Luan Rama: Porta të Çamërisë
—
Ejani, afrohuni,
janë porta të Çamërisë me fytyrë engjëlli
ikona martirësh që në duar
mbajnë njëmijë ëndrra,
porta guri me harqe arbëri
lagur në shi, nën një llohë dëbore,
porta-altar që u plakën tek përgjojnë erën
dhe hapat që mund të vijnë nga larg
presin pinjollët të kthehen
karafilët e trëndafilet e tyre
pulsimin e gjakut në pragjet që do shkelin,
porta që krahët do hapin
të pushtojnë frymën që vjen
frymën që nuk shuhet, që nuk vdes
dashurinë e munguar – erë borziloku
botën e humbur që të rikthehet
me një këngë “çamiko” në buzë.
Dhe atëherë gjokset do fryhen
si trumba zogjsh fëmijët do vijnë.
– Thamë se n’a kishit harruar – përsërisin portat
vetmia n’a i preu krahët
stuhia e marrë n’a i hodhi çatitë
dhe gurët binin në honet e shpirtit
një nga një kullonin
me sy të verbuara
dhe këngë të vjetra në gojë
ninulla të ëmbla dhe këngë morti
– Veç ato n’a mbanin në këmbë
ballë tufanit dhe Ligjit Mizor të Luftës
që s’u linte të vinit,
mure të larta plumbi ju ndalonin gjithnjë në Qafë të Botës !
– Vetëm të vijnë, – thonim ne
të flenë një natë në shtrojet tona
mbi kurmet tona
ku poshtë gurgullon Akeroni
të shohim përsëri pelenat e grave
dhe në magjet e vjetra duart e tyre me brumë
kemi uri, kemi etje
vështroini buzët tanë të çarë
herë-herë klithim në delir
pëshpërisim që të zgjojmë të vrarët
trarët kanë rënë, dritaret gjithashtu
mërmërisim këngë kapedanësh
me sytë ballë diellit
dhe në heshtje këndojmë këngën e vjetër të Ervehesë
që të mos harrojmë,
porta me harqe dasmorësh
morti gjithashtu.
– Ju përshëndes ju porta të kujtesës së gjallë
porta të sakrificës dhe të besës
me sytë më të bukur të botës,
ju qëndroni gjithnjë si flakadanë të së nesërmes
80 vjet që prisni bukëpjekësit, farkëtarët
ustallarët që do zgjojnë puset e heshtur
dhe do hedhin çatinë e re
një pëllumb të bardhë do gdhendin ata në ballin tuaj
një pëllumb Paqeje dhe Pafajësie!
Eh, Samo, Fato, Nexhi, Haso…
më së fundi do gëzojmë përsëri
nxirrni nga sepetet këmishat e vajzave në velur
nesër do këndojmë këngët tona të dashurisë!