Albspirit

Media/News/Publishing

Brahim AVDYLI: RRUGËT E NDËRDIJES, PËRPLASJA E RALITETIT DHE KONTRADIKTAT E TË VËRTETËS

 

Studim për librin me tregime të shkurtëra “Heroi i rrugës” të Prend Buzhalës,

Botoi  SHB «ROZAFA», Prishtinë 2017.

 

Prend Ndue Buzhala është një autor i njohur në disa fusha të krijimatrisë e të shkrimit letrar: në atë të poezive, kritikave letrare, eseve, studimeve letrare e monografike, vështimeve të ndryshme, të prozës e romanit, të publcistikës historike e kulturore, dhe disa librave të tjerë, të përgaditur për shtyp apo i botimit me bashkautorë. Janë mbi 50 vepra të rendituara deri sot, prandaj të rreket një njeri i mirë i penës e ka të vështirë të shkruajë për disa nga këto vepra. Shkrimtari, kritiku, studiuesi, poeti e prozatori, apo krijuesi i denjë ka një shpirt të mirë dhe të ngritur, i cili, thellë në vetvete, i zien artistikisht të gjitha njohuritë e kësaj bote; e njëkohësisht zëri që lexojmë në këto shkrime, vjen shpesh me lëndën përmbajtjesore mjaft të hidhur e të çuditshme, herën tjetër me zemrën e ndjeshme si të një fëmije, të cilën e shqipton  në prozën e tij, “Mrekullia e shikimit” (faqe 8), derisa po i zbulonte kështu “mrekullitë e shpirtit të mbredshëm”.

Ndërmjet mendimit se a ia qëllojmë kur shkruajmë për një vepër të veçantë të prozës së shkurtër të Prend Buzhalës, “Heroi i rrugës”, kur e lexojmë për herë të parë, gjatë leximit të dytë apo të mëtutjeshëm, i shohim këto shkrime midis prozës poetike dhe prozës moderne, apo siç na thotë, ai kur i kualifikon si “tregime me pak fjalë”, të cilat na e shpalosin postmodernizmin e tij.

Na kujtohet Prof. Dr. Agim Vinca, cili, në veprën e tij “Kurs i teorive letrare”, na thoshte se “Në qoftë se modernizmi e drejtonte vëmendjen nga shoqëria tek individi, domethënë në botën e brendshme të njeriut, postmodernizmi shënon kthimin e vëmendjes kah një realitet i ri”, i cili na është realiteti i veprës së caktuar letrare. “Letërsia postmoderne-thotë Profesori i ynë- pavarësisht nga fakti se a na pëlqen apo jo kjo gjë, ushqehet nga vetja dhe e ka objekt vetveten… Teorija e intertekstualitetit e mohon pikëpamjen tradicionale për ndikimin diçka e palejueshme ose diçka që duhet fshehur nga lexuesit. Për botëkuptimin postmodern, nuk eksiston <origjinaliteti> në letërsi; e gjithë letërsia është <intertekstuale>”.[1]

Pra, intertektualizmi në këto tregime të Prend Ndue Buzhalës shihet prej fillimit e deri në fund të veprës, të cilat na janë “tregime me pak fjalë” dhe e drejtojnë kështu syrin nëpër tema të veçanta të një realiteti të ri të prozës sonë. Është një realitet, i cili në pikat kyçe kudo na përplaset me të vërtetën e hidhur e nuk e di sa na shqetësojnë kontradiktat e jetës sonë të përgjithshme me këtë realitet të ndërdijes. Në vend se të shkruajmë një vështrim të shkurtër për këtë libër tregimesh me pak fjalë, teksti na detyron të shkruajmë një analizë më të gjatë e të thuktë në përqasjet mes realiteti dhe të intertekstualizmit postmodern.

Kur e potencojmë intertekstualitetin postmodern të Prend Buzhalës dhe dimë se “teorija e intertektualitetit e nxjerr nga loja nocionin e ndikimit letrar dhe e relativizon konceptin e origjinalitetit ose thënë më drejtë, e ripërkufizon atë”, [2] atëherë është e padiskutueshme pa e marrë këtë përkufizim teorik të Prof. Dr. Agim Vincës për të shpjeguar këtë anë të drejtë të superpersonifikimit të rrëfyesit, që është tipik në prozën e tij, ku pozicioni i rrëfyesit varet pandashmërisht nga perspektiva e rrëfimit.

Autori rrëfen nga një kënd i posaçëm me aq sa dëshiron apo i përshtatet personazhit. Perspektiva e rrëfimit është në kuptimin e një rrëfyesi monoperspektiv, zakonisht i lidhur ngushtë për rrëfimtarin e veprës. Këtu lëvizjen e rrëfyesit të parë, i cili është autori, intertekstualizohet në rrëfimin e personazhit lirshëm e shkurtimisht, sa ndonjëherë në këto shkëputje moderne kalohet pavërejtshëm në një tjetër rrëfyes, por edhe shlyhen gjurmët në mënyrë të pahetueshme, që të themi, sikur Prof. Dr. Mario Andreotti, është kjo çasje aperspektive.[3] Kjo është diçka e re në prozën e shkurtër të Prend Ndue Buzhalës, në përmbledhjen “Heroi i rrugës”.

Këto tregime me pak fjalë (anglezët e kanë termin short story dhe very short story, très courte conte francezët, Kurzgeschichte gjermanët etj), janë sikur proza poetike (por ndryshojnë thellësisht për shkak se tregimi i tillë ka fabul, personazhe, tematikë etj si një roman a tregim letrar, kurse proza poetike nuk i ka këto elemente, për shkak të strukturave poetike tekstore); këto janë proza me pak detaje, të lidhura poetikisht, e ndonjëherë me pamje të qartë, me detajet që do të na mungonin, por do të mendoheshin e do t`i kishin të qarta të gjithë njohësit e mirë të artit të shkruar, ndërsa të tjerët duhet që të mendohen e të mendohen dhe t’i gjëjnë të gjitha gjërat që nuk janë thënë prej autorit, për ndonjë arësye të veçantë.

Ato autori i ka fshehur me qëllim të caktuar. Ai shkuan pak dhe shkruan mirë.

Duhet të dihen këto detaje, të cilat i ka fshehur autori i tyre apo që na i thotë me pak fjalë personazhi në këtë vepër. Pra, personazhi nuk na i thotë pikërisht ato detaje, të cilat nuk ka qenë e nevojshme të na i thotë autori i tregimeve me pak fjalë e që nënkuptohen. Po e marrim një thënie nga kroati Milivoj Solari dhe teoria e tij e letërsisë, kur thotë se “cilësia e përgjithshme e prozës është formësimi i botës artistike me mjete që vetë për vete nuk janë kurrfarë karakteristikash që i përkasin vetëm formës së shprehjes artistike përkatësisht letrare: arti në prozën artistike parimisht mund te realizohet në mënyrë që për asgjë të mos ndryshojë nga proza… (e heqin një konstukt shtesë apo origjinal, sa për ta lidhë mendimin tonë): e të folurit të rëndomtë, nga proza e gjuhës filozofike ose nga proza e studimeve shkencore.“ [4]

Te ne, fjala është për tregimet e shkurtëra të prozës së librit “Heroi i rrugës”. „Përkundrejt poezisë, proza përdor fjalët kryesisht si shenja, sa në një mënyrë „fotografon“ botën e vet të posaçme… Për shkak të kësaj cilësie, për të kuptuar struksturën e veprës letrare në proze, rëndësi mjaft të madhe ka zgjidhja e temës, mandej lënda derisa edhe burimet prej ku shkrimtari thithë lëndë për vepën letrare”.[5]

Në fakt, mund të shtohet se autori na tregon edhe metaforikisht prej ku e thith atë material letrar e artisikisht, apo nga vetë jeta e përgjithme, dhe njeriu duhet të mendohet për ta pasur të qartë këtë punë krijuese të këtij autori. „Rrethi i gjerë i temave të mundshme të prozës së artistike kërkon që të kihet kujdes për interesimin e lexuesve, e sidomos që u është dedikuar vepra”, në këtë rast vepra e prozave të shkurtëra të shkrimtarit, poetit, publicistit, kritikut e shkencëtarit Prend Ndue Buzhala. “Kurse vet zgjedhja e temës, lëndës dhe burimet eventuale, nga ana e vet, me të madhe e kushtëzojnë sajimin e saj.“ Një ndër parimet e klasifikimit të veprës letrare, „mund të mbështetet mbi themelet e formave të vogla… letrare“, [6] e në rastin tonë vie në format e prozës së vogël letrare, të cilat ndonjëhere janë të zhveshura nga rrëfimi i zgjatur i tregimeve, në ndonjë formë mjaft të vogël e artistiksht të patjetërsueshme, dhe këto na e bëjnë veprën artistikisht të qëlluar, të thuktë e të shkurtër, që do ta lexojmë edhe rrugës duke udhëtuar në autobus, në tren, në aeroplan etj. por do të na mbetet përgjithmonë në mendje, pa na ngarkuar më tepër se sa duhet.

Sa e hap librin e këtyre tregimeve, të bie në sy “Heroi i rrugës dhe vajza me fjongo të zezë”, sepse “heroin e rrugës” e mban si titull vëllimi.

Ky është një titull mjaft simbolik. “Heroi i rrugës” dhe “vajza me fjongo të zezë” sikur bëjnë dy skaje të vetëdijësimit tonë, njëkohësisht janë një pjesë e kësaj vepre.

Cikli fillon me “Kënaqësinë e heshtjes”, ku takohen dy miq ”të një hileje”, pra edhe të librit, të cilët, kur ndahen njëri e faleminderon tjetrin, sepse “ishte kënaqësi që heshtëm së bashku”, dhe në të vërtetë  është ai që të shoqëron deri në fund të kësaj vepre “me pak fjalë”. Le ta lexojmë si një prolog shënjues narrativ që sugjeron poetikën e këtyre tregimeve.

Kjo “heshtje” nuk është heshtje. Është zë me shkrim dhe me pak fjalë, të cilat thuhen me ato që nuk mund të heshtësh.

„Gjatësia ose shkurtesa e tekstit në prozë, … kurrsesi nuk është ndonjë cilësi e parëndësishme që mund t`i referohet formës së jashtme“ [7]–na thotë Milivoj Solari. Disa prej tregimeve në këtë libër nuk do t’u referohemi. Është me mjaft rëndësi të thuhet këtu se “shkurtësia kërkon dendësi të shprehjes, mënyrë të posaçme të lidhjes së ngushtë të motiveve, përqëndrim të jashtëzakonshëm në detajet, që mandej kërkon zgjedhje të veçantë të temës”.[8] Tregimet e këtushme i kanë gjërat e fshehura, por edhe të thëna ndonjëherë me dendësi të shprehjes. Shkurtesa e tekstit në këtë prozë nuk është e parëndësishme dhe tregon lidhje të ngushtë të motiveve. Para së gjithash, ajo tregon një përqendrim të jashtëzakonshëm me këto motive.

Tregimet “Mrekullia e shikimit”, Zyra e regjistrimit të shtëpive”, “Rrëfimi për njeriun që nuk ekzistonte si qenie” dhe “E bukura ra për tokë e u lëndua” lexohen me mjaft interes. Tregimi për “Heroin e rrugës” vie pastaj, sepse luftëtari kishte rënë në luftë, derisa gjithë jetën e ëndërronte si do të shërbente për ndërrimin e emrit të rrugës me ermin e vet (në fakt, me emrin e vet për ta ndryshuar realitetin e dhunës shtypëse pushtuese), edhe pse i kishin folur bashkëluftëtarët se mund të bëhej “hero rrugaqësh” apo “banditësh e maskarenjëve”, por djaloshit i kishte mbetur në kujtesë thënia e tij se do të bëhej hero i rrugës së vajzës “me fjongo të zezë” (ato që i mbajnë flokët me një fjongo të zezë, mbajnë zi për dikend); sepse nëpër atë udhë do të parakalonin të dashuruarit dhe pikërisht andej do të parakalonte edhe kjo vajzë, që ishte e bukur, por ai nuk e pati fat ta ketë. (Heroi i rrugës dhe vajza me fjongo të zezë, faqet 15-16). Tregimi merr tone të heroizmit të personazhit dhe të një balade dashurie e që gërshetohen natyrshëm në strukturën tekstore-narrative.

Ne nuk e dimë deri në fund të veprës pse ajo vajzë i mbante flokët e saja me fjongo të zezë. E kundërta e kësaj do të ishte fjongo e bardhë. Njeriu që bie dëshmor dhe vajza me fjongo të zezë, e cila parakalonte andej krijojnë një antitezë. Atë ngjyrë e kanë edhe në rroba të krishterët ortodoksë, prej perandorisë së njohur fillimisht ilire e Bizantine. Simbolika e kësaj antiteze do të na shoqërojnë deri në fund të veprës.

Pastaj na vjen tregimi “Ndodhitë e çuditshme të një Këshilltari shpirtëror” si “ekspret i Fjalës”, që do t`ia forconte besimin personazhit e lexuesit, sepse lëvizte nga fjalët e perëndisë deri te fjalët-amë e fjalët-predha, për të konfirmuar edhe njëherë fjalët e shenjëtores Nëna Terezë, e cila ishte kundër luftës shkatërruese, dhe “e përsërit fjalën Dashuri, nëse dëshiron të shpëtosh”. Pikërisht ne ndodhemi në gjendje të këtillë, të humbin tërësisht. E këtë paradigmë, këtë fatkeqësi e tragjedi shkatërrimtare, apo justifikimin e smirëzinjëve anë e përrreth do ta ndalte dashuria, sepse masa e pavetëdijshme e përsëritte “kështu e ka shkruar Perëndia”. Dashuria është fjalë e Zotit. Dashuria është energji pozitive, e cila i drejton njerëzit e vullnetit të mirë drejtë një caku, që idetifikohet me Zotin.

Kjo është receta e Këshilltarit Shpirtëror, që e lë para nesh. Energjia më e madhe e Universit është e mbushur me plot dashuri jetëdhënëse, që njerëzit e vetëdijshëm dinë që ta përfillin këtë dashuri të vërtetë të Universit e jo vetëm dashurisë së polit tjetër, sepse dashuria është më së pari dashuri polivalente e jetëdhënëse, ndërsa ata të cilët nuk e kanë këtë vetëdije e shpërfilin dashurinë, e denatyrojnë apo e kthejnë në anë të kundërt, përmbytazi, dhe nuk e kanë këtë të dhënë kardinale të jetës e filozofike. Atëherë, të mirën e jetës e merr e keqja, e liga, e prapta, smirëzia dhe vetë djalli. Dashuria është hyjnore, ndërsa antidashuria është djallëzore.

“Ëndërrat prej guri” na mbetet në kujtesë nga qenia e panjohur, i cili vjen prej epokës së gurit dhe e kishte formën e Profetit të Gurit. Në fund edhe ai nguroset në “Ëndërren…prej Guri”. Nga “Epoka e Gurit”, epoka më lashtë e njerëzimit, ai e la profetin “pa Fytyrë e Pa Formë” dhe erdhi në kohën moderne “ta bluaj Botën” e “ta vras Njeriun”, dhe “ta shpikë Artin Modern”, por jeta e tij mbeti ëndërr e trishtë, madje edhe përfundoi si e tillë. Është ngjajshëria analogjike me një fije të njerëzve tanë, të cilët rropaten prej antikës e duan të ngatërrojnë ëndrrën e realitetin. Madje, i riu, pa përvojë të madhe deklaron se do t’i mjaftojnë “tri ditë” për “ta vrarë pushtetin”.

Kjo ndjenjë më e thellë e pështirosjes, e cila sikur “ta kall kupën”, na vjen prore në tregimin “Gjarpëri në xhep”, ku një fatmjerë, i cili “ra papritmas në një situatë të palakmueshme” dhe u bë papritmas “Dikushi”, të cilit edhe monedhat i qenë bërë si “koka gjarpërinjsh” dhe kafshimet e “gjarpërit-para, kishte ndodhur para shumë kohësh”, dhe ky farë tipi na ishte bërë pronar gjarpërinjsh.

Nuk do mend për të shpjeguar pronarët e sotëm, që dje ishin kurkushi dhe tani janë bërë dikushi, duke u siguruar nga gjarpinjtë të mbledhur nëpër rrugë, që t’i fusë në xhepat e tij. Pa marrë parasysh se çka u tha për gjarpërinjtë, këtu fjala është për askushin e luftës, i cili sot na është bërë shumë i madh, pra me “gjarpërinjtë në xhep”. Fati i zi për shqiptarët. Ai, papriturazi e kishte themeluar edhe firmën më të madhe. Gjarpërinjtë nuk ishin simbole të pellazgo-ilirëve, por ishin të armiqve tanë shekullorë, të ashtuquajturve konglomeratë “grekë”, “serbë”, “rusë”, etj.

Kundër këtij tregimi, në vijim është tregimi “Dora e të operuarit qëndronte tek shamia”, sepse në radhë të parë kirurgu i huaj e kishte parë në zemrën e tij kosovaren, e cila më fund i qëndronte mbi kokë, që është pozitiv dhe shpërthyes. Sikur thotë: njeriu nuk duhet të humbë shpresat e tij; edhe nëpër errësirë të madhe shpreson se dikur do të vijë drita; se një çast deomos do të jetë shpëtimtar; prapë do të shohim e do të gjejmë udhën; megjithatë, do të na mbajë shpresa gjallë; pa shpresë, nuk ka jetë të mirë; se ky luftëtar që e ka mbajtur një shami të zemrës portretin e një vajze dhe flamurin kuq e zi, përderisa është i plagosur, nuk u hap rrugë mendimeve negative. Fuqinë për ta përballuar gjendjen e rëndë midis jetës e vdekjes, luftëtari e gjen te gërshetimi aq domethënës i atdhedashurisë dhe dashurisë e që e fuqizojnë shpirtërisht atë. Vajza kishte udhëtuar nga Kosova për të shkuar në botën e jashtme, pranë luftëtarit, për t’i qëndruar pranë; dashuria kapërcen të gjitha pengesat, si në[ legjenda… Liria është e përjetshme; “dashuria dhe flamuri janë të përjetshëm”; ky është litari që i mban të lidhur ata të cilët shpresojnë se megjithate do ta gëzojnë Lirinë; që dashuria dhe ata që duan një gjë të mirë në jetë dhe flamurin që i identifikon si etni, janë ato që më së pari i bartë tërë jetës, si shenjë e dallimit nga të tjerët; pra, këto janë të përjetshme.

Prend Ndue Buzhala na i dallon këto shenja të mirëfillta të jetës sonë si busollë e vetme e rrugëtimit kudo që dalim jashtë territorit tonë, në këtë rast luftëtari operohet nga një mjek i huaj, pra edhe nëpër luftë ruhen fuqimisht simbolet kombëtare.

Nuk do të ndalemi më shumë te “Mbreti i syrit të Hyjit” ku secili mund të kuptojë se Dielli, Mbreti i Hyjit, shikon gjithçka e nuk kërkon asgjë, madje nganjëherë është i pikëlluar kur i sheh njerëzit e pikëlluar, si personazhi, dhe kur është ai i gëzuar duket edhe Dielli i gëzuar. Dielli është vërtetë Mbret i Hyjit në këtë Univers dhe na krijohet një analogji simbolike reflektive. Personazhi, njeriu e sheh diellin siç është vetë. Kjo ka të bëjë thjesht me pasqyrën magjike, një pasqyrë e jetës, shumë e madhe, të cilën e kam thënë metaforikisht në poezinë time “Pasqyra mitike”[9]. Ne, kemi ardhur në këtë jetë, sepse Zoti na ka krijuar me kualitetet e mira dhe të liga. Ai na lë në sprovë, gjatë gjithë jetës. Në qoftë se ecim kah e mira, e kemi dhënë provimin. Në qoftë se ecim ka e keqja, kemi dalur jashtë dorës së Zotit dhe na gllabëroi djalli.

Por, nuk do të ndalemi aq shumë në tregimin “Në mes të jetes”, në të cilën del personazhi në një luftë për jetë a vdekje, i cili i vendos dy ushtritë brenda vetes, të cilat nuk shihen askund në dyluftim, por personazhi e përqafon njërën anë dhe fiton, që do me thënë se njeriu ndodhet në dyluftim në mes të mirës e të së keqes, si Katër Kalorësit e Apokalipsit; dhe po ndalemi në “Maestro i pëshpërimës” apo “Monolog në dy pamje i një spiuni”, në të cilin flitet për një spiun, Inspektor i UDB-së (Unutrašnje Državne Bezbednosti), e cila ndahet “me politesë e me policën policeske”, d.m.th. policor, që e ndanë dosjen me politikë (me politesë) në dy pjesë: para luftës, gjatë kohës së tij si Inspektor i UDB-së; pas luftës, kur fillon rolin e gazetarit, intelektualit, dhe të vet si maestro i pëshpërimës, mu siç e quante regjisori, kur luante “pas perdeve” dhe di të pëshpërisë e të pëshpërisë deri kur arrin që ti “edukojë” brezat t`ia falin gabimet me “libra të shenjtë” nëpër foltoret deri në parlament, pasi “arti të shpëton”. Prandaj shkon edhe te varri i “Njeriut që fal armiqtë” dhe t`ia fal atij që e kishte vorrosur si qen dhe pikërisht vetëm, njeriut që thoshte “Fali o Zot, se nuk dijnë çka bëjnë”.

Kontradikta e kontradiktave na del këtu, sheshazi, si të pathënë kaq hapur e kaq dukshëm në prozën tonë, siç ndodh në jetën tonë të përkohshme, si pavërejtur, për të mos e besuar të vërtetën, por është fakt i gjallë “i transfomimit” të jetës sonë në përgjithësi dhe një e vërtetë artistike. Njerëzit e ligj fshihen pas artit, aty ku nuk e mendon njeriu, dhe ai nuk është art i vërtetë, të cilin një pjesë e madhe e popullatës nuk e njeh dhe nuk ka kohë të preokupohet me ndjenja e shije të artit, aq më tepër në gjendjen e popullatës sonë të lindur e të rryer me punë fizike apo me ato punë që sjellin para, e jo më tepër; në emër të “artit” fshihet antiarti, njerëzit e rryer të sistemit që e kemi ditur se “e rrëzuam”, por prapë i solli vetveten në skenë; aty fshihen edhe më të rrezikshmit, pra armiqtë tanë kombëtarë, kundërshtarët më të sertë të artit të shenjtë, policët më me renomé të së kaluarës, të cilët fillojnë punë në gazetari, siç e bëjnë sot disa gazetarë të stacioneve televizive këtë punë, e përfundojnë në pëshpëritës të magjisë e rehabilizimit të persekutuesve më të rrebtë të së kaluarës; kriminelët më të mëdhenj, etj. dhe askush nuk mendon se aty është e vërteta lakuriqe. Kriminelët tanë më të mëdhenj aty gjenden ku nuk ua pret mendja njerëzve të thjeshtë, nëpër faltore deri në parlament. Mua automatikisht më kujtohen qindra UDB-istë, me të cilët jam grindur qindra herë, prej agjensive të udhëtimit e deri në udhëheqës të firmave; prej fetarëve e deri në gazeta, redaksi e parlament. Këta, si fara e hithit janë dhe si fara e atyre luleve që i përshtillen diçkafit deri në lartësi, apo trapit të dreqit që të bie papritur në çdo drejtim. Njerëzve të sinqertë, njerëzve të vërtetë, njerëzve të thjeshtë nuk u lënë askund vend të lirë.

Këto, në mënyrë tipike dhe në mënyrë artistike, na i thotë Prend Ndue Buzhala dhe arti i tij na e plas edhe njëherë zemrën. Të bëhemi edhe ne “hero të rrugëve” apo të jemi si ai që i “mungon ulësja kurdoherë”, madje në çdo vend, dhe mbetej në këmbë duke ia lëshuar vendin të tjerëve, nëpër goditjet e tjerëve me brryla, të atyre që vinin përpara me furtunë, dhe përfundonte në rrugë. Ai ishte si heroi i rrugës, njeriu që duhet të vdesë, sepse si i mirë nuk mund të jetojë (“Ulësja që mungon”), dhe është i përjashtuar nga jeta. Kjo është kontradikta e dytë. Të jeshë njeri i vërtetë, me edukatë të mirë, në botën ku mbretërojnë të ligat, është vështirë, është e pamundur. Në rrugë është vendi ku kompenzohen të gjitha ato që i ka mohuar apo i ka injoruar një kohë; mund të krijohet identiteti i ri, me sa lejohet dhe nëse lejohet; në rrugë janë rrugaqët, të varfërit, të dobëtit, por edhe heronjt, nëse ka mundësi për këtë provë të jetës; nëpër rrugë mund të shkohet apo niset në çdo drejtim; nëpër rrugë ka gjithçka, edhe njerëz të mirë; edhe me ironi mund të thuhet se rruga na nxjerr heronj e të tjera. Kemi rrugën e errësirës dhe rrugën e dritës, rrugën e lirisë dhe të palirisë, të cilat përplasen me njëra-tjetrën. Është kjo kontradikta më e madhe e shekujve që nuk pajtohet dhe nuk pushojnë asnjëherë të përpasen. Jetë e rrejshme është kjo jetë…

Prandaj, nuk po flasim më tutje për këtë çështje, që është një temë me vete, as nuk po flasim për “Ajo vraponte drejt pëshpërimës”, as gjatë për tregimin tjetër “O Zot, më shpërngul me gjithë shtëpinë time në parajsë”, sepse personazhi nuk ka kujt t’i besojë më tutje, “as të vërtetës së armikut”, “as të vërtetës sonë”, as “portretit në trastë”. Aty ku është mbyllur një Profet nuk depërton drita. Profeti është simbol i dritës e shkëlqimit.

Do të ndalemi në një tregim të fundit të ciklit, “Guva e padukshme”, në të cilin flitet për mësuesin autodidakt, që ua mësonte shkrimin e leximin turmave analfabete; i mësonte ata si bëhej Atdheu; që populli i tij të dijë si mund të bëhej me dituri, e si mund të bëhej më së miri Atdheu. Atë popull të vuajtur shekuj me radhë e kishin lënë totalisht analfabet qindra grabitës të tokave të tyre. Ai i mëson edhe gjëra të tjera të jetës, deri te këngët kreshnike me lahutë apo të luftës së Skenderbeut. Personazhi i këtij tregimi po bënte pova për ta nxjerrë të vërtetën nga guva e padukshme, në cilën qëndronte gjashtëdhjetë vjet me radhë mësues i dënuar “si armik i rrezikshëm”, duke shfrytëzuar turmën e pangritur. Përpiqej të rikonstruktojë rrugën e tij jetësore, sepse ishte vrarë nga socializmi në Luftën e Dytë Botërore, pa pasur asnjë faj, madje pa e “okupuar” asnjë njeri shtëpia e tij. E pse ishte “i rrezikshëm”? Sepse përhapte “ide të rrezikshme”, të cilat nuk ishin të rrezikshme; sepse mësonte me një alfabet të tyre, i cili mungonte shekuj me radhë, e ata e quanin si “alfabet i rrezikshëm”, që u mësonte “mjeshtri të rrezikshme”, prandaj turma e cila nuk dinte asgjë nga këto konstrukte i besoi, sepse vinin në emër të çlirimit dhe brohoriti. E arrestuan mësuesin e tyre dhe e liruan “Informatorin besnik të Krajlit”, pra socializmi nuk e sjellte aspak çlirimin.

Sapo mori rreze të agimit liria shumëshekullore e shqiptarëve, erdhi socializmi jo i vërtetë, që vetë Krajlin e restauronte, i cili ngritej në pushtet me viktimat e papritura të mësimit të kahmotshëm të popullit të shtypur, dhe ai popull po e hante sot vetveten, në guvën e padukshme të ëndërrave të veta të lirisë.

Po e përmendi edhe njëherë një fjalë të urtë të popullit tonë: “është lehtë të fitosh, por është zor me e mbajtë!” Vështirësia më e madhe është për të mbrojtur atë e cila është fituar, është vështirë më tepër për të sendërtuar lirinë, sepse paliria dhe ajo që ka qenë djallëzore para luftës, i gjen rrugët prapë për ardhur në pushtet.

Luftat i bëjnë heronjtë, ndërsa qeverisin ata që nuk ia donë të mirën lirisë…

 

 

[1] Agim Vinca, „Kurs i teorive letrare“, Libri Shkollor“, Prishtinë 2002, faqe 246.

[2] Agim Vinca, e njëjta vepër, në pjesën “Intertekstualiteti dhe origjinaliteti”, faqe 242.

[3] Shikoni Mario Andreotti, „Die Struktur der modernen Literatur“ 4 Auflage, Hauptverlag Bern-Stuttgart-Wien, 2009, faqe 159.

[4] Milivoj Solar, “Teorija e letërsisë”, Rilindja, Prishtinë 1978, faqe 205.

[5] Po aty, faqe 206.

[6] Po aty, e njëjta faqe.

[7] Po aty, faqe 211.

[8] Po aty, faqe 212.

[9] Brahim Avdyli, „Kur zgjohet Dodona“, Rilindja, Prishtinë 1992, faqe 29; apo në veprën tjetër, „Der Torso meiner Seele/Torzo e shpirtit tim“, Amanda Edit Verlag, 2015, faqe 35.

 

 

 

 

————————————————–

 

Studim për librin me tregime të shkurtëra “Heroi i rrugës” të Prend Buzhalës.

Botoi SHB «ROZAFA», Prishtinë 2017.

 

Nuk do mend se Prend Buzhalës, si një autor i njohur i poezive, kritikave letrare, eseve, studimeve letrare e monografike, vështimeve të ndryshme, të prozës e romanit, të publcistikës historike e kulturore, dhe disa librave të tjerë, të përgaditura për shtyp apo i botimit të tyre me bashkautorë, është e vështirë që t`ia lexosh të gjitha këto vepra dhe t`ia gjesh thelbin e shkrimeve të tij. Janë mjaft vepra të cilat i kam lexuar nga i njëjti autor, por po i rrekem një analize të thuktë e të gjithmbarshme të tregimeve të shkurtëra, të veprës së cekur më lart, e në radhë të parë po mendojmë, pse e ka titulluar kësisoj veprën e tij?

Mendoj se personazhet, të cilët nuk ceken me emër e mbiemër të tyre, por na dalin prej faqeve të librit me tregime, të cilës pak kush ia ka bërë një analizë të mirëfilltë të domethënieve të saj në mesin e dhjetra veprave letrare, kritike e të përgjithshme, etj., e kanë një rol të veçantë. Në këtë rrugë të gjerë e me pikëpyetje të mëdha, si kjo që e shtruam, edhe të titullit; me realitete të tjera, të cilat janë të shtruara mu siç e duan këto tregime simbolike; qoftë edhe me vdekje të rastësishme; me vdekje apo vrasje të qëllimtë, ose i nxjerrur nëpër rrugë, përjashta të gjitha kthinave ku gjëllin jeta- në i thënshin jetë kësaj jetese; apo i përfundimit të jetës pa i gëzuar të mirat e saj, qoftë edhe të ndjenjës së sinqertë të dashurisë, në një rrugë që do ta mbajë emrin e tij, që të parakalojnë andej të dashuruarit e rinj- është vetë jeta reale, e trishtë, normale, që mund të quhet jetë. Ajo fillon nga paskajori, vazhdon në pjesën e dytë pa skaj, e deri te pjesët e imta, në një pjesor të përgjithshëm, i cili identifikohet me të përgjithshmen.

Në tregimet “Varka mes dy valësh”; “Lëvozhga e Janusit”, në të cilën përzihet realiteti me ëndërren; “Traktat mbi dritën”, “Duke ikur nga kujtesa”, “Një zë tjetër”, “Plagët e fshehta të natës”, në të cilin personazhi i shëron plagët e fshehta të natës, pa u dhënë emër; “Historia e një besimi”, ku personazhi e sheh në këmbë “fotografinë e Diktatorit” deri sa vdiq, sepse autori të tillët ende i gjen të gjallë në realitetin e hidhur të kësaj bote, për të cilët thotë se e kanë kot të nderojnë vdekjet, pra aspak nuk pajtohet me të tillët; “Kjo heshtje që na shqetëson së tepërmi”; “Fluturimi mbi një turmë të çrregullt”, ku personazhi shprehet se “zbritëm në bregun tjetër të lumit”; “Në tërthore”, në të cilën vie fjala e urtë e popullit: “hekuri rrihet sa âsht në zjarm”; “Çka duket pas një bisede për gjëra të parëndësishme”, pasi një plak ia refuzoi një libër që po ia dhuronte personazhi, e që është shkrimtar. Në vend të përvojës së 20 vjetëve të qëndrimit së bashku me ironinë e tij të padijshme ia jepte të kundërtën e ndryshimit. Atij iu shpreh se “Libri nuk të bën të ditur e as nuk të ndryshon, po qe se ti bën vetë përpjekje për ta ndryshuar vetveten dhe botën”, që është një konkluzë mjaft e hidhur; “Njerëzit prej fibrave të dritës”, ku vetë i mësojnë leksionet e errësirës, se si duhet shijuar një bisedë në terr, edhe pse nuk ka dritë, pra nuk do ta shohë realitetin me sy e kërkon të ikë nga ky realitet me sytë mbyllur, ku për ironi terr e dritë bëhen njëlloj; “Fletorja e sekuencave kohore”; “Një ditë e përsosur dëshprimi”; “Shikimi me një sy”; ku Liraku e mbyllte njërin sy kur fliste me të tjerët. Ai e sheh “Përmasën e Katërt të gjërave”, sepse shikonte “me Syrin e Dashurisë”, e “Dashuria është mbrojtja e jonë” konkludon ai, respektivisht autori. Kështu ai i vë të gjithë pas luftës në sprovë: “a e duan botën e re, apo jo”. Nuk është fjala për dashurinë në kuptimin e gjinisë, por Dashurinë e Hyjit për krijimin e botës; etj. pra nuk do të futemi më tepër. Mjafton të themi se tregimi i këtushëm shpeshherë është i shkurtër dhe “tregimi i shkurtër është një lloj proze që kallzon një ngjarje me dinamikë të madhe.“[1]

Leximi i këtyre tregimeve me pak detaje të shtron “një pamje të një ngjarje kur marrin pjesë pak karaktere, në një moment të caktuar e në një vend gjithashtu të panjohur më herët“„Nëse këto elemente janë të pakta, nuk do të thotë që bota artistike e një tregimi është e vogël dhe e parëndësishme, (por, po e forcojmë ne) përkundrazi.“[2] Tregimet e prozës së vogël të Prend Buzhalës janë mjaft dinamike dhe majft të koncentruar në vete, dhe vetëm në ato detaje që do të njohë patjetër lexuesi.

Në këtë cikël është tregimi “Drita që rrezaton në zemër”, ku do të ndalemi më tepër. Është fjala për konkursin e pazakonshëm, se cili e kishte zemrën më të mirë, mirëpo dhjetë të parat ishin për të menduar, lutur e shikuar me zemër, apo kishte edhe për të grabitur zemrën, e njëri e kishte zemrën e sinqertë; kishin konkurruar plotë djem e vajza. Në pjesën e dytë, një Njeri i Moshuar, një personazh tjetër i këtij tregimi, kishte hapur një ekspozitë të tij të zemrës, që përshkruante periudha jete se si kishte jetuar pa zemër, sepse zemra e tij ishte thyer disa herë në dashuri dhe ishte copëtuar, prej të cilës kishte “dhuruar shumë dashuri e sakrificë”, dhe kjo ishte drita që shkëlqente në zemra dhe e takonte secilën zemër. Prandaj konkursi dështoi në pjesën e tretë. Zemra që rrezatonte dashuri në të gjitha zemrat, ndërsa vetë qe vrarë nga dashuria për të tjerë, që ishte kulmi i zemrave; kulmi i sakrificës; kulmi i të qenurit NJERI.

Zemra është çelësi dhe dryni i qenies njerëzore. Kur rrah zemra, njeriu jeton. Te ky personazh zemra rrahte dhe shkëlqente në të gjitha zemrat për rreth. E kur zemra pushon së rrahuri me ndjenjën e lartë të përjetimeve, e cila quhet magma-dashuri, dashuri e përkujdesjes, dashuri e njeriut që vrapon pas njerëzve që vuajnë, rropaten, përpëliten, etj., dhe jeta e tij përfundon. Për dritën e zemrës merrej edhe Zoti i madh me dashurinë e vet magma, apo Atuni, Zeusi, Thoti, siç e kam thënë edhe në poezi[3], dhe peshën e zemrës e ngreh toka. Kjo është pasuria më e madhe e njeriut.

Tregimi tjetër që do të ndërlidhemi, është “Fijet e padukshme të dheut Amë”. Këtu na lidhen edhe fijet e padushme të Atdheut, me dritën e Zemrës, sepse pa Zemër nuk ia di peshën dhe rolit të patjetësueshëm Atdheut. Në këtë tregim Kuvendari i Moçëm Ilir, apo Plaku i Urtë i Kanunit të Lekës, si e thoshte Prend Buzhala “në rolin e Pleqnarit”, i cili paraqet një personazh mjaft të rëndësishëm, po i ndante “aventurat dramatike të iniciacionit”, ku përplasej edhe njëherë me shoqen e tij, Boborima, e cila ia përlciste “një gazi histerik”, sepse ishte personazhe negative dhe e kundërshtonte se “po fliste me vete”, derisa po fliste “me Plakun”, “duke shetitur nëpër kohë dhe hapërsira”, nëpër mileniume, për ta parë peshën e dheut, e dheut Amë, Atdheut, e cila po e ngërthente Urtinë më të madhe të kohërave.

Dheu ku lind, jeton e vdes, është origjinë e burim i të gjitha përplasjeve njerëzore, i fanitjeve, luftës së pashpallur e të pafund, deri sa je gjallë. Ajo është burimi i vetëm i gjithëçkafes, është burim i të gjitha sprovave. Njeriu jeton nëpër këto sprova. Ai lind në një dhé, në një dhé Amë, në një Atdhe. Me te ka kuptim jeta, pa te nuk ka kuptim. Prej aty, prej andej, për atë, për ty dhe të tjerët, krijohen pa skaj përpëlitjet tua të një pjesori e rrathët e ndritshëm, rrathët e visioneve tua, terratinat e dritës. TERRA do të thotë sipas latinishtes e italishtes TOKA. Pra, prej ATIT e trashëgojmë tokën, që është DHEU dhe quhet ATDHEU, të cilin duhet t`ia lëmë trashëgim bijve tanë, nipave e mbesave tona, pa probleme, edhe Boborimës, si simbol i të dobtës që të ndjekë kudo, dhe të pengon gjatë peshimit të kohëve dhe hapësirave. Dheu i babës e babagjyshit, nuk mund të shitet kudo e në të gjitha anët, qoftë edhe prej maskarenjëve. Kur dheu shitet legalisht prej maskarenjve, kjo kërkon kryengritjen e të pakënaqurve, luftën e atyre që janë në një at-dhé, që nuk ka dhé për t`ua falur të tjerëve, edhe në qoftëse të mashtrojnë të tjerët, pra është ski-p-at-ar (nuk ka dhé-sepse është ar-që na e la ati), është SHQIPTAR, dhe ka një ATDHÉ e që lidhet me SHQIPEN. Aty lind, aty qeveriset, si shqipja, që nuk e harron folenë. Kështu është e lidhur terësisht “Nga paskajori te pjesori”, ku janë vizionet, drita e terratinat e dritës, pra “rrathët e ndritshëm”.

Drita është te “Zanafilla 1.2” dhe ajo është kufiri që e ndan të kaluarën prej të jetuarës së sotme; një hiçgjë të mbushur plot e përplot me errësirë, me të liga, e Dritën e shenjtë të ditës së Jetës, ku është Pjesori. Këtu fillon jeta e përkohshme, e sfidave të përditshme, në të vetmin AT-DHÉ, që ke fat apo pafatsi, prej ATIT kur i është dhënë atij SHPIRTI I SHENJTË, pra është TRITNIA, në kuptim tjetër.

Me shpirt jeton e përpëlitesh, nuk mundet as medicina më e zhvilluar që ta fusë. Me shpirt nuk guxon të përfshijë djalli pa e bërë veten për djallin, dhe djallin e bën për veten me gënjeshtra të qëllimta. Gënjeshtrat i ka politika, si opcione të vetat. Fjala politikë vjen prej bashkimit të fjalëve: Poli=shumë (rrugë) dhe Atika= insekt shumë helmues. Me djallin del prej dorës së Zotit të Madh. Andej vjen tradhëtia, që është e mbushur prej gënjeshtarëve; shpifzave, mashtruesve; hajanve, të shiturve, vrasëve e tradhëtarëve. “Anija pa timon” vie pastaj dhe këtu e ka vendin. Lufta jetësore e humb kuptimin e saj nga lakmia dhe djalli. Në këtë tregim të mësipërm pesëdhjetë vetë janë në përleshje me njëri tjetrin për një bukuroshe dhe anija nuk kishte fare timonier, pra do të përplasej dikund, pa cak të caktuar. Këtu është lakmia për shfrim.

Në tregimin që do të përqëndrohem më tepër, është “Butoni i kuq i dhëndërit rus”, sepse të tregon më drejtë tragjiken e politikës së re kosovare e shqiptare. Pas tij vjen tregimi “Një përrallë për biografinë etnike të politikanëve të vdekur”.

Ne do të përqëdrohemi për “butonin e kuq…” dhe për “…politikanët e vdekur”. Në tregimin “Butoni i kuq i dhëndërrit rus” të kujton tragjikën në politikën e re shqiptare e kosovare kur krijohet siç thotë autori, dhëndri në politikë dhe gruaja me origjinë ruse, e cila sjell dhuratë për burrin e saj nga zyra sekrete për ndërhyrjen planetare, apo me fjalorin tim “Euro-Atlantike”. Edhe pse autori përmes personazhit thotë se nuk është e vërtetë, apo ajo ka ndodhur në “zgjedhjet 2057” “made in Kosova”, ky tregim është shumë i qëlluar për të përpunuar “një strategji shkencore” të gjithë të pakënaqurve në prehrin ruso-serb dhe detyra po i pëlqente sidomos këtij dhëndri rus, madje iu kujtuan edhe përfitimet e reja në politikën e tij, nëpër shtete të rajonit kuakazian. Tashmë “marimanga po ushqehej me mishin e tyre” thotë autori, i cili ishte mish i gjallë i shqiptarëve të Kosovës dhe mjafton ta shpalojmë alegorinë rrëqethëse të këtij tregimi, e cila sikur aludon në zgjedhjet më të dobëta të vitit 2017. Është vit i Zotit 2017, por ne shkojmë praptazi, kundër kahjes sonë, diametralisht me zhvillimet politike, pra në thellësi. E kapim pikën më të ulët të gradacionit politik.

Tradhëtari “e kalb shpirtin e një kombi”, thotë Ciceroni, në një thënie të Florim Kuçit, në Facebook. Ai “minom shtyllat e qytetit dhe e infekton trupin politik”, në mënyrë që puna e tij të rezulton në dëmin e tërë kombit shqiptar. [4]

Në këtë kuptim vjen edhe një përrallë moderne në “biografinë etnike të politikanëve të vdekur”, e cila rrëfen alegorisht për pesë politikanët e zgjedhur të kohës së socializmit e më parë, që kishin “luftuar për Kosovën”, por që e spërkatnin me gjak të shqiptarit apo që i dërgonte “nëpër burgje” për shkak të pështymës së vet, apo politikanit të katërt që i kishte “hedhur në zjarr ata që e meritojnë parajsën” për “zhvillimin e Kosovës”, ndërsa të pestit, po “i pëlqenin ndërtimet e shtëpive për veten”. Sado që na kujtojhet kjo kohë, sepse nuk është e largët dhe e kemi njohur këtë periudhë, ”përfundon përralla me hepiend”, në përfundimin e tyre të tmerrshën, siç ia kanë shtuar tmerret Kosovës.

Mbetet edhe rrëfimi i Antropologut të huaj, që rrëfen në tërë botën për polemin më të çuditshëm, i cili kishte të bënte me Kosovën dhe shqiptarët, ku zbulohej “raca mbrenda racës”, në të cilën “nuk mund të jetonin pa heronj e pa tradhëtarë. Edhe këtu u përzihen heronj e tradhëtarë: tradhëtarët u bënë heronj e heronjtë tradhëtarë”, dhe në vend se të marrin emërtimin e vërtetë, e marrin të armikut. Kjo është çudia e shekullit bastard dhe e një vendi të çudishëm. A mund të quheshin heronjtë “tradhëtarë” dhe të dënoheshin para nesh? Tregimi i shkurtër i ka tri pjesë në katër faqe, mjaft thuktë e të drejtëpërdrejta, në cilat spikatet personazhi Arkelogu i huaj.

Këtu përfundon pjesa e dytë “Nga paskajori te pjesori” dhe fillon pjesa e tretë “Fëmijët e Shën Anës”. Tregimi i parë i kësaj pjese e mban të njëjtin titull. Është mjaft i shkurtër për një dhembje të madhe në sytë e vajzës shqiptare, e cila po quhej Ana. Ajo e kujtonte diçka në dhé të vet. Nuk i kujtohej se ku e kishte lexuar për Kishën e Shën Anës, e cila na del se ishte tashmë e braktisur dhe po e shikonte në TV një lajm se si po vallëzonte “në Sheshin Ana” të një vallëtari simbolik, pas një sulmi terrorist, në të cilën shihej pikërisht edhe një vajzë shqiptare, “në shenjë përkujtimi e solidarizimi me viktimat”, ku ishin vrarë kryesisht fëmijët e të rinjët. Në vizionin e saj doli pamja e djaloshit “nga Lindja”, që buzëqeshte, por i mbante bombat në sqetull. Shaminë e la peng dhe mikja e Gjuhës së Huaj, e Gjuhës Mikpritëse apo e Gjuhës së Strehimit ishte vrarë. Ndërsa po i shprepte një lot, Ana e jonë e ndezi një qiri dhe shkoi në vetmi për në Kishën e Braktisur, që ishte Kisha e Shën Anës.

Natyrisht, kjo gjë ishte sikur të gjitha pabarazitë tona, sikur të gjitha kundërshtitë. E keqja vinte nga Lindja dhe kryqëzohej nëpër Evropë. Nuk duhet më konkretisht të thuhet kuptimi i shkurtër i pakuptimësisë sonë, si kohë e pështjelluar, mu në skajet e logjikës. Nuk e kuptojnë fare çka është Lindja e Perëndimi, derisa me buzëqeshje parasyve vrapon djali nga Lindja me bomba për sulmin terrorist, në Sheshin Ana, ku vriten kryesisht fëmijët e të rinjët. Lufta terroriste është kriminalitet i ultë. Tek vritet Gjuha e Huaj, Gjuha Mikpritëse, apo Gjuha e Strehimit tonë, mbijeton e liga, e keqja, të dobëtit, ata që nuk e duan “gjuhën e huaj”, “gjuhën mikpritëse” pra vetë “gjuhën e strehimit” tonë. Ky është një realitet i hidhur i jetës sonë që nuk do koment.

Sekretet e kësaj zgjëndrre apo të dukur sikur një ëndërr e praptë e demoniane po e linin tërësisht njeriun tonë (“Njeriu që e braktisën ëndërra dhe zhgjëdërra”), dhe fillonte një “pentagram” për “një rrëfim të gjatë”, në sferën e ekomomisë së pas luftës (tregimi tjetër “Rrëfimi krejt i rëndomtë i një punëtori në skuadrat e veçanta”), në të cilën kishte marrë pjesë protagonisti i tregimit, që është një punëtor i fabrikës së para luftës, një pjesëmarrës i demostatave para luftës, të cilit i kishte dalur ndihmë një infermiere, e ai ishte luftëtari që ishte plagosur në kufi, duke sjellur armë. Ky është një personazh aktiv i shtresave të vetëdijëshme të masave tona, nga shtresat e punëtorisë, mjaft i përgaditur, që di të vlerësojë edhe të sotmen, qoftë edhe të hidhur, por nuk është i vetmi pozitiv në këtë vepër. Sytë i mbante te fabrika ku kishte punuar para luftës, e cila, pas luftës na “ishte shndërruar në gërmadhë”, sepse të gjitha hekurishtat ishin shitur “në Mal të Zi, Serbi e Turqi”. Është një tregim i veçantë, të cilin do ta analizojmë, “për një rrëfim të gjatë” , me 6 pjesë të shkurtëra.

Personazhi kryesor, në vetën e parë rrëfen për “punëtorin” dhe “skuadrat e fshehta”, i cili, para luftës ka qenë pronar i fabrikës ku punonte ai. Kurdoherë vepronte me “skuadra të fshehta” nga Serbia. Pas luftës, ishte “ndër kryesorët në partinë që udhëheq Republikën”. Edhe sot punomte me “Skuadra të Fshehta”, të cilat i mbledhnin një nga një makinat e fabrikës dhe i shisnin me kilogram, madje edhe disa të hekurudhës.

Kjo dramë e bëri që të katandisej prej luftëtarit të djeshëm në një të dëshpruar të sotëm. Ai ishte i martuar me Dorinën, e cila ia shëroi plagët e kufirit dhe i bëri me te dy vajza e një djalë, të cilët mezi qenë rritur, herë me punë në ndërtimtari e herë pa punë, pasi nuk dëshironte të merrej me punë të pista. E si të bënte tani një familje të lumtur, kur po e brente pikëllimi i madh, sikur tërë shtresën e tij?! Ky dëshprim, po i zinte pjesën dërmuese të punëtorisë, disa më shumë e disa më pak.

Lumturia ka rrjedhur pra te armiqtë e kombit shqiptar, prej shtresave të ulta të popullit e deri tek shtresa gjysmë e mesme, që qenë të plandosur para lufte e pas lufte. Luftën e sollën rrotull, e edhe eknominë. Pa ekonomi të shëndoshë nuk ka shtet të shëndoshë. Shoqëria jonë po zverdhej nga kjo farë zhdërvjellje e qëllimtë e UDB-istëve të djeshëm dhe bijve të tyre sot, sa që nuk dihej mirëfilli as për tri kategoritë, të cilat merrnin pjesë në ahengun e festës së rëndësishme (shiko tregimin “Veturat e policisë shkëlqenin si për festë” ), pra mashtruesit; prostitutat dhe një turmë e të rinjve, të cilët ishin dehur dhe ia mësynin veturave, pa e ditur mirë qëllimin e tyre.

Në këtë spektër, ndër të tjera, na vinë tregimet “Shpejtësia e plumbit ose dashuria ndaj fluturës”, “Jehona e dyerve”, “Si iu dhurua delja më e mirë një populli qen”, “Njerëzit me pamje të papërcaktuar”, “Pasqyra që mungon” etj. kur po shpalosej e vërteta me gjuhën e simboleve, metaforave apo shprehjeve metaforike. Në strukturat alegorike të prozës së shkurtër; ka mjaft dhembje apo ironi; kur edhe lufta çlirimtare po zhvendosej dhe pasqyra vërtet po mungonte.

Çka të themi më tepër! Në një libër tregimesh të shkurta e me një gjuhë të thuktë, çka mund të kuptohet.

Por, në tregimin për thertoren e dyqanin e luleve, “Gjaku i dashurisë deri te dyqani i luleve”, që ishte lart nga thertorja, vajza që punonte aty duhej ta siguronte bukën dhe pagën për të gjithë familjen. Familja ishte e varfër, si shumë të tjera. Autori, në pjesën më të madhe, u dedikohet shtresave të varfëra, të shkatërruara e të deklasuara pas luftës. Prej kësaj shtrese tipizohet kjo vajze të mirë, e cila këndonte nën zë, në vend se të ngushtohej, si e re ajo ishte vitale dhe optimiste. Të gjithë njerëzit i kemi afër vajin e këngën, si binjak të pandashëm, por vajza këndonte nën zë dhe me një muzikë të lehtë. Me këtë hutohej një thertor, i preu padash pak gishtat e tij. Gjaku i dashurisë mbërrin në dyqanin e luleve, lart, te kjo vajzë, “me lule dhe mish”, siç thoshte autori. Na përzihen dashuria me “pikat e gjakut” në këtë tregim. Mbi sakrificën dhe gjakun e tjetrit ngritet jeta e përbashkët e një çifti, të vajzës së bukur e të varfër dhe thertorit të bagëtisë. “Kontraversa” nuk do shpjegim tjetër. Lulet dhe kënga e saj, bukuria dhe lulet e nxjerrin në korridore të jetës ate që therr pa shpirt bagëtinë.

Kështu, edhe njerëzit i “kishin humbur kokat dhe endeshin pa mend”, se “kur mungonte gjymtyra kryesore, nuk ka se si të ishte ndryshe” ( “Njerëzit pa kokë” ). Kujtesa njerëzore këtu nuk ishte në rregull. Mendja, e cila është në kokë, të pështjellur me kafkë, është dora e Zotit dhe vetëdja jonë e njerëzores. Ndonëse vetëdija është një përqindje e vogël e trurit, sepse nuk e kemi “protokollin e dytë e të tretë”, apo do të ishim në ndonjë planetë tjetër e më të aftë, dora e Zotit e lëshonte njerëzimin. Ata ishte “pa kokë”. Kjo do të thotë se koha e shkatërrimit nuk është larg. Këtu mungonte njerëzorja, njeriu kishte dalur nga vetja. Atyre, vetëm emri u kishte mbetur si njerëz…

Nuk po futemi në tregimet e tjera të këtij cikli, siç janë: “Zhurma e një heshtjeje”, “Një zë tjetër”, “Kur të therin imagjinata dhe reuma”, “Mimikria e një dite të vështirë” etj. por, po futemi në tregimin e fundit të kësaj vepre, sepse e mbyll këtë përmbledhje tregimesh, “Plimi i zogjëve po bënte glasa mbi kokat e njerëzve”.

Gjëja më e shenjtë e njerëzimit që i dallon nga një komb tjetër, e të cilin e vendosin në ballë, përkundër gjuhës e gjakut, që janë kryesore, është flamuri. Në këtë tregim flamurin po e përlyenin një plim i zogjve. Sikur e kanë lënë jashtë kujtesës së tyre dhe jashta vëmendjes shqiptarët. Kjo është kontradikta e tretë e veprës, ishte “një kontadiktë midis dy lumtrive”, siç thotë autori.

Shtrohet pyetja: a ka kontradikta (të tjera në këtë vepër tematika e kontradiktës si paradoks shoqëror, jetësor e njerëzor) dhe cilat do të ishin këto “dy lumturi” ? Liria dhe Atdheu do të qenë vërtet këto dy lumturi, sikur do ta kishim të realizuar këtë ëndërr të madhe të mijëra brezave, që janë sakrifikuar për te.

Kontradiktat e shpalojnë të vërtetën. Pjesët e saj do te mblidheshin copë copë. Ajo është edhe kur nuk mund të thuhej.

Vepra “Heroi i rrugës” ka mjaft strukturime tematike të kontradiktës së subversionit të së vërtetës, pra të së vërtetës mbi të vërtetën, të vërtetës së zhveshur lakuriq. Por ato mblidhen nga të gjitha skajet në tri shtylla kryesore, të cilat na i quan autori se janë “dy lumturi” e njëra është kontradiktë e vërtetë.

Platoni thotë se “nuk fitohet asgjë duke u zemëruar”, dhe se ajo që mund të vinte “sa më shpejt të ishte e mundur, pengohet nga dhembja”. [5]

E vërteta është e dhimbshme në këtë vepër. Poetikja dhe artistikja e këtij libri të shkurtër të prozave që e kemi analizuar në përgjithësi, e mbajnë të vërtetën e vet dhe mjaft të dhimshme. Pas disa leximeve na del shumë e rëndësishme.

Atë që ne e dëshirojmë më tepër se asgjë tjetër në botë, e për të cilën vdesin edhe nëpër rrugë për t’u bërë “hero i rrugëve”, për t`ua lënë shembull të veçantë si duhet të vdiset për këtë dhé, e për t`ua lënë edhe të dashuruarve për të parakaluar nëpër atë rrugë, me fjongo të zezë, si shenjë të përkujtimit të dëshmorëve sikur “njerëz të së njëjtes familje”, sepse nuk kanë as terren për të gëzuar dashurinë, ËSHTË LIRIA!

Luftuam në të kaluarën, luftuam edhe së fundi. Nuk është plotësisht e arsyeshme që të bastardhoset liria, sepse ajo do të bëhet anti-liri, sikurse në të ashtuquajturin “socializëm” , që pretendonte “lirinë sociale”, e jo lirinë kombëtare.

Në të vërtetë rrotullimin e klasave me aq viktima, siç e kishte bërë vetë socializmi me Krajlin e tyre, duke i kthyer prapë bijtë e tyre në pushtet, po duket se e bëjnë sot këta “luftëtarë” , të cilët “e trashëguan” luftën, mirëpo kjo nuk është liria e vërtetë. Një armik më të madh “e fituam”, se atë që e përzumë, por mos të harrojmë se ruso-serbo-grekët i kemi brenda, me armë në dorë, që mezi presin të na shfarosin. Ata i ndihmon nga pak edhe Europa, së bashku me tradhëtarët shqipfolës e “Euro-Atlantik”. Kriza e tanishme politike për masat e varfëra shqiptare është më e vështirë se lufta

Në fund, po i mbledhim personazhet e këtij libri që e patëm në shqyrtim, pos atyre që i kemi shqyrtuar, e këto janë: personazhi, si bartës i një çështjeje të pasoçme; personazhi obsevator i ndryshimeve negative apo pozitive; personazhi autor dhe shkrimtar- në vetën e parë; personazhi shoqërues; Plaku dhe Boborima; Heroi apo Luftëtari; Vajza e panjohur; Këshilltari Shpirtëror; Bashkëluftëtari apo Bashkëluftëtarët; I plagosuri; Kirurgu i huaj; Liraku; Ai-zbuluesi; Rrëfimtari i pazakontë; Spiuni i regjur; Askushi që bëhet me xharpër në xhep Dikushi; Autori i panjohur; Zyrtari për Regjistrimin e Objekteve Shtëpiake; Miku Poet; Fëmija 7-vjeçar; Ana; Mikja e Gjuhës së Huaj; Rrëfimtari-Krijues, poterxhi e shamatar; Goni; Mumia; Vajza infermiere që quhej Dorina; Antropologu i çuditshëm; Gruaja; Mira; Populli Qen; Njeriu pa fytyrë; Njeriu i Domosdoshëm, i cili tërhiqet nga gjithçka; Thertori i bagëtisë; Lexuesi i portaleve; Njerëzit pa kokë; Masa apo Turma, si paskajor dhe pjesëmarrës pasiv e reflektiv ku përplasen të gjitha lojërat “me hile”; etj. Këta janë disa pjesëmarrës të realitetit subjektiv dhe artistik të kësaj vepre. Do të mund të thuheshin edhe shumë fjalë të tjera, mirëpo do të mjaftohemi me kaq.

Shpresojmë se Prend Buzhala do të shkruajë vepra të tjera, edhe më të mira. Ne, i mirëpresim këto vepra, si trashëgimi të fjalës së shkruar artistike.

[1] Zejnullah Rrahmani, „Teorija e letërsisë“, Botim i dytë i plotësuar, Faik Konica, Prishtinë 2008, faqe 407.

[2] Po aty, e njëjta faqe.

[3] Brahim Avdyli, „Qielli i paprekur“, Brezi `81, Prishtinë 2012, faqet 10-13.

[4] Florim Kuçi, në profilin e vet të Facebook-ut dhe unë. Mjafton të shikoni këtë thënie të Ciceronit.

[5] Platoni, „Republika“, Phoenix, Tiranë 1999, faqe 398-399.

Please follow and like us: