Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: “Pegasi” i Taip Sulkos

Gazeta ExLibris, në numrin e 11 prillit 2026, ka botuar një cikël të plotë me poezi të Taip Sulkos. Nga ky cikël po shkëput poezinë “Kali im i bukur”, një tekst sacral si një invariant semantik.

KALI IM I BUKUR

Atë ditë kur të bie nga kali im i bukur,

ai s’do të ikë, s’do largohet me shalën zbrazët.

Vetëm vonë, kur Dielli, si dhembje e ndezur të ulet në perëndim

e rrëqethja e erës do fryjë mbi kodrat,

ai do bierë në gjunjë mbi të zot, do nuhasë erën e njohur,

përsëmbrami do hingëllijë fort, do shkrofëtijë me hidhërim

e do marrë rrugën me trokthin e lëndimit për shtëpi.

Shumë e dua kalin tim të bukur, ai din të kthehet.

Me turi do trokasë tek druri i portës, me shalën zbrazët,

trokitje pa të zotn’, me flamurth dashurie në cullufet,

pa këngë të butë mëllenjash në buzëqeshjet.

Digat e dashurisë do çahen, do t’i përmbytin shpirtërat.

Edhe Diellit do t’i dhembë, i pikëlluar do ulet, çdo ditë i pikëlluar,

do t’ia përkëdhelë ballin dhe krifën kalit tim të bukur,

që edhe larg kur ngelet, me shalën zbrazët

din ta gjejë rrugën për në shtëpi.

Kali, padyshim, është objekt i nostalgjisë së poetëve. Për shkak të shoqërimit të tij të natyrshëm me njeriun në punë dhe në luftë, kali ka fituar lehtësisht një vend të vecantë në histori, duke shënuar shenja të larta nderi, respekt e simbolizëm. Ai është edhe një nga kontribuesit më të mëdhenj në zhvillimin e civilizimit modern, me disa cilësira si liria, hijeshia, bukuria, besnikëria, forca.

Në lëndën e pasur mitologjike që përmban epika jonë legjendare, bën pjesë edhe kulti i kalit. Nuk janë të pakta rastet kur në epikën tonë legjendare, kali krahasohet me njeriun për nga aftësia që ka për të kuptuar. Në disa tekste, kali e shpëton nga vdekja kreshnikun e plagosur, duke e tërhequr nga fusha e betejës, apo duke e çuar në shtëpi. Ndihma e kalit për të zotin e tij ndeshet edhe në balada apo në përralla popullore.

Por kali i Taip Sulkos është ndryshe… Një kalë mitologjik, me origjinë dhe veti të mbinatyrshme. Simbol i vazhdimësisë së jetës, ai i përket perëndive dhe i ngjan Pegasit, kalit të bardhë fluturues. Fuqia e tij e besnikërisë shpërpush erërat shpirtërore të poetit.

Kali i Sulkos është një kalë që di të kthehet. Ai ëshë përfaqësues i shpirtit, i ngjashëm me lirinë. Një simbol universal i lirisë pa kufizim. “Kali im i bukur” është një poezi dhimbjeje, jo thjesht objekt nostalgjie, është një moment shpirtëor i mbështjellë me dritën e një dashurie të pastër, një iluzion që nuk përsëdytet, një dhimbje e vërtetë, që nuk ka nevojë për ndërmjetim. Poeti duket se është përshtatur fizikisht dhe shpirtërisht me kalin e tij dhe është i bindur se “ai do bierë në gjunjë mbi të zot, do nuhasë erën e njohur, përsëmbrami do hingëllijë fort, do shkrofëtijë me hidhërim e do marrë rrugën me trokthin e lëndimit për shtëpi”. A mos vallë me këtë hiperbolë, poeti bëhet kështu pasqyrë e nderit kalorsiak?

Duket sikur poeti dhe kali kanë bërë një marrëveshje të heshtur duke pranuar respekt reciprok, ndërgjegjësim dhe përgjegjshmëri ndaj njëri – tjetrit. Kalorësi flet me kalin, duke e konsideruar atë si një qenie që ndien e kupton si njeri, i bindur se kali i tij di të dallojë dukuritë transhendentale.

Poezia është e trajtur bukur në në rrafshin estetik dhe stilistik. Poeti, me rigorozitet, qëmton thellësinë estetike të vargut. Taip Sulko është nga ata poetë dhe shkrimtarë që bëjnë zgjedhje estetike individuale, origjinale dhe të veçanta. Ai është një krijues i rrallë i cili, me frymëzim dhe origjinalitet, me këmbëngulje, ia ka dalë të krijojë një art të vërtetë.

BIOGRAFIA:

Taip Sulko është poet, shkrimtar, gazetar dhe diplomat karriere, një nga pjestarët e komunitetit shqiptaro-kanadez të krijuesve nga fusha e letërsisë artistike.

Sulko ka studiuar fillimisht gjuhë-letersi dhe gjuhë hungareze në Universitetin e Tiranës në vitet 1977-1982. Më pas ka kryer studimet në nivel Master për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Budapest të Hungarisë (1994-1997). Nga viti 1982 ka punuar si perkthyes i hungarishtes në Radio-Tirana, 1985-1991 ka qenë gazetar në Radion e Jashtme, ndërsa në periudhën 1991-1992 ka punuar si gazetar në TVSH. Në vitin 1992 Taip Sulko pranohet në Shërbimin e Jashtëm dhe ka shërbyer si diplomat i Republikës së Shqipërisë në Hungari, Poloni dhe Kanada. Gjatë viteve në Shërbimin e Jashtëm pranë MPJ, ai ka punuar gjithashtu në Drejtorinë e Europës, ka qenë drejtor në Drejtorinë e Azise dhe Afrikes (2005-2006) si dhe Drejtor i Shtypit dhe Informacionit (2006-2010).

Taip Sulko është gjithashtu autor i romanit “Në anën tjetër të parajsës” (2002), i vëllimit me tregime “Antologjia e shpirtrave” (2009) dhe i dy përmbledhjeve poetike “Toka e premtuar” (2010) dhe “Portat e qiellit” (2020). Romani i tij dytë “I Arratisuri”(2024), ka dalë në dritë falë bashkëpunimit me Botimet “Naimi” në Tiranë.