Albspirit

Media/News/Publishing

Katjusha Pogaci: Kur bie shi…

 

Kur bie shi më vjen të qaj
Krejt ndihem si fëmijë,
Jo se dikush më zë në faj
Thjesht ujë e bokërimë.

Atëherë në vjeshtë, në tetor
Kur qielli zë e mbyllet,
E murrët dita tej për tej
Qepur me fill kujtimesh.

Po bie shi, po bie shi
S’është gjë e re, është krejt e vjetër,
Mjegulla ulet mbi çati
S’duket më tej çatia tjetër.

Ashtu si reja përmbi majë
Plot gjëra merr e mbledh në prehër,
Se ç’më ngjason se bukuritë
Nuk janë zhdukur, thjesht janë fshehur.

E marr përdore veten time
Dhe ecim si dy vetë mërguar…
Mos gjejmë lodrat e fëmijëve
A bojë mellani diku shkruar.

Mos gjejmë këngë e nina-nana
Nga kohë që thellë tani kanë ikur,
Trima të mbetur nga përrallat
Ndonjë kandil ende pa fikur.

Por mjegulla shtrihet lëndinë
Pas reve prapë përtej ka re,
Njerëzit e shtrenjtë edhe të mirë
Me xhelozi shumë larg m’i fsheh.

Dhe eci pa fjalë e pa mend
Me flokët erës shpupurisur,
Në ngjyrë të reve flokët bërë
Me ëndrrën hapur e gremisur.

KUR BIE SHI (nga vëllimi “Shkruaj kohën”, 2016)

Gjirokastër, E mërkurë, 13 tetor 2010

Please follow and like us: