Albspirit

Media/News/Publishing

Mosbesimi, si fill i kuq i qeverisjes

arben rrozhaniNga Arben Rrozhani

Nëse bëhet një kërkim statistikor në motorrët kërkues elektronikë, nuk është çudi që për rastin e Shqipërisë në këto tre vitet e fundit, fjala mosbesim, mungesa e besimit, apo ngjyrime të tjera brenda saj, mund të jenë fjalët më të përdorura për aleancën e dy partive të majta që kanë qenë në bashkëqeverisje prej shtatorit 2013.

Është folur për thika pas shpine, për kulisa, për inate që nuk shuhen edhe pse marrëveshja mes Ramës dhe Metës në 1 prill, premtonte një rikthim të të majtës në një harmoni të plotë dhe efikase për shtetndërtimin dhe shkëlqimin e të majtës, përçarja e të cilës vetëm sa i ka dhënë pushtet të pamerituar edhe abuziv të djathtës, siç ishte rasti i tetë viteve të mbretërimit të Sali Berishës si kryeministër.

Për tu kthyer në ditët e sotme, më saktë te dita e djeshme. Ilir Meta në një dalje sa politike, as edhe shpirtërore përpara mediave, ku foli gjatë dhe për shumë gjëra, përmendi edhe klimën e mosbesimit në politikë, jo vetëm mes palëve, por duke nënkuptuar edhe atë mes partnerëve në qeverisje.

Kjo dhe termi “qeveri” teknike më pas” u dhanë krahë spekulimeve të shtypit, që mbrëmë shpallën edhe rënien e qeverisë, bashkimin e Metës me Berishën dhe futjen e vendit në rrugën e zgjedhjeve të parakohshme.

Dhe e gjitha lidhur me reformën në drejtësi. Këtu mosbesimi ka qenë shumë i madh, jo vetëm mes qeverisë dhe opozitës, por edhe mes vetë partnerëve në koalicion.

Meta e përmendi dje rastin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të parën pas asaj që ishte trashëguar nga rregjimi komunist. E majta, pas zgjedhjeve parlamentare të 29 qershorit 1997, kishte një shumicë dërrmuese në Kuvend dhe një opozitë të bërë kashtë e koqe. Por, megjithatë, ca mendje të zgjuara, vendosën që bashkëkryetarë të hartimit të dokumentit themeltar të shtetit të ishin dy të djathtë: i ndjeri Sabri Godo si kryetar dhe Arben Imami si bashkëkryetar. Ishin që të dy të djathtë. Godo ishte kryetar i PR-së, që kishte qenë në aleancë qeverisëse me PD-në e Berishës gjatë viteve 1992-1997, ndërsa Arben Imami kishte qenë bashkëthemelues i PD-së, pastaj armik i Berishës, por kishte mbetur i djathtë. Ata drejtuan ekipin që hartoi kushtetutën e cila u miratua në 28 nëntor 1998 dhe që e kemi edhe sot, ma ca ndryshime.

Nuk ndodhi kështu, edhe pse politika shqiptare është dy dekada më e pjekur se atëherë, dy dekada më e çliruar nga komplekset dhe dy dekada më demokratike, të paktën kështu mendohet. Ndoshta në krye të komisionit të posaçëm, nuk do ta vinin përfaqësuesin e PD-së, por ai dhe të tijtë të ishin të barabartë në aksesin e informacionit, në ato që priteshin të bëheshin, sipas rekomandimeve të të huajve etj.

Në fakt kësaj radhe kjo do të ishte një kërkesë e tepërt, përballë fakteve se probleme kishte patur edhe mes aleatëve. P.sh. çfarë emri mund t’i vihet faktit se ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, kishte qenë i përjashtuar nga informacioni se çfarë bëhej me zhvillimet për reformën në drejtësi, apo se draftin përfundimtar të saj ia kishte dhënë kryetari i partisë së vet, pasi kjo nuk i ishte mundësuar nga kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafa.

Këtë situatë e rizbuloi pak ditë më parë edhe letra publike që kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili i drejtoi kreut të komisionit, Xhafa, duke i kërkuar shpjegime zyrtare se çfarë po ndodhte me propozimet e reja për reformën në drejtësi.

Këto histori të shkuara nuk të lënë shije të mirë dhe aq më pak i bëjnë mirë një koalicioni qeverisës dhe këto mund të shpjegojnë më mirë se pse kemi mbërritur deri këtu, ku nuk e merr vesh i pari të dytin, edhe pse 20 vite më parë ia kishim dalë më së miri.

Please follow and like us: