Albspirit

Media/News/Publishing

Narina Fico dhe historia e saj amerikane

Personazh në librin “Zonjat shqiptare në Nju Jork “

nara Amerika është vendi ku njeriu mund të arrijë çdo gjë me punën e tij, me ndershmëri dhe duke respektuar ligjet. Amerika është vendi i mundësive, vendi i lumturisë, është vendi i realizimit të ëndrrave, thotë Narina Fico në këtë intervistë. Në fillim punoi si përkthyese me grupe të ndryshme që vinin në SHBA për t’u specializuar nga World Learning Inc, me qendër në Uashington D.C. Pastaj ka punuar si sekretare në Fondacionin “Vendlindja Thërret”, ku  u mblodhën sasi të konsiderueshme me ndihma nga bashkëatdhetarët për të mbështetur luftën e Kosovës. Ka punuar si mësuese në Nju Jork, në shkollat shtetërore dhe është nderuar shumë herë me awarde nga Bordi i Edukimit të Nju Jorkut. Narina Fico, ka dhënë mësim në kurse të ndryshme për të huajt në mësimin e gjuhës angleze dhe qytetarinë amerikane.Mbasi mori master  De Gree, ka punuar si  pedagoge në Universitetin “Globe College” . Puna në këtë universitet i ofroi kontakte me njerëz të ndryshëm nga shumë shtete të botës, mes të cilëve edhe shqiptarë. Në “Globe College”,Narina Fico, ka dhënë lëndët e Analizës dhe Kërkimit, Fjala Publike dhe Karriera, Gjuha Angleze dhe lëndë të tjera. Në kohën e lirë i pëlqen të lexojë, të shkojë në shfaqje të ndryshme në Metropolitan Opera, në koncertet sinfonike që jepen në “Karnegi Hall”, në shfaqjet e Brodueit, kampionatet e tenisit që zhvillohen në Nju Jork dhe në botë. Por më shumë se gjithçka i pëlqen të kalojë pushimet në udhëtime, me vapor dhe të vizitoj vende të ndryshme të botës. Kur njeriu punon me ndershmëri dhe përballon shpenzimet e jetesës, atëherë kërkon ta gëzojë më tepër jetën, i lirë dhe i lumtur, thotë Narina.

Ju jeni lindur në një familje intelektuale në Tiranë dhe për shumë vite keni punuar si mësuese e shkollës së mesme për gjuhën shqipe dhe gjuhën ruse dhe si pedagoge në Universitetin e Tiranës. Çfarë do të kujtonit nga kjo periudhë?

Si mësuese kujtoj se kam patur nxënës dhe studentë të zellshëm të cilët vinin në shkollë të përgatitur dhe me etje për të mësuar dhe respektuar mësuesit e tyre. Kujtoj interesin e madh të prindërve për fëmijët e tyre dhe ndihmën e pakufishme që jepnin në shkollimin e këtyre të fundit. Në atë periudhë kishte një lloj besimi dhe respekti të veçantë për mësuesin si misionar i një jete më të mirë. Përkushtimi im ka qenë i jashtëzakonshëm duke dhënë gjithmonë maksimumin e aftësive pedagogjike që nxënësit apo studentët të arrinin rezultate sa më të larta dhe të bëheshin të aftë të përballonin sfidat e jetës. Shembulli i mësuesit ka një influencë të jashtëzakonshme tek nxënësi prandaj dhe figura që unë kam dashur gjithmonë të përfaqësoj ka qenë ajo e një mësuesi-prind, që jep gjithçka për fëmijët e tij. Për një kohë të gjatë kam punuar mësuese në shkollën Ismail Qemali në Tiranë. Më vonë u emërova pedagoge në Fakultetin Filologjik në Universitetin shtetëtor të Tiranës, pasi në shkollën e mesme ku jepja mësim vinin për praktikë studentët e universitetit me pedagogët e tyre, ku gjenin mësimdhënien time më të mirën nga shkollat e tjera të mesme të kryeqytetit. Mbas shumë viteve në universitet,në periudhën e errët, ‘të luftës së klasave“, në  Shqiperi, preteksti që më larguan nga univeristeti u gjet. Ishte gjyshi im Rauf Fico. Ai kishte qënë themelues i Shqipërisë së pavarur, këshilltar i parë i Ismail Qemalit, ku vuri bazat e adminstratës shqiptare . Pjesmarrës në Kongresin e  Manastirit, nismëtar kryesor i Kongresit të Lushnjës, me iniciativën e tij u hap e para , Strehë Vorfnore, i pari gjimnaz dhe i pari spital. Gazeta “Poster Lloyd”, shkruan: “Ministri shqiptar është njeri me kulturë të rrallë në përmasa europiane, një nga diplomatët më të aftë dhe më të shquar”. Ditët e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, ai ishte ministër fuqiplotë në Berlin dhe ishte i vetmi që në emrin e tij personal , i paraqiti Hitlerit një protestë të ashpër për pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste. Kthehet i dëshpëruar në atdhe dhe me hyrjen e trupave gjermane në Shqiperi e internuan në Itali. Regjimi komunist, meqënëse nuk mund të gjente asnjë njollë për gjysëm  shekulli, e dënoi këtë patriot me mjegullën e cmirës, të frikës, me armën e heshtjes, në një kohë kur bota e qytetëruar e cilësonte , atdhetar, shtetar, diplomat të rrallë duke e kishte nderuar me dhjetra urdhra dhe medalje që sot gjënden në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Mua si mbesa e tij, më larguan, nga Universiteti shtëtëror i Tiranës.

Si do ta përcaktonit sistemin arsimor të asaj periudhe në Shqipëri?

Pavarësisht regjimit totalitar që drejtonte vendin tone, në ato vite unë mendoj se arsimi në Shqipëri, ka pasur një zhvillim .U hapën jo vetëm shkolla profesionale,arsimi shkoi dhe në zonat më të largëta malore,u hapën shkolla artistike dhe universitete. Kjo, i dha një zhvillim shoqërisë dhe megjithëse shumë nga tekstet ishin të mbushura me fraza ideologjike, komuniste, përsëri bazat e shkencave dhe kulturës në përgjithësi jepeshin për brezin e ri. Ishte fillimi i një procesi arsimimi i cili vazhdon edhe sot dhe do vazhdojë derisa ne të arrijmë në nivelet e duhura me vendet e tjera të Evropës. Kjo kërkon punë dhe përkushtim po këto nuk i kanë munguar asnjëherë studentëve shqiptarë të cilët e kanë treguar se nëse kanë terren të përshtatshëm, me bazat e shëndosha që kanë marrë në atdhe, arrijnë të shkëlqejnë në fushat e tyre kudo në botë.

Çfarë vendi zinte Amerika tek ju kur jetonit në Shqipëri dhe si u ndjetë kur fati ju çoi për të punuar atje?

narina Amerika ishte vite më parë dhe është edhe sot vendi më i përparuar dhe më demokratik në planet. Nuk e kisha menduar kurrë se një ditë do të vija në SHBA. Kisha dëgjuar babanë tim, Dr. Ing.Çefo Fico të më fliste me admirim për Amerikën dhe nënën time Mebehet Fico, e cila kishte studiuar në shkollën Kiriaz, një shkollë që bazohej në sistemin amerikan. Gjatë viteve, më ranë në dorë disa revista amerikane dhe kisha ndjekur ato pak emisione televizive që bënin fjalë për Amerikën. Unë isha mrekulluar me të gjitha këto dhe ky vend u kthye për mua në një ëndërr, pavarësisht nga propaganda negative që bëhej kundër SHBA. Natyrisht që mendoja se sa të lumtur duhej të ishin njerëzit që jetonin në këtë vend, dhe fati e solli ta prekja realitetin me një lloj mahnitjeje. Në fillim nuk e besoja se isha unë, ajo që po vizitoja monumentin e famshëm “Statujën e Lirisë”, që shëtisja në sheshin “Time Square”, vizitoja Muzeun Metropolitan të Artit, Qendrën Rokfeler e të tjera mrekulli të Nju Jorkut. Ndihesha vërtetë e lumtur.Përpara meje ishte hapur një jetë e re e jashtëzakonshme. Ndieja lirinë e veprimit dhe të mendimit në një vend plot mundësi për të përparuar.

Që të punosh si mësuese në SHBA duhet më parë të kryesh studimet universitare. Si arritët ju të përfshiheshit në jetën akademike?

Kur erdha në SHBA, kisha njohuri të plota rreth gjuhës angleze, gjë e cila më ndihmoi shumë. Unë punoja dhe njëkohësisht jepja provimet. Mbas dhënies se provimeve, mora ekuivalencën e provimeve dhe u emërova mësuese në fushën e arsimit në shkollë shtetërore. Megjithatë vazhdova punën time kualifikuese dhe me marrjen e diplomës Master DE Gree, në mësimdhënie. Kjo më dha mundësinë të jepja leksione në një nga universitetet e Nju Jorkut. Amerika është vendi i mundësive, vendi i lumturisë, është vendi i realizimit të ëndrrave.

Në karrierën tuaj në Nju Jork përfshihet dhe pozicioni si pedagoge në “Globe College”. Si e kujtoni atë periudhë?

Në fillim kam punuar si përkthyese me grupe të ndryshme që vinin në SHBA për t’u specializuar nga World Learning Inc, me qendër në Uashington D.C. Pastaj kam punuar si sekretare në Fondacionin “Vendlindja Thërret”, me anë të të cilit u mblodhën sasi të konsiderueshme me ndihma nga bashkëatdhetarët për të mbështetur vëllezërit tanë gjatë luftës së Kosovës. Kam punuar si mësuese në Nju Jork, në shkollat shtetërore dhe jam nderuar shumë herë me awarde nga Bordi i Edukimit të Nju Jorkut , sikurse kam dhënë mësim në kurse të ndryshme për të huajt për mësimin e gjuhës angleze. Të drejtën për të punuar si pedagoge në Universitetin “Globe College”, e fitova pasi mora diplomën Master. Puna në këtë universitet me ofroi kontakte me njerëz të ndryshëm nga shumë shtete të botës. Në “Globe College”, kam dhënë lëndët e Analizës dhe Kërkimit, Fjala Publike dhe Karriera, Gjuha Angleze dhe lëndë të tjera.

Cili është ndryshimi mes sistemit arsimor amerikan nga sistemi arsimor shqiptar?

Sistemi arsimor në Shqipëri përpara vendosjes së pluralizmit ishte mbi baza ideologjike. Asnjëri nuk kishte të drejtë të shprehte mendimin e tij dhe seicili duhej t’i bindej dogmave të caktuara komuniste dhe si rrjedhojë dhe arsimi ishte i diktuar nga këto dogma. Nxënësit për pasojë ishin të detyruar të mësonin njohuri të përcaktuara e të dëgjonin në mënyrë pasive mësuesit e tyre.Këta të fundit në përgjithësi nuk e zinin vendin e punës sipas aftësive, por caktoheshin në mënyrë arbitrare nga Ministria e Arsimit. Në Amerikë, edukimi është i hapur për të gjithë, kushdo mund të vazhdojë universitetin, nuk ka kufizime. Qëllimi bazë i shkollës amerikane është përgatitja e studentëve për të qenë qytetarë produktiv  dhe të vlefshëm për shoqërinë. Mësuesit i ndihmojnë studentët që të zhvillojnë cilësitë akademike interpersonale dhe njohuritë e tyre në mënyrë që të kontribuojnë në ambientin e punës dhe të marrin pjesë si qytetarë të shoqërisë demokratike.Njeriu në SHBA e gjen vetë vendin e punës që i përshtatet më mirë profesionit të tij, zgjedh shtetin dhe qytetin ku dëshiron të jetojë, paraqet CV e tij dhe shkon në intervistë. Në qoftë se ka përgatitjen e duhur dhe zotësi profesionale për punën që kërkon, ai arrin ta marrë vendin e punës për të cilin synon. Problemi më i vështirë është si ta mbash atë vend. Duhet përgatitje e mëtejshme, specializime të vazhdueshme në teknologjitë e reja dhe metodat e reja të punës, korrektësi dhe rezultate gjithnjë e më të larta. Nxënësit janë njësoj në çdo vend të botës, ata vijnë në shkollë për të mësuar, por metodat që përdor mësuesi në SHBA, strategjitë, librat, mjetet figurative, teknologjia janë më të avancuara. Këtu nga nxënësi kërkohet një pjesëmarrje aktive në mësim e cila e nxit atë të mësoj më shumë dhe e ndihmon në lidhjen me jetën reale. Nga nxënësi kërkohet që ai të mendojë në mënyrë kritike dhe krijuese.Nxënësit në klasë bëjnë projekte të ndryshme, së bashku me mësuesin. Ata bëjnë paraprakisht planin e punës, qëllimet, vendet ku do t’i përqëndrojnë kërkimet  p.sh.,në biblioteka, muzeume, të dhënat komjuterike, dhe më në fund i paraqesin përfundimet përpara klasës. Vlerësimi i punës kryesisht bëhet nga vetë nxënësit.Të gjithë marrin pjesë në vlerësimin e punës së kryer nga çdonjëri prej tyre.Kjo mënyrë i përgatit nxënësit më mirë për të ardhmen.Nga ana tjetër, nga mësuesi në SHBA kërkohet që të jetë model për studentët, të ketë përgatitje serioze dhe kërkesë të lartë për lëndën që shpjegon.Detyra e mësuesit është të rrisë standardin dhe nivelin kulturor të studentëve të tij.

Keni punuar në Qendrën e Edukimit që financohet nga Bordi i Edukimit të Qytetit të Nju Jorkut…

Si e theksova, shteti amerikan ndihmon në edukimin falas të qytetarëve. Për këtë qëllim hapi i pare është të mësuarit e gjuhës angleze. Në qytetin e Nju Jorkut ka plot shkolla me pagesë për të mësuar anglishten, po për ata persona që nuk kanë mundësi të paguajnë për arsye se ende nuk punojnë, shteti në këtë rast ve në dispozicion të tyre shkolla falas. Studentë të moshave të ndryshme mësojnë anglisht falas, bëjnë kurse profesionale falas dhe në shumë raste vazhdojnë universitetet falas. Kjo është një ndihmë  shumë e madhe që u jepet emigrantëve, për të patur një të ardhme të sigurtë e të lumtur. Unë kam vite që punoj në këto shkolla si mësuese e gjuhës angleze, dhe ndjehem e lumtur që me anë të punës time, kam ndihmuar shumë bashkatdhetarë për t’u përgatitur . Duke qenë në kontakt me ta, jam përpjekur që t’i ingranoj me jetën dhe kulturën amerikane duke organizuar eskursione në vendet historike dhe qytetet kryesore të SHBA-së si në Nju Jork, Uashington, Filadelfia,Nju Xhersi etj. Kemi organizuar çdo vit, për familjet shqiptare së bashku me motrën time, pianisten Hermira Gjoni, festimin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë të atdheut tonë. Në këto festime kanë marrë pjesë artistë të njohur shqiptarë dhe kanë mbajtur fjalime intelektualë dhe figura të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan.Të gjitha këto aktivitete kanë qenë falas për bashkatdhetarët tanë,  si mbështetje për kulturë e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Cila është koha e lirë e Narinës?

Në kohën e lirë më pëlqen të lexoj, të shkoj në shfaqje të ndryshme në Metropolitan Opera, në koncertet sinfonike që jepen në “Karnegi Hall”, në shfaqjet e Brodueit, ndjek kampionatet e tenisit që zhvillohen në Nju Jork dhe në botë. Por më shumë se gjithçka më pëlqen të kaloj pushimet në udhëtime, me vapor, e të vizitoj vendet e ndryshme të botës. Kur njeriu punon me ndershmëri dhe përballon shpenzimet e jetesës, atëherë kërkon ta gëzojë më tepër jetën, i lirë dhe i lumtur. Kur jetoja në Shqipëri, në vitet e izolimit, ishte e ndaluar të lexoje shtypin e huaj e jomë të vizitoje vendet e botës, qoftë edhe shtetet “socialiste” në atë kohë. Më kujtohet se sa herë më binte në dorë ndonjë gazetë apo revistë nga bota Perëndimore që ishte botim i një muaji të shkuar apo edhe një viti, ndihesha e lumtur se kisha shuar kuriozitetin tim me shkrimet që lexoja për vendet e ndryshme. Tashmë e mendoni vetë sesi ndihem pasi kam vizituar gjitha këto vende, kam parë shtetet më të bukura të Amerikës, Meksikën, kam vizituar Italinë, Francën, Spanjën, Gjermaninë, Anglinë, Rusinë e deri tek Emiratet e Bashkuara dhe ëndërroj të shoh vende të tjera dhe të vizitoj gjithë botën.

Ju keni punuar shumë me shqiptarët. Si do t’i përcaktoni ata si komunitet në SHBA? Po fëmijët shqiptarë të cilëve ju u keni dhënë mësim si do t’i përcaktonit?

Shqiptarët janë të zgjuar, të talentuar e punëtorë. Shqiptarët kanë arritur që në SHBA të zenë poste të rëndësishme kudo, duke fillua nga fusha e politikës, shkencës artit dhe kulturës.Por mendoj se mbetet akoma shumë për të bërë që të ndihemi më të bashkuar si komunitet, të bëjnë më tepër për njëri-tjetrin dhe të shfaqin akoma edhe më mirë vlerat e tyre. Fëmijët shqiptarë janë nga më të dalluarit në shkollat amerikane.Në tabelat e nderit, në shkolla të ndryshme, gjen gjithmonë emrat e fëmijëve shqiptarë. Sekreti është se familja shqiptare ruan traditat e saj. Fëmijët shqiptarë falë rezultateve shumë të mira arrijnë të marrin bursa studimi për të vazhduar universitetet si nga shteti ashtu dhe nga universitetet private, sepse ata shkëlqejnë në mësime.

Çfarë është Amerika për ju? Si do ta përcaktonit si vend?

Amerika për mua është vendi më demokratik i botës, Amerika është vendi ku njeriu e ndjen se është i barabartë me çdo njeri tjetër dhe gëzon të njëjtat privilegje e të drejta si çdo qytetar tjetër.Amerika është vendi që të lejon të shprehësh mendimin tënd kudo e kurdoherë pa pasur asnjë pasojë. Amerika është vendi i njerëzve që vijnë pa asnjë para në xhep dhe brenda 10 vitesh i kanë paguar të gjitha borxhet me punën e tyre dhe kanë blerë shtëpi, kanë hapur biznesin e tyre e janë bërë të kamur, ose kanë mbaruar një shkollë e kanë siguruar një jetë normale e të lumtur për veten dhe për familjen. Amerika është vendi i përparimit, vendi i mundësive, vendi i realizimit të dëshirave dhe ëndrrave.

Po Shqipëria sa jeton ajo në kujtimet tuaja?

Shqipëria është në qelizat, në zemrën dhe gjakun e çdo shqiptari.Kudo që të jesh ti, je shqiptar.Krenohesh me sukseset vendit tënd dhe vuan kur dëgjon gjëra të papëlqyera për të. Megjithatë Shqipëria ka një forcë të mahnitshme dhe mbetet në shpirtin e njeriut derisa ai  të ketë frymë.

Si e shihni rolin e gruas shqiptare sot në  shoqëri ?

Sot gruaja është shndërruar në një udhëheqëse sociale, ekonomike dhe kulturore. Shumë gra, kanë mbaruar universitete dhe kanë marrë tituj pasuniversitarë. Gruaja është bërë më e pavarur  dhe e sukesesshme në biznese të ndryshme. Ajo është sot më e fortë, më e fuqishme dhe më me influencë dhe pjesmarrëse  në jetën politike.

/Flora Nikolla/

Please follow and like us: