Albspirit

Media/News/Publishing

Mira Kazhani: Ju, hipokritë, që vdisni për komshien dhe mallkoni Elvisin

Para tre vjetësh isha kurioze të shihja se çfarë ndodh në një xhami dhe një të premte, në orën e faljes, shkova tek xhamia ku predikon Imam Naçi, ajo pranë Shkollës së Baletit, në kryeqytet. Veç faktit që u befasova nga prania e pazakontë e djemve të moshës 20 deri në 35 vjeç, veshur me xhinse të ngushta, atlete e bluza me marka të shtrenjta dhe pak stil “Noizy”, vajzave të bukura që këndonin si mes pëshpëritjesh lutjet, të ulura në gjunjë, asgjë tjetër as mora vesh dhe as më pëlqeu. Heqja e këpucëve tek dera si në fshatrat e kohës së shkuar, larje këmbësh e duarsh, shumë njerëz, vapë dhe sidomos nuk u ndjeva mirë duke vënë një shami që nuk ishte e imja por që dikush ma dha aty. Të gjitha gratë luteshin. Para meje dy vajza, jo mbi 23 vjeç, me fytyra ëngjëllore dhe lëkurë si delfin… Ndërsa ato luteshin, mendoja si kishin ardhur deri këtu. Lëvizjet e tyre perfekte, sidomos në vendosjen e shamisë, më hutonin.

Shamia, për informacion, më pëlqen shumë si pamje dhe ndjesi. Ndoshta në një jetë të dytë do provoja të jetoja me të, por në ketë të parën jam mirë kështu. Kur ika, mendova se nuk do të kthehem më dhe ende nuk jam kthyer për ta riprovuar lehtësimin që thonë së vjen nga falja. Atë ditë Imam Naçi foli për tolerancën dhe bëri thirrje për harmoni në shtëpi. Një gjë ishte e sigurt: ai ishte (dhe është) një orator i shkëlqyer! Edhe pak si imam trendy dhe e ndihmojnë në këtë pikë edhe tiparet e bukura si të një sportisti. Tani e ndjek në Instagram dhe sa herë botojmë një lajm rreth tij dhe familjes së tij të bukur, kam vënë re që është edhe i klikuar. Ndoshta tipa si ata djemtë dhe vajzat që pashë të premten e dy verave të shkuara!

E kam takuar në një festë Bajrami në “Top Channel” imamin, me të cilin pas mbylljes së programit kam bërë një copë bisedë. I tregova vizitën time kurioze, bashkë me shijen misterioze as pro as kundër ndaj faljes në xhami. I shpjegova motivin kryesor që ndërtoi tek unë një mur të vockël- mungesa e një komunikimi më personal me Zotin – refuzim që kishte goxha arsye e justifikim brenda. Imami e ndoqi rrëfimim tim thjesht duke më dëgjuar, pa e komentuar dhe më tha se nuk i dihet, mbase do doja të shkoja prapë ndonjë ditë. Nuk kam shkuar dhe nuk besoj se do të ndodhë!

Tani, pse mendoj që rrjeti nuk është i sinqertë kur irritohet me deklaratën e Imam Elvis Naçit!

-Pikë së pari,  këto temat për fenë janë gjithmonë nxitëse për sherr, sidomos kur bëhet fjalë për myslimanët. Pse në rrjet nuk shpërthen alergjia kur dëgjojmë për priftërinj pedofilë? Raste që janë dënuar edhe nga Papa. Meqe ra fjala, Papa Françesku është një personazh aq i dashur tashmë dhe ndoshta një makinë propagande dhe zgjedhjeje aspak në tym, edhe pse me tymin e bardhë vjen çdo papë i ri. Unë jam fanse e tij!

Të gjithë klerikët janë sot në pozita delikate, kur vjen puna tek komunikimi me besimtarët e tyre dhe bashkëjetesa me skeptikët apo kundërshtarët është një sfidë në kohërat e rrjeteve sociale. Shumë përgjigje që nuk i merr nga Zoti ose shtëpitë e ndryshme të tij në tokë, bota i merr online! Si imami shqiptar, që po shënjestrohet prej gati 48 orësh nga komentuesit e panumërt, të cilët janë irrituar nga deklarata e tij, ku thotë se ka rëndësi që gruaja ta presë e bukur burrin në shtëpi, sepse ndryshe burri kërkon tek gra të tjera bukurinë e munguar. E vërtetë, sa bota! Me pak fjalë, imami lë të kuptojë se përgjegjëse për tradhtinë janë gratë, që e lëshojnë veten dhe burrat (si qeni, siç thonë gjyshet) kërkojnë gjetkë mishin.

 Me imamin ndoshta nuk jam e lumtur, por nuk jam as me nerva e as kundër.

Ja pse: Kemi një jetë që e dëgjojmë devizën: po nuk e mbajte veten, burri sheh të tjera, se shoku qenit, aman! Na e kanë thënë tezet, hallat, gjyshet, shoqet njëra-tjetrës, kunata-kunatës dhe shokët-shoqeve. Imami nuk ka thënë asgjë të re mbi dhe. Thjesht ka pranuar faktin se ka shekuj që pranohet se burrit i lejohet gjithçka. Kur keni dëgjuar ju hipokritë të online-it, që po ju dhemb kaq shumë barku për gratë? Kur ka ndodhur që në një histori, dramë apo tragjedi, të jetë gjykuar burri? Kur keni dëgjuar ju të turpërohet një burrë se ka dashnore? Gjithmonë gruaja është k….a! Ju që nuk lini asgjë pa thënë e bërë kundër grave. Ju që në statusin e para 10 orëve jeni duke fajësuar një grua, që sipas jush nuk është e ndershme, se ka pasur këtë dhe atë burrë. Nuk ka rëndësi nëse nuk të ka bërë ty keq. Nëse është e zonja apo e suksesshme. Ju e shihni gruan në krevat dhe nga krevati. Madje ky për ju është defekti i saj. ndërsa burrat nuk i shihni nga krevati. Ka shekuj që merret e mirëqenë shkathtësia mashkullore. Ata janë të zotë, gratë janë amorale për të njëjtën arsye që mbart një fjalë e vogël: krevat! Një fjalë e vogël dhe komode.

Nuk ju shkon ky solidaritet. Stonon shumë në pjesën dërrmuese. Është e përgjithshme, e vjetër, një mal i madh që nuk çahet kjo historia “burrit i lejohen të gjitha”. Ju të gjithë mendoni si imami, po sot e dje keni bërë kot, se thjesht ju volit për të sulmuar një mysliman, ngaqë është bërë e udhës dhe model.

Sa për burrat, nuk besoj se pritët imamin t’ua thotë. Tradhtarë grash të bukura dhe të shëmtuara -zonja gra të mesme- të forta dhe të dobëta. Në raste shumë të rralla sytë na kanë parë çifte nga ata që i ngjajnë përrallës së bukur kristiane: Derisa vdekja të na ndajë! Madje, sot, më shumë sesa kurrë, burrat i duan gratë afër dhe pa i dashur. Ku i patë këta burra që po lënë gra dhe po ikin pas së bukurës? Po çështja nuk është pse burrat tradhtojnë dhe pse nuk tradhtojnë. Këtë s’e gjejnë as filozofët më të mirë bashkë, se edhe burrin që tradhton ta pyesësh, nuk e di përgjigjen. Sot përgjigje kanë vetëm hipokritët e rrjeteve sociale. Ju që bëni sikur po na mbroni sot nga një imam që ka thënë atë që mendon dhe fundja brenda fesë e besimit të tij është treguar modern. Ju ka thënë grave: vini buzëkuq. Bëhuni të bukura. Atë që të gjitha gratë duan të bëjnë me burrat e tyre. Nuk njoh ndonjë grua që nuk e ka këtë problem. Edhe femrat më të bukura para një takimi pyesin shoqen: hë, si të dukem? A jam e bukur?

Nuk besoj që nuk i këshillon burrat që të jenë të pastër, të bukur dhe të butë e jo të dhunshëm. Është shumë e rëndësishme që të mos i nxjerrim nga konteksti disa mesazhe. Një retorist që flet e flet, ka dhjetëra mesazhe.

Imagjino sikur të analizonim çfarë shkruhet sot online. Mënxyra që nuk t’i mban as shpirti, as rruga deri në xhami, as deri në kishë, as deri në sinagogë. Më shumë se kurrë na duhet një zot. Një zot që të na shpëtojë nga kjo hipokrizi endemike që të prish stomakun. Lërini burrat dhe gratë ta zgjidhin vetë dashurinë e tradhtinë. Të dyja janë shpesh herë simotra, po aq shpesh rivale. Jeta nuk ka qenë kurrë perfekte, por gënjeshtra gjithmonë vjen me lustrën e saj! Sonte mos harroni: vishni një këmishë të bukur për burrin që doni, nëse e keni. Unë për vete nuk vishem kurrë vetëm për vete! Mbase jam demode! /Tiranapost/

Please follow and like us: