Albspirit

Media/News/Publishing

Dy rrugët e Kol Idromenos

Personazh i çuditshëm, poliedrik dhe njëkohësisht i pashkollë, amator e mjeshtër i shumë fushave e novator, Kolë Idromeno do të imponohet si figura ma përfaqësuese e artit shqiptar të fundit të shekullit XIX dhe e fillimit të shekullit XX. “Dy rrugët” quhet ekspozita e cila do të hapet në hapësirat e Muzeut “Marubi” në Shkodër, kuruar nga Adrian Paci, e cila do të sjell një këndvështrim ndryshe të figurës së Kol Idromenos. Kjo ekspozitë nuk merr përsipër të analizojë të gjithë spektrin e aktivitetit të Idromenos por, duke u nisë nga një zbulim i fundit në arkivën e Muzeut Marubi, vendos përballë një seri fotografike me pikturën e tij të mirënjohun “Dy rrugët”.Kolë Idromeno ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant, e kompozitor këngësh shkodrane. Gjithashtu ishte dhe fillimtari i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri, 1919. Ai konsiderohet si një prej piktorëve më të mëdhenj të Shkollës Shkodrane të Arteve Pamore sëbashku me piktorin Ndoc Martini dhe Simon Rroten. Familja e tij, ishte një nga familjet më të njohura të Pargës në Çamëri. I ati i tij, Arsen André Idromeno, kishte ardhur në qytetin verior prej ishullit Hidro(Hithër) ku jetojnë arbëreshët e Greqisë, ai i përkiste komunitetit ortodoks të qytetit të Shkodrës, ku u martua me Roza Saraçin, nga një familje qytetare shkodrane. Arsen Idromeno ushtronte profesionin e marangozit, ku e ndihmonte dhe Kola i vogël, sidomos duke i zbukuruar orenditë prej druri me vizatime. Më vonë djali mori mësime për vizatim pranë fotografit të njohur të qytetit, Pietro Marubi, i cili pasi dalloi tek nxënësi aftësi të veçanta, e këshilloi të atin ta dërgonte djaloshin për studime jashtë vendit. Këshilla e fotografit u pranua menjëherë, dhe djaloshi në moshen 15-vjeçare në 1875, filloi studimet për pikturë në Venecje të Italisë ku njihet nga afër me veprat e rilindasve si Civeli, Montegnas, Gentili, etj.; ku vazhdoi mësimet vetëm për dy vjet. Pas kthimit në vendlindje, Kola, përveç pikturës që e ushtronte pandërprerë, po e tërhiqte edhe fotografia që e shihte me kënaqësi në studion e Marubit.

Në studio në atë kohë punonte si ndihmës një djalosh zadrimor, Mati Kodheli, me të cilin Kola u miqësua shpejt, por për një kohë të shkurtër, sepse më 1881, ai vdes. Theksojmë se në këtë periudhe u ngjiz miqësia ndërmjet familjeve Marubi dhe Idromeno që vazhdoi për një kohë të gjatë. Kol Idromeno i firmoste veprat e tij Nikolla Idromeno. Në 1878 i bashkohet lëvizjes patriotike të Lidhjes së Prizrenit, pra kur flasim për Idromenon nuk flitet vetëm në rrafshin e një artisti por edhe një patrioti të madh që aspironte pavarësinë e Shqipërisë.

Vendin e tij për një farë periudhe e plotësoi Idromenoja i ri që thithte shumë të fshehta të profesionit nga mjeshtri italian që gjithësesi nuk ishte “koprac” në ndihmën ndaj të rinjëve. Duke parë aftësitë e të birit në lëmë të fotografisë, Arsen Idromeno, vendosi të hapi edhe ai bashkë me të birin një atelie fotografike. Punën në të e drejtonte dhe e përballonte vet Kola i cili çfaqi pasion dhe zell të madh si artist dhe teknolog në proçeset e fotografimit. Gjatë punës si fotograf, Kola, bën lidhje miqësore me shumë njerëz të të gjitha shtresave, duke u bërë kësisoj njeri i njohur në qytet. Ndërkohë studioja e ngritur në vitin 1884, u quajt me një emër fare shqip “Dritëshkronja e Kolës”, emër që më vonë u huazua edhe nga Marubi që emërtoi atelien e tij “Dritëshkrojetoria Marubi”. Viti 1888 i rezervon një nga dy ngjarjet tragjike që do i ndodhin në jetë: i vdes djali dy vjeçar, i vetmi fëmijë i tij. Dy vjet më pas, 1890, vdes motra e dashur Tone, 31 vjeçare. Kola tanimë punon kryesisht në dy fusha, pikturë dhe fotografi të cilat duke qënë brendëzuar në artet pamore, drejtëpërdrejt ose tërthoraz, ndihmonin njera-tjetrën.

Kështu për të pikturuar pikturën e njohur “Motra Tone”, Kola përdori dhe fotoportretin që i kish bërë ai të motrës, ndërsa piktura e mësonte të bënte fotografi artistike sa më ndjesore dhe piktorike. E kishte që i vogël pasion pikturën tek ndihmonte të atin gjatë punës. Gjatë 1871-1874 i përkushtohet veprave të para në akuarel, “Portreti i mësuesit”, “E vorfna”, “Baresha”,etj. Vepra të tjera të Idromenos ishin “Pusíja”, “12 luftëtarët e Pargës në lundër”. Në të parën përfaqson një episod nga jeta ndër male, e dyta kujton largimin e parardhsëve nga nga Parga drejt Himarës. Në 2 shkurt 1883 ai realizon portretin e motrës së tij “Motra Tone”, e quajtur edhe “Mona Liza” e Shqipërisë, është vlerësuar si portreti i parë psikologjik e social i pikturës realiste shqiptare i Rilindjes tonë. Motra e tij e veshur me veshjen tradicionale shkodrane është ngulitur në atë vepër arti, me gjithë delikatesën, bukurinë dhe dlirësinë shpirtërore të një femre shqiptare. Në këtë periudhë kemi “Bardhejt” e “Lugu i kaçakeve”. Me këto vepra shpreh dashurinë për natyrën. Vepra tjera janë “Dy rrugët” dhe “Fajda”. Në këto shpreh një nga problemet kryesore të Malësive në të kaluarën: sistemi i fajdes. Kurse me “2 rrugët” përfaqson sipas ideologjisë fetare, dy rrugët kryesore: ferrin dhe parajsën. I ngarkuar nga kleri i kohës, mendohet se punimet e veprës i zhvilloi ndërmjet 1892 e 1894 (1892, sipas konsullit francez Degrande në “Haute Albanie”), pasi e kreu hasi në polemika ngaqë vepra kishte elemente që klerit s’i pëlqyen.

Me një stil të madh në këtë vepër na paraqet jetën reale me difektet dhe veset, shumë të përhapura në shoqërinë e kohës. Mendohet se për këtë vepër autori është influencuar nga poeti italian Dante Alighieri. Në 1898 merr pjesë në një ekspozitë në Budapest dhe në 1923 në ekspozitën e pikturës në Shkodër. Në 1924 mbaron pikturën “Darsma Shkodrane”, ku tregon me realizëm të veçantë lumturinë e vashës që po martohet. Në periudhën 1924-1937 “Zezaku i Beldijes”, me këtë vepër autori shpreh simpatinë për njerëzit me ngjyrë. Një vepër tjetër është “Autoportreti”, “Portret i një fshatari”, “Bariu”, “Fytyrë fshatari” e pikërisht me këtë t fundit prezantohet në ekspozitën e Shkodrës. Piktura e fundit e Idromenos është “Plaku i Postrribës”, ku shpreh situatën ekonomike të fshatit. Kolë Idromeno ka një meritë të madhe në prizmin e pikturës. Risitë që pruri në këtë fushë kanë qenë shumë të rëndësishme, duke ìa nisur me realizmin e nga laicizmi i përfaqsuar si tek “Motra Tone” der tek “Plaku i Postrribës”. Ai fotografonte shumë, e në xhamat dhe celuloidët e tij “ngrijnë” pamje tërheqëse të natyrës shqiptare, të qyteteve dhe fshatrave , njerëz të njohur e të panjohur të tyre, figura të shquara të historisë, por sidomos malësorë, gjithmonë të armatosur me armë brezi të zbukuruara me sedef dhe argjend. Në fotografitë që Idromeno u bënte fshatarëve me veshjet karakteristike krahinore, vërehet ndërthurje e vlerave etnografike me ato artistike dhe estetike. Objektivit të aparatit të tij nuk i kanë shpëtuar edhe shfaqje të ndryshme të grupeve amatore të qytetit verior. Përmendim se në pjesën më të madhë të fotove të Kolë Idromenos ndjehet dhe vërehet sensi i tij i veçantë artistik, një poetikë karakteristike për pikturën e ngjizur nga mjeshtri në masën e duhur në veprat fotografike. Kjo, ndoshta e ka ndihmuar ta arrijë shpejtë nivelin e Pjetër Marubit, madje në disa drejtime edhe ta kalojë atë.

Fotot e para artistike të Kolës datojnë rreth vitit 1886, pra vetëm dy vjet pas hapjes së studios. Të përmendim se në atë kohë proçeset teknologjike të fotografimit dhe stampimit ishin mjaftë të ndërlikuara, dhe, pasi kërkonin shumë mund për tu përvehtësuar, lypnin rreptësi të madhe në zbatimin e rregullave të punës. Në fillim të veprimtarisë së tij si fotograf, Kola ka përdorur proçesin kolodio të shpikur në vitin 1849, më vonë zbatoi teknologjinë me xhama të thatë me bromur argjendi, një mënyrë relativisht e re edhe në Evropë, atje ku kishte lindur fotografia dhe mjeshtrit e saj ishin në garë të vazhdueshme për rezultate sa më të larta në fotografim. Duke qënë profesionist duarartë e me kërkesa të larta artistike dhe teknike, ai porosiste materiale të cilësisë më të mirë që prodhoheshin në vendet më të zhvilluara në lëmë të fotografisë. Ndihmë në këtë drejtim i jepte edhe shfrytëzimi me aftësi i literaturës së huaj profesionale, të cilën e konsultonte rregullisht. Ndriçimit qoftë për arsye teknike, e po ashtu edhe estetike, Kol Idromeno i kushtonte një vëmendje te veçantë.

Për ndriçim, ai përdorte si përgjithësisht të gjithë bashkëkohësit, kryesisht dritën natyrore diellore, dhe shumë rrallë dritë artificiale të përftuar nga disa llamba vajguri. Edhe në këtë pjesë të rëndësishme të punës, në sajë të pasionit, ishte tepër i kujdesëshëm. Si fotograf “Burra nga Mirdita”, “Dy djelmoça nga Prekali”, “Nji grua nga fshati” janë veprat më të mira të tijat. Kol Idromeno, me emrin Nikollë, përmendet edhe në disa botime ndërkombëtare me karakter tregtar dhe publiçistik së bashku me Pjetër Marubin si fotografët e vetëm të Shkodrës, por edhe të gjithë Shqipërisë tek të cilët duhet të drejtoheshin të huajtë që do të kishin nevojë për njohuri mbi këtë vend të vogël të Ballkanit. Një numër i madh i fotografive të Idromenos, janë shtypur dhe qarkulluar si kartolina brenda dhe jashtë Shqipërisë, por këto të fundit si shpesh herë me vepra shqiptare, pa autorësi. Nuk na çudit fakti që në vitin 1911 përgatit flamuj shqiptare për kryengritjen e madhe të atij viti që shpertheu në veri të vendit. Duke vërejtur me përfilljen e duhur pjesë nga veprimtaria fotografike e Kol Idromenos, dallon menjëherë kërkesat e larta artistike me një ndjenjë të veçantë fisnikërie dhe shpirtëmadhësie. Jo rrallë ato kanë nje ngjyrosje të pazakontë piktorike që i bënë mjaftë tërheqëse për dashamirët e fotografisë natyrisht, por edhe admiruesit e artit në përgjithësi.

Kështu me lëmin e madh të prurjeve fotografike, por sidomos me cilësinë e tyre të mënjëanëshme, Kol Idromeno, pamëdyshje, hynë me të drejtë në kupolën e artë të fotografisë shqiptare krahas Pjetër e Kel Marubit, Kristo Shulit, Petro Korçarit, Kristaq Sotirit, Shan Picit, Vani Burdes etj.që me veprat e tyre kanë bërë historinë e saj në vite. Një tjetër fushë ku spikat gjenia e tij është arkitektura. Duhet të llogariten rreth 60 ndërtime private e publike që janë projektuar nga dora e tij. Gjatë sulmit të Shkodrës nga malazezët ka bërë disa ndërtime në qendër që i dhanë një fizionomi të ré qytetit. Rruga e Fushë-Çelë që vazhdon për në lindje me Dugajt e reja, kanë krijuar rrugën muze në qëndër të qytetit. Projekte të tjera i përkasin ndërtimit të shtëpive, të rrugëve, si për shembull “Branko Kadia”, vila Shiroka, Kafe Adriatik, etj.

Please follow and like us: