Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Yzedin Hima, një poet neoplatonik?

“Çdo ditë humb diçka,

Rrugët e mia të hershme po kthehen në gjarpërinj të bukur

dëshirat e dhunuara janë ornamente në shpinën e tyre…”.

Këto janë vargjet e para të poezisë “Çdo ditë humb diçka”, të poetit Yzedin Hima. Hima duket si një poet i mbijetur vetëm në saje të rastësisë, që shkruan për të lënë pas një trashëgimi fjalësh, kujtimesh, për t’i ardhur në ndihmë historisë, që të mos përsërit më. Miku dhe komshiu im në Tiranë, botuesi i njohur i Shtëpisë Botuese UEGEN, Xhevahir Lleshi, më ka folur shpesh për këtë poet, shkrimtar dhe studiues nga Berati. Kohët e fundit më dha për të lexuar edhe librin e ri poetik “Mars”. Sytë më shkojnë te poezia “Është ditë e diel”:

“Është ditë e diel

të duash është gjithmonë më mirë se të urresh

më thonë sytë kozmikë të një breshke të vogël

teksa përhapnin një dritë qiellore që endej mbi bar

sy të tillë ka vetëm vajza që nuk më deshi kurrë

dhe për fatin tim të keq ajo kurrë nuk më urreu

shihej çdo ditë në sytë e mi si në një qelq të thyer

lumi përpëlitet në sqepin e pulëbardhës në ag

është ditë e diel…”.

Gati e gjithë bota është një arrë bosh nga brenda, por rrallë mund të gjesh ndonjë poet të lexojë “sytë kozmikë të një breshke”, pa patur frikë se gabon. Ky është një rravgim i pashmnagshëm i syve të shpirtit, si pasojë e të cilit, jeta, e vëzhguar nga kreu, duket sikur nuk ka fund, ndërsa e riparë nga fundi i rrugës, rezulton mjaft e shkurtër. Sa më boshe të jenë arsyet e vuajtjeve të tij, aq më tepër poeti ndihet i lumtur.

Poeti Y. Hima parapëlqen dhe ushqen prirjen ndaj veçimit dhe vetmisë, jo si një instikt fillestar, por diçka që zhvillohet tërthorazi, shkallë-shkallë, në luftë kundër shtysës së natyrshme sociale.

Poeti e do me forcë dhe në vazhdimësi vetminë, e zgjedh atë si të keqen më të vogël, dhe jep arsye për të përligjur dëshirën e pjesës më të padenjë të ekzisencës sonë, që “mokrat mbi ne i vërtit”:

VETMI

lumi ha brigjet me mërmërima

kambana ha heshtjen me dridhma

deti i etur pi çdo çast lumenjtë

dhe terri i uritur përpin retë

në natën e gjatë ne pijmë vetminë

në natë tiparet fshehim dhe dobësinë

të dehur ripërtypim kujtesën

teksa qirinjtë hanë terrin dhe veten

koha ha kohën si përbindësh mitik

rrjedha e saj mokrat mbi ne i vërtit

aty bluhet jeta jonë çdo orë e çdo ditë

poshtë del tisi i bardhë dhe hiçi përndrit.

Njeriu e kupton se pak nga pak, me kalimin e viteve, arrin në bindjen se, përveç disa rasteve të rralla, e vetmja zgjidhje e mundshme në botë është pikërisht ajo midis shoqërisë dhe veçimit, sado e vështirë ta pranojmë në botën tonë të “hiçit të përndritur”. Jetojmë në një vetmi si në një element tonin.

Asgjë nuk është plotësisht e lumtur, ka thënë Horaci. Ne kemi faj për çdo fatkeqësi që na bie në pjesë, edhe pse përgjegjësia jonë është relative. Këtë e pohon edhe sjellja e njërëzve që kërkojnë të fshehin sa më shumë palumturinë e tyre, duke u treguar të gëzuar. Ata kanë frikë se nga dhimbja e tyre mund të hamendësohet faji i tyre.

Poeti Y. Hima nuk e mban dot të frenuar fantazinë dhe nuk ndërton kështjella në erë, që pastaj të përmbysen mes lotëve e psherëtimave. Ai duket sikur ka prishur të gjitha urat me botën dhe me qëniet e tjera njerëzore, me një reflektim që është vetë nënvetëdija dhe ku nuk ka asnjë tip digotomie:

Në pellgje kalbej drita

njolla drite mbi gjurmët e tua të freskëta

ikja është demi i zi që shpon ditën në brinjë

dita drithshëm pikon nga streha e muzgut

dhe lag zërin e pikëlluar të bulkthit në bar

në rrëpirën e lotit pejzazhet bien në humnerë

fjalët prej uji thyhen në gurin e moskuptimit

mendimi është ajo gjethja e tharë në shtjellë

mbërthyer fort te drita dhe te tingulli a!

Pantera e zezë lëpin gishtat e mi prej qelqi

gjurmët e tua mbi dritën e kalbur të ditës

pikojnë mbi barin e kuq tingullin O, ku qyqja

këndon përvajshëm: ku-ku! ku-ku! ku-ku!

shiu i penduar e njomi shkrumbin e muzgut

nata ka veshur mbathje të zeza me penj drite

teksa shtrihet mbi rënkime gjethesh të rëna

dhe dielli pikëzon dritëdhimbjeje – ti ike

***

Në poezinë e Y. Himës nuk bëhet fjalë për iluzione, që t’i gëzohemi një realiteti ndryshe, duke interpretuar ëndërrën. Fantazia e poetit nuk luan me fantazma të tilla, nuk krijon imazhe që prekin shpirtin më kot dhe shpesh rezultojnë tepër të dhimbshme. Ndërkohë që ëndërrat e bukura mjafton realiteti për t’i hedhur poshtë, duke lënë si gjurmë të vetme një shpresë të dobët të një realizimi të ri të mundshëm. Poeti e lë veten në dorën e fantazive të zymta, që lexuesi të mos mbetet në kthetrat e ankthit, por të arsyes, dhe të shohë vetëm me syrin e arsyes.

Autori duket sikur gjykon si neoplatonik, ku në një turmë shumëformëshe, edhe individi më fisnik, sipas natyrës së tij, merr pjesë te poshtërsitë dhe vulgaritetin e përbashkët të natyrës njerëzore, duke vizatuar këtë realitet përtej së arsyeshmes.

Kuptimi leksikor konvencional në poezinë e Y. Himës krijon zona komplekse kuptimi, që rrëfen për një mjeshtëri të rrallë në punën me tekstin poetik, gjë që e dallon këtë poet nga shumë ë tjerë.

Pamje

blirët e rinj kanë çelur kanarina

anës rrugës vrapojnë zbathur në agim

këpucët e vjetra pinë kafenë e mëngjesit

rruga nxiton në takimin e lënë në kryqëzim

ngjethet fustani mbi format shpërthyese

ti u shfaqe në pëlhurën e ajrit nderur kah drita

tingujt puthen me tinguj te harku i buzëve

pikë – pikë të pikon dritë nga sytë e zinj

nën këmbët delikate psherëtin asfalti

strukur te gjoksi dy zogj ende flenë gjumë

muret e qullur kollen në ngjyrë portokalli

peshku i kuq ha fjalët e hedhura në akuarium

manekinët s’e kanë emrin në lista për votim

në heshtje protestojnë në butikët e bllokut

dita ikën mbi kuaj të bardhë me nxitim

ndërsa nata lehtë- lehtë të zbret prej flokut…

BIOGRAFIA

Dr.Yzedin Hima është diplomuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Fakulteti Filologjik, dega gjuhë-letërsi.

📍“Master në letërsi” – Universiteti i Tiranës, Fakulteti Filologjik, Departamenti i Letërsisë.

📍“Doktor në fushën e studimeve letrare” – Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë.

📍Prej vitit 2014, bëhet pjese e stafit të shkollës ku vijon të japi kontributin e tij të çmuar prej shumë vitesh duke u bërë një nga shtyllat ku mbështetet shkolla jonë duke rrëmbyer shumë olimpiada në nivel lokal dhe 3 në nivel kombëtar.

📍Në vitet 2014-2018 ka qenë në pozicionit të drejtorit të Gjimnazit Jopublik “I. Ngjeqari” në Berat.

📍Nga 2018 – e në vazhdim – mësues i letërsisë dhe i gjuhës.

📚Po cila është përvoja profesionale e Dr.Yzedin Hima?📍1987 – 1989- mësues në shkollën e mesme të përgjithshme Kutalli- Berat, drejtues i kësaj shkolle.

📍1989-1992 – specialist për programet e reja të gjuhës dhe letërsisë në kabinetin pedagogjiktë Seksionit të Arsimit të Beratit.

📍1992-1996- ka punuar drejtor i Qendrës Kulturore të Beratit.

📍Në vitin 1997 – drejtor i Drejtorisë Arsimore të rrethit të Beratit.

📍Në vitin 1997 deri 2000 ka qënë punonjës në Teatrin e Beratit.

📍Nga viti 2000 deri në vitin 2005 – mësues i letërsisë në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara” dhe gjimnazin “Kristaq Capo”.

📍Në vitin 2005 -2010- drejtor i Drejtorisë Arsimore Rajonale të Qarkut të Beratit.

📍2010- 2013 – drejtor i Drejtorise Rajonale te Punesimit per Qarkun e Beratit.

📍2011 – 2015 – pedagog i jashtëm i Albanian University, dega e Beratit. 📍2003 – 2007 – botues dhe drejtues i gazetes së pavarur “Lajmëtari i Beratit

Libra artistikë të botuar

-“Homazh Erës”- poezi, 1994, Uegen.

-“Duart”- poezi, 1996, Uegen.

-“Trill”- poezi, 1999, Jonalda.

-“Pak kohë mbaj në duar”- poezi, 2002, Toena

Libra publicistikë

-“Kënga e nepërkës”, ese dhe shkrime të tjera, 2006, Uegen.

“Të mallkuarit me art”

Libra me studime

-“Vexhi Buharaja- pa mite e mjegull”- monografi – 2009

– “Letërsia e penguar dhe mitet e saj”- monografi – 2016- ISKK

– Libri me poezi “Mars” – 2025- Uegen