Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Kadiu: MARINA VLADY… RUSJA E MADHE E KINEMASE FRANCEZE


Lindi si Catherine Marina de Poliakoff-Baïdaroff, 88 vjet më parë, më 10 maj 1938, Clichy, Francë… në një familje me origjinë ruse.
Prindërit e Marina Vlady ishin emigrantë rusë që mbërritën në Francë në periudhën e Rusisë së revolucionit. Babai i saj, Vladimir de Poliakoff, tenor operistik, erdhi në Francë në vitin 1915 dhe mori pjesë në Luftën e Parë Botërore; ndërsa nëna, Militza Envald, balerinë, mbërriti në vitin 1919.
Marina Vlady është motra e aktoreve Olga Varen (1928–2009) – aktore dhe regjisore televizive, Odile Versois (1930–1980) – aktore, Hélène Vallier (1932–1988) – aktore.
Familja Poliakoff mishëron këtë bashkim kulturash: tradita ruse e artit dhe skena franceze e operës dhe kinemasë.
Marina Vlady është një figurë e rrallë e kinemasë evropiane: një aktore franceze qe ndërthur bukurinë aristokratike me një ndjeshmëri të thellë artistike dhe angazhim shoqëror.
Bukuroshe e rafinuar, e mrekullueshme që hyri në filma si fëmijë dhe u bë një aktore e njohur ndërkombëtarisht në mesin e viteve 60′.
Sytë e saj të thellë pasqyrojnë një melankoli ruse, ndërsa zëri i butë sjell një intimitet që e bën çdo rol të duket i jetuar.
Në ekran, ajo ishtë një princëshë moderne: elegante, e përmbajtur, por gjithmonë e gatshme të shpërthejë në pasion.
Jashtë ekranit, Vlady është një figurë e angazhuar, që e shndërroi famën në mjet për të mbrojtur kauza humane.
Vlady kishte një stil minimalist, pa gjeste të tepruara, duke e bërë lojën e saj të dukej e thjeshtë, por e ngarkuar me kuptim.
Shpesh përdor heshtjen dhe shikimin si mjete të fuqishme interpretimi.
Ka luajtur role shumë të ndryshme: nga komeditë romantike tek dramat filozofike të Godard-it, apo filmat historikë të Orson Welles… mbi 50 filma në një karriere gati gjysmëshekullore.
Kjo shtrirje e gjerë tregon aftësinë e saj për të kaluar nga delikatesa femërore tek forca tragjike.
Vlady shpesh ka zgjedhur role që pasqyrojnë gruan moderne, të lirë dhe të vetëdijshme për vendin e saj në shoqëri.
Interpretimi i saj është i lidhur me kauzat feministe dhe humaniste, duke e bërë artin e saj një reflektim të angazhimit personal.
Marina Vlady gjatë karrierës së saj të pasur ka ndarë ekranin me disa nga figurat më të mëdha të kinemasë evropiane. Partnerët e saj në kinema përfshijnë emra të tillë si Marcello Mastroianni, Ugo Tognazzi, Orson Welles, Jean Marais, Michel Piccoli, Gérard Depardieu… Këto bashkëpunime e vendosën atë në qendër të kinemasë italiane dhe franceze të viteve ’50–’80.
Roli më i mirë i Marina Vlady konsiderohet ai në filmin italian “Il letto coniugale” (“Shtrati bashkëshortor” 1963), për të cilin ajo fitoi Çmimin e Aktores më të Mirë në Festivalin e Kanës. Ky rol e vendosi përfundimisht si një aktore të rangut të parë në kinemanë evropiane.
Për publikun shqiptar e njohur me filmat:
● “Dite dashurie” (1954) i regjizorit Giuseppe de Santis ku luan rolin e Angela Cafallas krahas Marcello Mastroianni në rolin e Pasquale Droppio;
● “Simfonia d’amore” e regjizorit Glauco Laydu ku portretizohet jeta e kompozitorit Franz Schubert. Në këtë film Vlady luan rolin e Caroline Esterhazi.
● “La Sorcière” (“Magjistarja”) në rolin e Inës ku luan krahas Maurice Ronet.
Në jetën private ajo ka qenë e martuar me aktorin-regjisorin Robert Hossein (1955-1960), me sipërmarrësin Jean Claude Brouillet (1963-1966) dhe aktorin/kompozitorin/këngëtarin sovjetik Vladímir Vysotski (1970-1980).
Martesa e saj më e famshme ishte me Vladimir Vysotsky, me të cilin jetoi një histori dashurie të ndërlikuar e të fuqishme. Për të, pas vdekjes së tij në vitin 1980, ajo shkroi librin “Vladimir, ou le vol arrêté (“Vladimir, ose fluturimi i ndërprerë”), një dëshmi poetike e dhimbshme e marrëdhënies së tyre.
U njohën në fillim të viteve ’70, kur Vlady tashmë ishte një aktore e famshme franceze, ndërsa Vysotsky një ikonë e kulturës ruse.
Ata jetuan mes dy botëve – Vlady në Francë, Vysotsky në Bashkimin Sovjetik – duke sfiduar kufijtë politikë dhe ideologjikë.
Lidhja e tyre ishte e zjarrtë, e mbushur me poezi, këngë dhe letra. Vysotsky i kushtoi Vlady shumë vargje dhe këngë, duke e bërë muzën e tij.
Marina Vlady dhe Vladimir Vysotsky ishin si një Romeo dhe Zhuliet modernë, të ndarë jo nga familjet, por nga sistemet politike.
Dashuria e tyre është një baladë e dy kulturave: melankolia ruse dhe eleganca franceze. Vlady mbetet një muzë e përjetshme, jo vetëm për Vysotskyn, por për gjithë ata që besojnë se arti dhe dashuria mund të sfidojnë kufijtë.
Marina Vlady për të përmirësuar imazhin e bashkëshortit të saj ne Bashkimin Sovjetik si dhe për të siguruar ‘multi entry visas’ nga Ambasada Sovjetike në Paris u bë anëtare e Partisë Komuniste Franceze…
Marina Vlady shpesh krahasohet me aktoret e gjeneratës së saj si Jeanne Moreau, Brigitte Bardot, Sophia Loren apo Anouk Aimée, por ajo dallon për një stil më introspektiv dhe të angazhuar politikisht.
Marina Vlady në kulmin e viteve ’50–’60 shpesh krahasohej me Brigitte Bardot për bukurinë e saj fizike, por me një imazh më të rafinuar dhe më pak provokues. Ajo u quajt “Miss Body” në vitin 1960 dhe u perceptua si një “bombshell” bionde, megjithatë kritikët e shihnin si një version më intelektual dhe më artistik se Bardot.
Kishte ngjashmëri me interpretimet e Anouk Aimée.
Të dyja përfaqësonin bukurinë melankolike franceze, por Vlady ishte më e lidhur me imazhin e “vajzës së thjeshtë” sesa me feminitetin misterioz të Aimée.
Vlady mbetet e veçantë sepse ndërthur humorin absurd italian me melankolinë filozofike franceze, duke e bërë një aktore të dy kulturave.
Marina Vlady nuk ishte “diva” në kuptimin klasik si Bardot apo Loren, por një aktore-poeteshë.
Ajo mbetet një figurë që mishëron inteligjencën femërore, elegancën e thjeshtë dhe angazhimin shoqëror, duke e bërë të dallueshme në gjeneratën e saj.
Ndryshe nga Bardot apo Loren, Vlady nuk e ndërtonte imazhin mbi sensualitetin, por mbi reflektimin dhe ndjeshmërinë.