barazisë, etj. Për vajzat komuniste, shokët e tyre kishin një respekt të jashtëzakonshëm, madje dhe në krijimin e bazave u përdorën «martesat artificiale», pra thjesht një martesë e sajuar për të fshehur ekzistencën e një baze ilegale, ku çifti i ri dilte në shëtitje për krahu gjatë ditës, por në mbrëmje, ne shtëpi, në mbledhjet ilegale, ata ishin shokë idealesh. Më kujtohet që shumë vite më parë, Mustafa Qilimi më kishte treguar se si një natë, Mustafai kishte shkuar tek Aliu dhe sëbashku kishin kërkuar një doktor të njohur, meqë njëri nga shokët e tyre kishte shkuar në një «shtëpi publike» dhe ishte infektuar. Sigurisht kjo histori më bëri të qeshja, por sidoqoftë, ata ishin të rinj…