Albspirit

Media/News/Publishing

Ida Nurçe: Më mbushet shpirti, kur shkruaj për të

 

 

 

Ndodh ndonjëherë, që të kap një ndjenjë vetmie. Dëshiron të flasësh me dikë. Të zbrazesh. Por shpesh ndodh, që të gjesh njeriun e gabuar. Kurse unë qahem te babi. E di që do habiteni, por për mua ai është njeriu te i cili përplasem, sa herë që pesimizmi më zë për gryke.

E ku ka gjë më të bukur se lidhja mes babait dhe bijës?! Askund në botë. Nuk mund ta blesh, as ta shesësh, thjesht një ndjenjë që nuk mund ta përshkruash.

Shkruaj shpesh për të, sepse sa herë përmendet emri i tij, mua më stampohet lumturia në fytyrë. Sytë më shkëlqejnë dhe e mbroj me një fanatizëm të sëmurë, më shumë se e mbroj emrin tim. Është gjithmonë pranë meje, kur kam nevojë të flas me dikë. Është aty, për të më dëgjuar, këshilluar dhe për të më dhënë një dorë dashuri, e cila nuk i shteron kurrë. Është shoku im më i mirë, për të cilin do gjeja gjithmonë kohë, ashtu siç ai gjen gjithmonë për mua.

Edhe kur bota po më përmbyset, ai më thotë “mos e vrit mendjen mor bab, çdo gjë do rregullohet!”

Sepse ai di të jetë pranë meje gjithmonë, kur kam apo nuk kam nevojë. Nuk di të shpreh dashurinë që kam për këtë njeri.

Ahhh mor babush, sa e vogël jam kur shkruaj për ty! Jam po ai gjaloshi mistrec, që kur të thoshte mami të më bërtisje, më thoje “Ida, të bërtita”. A e mban mend kokëmushkën, që sa herë bëja gabime, më justifikoje te mami? Po kur më thoje të bënim gara në vrap, e që gjithmonë më lije të fitoja?! A e mban mend sa bërtisja kur shihja ndeshjet e tua të futbollit dhe që ti sa herë bëje ndonjë gol ktheheshe nga unë duke më përshëndetur me dorë?! Hahaha rrija si majmun në ato shkallë, se isha vetëm unë gocë dhe vetëm zëri im dëgjohej duke bërtit “ai është babi im”.

Sa mall për atë kohë mor bab!

Mos pyesni pse po shkruaj për të! Nuk ka asnjë arsye, thjesht dashuri pa fund dhe kohë e shpenzuar në mënyrën më efektive të mundshme, më mbushet shpirti kur shkruaj për të!

Please follow and like us: