Albspirit

Media/News/Publishing

Irma Kurti: Vdekja nuk ekziston përderisa jeton dashuria 

 

 

  • Copëza kujtimesh për këngëtaren Anita Bitri në datën e lindjes së saj

 

 

 

Anita Bitri ishte si një meteor që e përshkon qiellin në mënyrë të shpejtë e të rrufeshme dhe lë në shpirtin e atyre që e shohin, e ndjekin dhe e admirojnë mall e emocion. Shumë shpesh fundi tragjik i një personazhi publik e bën jetën e tyre edhe më tërheqëse e interesante se ç’është në të vërtetë. Por nuk është kështu kur bëhet fjalë për Anitën. Jeta e saj artistike ishte e mbushur me interpretime dinjitoze, me vlerësime e suksese, me kontributin për t’i dhënë më tepër frymëmarrje këngës shqiptare e për të thyer tabutë.

Unë i frekuentova mjediset e Radio – Tiranës dhe studiot muzikore si autore e teksteve të këngëve në të njejtën përiudhë me këngëtaren, pra, në fillimet e karrierës, përpara viteve 90-të. Shkëmbeheshim shpesh, përshëndeteshim e bisedonim, edhe në prani të artistëve të tjerë, dhe ajo që lexoja në sytë e saj ishte një ëmbëlsi e mirësi pafund.

Përpara se të përqendrohem në këngën në të cilën “fatet” tona u takuan, dua të veçoj vështirësitë e dikurshme për të marrë pjesë në festivale në RTSH apo Koncerte pranvere. Sa dyer të mbyllura duhej të hapje me talent dhe këmbëngulje, sa fjalë të kota dhe pengesa që  të prisnin udhën e nisur!

Pak ditë përpara shfaqjes bëhej “tregimi” i këngëve në praninë e personaliteteve të institucionit. Ishte mëse e zakonshme që një këngë, e krijuar dhe e konsoliduar në të gjitha komponentët e saj, e mbrujtur me punë, emocione dhe dashuri të eleminohej dhe atëhere të gjitha sakrificat e ëndërrimet e tua të fshiheshin si me gomë brënda një çasti. I druhesha këtyre “tregimeve”. Rrija pagjumë dhe grumbulloja brenda vetes ankth e shqetësim, por shpesh më mjaftonte të shkëmbeja dy fjalë me Anitën, të perceptoja qetësinë e admirueshme me të cilën e përballonte ajo këtë situatë dhe shqetësimi im tretej ngadalë. Ajo trasmetonte atë qetësi që askush tjetër nuk mundte dot dhe këtë e arrinte jo vetëm përmes interpretimit me mjeshtëri të këngëve.

Udhët tona u takuan tek kënga e titulluar: “Shikomë në sy” të kompozuar nga Osman Mula, me vargje të shkruara nga unë e të interpretuara me mjeshtëri nga dueti Anita Bitri e Frederik Ndoci. Ishte viti 1989. Gjatë takimeve me Anitën në provat e kësaj kënge ajo që më ka mbetur në mëndje është qetësia, mungesa e lodhjes apo nervozizmit, megjithë provat e vazhdueshme. Anita ishte artiste, ajo kishte lindur për këngën dhe e dinte se duhej të punonte shumë për të arritur maksimumin. Kujtoj buzëqeshjen e saj plot dritë, që më shtonte bindjen se çdo gjë do të shkonte më së miri. Kjo ishte dhuntia e Anitës: rrezatonte besim dhe mirësi tek njerëzit që e rrethonin.

“Shikomë në sy” për mua nuk është këngë por drithërimë, nuk është një grusht notash por tufë emocionesh që më përcjellin tingujt e zërave të Anitës dhe të Frederikut. Kjo këngë ma sjell imazhin e këngëtares më të gjallë e më të prekshëm se kurrë.

Duke jetuar larg Shqipërisë më mungonin tingujt e kësaj kënge, freskia, copëzat e kujtimeve që trasmetonte. E kërkoja me insistim në youtube por nuk e gjeja. Nëpër ditë e këndoja nën zë por nuk ishte e mjaftueshme për të më hequr mallin e nostalgjinë. E kërkoja në Radio Tirana por nuk më kujtohej saktësisht viti kur ishte kënduar dhe kjo e bënte më të vështirë identifikimin e saj. Kur e gjeta, gëzimi ishte i papërshkrueshëm, m’u duk se kisha në duar një perlë të humbur.

E kam dëgjuar dhe e dëgjoj me dhjetra herë. E kam adhuruar për të njëqindtën herë zërin e Anita Bitrit si pjesë e rëndësishme e këtij dueti të mrekullueshëm, kam deshifruar edhe buzëqeshjen e saj që çdo herë më thotë: “Vdekja nuk ekziston përderisa jetojnë dashuria e kujtimi”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: