Bedri Blloshmi: TERRORI NË FERRIN E SPAÇIT MBAS 1973 (3)
Kufomat në gropë, historia në arkiv
Ahmet Hoxha ka lindur në fshatin Kolonjë të rrethit Gjirokastër në vitin 1940, nga prindërit Manxhar dhe Bago. Ata ishin tre fëmijë, dy vëllezër dhe një motër. Ahmeti ishte fëmija i parë. Arsimin fillor e ka mbaruar në fshatin e lindjes. Ahmet Hoxha ishte i pamartuar dhe punonte në bujqësi. Në 1958, tetëmbëdhjetvjeçar, arrestohet dhe dënohet nga Gjykata e Gjirokastrës për tentativë arratisjeje me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1963 arratiset nga burgu i Laçit dhe më 21 dhjetor të po këtij viti Gjykata e rrethit Shkodër e dënoi për tentative arratisjeje me 25 vjet heqje lirie. Për të vuajtur dënimin e sjellin në kampin Spaçit. Ai nuk heq dorë; më 10 tetor 1978 arratiset përsëri bashkë me Sali Çakon, nga galeria 20 e vjetër e zonës së dytë, përballë repartit ushtarak. Mbas dy-tri ditësh, duke ecur natën e fshehur ditën, arrijnë tek lumi Drin dhe e kalojnë atë. Sali Çako kishte qenë oficer në Dibër dhe e njihte terrenin. Mirëpo në afërsi të fshatit Vranisht rrethimi që u bëjnë forcat e sigurimit dhe çetat vullnetare, burra e gra kooperativistë, është kaq i dëndur, sa dy të arratisurit e Spaçit kapen. Në Dhjetor 1978 Gjykata e Rrëshenit me kryetar Arqile Lole e prokuror Vaskë Dinoshi dënon Ahmet Hoxhën me pushkatim, kurse Sali Çakos i shtojnë 25 vjet, vendim që nuk e ndryshoi as Gjykata e Lartë as Kuvendi Popullor. Me shkresë nr.84 dt.27.01.1978 njoftohet refuzimi, dhe Ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu nëpërmjet Degës së P. Br. të Rrëshenit urdhëron që Ahmet Hoxha 37vjeçar të ekzekutohet më datën 31.01.1979 në mesnatë. Edhe sot mbas shumë përpjekjesh nga familjarët dhe shokët e burgut për gjetjen e vend-groposjes së Ahmet Hoxhës mbeten pa rezultat. Ahmet Hoxha si mijra të tjerë nuk ka një varr, ai kalbet diku në përrenjtë e Rrëshenit i groposur nga sigurimsat sipas urdhërave të klikës së Tiranës, në shkelje të çdo zakoni njerzor e veçanërisht shqiptar.
GALERIA 20/1 NË ZONËN E DYTË
Kur më çuan në burgun e Spaçit, më caktuan të punoja në zonën e dytë . Isha i interesuar të merrja vesh më saktë atë që më kishte treguar vëllai (Vilsoni) për revoltën e ndodhur në burgun e Spaçit. Ai e kishte dëgjuar nga Radio Vatikani dhe Radio Prishtina, emisione të cilat ai i dëgjonte në mbrëmbje kur kthehej nga miniera e Përrenjasit. Ishim bashkë me xhaxhanë pranë oxhakut që skuqte nga zjarri. Në atë kohë Spaçi ishte plot më të dënuar; dy pallatet ku rrinim, njëri kishte ne puntorët, që na nxirrnin në galeri, dhe tjetri të dënuarit pleq e , sakatë, ose të sëmurë, dhe kishte edhe të verbër. Të aftët për punë punonin në 5 zona, dhe me tre turne, pra pa pushim, natë ditë. Më tërhiqte veçanërisht kureshtjen një burrë shumë i heshtur. Mbante në kokë një kapele nga ato që bëheshin në kamp nga të dënuarit. Ai shpesh bënte xhiro në kamp krejt i vetmuar, kurse gjatë pushimit shoqërohej me fare pak persona. Të shumtën e herëve pinte kafe me Hysni Pallën dhe xhaxhanë tim, Hasanin. Kështu e njoha edhe unë. Fliste me ngadalë, nuk i besonte cilitdo, se prej sëmundjes ngaqë kishte bërë shumë burg e birucë, ishte bërë dyshues dhe as vinte buzën në gaz e jo më të thuash se kishte qeshur ndonjëherë në jetën e tij. Një jetë si e tija s‘të jep fort raste.. Babanë ia kishin vrarë që shpejt; kishte qënë një nga ata të arratisurit që e urrenin komunizmin, ndaj dhe e kishin ndjekur pa iu ndarë. Kishte rënë në përpjekje me sigurimin një radhë mbasi hynte e dilte shpesh në kufi. Kishte tre fëmijë, njëri prej të cilëve quhej Ahmet Hoxha ishte nga Kolonja e Gjirokastrës. Sapo kishte mbushur moshën e burgut e kishin arrestuar me akuzën tentativë për arratisje dhe e dënojnë me 20 vjet heqje lirie. Punoi në disa kampe dhe në fund arratiset nga kampi i Laçit. E kapin dhe dënohet përsëri me 25 vjet burg nga Gjykata e rrethit të Shkodrës. Nga atje e sjellin në Spaç. Kisha shumë muhabet me Ahmetin ngaqë njiheshim mirë. Ishte njeri shumë besnik, ndaj nuk kishim asnjë reservë në bisedat që bënim. Një ditë sapo u kthyem nga turni i parë, Ahmeti më thotë “Bedri mbasi të hash drake eja të pimë një kafe vetëm të dy tek guzhina private.”. E vura re që ishte shumë i mërzitur. “Po” thashë “do ta pimë Ahmet”. Duke pirë kafen, në pritje se çfarë do më thoshte, vura re që dora që mbante filxhanin i dridheshe shumë sa kafeja derdhej. I flas i pari “Ahmet çfarë ke? Të shoh të shqetësuar, apo e ke nga lodhja në punë?”. “Bedri, më thotë, kërkoj një ndihmë nga ti, vetëm tek ti kam besim”. “Fol” i them. “Unë nuk duroj dot më. Do ta provoj edhe njëherë fatin. Nuk rrihet gjithë jetën në burg. Ç‘fat të kem!” Ndërsa ti nuk do të vish me ne, dhe mos të të ngelet qefi. “Zoti ta priftë mbarë Ahmet,i thashë, më thuaj me çfarë mund të të ndihmoj dhe kujdes po qe me shokë të tjerë.” Më thotë “Tek Galeria 20/1 është mundësia që të dalim. Galerinë e ka studiuar Sali Çako. Bashkë do ikim. Nga ti dua baromina 2-3m dhe më të gjata për të hapur vrimën e daljes.Përballë galerisë 20/1 ishte kapanoni i ushtarëve që na ruanin ne. Poshtë kapanonit ishte një transhe, në të cilën bënin stërvitje ushtarët, dhe galeria nga e cila mendonte të arratiseshe Ahmeti me Salinë, dilte drejt e në transhe. Ai front (degëzim i galerisë) ishte shfrytëzuar nga minerali dhe nuk punohej më, ishte front i bllokuar nga inxhinieri I minierës. Sipas bisedës së bërë me Ahmetin e Salinë, u çoja baromina për të hapur daljen.Kur Saliu ishte turni i dytë nuk kishte si të siguronte levat e hekurit sepse sipas rregullit kovaçi dilte vetem turni i parë. Unë i siguroja barominat duke i lënë në kanalin e rrjedhjes së ujrave të galerisë për të mos i parë brigadieri i dënuar apo polici i punës kur futeshin për të kontrolluar frontet e punës ose dhe atje ku nuk punohej. Komunikoja me Saliun, i cili edhe ky punonte në zonën e dytë. Ahmeti punonte në zonën e tretë në sipërfaqe, ngarkonte makinat me mineral bakri te tremozhat (tremozhe quhet vendi ku grumbullohet minerali i nxjerrë nga galeria). Pas disa ditësh Saliu e hapi vrimën për të dalë, bisedon me mua që nuk i duheshin më baromina dhe një javë që ishim turni i dytë, Ahmeti me Saliun e vendosin dhe dalin përtej shëndoshë e mirë pa u kuptuar nga askush që në fillim të turnit. Zgjodhën këtë orë me qëllim që të kishin kohë për tu larguar sa më shumë nga kampi. Zakonisht, nëse mungonte njeri, merrej vesh vetëm në fund të turnit, gjatë numërimit kur niseshim për në kamp. Në zonën e tretë vjen një makinë për tu ngarkuar me mineral. Bien ë sy që punëtori i ngarkimit mungon dhe njoftojnë policinë. Jepet alarmi duke rënë disa herë buria. Kërkojnë për Ahmetin, mbasi dalin nga puna, rreshtohen si zakonisht. Bëhet numërimi, mungonte një i dënuar. Brigadieri bëri apelin me emra. Doli se mungonte edhe Sali Çako. Brigadieri i dënuar futet për kontroll në galeri (se kishte raste që na zinte gjumi) por asnjë gjurmë. Në kamp, bëhej prapë apeli, dhe përsëri Ahmeti dhe Saliu mungonin. Mbas 5-6 ditësh në kamp u hap fjala se i kishin kapur sapo kishin kaluar Drinin. Sigurimi kishte ngritur gjithë Dibrën në këmbë për t‘i kapur. Sali Çako kishte qënë oficer në Dibër dhe e njihte mirë vendin, kufirin, brezin e butë dhe shtigjet nga mund të kalohej pa u ndeshur me patrullat. Mirëpo fati i këtyre, posa kaluan lumin ndeshën me sigurimin dhe çetat vullnetare, burra e gra të kooperativave. I sjellin në degën e Brendshme të Rrëshenit, bëjnë një gjyq formal duke e dënuar Ahmetin me vdekje pushkatim, Saliun e dënojnë me 25 vjet heqje lirie. Ahmetin e pushkatojnë më datë 31 janar 1979 në vendin e tyre të fshehtë të quajtur “variant i druve”, kthesa e Kaçinarit. Kur u kthyen me këtë lajm horrat sigurimsa, dukeshin të kënaqur, dhe mua mu kujtua biseda me Ahmetin, emocioni i tij tek pinte kafenë; kuptova që poshtërsia kishte fituar edhe njëherë mbi ne, të vuajturit dhe të sfiliturit, dhe e përfytyrova Ahmetin të çpuar nga plumbat, të shtrirë në dherin e zi të Rrëshenit.
Vendimi Nr.47
Datë 1.12.1978
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
GJYKATA POPULLORE E RRETHIT MIRDITE
Nr.50 i Regj. Them.
VENDIM
“NË EMËR TË POPULLIT”
Gjykata Popullore e rrethit Mirditë e përbërë prej:
Kryetarit Arqile Lole
Nd. Gjyqtarit Mark Zef Biba
Nd. Gjyqtarit Ndue Koli
me sekretar Ndue Prendi, me pjesëmarjen e prokurorit Vaskë Dinoshi, sot më dt.1.12.1978, në seancë me dyer të hapura mori në shqyrtim çështjen penale që u takon të pandehurve:
- Sali Çako, i biri i Servetit dhe i Xhixhos, lindur në 1948 në katundin Kapariol të rrethit Gjirokastër, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me origjinë shoqrore fshatar i varfër, me gjendje familjare i pamartuar, me arësim të mesëm; pa parti, me gjendje nepunës i pushtetit popullor, i dënuar me 10 vjet heqie lirije në vitin 1976 për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor dhe për luajtje bixhozi, nga ana e Gjykatës rrethit Tiranë, (me vendimi Nr.x dt. 30.4.1976), dhe ndodhet aktualisht në vuajtje të dënimit në Rep.303 Spaç të këtij rrethi.
- Ahmet Hoxha, i biri i Manxharit dhe Bagos, lindur më 1940, katundi Kolonjë të rrethit Gjirokastër, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me arësim fillor, I pamartuar, i paorganizuar në parti, me gjendje buj individual, i dënuar dy herë, a) me vendim nr.15 dt.12.7.1958 të Gjykatës Ushtarake Gjirokastër, në bazë të neneve 64,10, 27 dhe 67 e 10 etj. të K.Penal për tentativën e tradhëtisë ndaj Atdheut e për tentativë për veprën terroriste etj. Me 20 vjet heqie lirije etj. dhe b)me vendim nr.54 dt.21 dhjetor 1963 të Gjykatës rrethit Shkodër është dënuar në bazë të neneve 64,10 e 12 të K.Penal me njëzetepesë vjet heqie lirije, aktualisht ndodhet duke vuajtur dënimet në rep.303 Spaç të këtij rrethi. Akuzuar: që në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë kryer krimin e tradhëtisë ndaj Atdheut, në formën e arratisjes jashtë shtetit ngelur në tentativë, parashikuar nga neni 47, pika “gj” dhe nenet 13 e 11/2 të K.Penal. Gjykata, pasi studjoi materialet e hetuesisë, provat e (palexueshme) gjatë shqyrtimit gjyqësor, pasi dëgjoi prokurorin që u shfaq i (palexueshme) për masën e dënimit me vdekje për të pandehurin Ahmet Hoxha dhe me 25 vjet heqie lirije për të pandehurin Sali Çako, pasi dëgjoi fjalën e mbrojtjes dhe të fundit të dy të pandehurve që kërkuan mëshirë,
VËREN
Të pandehurit Sali Çako dhe Ahmet Hoxha kanë qenë duke vuajtur dënimet me heqie lirije për krime kundër shtetit në rep.303 Spaç. Duke qenë thellësisht në pozita armiqësore me shtetin e diktaturës së proletariatit dhe me pushtetin popullor, në vend që të reabilitoheshin, hyjnë më thellë në llumin e veprimtarisë armiqësore. Të dy kanë rënë në marëveshje që të arratiseshin jashtë shtetit në Jugosllavi dhe prej këndej në perendim, nepërmjet teritorit te rrethit Peshkopisë, ku I pandehuri Sali ka qenë me shërbim në atë zonë si oficer. Për të vënë në jetë vendimin e tyre kriminale, u ngarkua i pandehuri Sali për të gjetur një vend të përshtatshëm për dalje. Mbas kërkimesh dhe vrojtimesh mund të gjente se nëpërmjet galerisë Nr.21, ku punonte si minator, si rezultat i shembjeve dhe punimeve të ndryshme që ishin bërë, mund të dilnje jashtë rrethimit. Për këtë të dy të pandehurit, vendosën që të arratiseshin nëpërmjet kësaj dalje. Kështu simbas marëveshjes, më dt. 10 tetor 1978 rreth orës 20, takohen të dy në hyrje të galerisë Nr.21 dhe nëpërmjet saj dalin jashtë rrethimit, në përrua, ngjiten në majën e kodrave të Spacit, kalojnë lumin Fan dhe ngjiten malit përpjetë. Në vazhdim duke shkuar majave të kodrave dhe maleve me qëllim që tu shmangen njerëzve, duke mbajtur simbas marëveshjes, drejtimin nga lind dielli, pra nga lindja, mbas disa ditëve arrijnë në afërsi të liqeneve të Lurës. Prej andej nëpërmjet një gryke zbresin në fushë Alije, deri sa mëngjesin e ditës së pestë arrijnë në breg të lumit Drin. Prej këndej për të kaluar kufirin me qëllim arratisje jashtë shtetit, qëndrojnë gjithë ditën deri sa të errej. Për gjatë kësaj kohe vrojtonin vendet e mundshme për të kapërcyer lumin në va”. Në kohën kur u errë, të pandehurit kuptuan që po ndiqeshin. Për këtë i pandehuri Sali me not doli në anën tjetër të lumit, kurse i pandehuri Ahmet, mbasi kaloi në vah, nëpërmjet degëzimeve të lumit qëndroi sa për të kaluar degëzimin e fundit por në pamundësi pasi kapet nga populli. Ndërkohë i pandehuri Sali si kaloi lumin, nëpërmjet një prroi hyn në zonën kufitare dhe në të dalë të fshatit Vranisht, brenda zonës kufitare, në afërsi të brezit kufitar kapet nga forcat e çëtes vullnetare të fshatit.Faktet e sipërme vërtetohen me shpjegimet e të pandehurve, me thëniet e dëshmitarëve Mustafa Daci, Selman Tatraku dhe me proçes-verbalin e kapjes në flagrancë ndodhur në dosje.I pandehuri Sali pranon plotësisht edhe në seancë gjyqësore mendimin dhe qëllimin e tij për arratisje jashtë shtetit si dhe bisedat e tij për këtë qëllim me të pandehurin Ahmet. Kurse ky i fundit pretendon se nuk kishte ndërmend për tu arratisur jashtë shtetit. Ky pretendim rrëzohet nga vetë shpjegimet e tij kur thotë se të gjitha veprimet tona të çonin për arratisje jashtë shtetit. Veç kësaj dëshmitarve të sipërpërmendur u ka thënë në kohën e kapjes se nuk do të qendroja në Jugosllavi por prej andej do të kalonja në shtetet perëndimore.Me veprën e sipërme të dy të pandehurit kanë tentuar të kryejnë në bashkepunim dhe me marëveshje të mëparshme krimin më të rëndë, Tradhëtinë ndaj Atdheut, në formën e arratisjes jashtë shtetit. Duke qenë të dy armiq ekziston edhe qëllimi kundërrevolucionar për minimin dhe dobësimin e diktaturës së proletariatit në Shqipëri. Në këtë drejtim cilësimi juridik i veprës i bazuar në nenin 47,11 dhe 13 të Kodit Penal është i drejtë.Vepra penale e dy të pandehurve paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Ajo drejtohet kundër rendit politik, diktaturës proletariatit, kundër ideologjisë së marksizëm-leninizmit që sundon në vendin tonë.Edhe vetë të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Armiq konseguent të popullit shqiptar, jane përsëritësa specifikë në lloin e krimit kundër shtetit. Veçanërisht rrezikshmëri tepër të theksuar ka i pandehuri Ahmet Hoxha, i dënuar dy herë më parë për krimin e tradhëtise ndaj Atdheut, në formën e arratisjes jashtë shtetit, ngelur në tentative dhe për krime të tjera si vepra terroriste etj. nga ana tjetër ky i pandehur ka një predispozicion armiqësor familjar. I ati i tij Manxha Hoxha, është vrarë si diversant në vendin tonë. Në këto rrethana asnjë rrethanë lehtësonjëse nuk ka për këtë të pandehur. Për efekt të bashkimit të dënimeve të pandehurit Sali Çako i kanë ngelur për të vuajtur nga dënimi i mëparshëm edhe 6 vjet, 11 muaj e 12 ditë, ndërsa të pandehurit Ahmet Hoxha i kanë ngelur akoma për të vuajtur nga dënimi i mëparshëm edhe mbi 10 vjet heqie lirije.
PËR KËTO ARSYE
Trupi gjykues në bazë të nenit 278 e vijuesa të K.Pr.Penale
VENDOSI
Të deklarojë fajtor të pandehurin Sali Servet Çako dhe Ahmet Manxhar Hoxha për krimin e tradhëtisë ndaj Atdheut në bashkepunim ngelur në tentativë dhe në bazë të neneve 47, germa “gj” dhe neneve 11 e 13 të K.Penal.
- a) Të pandehurin Sali Servet ªako me 20 vjet heqie lirije. Në bazë të nenit 36 të K.Penal, në bashkimin e dënimeve, përfundimisht e dënon të pandehurin Sali me 25 vjet heqie lirije dhe me heqien e së drejtës së zgjedhjeve për pesë vjet kohë duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 1 dhjetor 1978.
- b) Të pandehurin Ahmet Manxhar Hoxha e dënon me vdekje me pushkatim dhe me heqien e së drejtës së zgjedhjeve për pesë vjet kohë. Në bazë të nenit 36 të K.Penal në bashkimin e dënimeve përfundimisht e dënon të pandehurin Ahmet Manxhar Hoxha me vdekje pushkatim dhe me heqien e së drejtës së zgjedhjeve për pesë vjet kohë. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim dhe protestë brenda 5 ditëve nga e nesërmja e shpalljes në Gjykaten e Lartë Tiranë, duke dërguar çështjen për gjykim në shkallë të dytë edhe kryesisht.
Rrëshen 1.12.1978
KRYETARI
(Arqile Lole)
Shënime: meqenëse nga dy të denuarit nuk u bë ankim. Dosja ne shkresën Nr.50 dt. 7.12.1978, i dergohet kryesisht Gjykatës Lartë për shqyrtim.
K/ SEKRETARI
(firma)
Më poshtë keni të ekspozuar të gjithë praktikën se si dhe ku e vranë Ahmetin. Keni emrin e kryetarit të degës që urdhëron shefin e policisë të bëjë planin e pushkatimit. Keni emrin e prokurorit, emrin e doktorit, emra policësh e deri tek ai që duhet të mbajë proçes-verbalin, deri diku është edhe emri i vendit ku është groposur. Vendimi i Gjykatës së Rrëshenit i dënimit me vdekje për Ahmet Hoxhën kalon formalisht si gjithmon në Gjykatën e Lartë i cili shprehet duke mos ndryshuar asgjë.
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISË
GJYKATA E LARTË
“KOLEGJI PENAL”
Nr. 372 i Regj. Themeltar
Nr. 369 i Vendimit
VENDIM
“ NË EMËR TË POPULLIT “
Këshilli gjyqësor i kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, formuar nën kryesinë e:
Lumturi Resnja Anëtare e Gjykatës së Lartë
Sofokli Krongo Anëtar I “ “
Liri Gjoliku Anëtare e “ “
Në seancën e hapët gjyqësore me datë 22.12.1978 mori në shqyrtim çështjen Nr.372 që i përket të gjykuarëve:
1) SALI ÇAKO, i biri i Servetit dhe i Xhixhos, lindur në 1948 në katundin Kapariol të Gjirokastrës, me kombësi e shtetësi shqiptare, më origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës i pushtetit popullor, pa parti, me arsim të mesëm, beqar, i dënuar me 10 vjet heqje lirie në vitin 1976 për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor dhe për luajtje bixhozi nga ana e gjykatës rrethit Tiranë dhe ndodhet aktualisht në vuajtje të dënimit në Rep.303 Spaç të këtij rrethi.
2) AHMET HOXHA, i biri i Manxharit dhe i Bagos, lindur më 1940 në katundin Kolonjë të Gjirokastrës, me kombësi e shtetësi shqiptare, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore bujk industrial, pa parti, me arsim fillor, beqar, i dënuar dy herë, për tentativë tradhtie ndaj Atdheut dhe vepra terroriste mbetur në tentative me 20 vjet heqje lirie; dhe në bazë të neneve 64, 10 e 12 të K.Penal i dënuar me 25 vjet heqje lirie, aktualisht ndodhet duke vuajtur dënimet në Rep.303 Spaç të rrethit Mirditë.
TË AKUZUAR SE:
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer krimin e tradhëtisë ndaj Atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit, ngelur në tentativë, dmth se kanë kryer krimin e parashikuar nga germa “gj” e nenit 47 në lidhje me nenin 13 e 11/2 të KP. Në vendimin Nr.47 date 1.12.1978 gjykata e rrethit të Mirditës i ka deklaruar të gjykuarit fajtorë dhe në bazë të gërmës “gj” të nenit 47 në lidhje me nenin 13 e 11/2 të KP i ka dënuar me:
1) Të gjykuarin Sali Çako me 20 vjet heqje të lirisë. Në bazë të nenit 36 të KP në bashkimin e dënimeve, përfundimisht e dënon të gjykuarin me 25 vjet heqje të lirisë dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjeve për 5 vjet kohë duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 1.12.1978.
2) Të gjykuarin Ahmet Hoxha e dënon me vdekje me pushkatim dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjes për 5 vjet kohë. Në bazë të nenit 36 të KP në bashkimin e dënimeve përfundimisht e dënon të gjykuarin me vdekje me pushkatim me heqjen e së drejtës së zgjedhjes për 5 vjet kohë. Kundër këtij vendimi ka bërë ankim i gjykuari Ahmet Hoxha, i cili ka parashtruar këto shkaqe për prishjen e tij: Unë jam arratisur nga kampi ku vuaj dënimin e marrë që nga viti 1958. Unë nuk kam patur asnjëherë qëllim për të tradhëtuar Atdheun. Gjatë gjykimit të çështjes nuk u morën parasysh pretendimet e mija, se unë vuaj nga një sëmundje, e cila më shfaqet në formë hutimi. Kërkoj prishjen e vendimit të gjykatës popullore.
KËSHILLI GJYQËSOR I KOLEGJIT PENAL TË GJYKATËS SË LARTË, pasi dëgjoi relacionin e anëtares Liri Gjoliku, mendimin e prokurorit Skënder Breca që u shpreh për lënien në fuqi të vendimit dhe pasi e shqyrtoi çështjen në tërësi,
VËREN
Është vërtetuar se të gjykuarit Sali Çako dhe Ahmet Hoxha kanë kryer krimin e tradhëtisë ndaj Atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit të ngelur në fazën e tentativës. Nga materialet që ndodhen në dosje dhe që i ka administruar gjykata ka rezultuar e provuar se të dy të gjykuarit kanë qenë duke vuajtur dënimin në repartin 303 Spaç. Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit të dy të gjykuarit kanë biseduar dhe janë marrë vesh që të largoheshin nga vendi i vuajtjes së dënimit me qëllim për tu arratisur jashtë shtetit.Mendimin e tyre kriminal ata e kanë vënë në zbatim më datën 10 tetor 1978 duke dalë nga galeria Nr. 21.Të dy të gjykuarit, mbasi kanë kaluar teritorin e kampit, për pesë dite rresht janë munduar të kapërcejnë kufirin. Kështu i gjykuari Sali Çako është kapur brenda zonës kufitare, kurse i gjykuari Ahmet Hoxha është kapur në momentin që do të kalonte degëzimin e tunelit të lumit Drin. Në kundërshtim me sa ka pretenduar i gjykuari Ahmet Hoxha, ai është larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit me qëllim për tu arratisur jashtë shtetit si armik i pushtetit popullor. Nga thëniet e dëshmitarëve, spjegimet e të gjykuarit Sali Çako dhe të Ahmet Hoxhës del se ata kanë bërë të gjitha veprimet për tu arratisur jashtë shtetit. Në këtë mënyre ata, ashtu si me të drejtë ka pranuar edhe gjykata kanë konsumuar plotësisht krimin e tradhëtisë ndaj Atdheut të ngelur në tentativë, për shkaqe të pamvarura nga ata.
Të dy të gjykuarit kanë kryer një vepër, shkalla e rrezikshmërisë së saj është shumë e madhe. Po kështu edhe shkalla e rrezikshmërisë shoqërore të fajësisë së tyre është e madhe dhe personaliteti shumë i keq. I gjykuari Ahmet Hoxha është dënuar edhe më parë për veprimtari armiqësore si dy herë për tradhëti ndaj Atdheut. Rrjedh nga një familje me përbërje të keqe politike, i jati i tija është vrarë si diversant gjatë gjykimit të çështjes dhe nuk është treguar i penduar për veprën e kryer. Në të tilla rrethana vendimi i gjykatës për masën dhe llojin e dënimit caktuar ndaj të gjykuarit është e drejtë.
PËR KËTO ARSYE
Këshilli gjyqësor i kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, në mbështetje të pikës së parë të nenit 313 KPrP.
VENDOSI
Lënien në fuqi të vendimit nr.47 datë 1.12.1978 të gjykatës popullore të rrethit Mirditë. Ky vendim për Ahmet Hoxhën në bazë të nenit 349 të KPrP nuk do të vihet në ekzekutim deri sa të shqyrtohet kërkesa për faljen e jetës nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Tiranë, më 22.12.1978
Anëtare Anëtar Kryesuese
/L.Gjoliku/ /S.Krongo/ /L.Resnja/
- Ahmet Manxhar Hoxha, dtl. 1940, nga fshati Kolonjë i rrethit të Gjirokastrës, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, i pamartuar, me arsim fillor, i dënuar edhe dy herë të tjera në vitin 1958 me 20 vjet heqje lirie për krimet e tradhtisë ndaj Atdheut, për vepra terrostiste e mashtrim, e në vitin 1963 me 25 vjet heqje lirie për krimin e tradhtisë ndaj Atdheut të kryer në formën e arratisjes jashtë shtetit, të mbetur në tentativë.
Gjatë kohës kur ky vuante dënimin në repartin 303 në Spac, bisedon me një të dënuar tjetër që të largoheshin nga vendi i vuajtjes së dënimit dhe të arratiseshin jashtë shtetit. Për këtë qëllim ata kanë vërejtur mire galeritë ku punonin dhe kanë diktuar se njëra prej tyre për shkak të shembjeve dhe punimeve të ndryshme që ishin bërë, linte shteg për të dalë jashtë rrethimit. E gërmojnë atë e dalin jashtë pa u diktuar. Për pesë ditë, duke udhëtuar vetëm natën, kanë arritur deri në zonën kufitare për t´u arratisur jashtë shtetit, por nuk mundën ta realizojnë qëllimin e plotë sepse u kapën. Me veprimet e tij kriminale ka bërë që për pesë ditë rresht forcat e kufirit, çetat e mbrojtjes vullnetare etj. të humbisnin mjaft kohë për kapjen e tij. Ka një personalitet shumë të keq, po ashtu është edhe qëndrimi i familjes. Babai i tij ka qënë armik i pushtetit popullor. Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit të Mirditës për dënimin me vdekje të Ahmet Hoxhës. I dënuari nuk ka paraqitur kërkesë për faljen e jetës.
A.Q.SH. F. 489 V.1979 D.45 fl.3
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISË
Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemp.Nr. 1
DREJTORIA E HETUESISË
Nr. 77/2 Prot. Tiranë, më 29.1.1979
Lënda: Mbi ekzekutimin me vdekje (pushkatim) të dënuarit Ahmet Manxhar Hoxha
DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME
/ SEKTORIT TË HETIMIT /
MIRDITË
Për njoftim:
PROKURORISË SË PËRGJITHSHME
TIRANË
Në bazë të vendimit Nr.47 datë 1.12.1978 të Gjykatës së rrethit Mirditë, lënë në fuqi nga vendimi Nr.369 datë 22.12.1978 nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, është dënuar me vdekje (pushkatim) Ahmet Manxhar Hoxha, i dl.1940 nga fshati Kolonje i rrethit të Gjirokastrës, se në bashkëpunim me persona të tjerë ka tentuar të arratiset jashtë shtetit, në Jugosllavi, krim ky i parashikuar nga nenet 47 “gj”, 11/II e 13 të Kodit Penal dhe meqënëse Presidiumi i Kuvendit Popullor më shkresën Nr. 84 date 27.1.1979, njofton refuzimin e kërkesës për faljen e jetës të të përmendurit:
URDHËROJ:
Që i dënuari Ahmet Manxhar Hoxha, të ekzekutohet me vdekje (pushkatim) në vendin e caktuar, me datën 31.1.1979, ora 24.00. Për ekzekutimin e tij, ngarkoj Degën e Punëve të Brendshme Mirditë. Para se të ekzekutohet, të njoftohet i dënuari se, kërkesa e tij për faljen e jetës, është refuzuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Mbas ekzekutimit, i ngarkuari me këtë punë, duhet të bëjë proçesverbalin e ekzekutimit të vendimit që mban fjalën e fundit të të ekzekutuarit, i cili i dërgohet Drejtorisë së Hetuesisë.
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
/ KADRI HAZBIU /
(Firma)
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
“SEKTORI I HETUESISE” Rrëshen, me 31.1.1979
URDHËR
(mbi ekzekutimin me vdekje të dënuarit Ahmet Hoxha)
Në mbështetje të urdhërit të Ministrit të Punëve të Brendshme Nr. 77/2 datë 29.1.1979 për ekzekutimin me vdekje të dënuarit Ahmet Manxhar Hoxha:
URDHËROJ
- Për kryerjen e ekzekutimit të dënuarit Ahmet Manxhar Hoxha, të krijohet grupi i përbërë nga shefi i Sektorit të Hetuesisë oficer Sokol Shazi, Shefi i policisë oficer Viktor Konomi si dhe policët Ndue Gega, Preng Bardhi, Ndue Kodra dhe Zeqir Lalaj.
- Në ekzekutim të asistoi Prokurori i Rrethit si dhe mjeku Xhemal Zeneli.
3.Ekzekutimi të bëhët në vendin e quajtur rruga e Kacinarit variant i druve datë 31.1.1979 ora 24:00. Mbas kryerjes së ekzekutimit nga ana e oficerit Sokol Shazit të përpilohet proçes-verbali ku të shënohet fjala e fundit e të ekzekutuarit dhe ti dërgohet drejtorisë së hetuesisë.
KRYETARI I D.P.BRENDSHME
SKËNDER LIKAJ
Sokolit
1) Bëni planin e ekzekutimit në zbatim të urdhërit të Ministrit.
2) Kom. e Partisë (sekretarët) i vini në dijeni me (e palex.)
3) Njoftoni Vaskën (palex.) të marrë masat
4) Mbas ekzekutimit (me pushkatim) bëni veprat e njoftimit
31.1.1979 (firma)
Shoku Skënder Lika
Sipas porosisë së Shokut Ministër, pas ekzekutimit të të dënuarit Ahmet Manxhar Hoxha, konformë rregullave nëpërmjet komandës së repartit të vihen në dijeni për këtë të gjithë të dënuarit e tjerë që vuajnë dënimin në Repartin e Riedukimit Nr.303 Spaç.
Zv/Kryetari Degës së I-rë Dr. Hetuesisë
(Dhimitër Beshiri)
(firma)
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISË
Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME \ Ekzemplar Nr.1
“ SEKTORI I HETUESISË “ \Mirditë, me 1.II.1979
Nr. 99/1 prot.
LENDA : Dërgohet një proçes verbal
MINISTRISË PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORISË HETUESISË
DEGËS I
TIRANË
Bashkëngjitur ju dërgojmë proçes verbalin e ekzekutimit dhe të fjalës së fundit të dënuarit me vdekje pushkatim Ahmet Manxhar Hoxha.
KRYETARI I D.P.BRENDSHME
Skënder Likaj
(Firma)
Katini i Gëziqit, Rrëshen
Kur në Nëntor 1944 komunistët erdhën në fuqi zyrtarisht, tmerri që e shoqëroi fitoren e tyre permes terrorit, dhimbja e lotët e familjeve të goditura kush me një e kush me më shumë të vrarë, ishin baza e regjimit të tyre. Goditja që u bënin burrave me emër të çdo krahine, pavarësisht bindjeve politike, duke i vrarë befasisht, kishte çuditur edhe disa nga vet kuadrot e tyre që mendonin se po bënin një luftë çlirimtare, dhe kjo i zemëronte por më shumë i tulaste dhe I bënte të heshtur. Goditjet në befasi ishin bërë gjëra të njohura në Jug e në Veri. Ata planifikonin ta ngrinin në sistem këtë regjim grushti mbi popullin, terrorin dhe frikën , duke e zemëruar atë por edhe duke e sfilitur nëpërmjet mjerimit dhe frikës. Në Shqipëri u huazua dhe u praktikua më e keqja e mundëshme e komunizmit duke lënë në memorjen e njerëzve përjetësisht krime të pa shlyeshme.Shumë kush e ka dëgjuar dhe e di çfarë kujton emri “Katini Polak”, ç`drithërima shkakton akoma ai emër në tërë Evropën. Katini është një pyll në Poloni, ku terrori i kuq stalinist kreu një masakër kundër oficerëvë nacionalistë polakë.Në atë pyll u masakruan 14.700 oficerë dhe 11.000 pronarë tokash, me një fjalë ajka e Polonisë. Por në Shqipëri se ç’ ka ndodhur në fshatin Shipskë të Voskopojës më 17 shkurt 1944, këtë pak e dinë. Megjithatë, “Katini” i Shipskës na del tash sëfundi tmerri i vërtetë i luftës civile i kryer nga komunistët Shqiptarë. Sepse numuri për të cilin bëhet fjalë është i madh :182 nacionalistë të vrarë e të groposur në një gropë të përbashkët tek përroi i Shipskës. Për këtë masakër ishte shpërndarë një trakt i Ballit Kombëtar qysh më 17 shkurt 1944, me akuzën që thamë më lart, vrasjen e 182 nacionalistëve. Fort pak njerëz e dinë se për këtë vrasje masive ka shkruar edhe „The National”, tekstualisht: “…Ngjarja më tragjike është varreza masive e zbuluar në luginën e Shipskës. Në të u gjetën 185 kufoma. Ata ishin torturuar, copëtuar, masakruar për shkak se ishin nacionalistë. Ky krim i shëmtuar është kryer nga komunistët e zonës së Korçës, udhëheqësi i të cilëve ishte Manol Konomi, njeriu i drejtësisë, i cili ditët e sotme është Ministër i Drejtësisë në Tiranë.” Po Katini i Gëziqit çfarë fsheh? Çfarë thonë njerëzit e këtyre anëve? Çfarë dinë për këtë pyll përballë Degës së Brendshme, përballë Komitetit të Partisë? Po këtij pylli sa herë i janë dridhur drurët shekullorë, degët e gjethet në mesin e natës nga kërcitja e tmerrshme e kallashnikovit? Që sa herë villte tym e flake, merrte jetë njerzish. Po rrënjët e këtyre drurëve me se janë vaditur? Po gjethet e zverdhura të këtyre drurëve çfarë mbulojnë nën vete tek kanë rënë përdhe? Po barin pse nuk e hanë bagëtia, kur i sjell çobani për të kullotur? Po çobani kur shtrihet për të pushuar nën vapën përvëluese të korrikut nën hijet e freskëta kur shtrihet të marrë një sy gjumë, a sheh ndonjë ëndërr apo i dalin fanitje tmerri, apo dëgjon ndonjë rënkim a pëshpëritje në thellësi të tokës? Po egërsirat që e kanë strehë apo strofull për të kaluar natën në këtë pyll, pse nuk e preferojnë ? Çfarë ndjejnë, mos vallë dëgjojnë zëra apo klithma, dhe largohen për diku tjetër? Apo ndiejnë sikur u dridhet toka nën këmbë, dhe ikin të trembura me vrap për të mos u kthyer më… Po rrugtarët tek kthesa e Kaçinarit a dinë gjë përse ka shërbyer ky pyll? Po “varianti i druve” pse e ka këtë emër? Aty ku e lë xhadenë futesh majtas , ai vend duhet të dijë diçka apo dëgjuar? A do shpjegojë kush se çka ndodhur e çfarë fshihet aty? A pyet veten vallë ç’janë këto krisma, pse vetëm natën? Po ato dy apo tri gropa kush i ka hapur? Pse i ka hapur? Çfarë kanë kërkuar aq thellë? Patjetër që kanë kërkuar diçka dhe e kanë gjetur e marrë atë grusht eshtrash akoma të pa shkrira të të afërmëve të tyre të ekzekutuar e groposur midis rrënjëve të lisave shekullorë. A do ketë ndonjë gjallesë për të treguar se ç´ka ndodhur në këtë vend? Po bashkëshortet e këtyre kriminelëve që të shtrira në krevat, presin të trokasë dera e të vrapojnë për ta hapur se vjen bashkëshorti (oficeri) në mes të natës; a bëhen kurioze ta pyesin, pse u vonua e ku ishte, mos vallë me të dashurat e tij apo ku? Po. Xhelati do ti përgjigjet shkurt: Atje ku ka nevojë partia. Po xhelatin a e vret ndërgjegja e ta pyesë vehten se sa herë kthehet mbas mezit të natës ka marrë një jetë njeriu e ka lënë fëmijë jetimë,ka lënë nënën pa djalë e nusen pa burrë, e motrën pa vëlla. Jo? Po vehten a e pyet ndonjëherë se po ti ndodhte atij si do ndiheshe?
Urdhëri ka ardhur…
Ora po afron, çdo gjë është gati sipas planit të hartuar nga shefi I policisë, i urdhëruar nga kryetari i degës i cili është njoftuar nga Ministri i Punëvë të Brendshëme. Dhe Ministri i Punve të Brendshme e ka marrë njoftimin nga Presidiumi K.Popullor.Nuk i falet jeta Ahmet Manxhar Hoxhës.Një zinxhir me hallkat e tij bëjnë formalitetin dhe nuk duan që as në burg të jetojë Amet Hoxha, po e duan të groposur në përrua apo në ndonjë pyll. Gati janë, të gjithë qëndrojnë në rresht të heshtur dhe presin urdhërin e nisjes. Ata e kanë kuptuar pse janë thirrur në këtë orë me acar të Janarit. Përgjegjësi i birucave, një rrondokop me fytyrë të vrejtur e aq më tepër i mësuar me punët e natës dhe errësirave të ftohta.Duke mos i bërë përshtypje fare lidhja e zgidhja e njerëzve me pranga në duar e këmbë dhe helmetë në kokë, të dënuar me vdekje.Pa fshehur kënaqësinë se po përcillte edhe një “armik” në botën tjetër . Eshtë afruar fluturimthi te biruca Nr. 7. Fut turinjtë e shikon prenë në sportelin e derës,bën xhiro nëpër koridorin gjysëm të errët duke tundur e hedhur një tufë çelsa sa në një dorë në tjetrën. Pret një urdhër që të hapë atë derë të kalbur nga torturat e prangave e rënkimet e njerëzve në pritje.
Minutat e fundit të të dënuarit me vdekje
Oborri i degës së Punëve të Brëndëshme është plot me civilë e policë.Presin pa folur me njëri tjetrin.Në këtë errësirë Janari e në këtë orë gati mezi i natës, civilët bashkëpuntorë duhet të ishin në shtëpitë e tyre të shtrirë në rrogozin e kalbur nga lagështira e dherit të zi të dhomës me kokën të mbështetur mbi kërcu në vend të jastëkut. Duke shikuar në mur e soditur fotografinë e xhelatit të shqiptarve. Kryetari i degës P.B. e kishte marrë urdhërin dhe orën e ekzekutimit. Turma e oficerëve dhe policëve po shtohej. Në qiellin me re të zeza, ndonjë vetëtimë me një dritë verbuese gjarpëronte për një çast në oborrin e mbushur plot me fytyrat e vrenjtura të sigurimsave duke paralajmëruar stuhinë e Janarit. Në errësirën që pason, katër makina dalin nga kthesa e rrugës dhe i afrohen dritës së dobët të fenerit në dorën e policit.I ftohti i detyronte gjithë të lëviznin sa andej këndej në oborr. Një zë gati i ngjirrur thërret disa nga policët brënda se i kërkon përgjegjësi i birucave. Të arrestuarit nuk i zë gjumi, përgjojnë edhe zhurmën më të vogël, ia mbërthejnë sytë sportelit, për të parë policin, se kujt do ti bënte shënjë të ngrihet, për ta çuar të prangosur sipër në zyrën e hetuesit. Ata e dinë se në birucën e fundit, me numurin shtatë, është i dënuari me vdekje, pra policët dhe civilët e shumtë në këtë orë e kanë një kuptim, se për atë ka mbrritur vdekja, se jeta, jo…. Të arrestuarit “qetësohen” kur polici u mbyll sportelet dhe shkojnë më tej deri te qelia e personit të caktuar për tu hetuar e torturuar, që të pohojë ato që kërkon hetuesi. Më në fund hapet dera e birucës pranë banjos, numuri 7, që ka brënda dy të dënuarit , njëri syresh i shtrirë me kurriz nga dera, i lidhur kokë e këmbë e me helmetë të ngjeshur në kokë. Esht një grusht kockash që dridheshin nën pritjen e ethshme e sfilitëse, e i mbuluar me një batanije të rreckosur. Në krah të këtij grumbulli pa formë , një tjetër i dënuar që i shërben, si ai që do jetojë duhet t`i shërbejë atij që do vdesë. Në cepin e birucës – një tas me lëng, një lugë pa bisht e një copë bukë e zezë.Këtë racion –lëtyrë, i
dënuari e kërkonte dikur, por tani s`e do më, nga parandjenja e zezë o mbase nga shpresa. Është e tridhjetepesta ditë që prêt ç`rrugë do marrë fati i tij, drejt jetës apo vdekjes.. Nga eksperienca e dënimit të më parshëm kur ai paguante me vite galerie për arratisjen nga kampi i Laçit, pikërisht të 35tën ditë i kishte ardhur falja e jetës dhe i ishte hequr skafandri e zgjidhur prangat për t`i a komunikuar. Këtë Ahmeti e mban mend, prandaj zhurma e dyerve që krisën në këtë mesnatë e bën të mbajë vesh tër ankth, se këtë rradhë e di fort mirë që fundi i 35 ditëve është ndryshe. 37vjeçari është pothuajse i vetëdijshëm për të kundërtën e herës së parë. Ta dëshërosh lirinë aq sa të thyesh burgun që ta fitosh, hajt një herë po ta falim, por kur ajo dëshirë bëhet e paepur, këtë nuk ta durojmë, është gjë prej trimi, dhe neve s` na pëlqejnë trimat, se na rrezikojnë, prandaj ti do vdesësh. Këto i mendon Ahmeti, por shpresa ësht e çmendur.. Në këtë kohë polici hungëret “kush s`e ka ngrënë ushqimin”?-I dënuari tjetër i përgjigjet: “Ahmeti tha se do e hante më vonë”. Një zë, me sa duket kryetari i degës, përgjigjet i padukshëm: “Jo, tani ky s’ka për të ngrënë më, do ndërrojë vend, atje ku vete nuk do ketë nevojë më. Polici thirri: “Ngrehu, lëviz, se të erdhi fundi, tani e tutje do flesh gjumin e madh.” Pra, torturës 35 ditore të Ahmetit, jeta apo vdekja, i erdhi fundi. Jeta, edhe pse në burg , është e dashur, vuajtjet kanë shoqe të pandarë shpresën, por tani, s`e ka më mundësinë të zgjedhë. Nga zërat e policëve dhe oficerëvë , nga vetë prezenca e tyre, Ahmeti e kupton afrimin e sigurt të vdekjes. Policët sipas komandës të kryetarit, ia hoqën hekurat e këmbëve, të shtrënguara për kaq javë sa i kishin lënë një ulluk në mish; ra dhe zinxhiri që lidhte hekurat e këmbëve me prangat e duarve.Tre civilë ndihmuan policin ta ngrinin në këmbë të porsazgjidhurin. Ahmeti, i mpirë, me plagët e hekurit që i dhëmbin, dhe të dergjurit për kaq javë që e kanë dobësuar, ai mezi qëndron në këmbë. Dëshira e jetës nuk e kish braktisur kurrë , shpresonte se një ditë mund të rifitonte lirinë, të martohej, të bëhej me fëmijë, por tani çdo gjë ka marrë fund. S‘i mbetet veçse të sillet si burrë në këtë natë të errët e të ftohtë Janari, që Vdekja ka zgjedhur për ta marrë, të mbahet dinjitoz e të mos ligshtohet.
Saliu pranë tij, shok i birucës, luftonte i hutuar mes gëzimit që s‘po dënohej nga plumbi si shoku i arratisjes, dhe dhimbshurisë për të, e kishte ushqyer gati me zor në ato ditët e pritjes së gjatë. Por ja, ata hyjnë me zhurmë në qeli, njëri nga civilët e godet me shkelm tasin e supës, dhe e përplas për muri; lëngu I ftohtë derdhet ngadalë. Ndërkohë polici ja lidhi përsëri këmbët me një zinxhir tjetër, që i lë distancë sa një gjysëm hapi. Duart ja lidhin mbrapa, dhe pastaj, e lidhin për mezi me një litar që polici t‘ia kontrollojë lëvizjet. Në çast dikush nga oficerët urdhëroi : “Hajdeni se u vonuam”. Tek dera Ahmeti u ndal, ktheu kokën mbrapa, shikoi shokun për ta falenderuar për shërbimin gjithë ato ditë. Shikimi i Ahmetit për një çast u duk si lutës, thuajse ju drejtua për ndihmë, ose ndofta për ta porositur që të dëshmojë për çfarë po ndodhte në ato minutat e ndarjes së tyre. ‘Të lutem mos më harro~ ngjante sikur i thoshte me sy, ‘dhe lamtumirë!‘.Policët e tërhoqën fort nga litari nga jashtë birucës, dera e së cilës u mbyll me përplasje, e më pas në korridor u dëgjua tingëllima e zinxhirit me hapat që po largoheshin. U dëgjua dhe zhurma e një porte prej hekuri, e më pas qetësi. Ahmeti qëndroi pak pranë njërës makinë, pastaj e mbërthyen nga krahët dy policë, ndërsa një i tretë shtrëngonte cepin e litarit. E hodhën në karroceri dhe u nisën. Qetësinë e birucave e prishën zhurma e motorrëve të makinave që çanin shurdhërinë e errët të atij fund Janari…
Askush nuk fliste. I ulur mes dy policëve që vazhdonin ta mbanin fort për krahësh, megjithse i lidhur e me kapuç në kokë, rruga me gropa, e lëkundte fort. Mbas gjysëm ore makina u ndal, zbritën të dënuarin dhe ecën ca në këmbë. Fëshfërima e shkurreve që përplaseshin me zinxhirin e këmbëve bënin të dëgjohej një zhurmë çjerrëse sa herë që ai lëviste këmbët . Këtë zhurmë tingëlluese të hekurit e pasonin përplasjet e krahëve të zogjve të trëmbur që brofnin të friksuar në fluturim. Oficerët ecnin përpara duke larguar me dorë degët e shkurreve e të lisave, të tjerët mbrapa mbanin prenë e tyre nën dritat e fenerëve. Çdo gjallesë që flinte në atë pyll, e trembur nga zhurma e zinxhirëve dhe hapave të rëndë të këtij kortezhi të përmortshëm, largohej me shpejtësi. Më në fund kortezhi u ndal përpara një grope. Vendi vet ku kishin mbritur ishte i thellë, ndaj dhe errësira bëhej më e thellë. Policët ia zbuluan fytyrën të dënuarit, aty një zë i prerë (me siguri prokurori) i komunikoi që falja e jetës ishte refuzuar nga të gjitha instancat. Pra, megjithse veglat kanë apo s‘kanë kënaqësi në zbatim, aty ato nxorën në dritën e fenerëve autorin e vërtetë të asaj që po ndodhte në atë terr me një djalë të thjeshtë shqiptar. Kishte mbetur në fuqi vendimi i gjykatës së Rrëshenit. “Këtë e kam kuptuar” u dëgjua zëri i Ahmetit, që dukej sikur vinte nga honi i një bote tjetër.”Fjalën e fundit, ç‘ke për të thënë?” “ (Poshtë komunizmi! Poshtë kriminelët e popullit Jam gati, Ç’prisni! Po më pret babai atje ku ju e dërguat”.“ Rrofte Shqiperia! Jam gati, ç’prisni etj. Tani pritej vetëm fjala e mallkuar nga goja e xhelatit kriminel. U digjua një zë që ulëriti “Zjarr”! Qielli u ça nga breshëria e armëve dhe pylli ndriçoi nga flaka e çdo gryke zjarri. Rrëketë e gjakut do të zbresin të nxehta në gropë nga çdo plagë e trupit të Ahmetit, djaloshit që u arratis dy herë. Dashnori më i pasionuar i lirisë duhet edhe të ketë në dejet e tij më shumë gjak për t‘ia ofruar asaj. Prandaj xhelatët nuk janë të bindur se kjo breshëri plumbash ja ka marrë jetën. Ai mund të ngrihet prapë për hir të Lirisë. Një tjetër xhelat, me rang më të lartë, i afrohet me kobure në dorë dhe me fenerin për të qënë i saktë në zbatim të urdhërave; e qëllon përsëri djalin në kokën e gjakosur. Oshëtima merr pyllin e errët për të dhënë lajmin se errësira sundon, dhe e ndëshkon këdo që do dritën e lirisë dhe nuk i bindet sundimit të saj. Policët fusin duart në xhepat e xhypave, të kënaqur o ndofta vetëm të lehtësuar, që e kryen edhe këtë porosi të diktaturës, e cila ushqehet e gjallon me gjak e krisma armësh mbi të pabindurit. Dikush ua ndërpret muhabetin. Tani s’kemi ç’presim ,urdhërin e zbatuam. Ikim. Hyn në punë pjesa tjetër e skuadrës së vdekjes, që nxiton me lopata për të mbuluar gropën , bashkë me atë jetë të çmuar që e ngjeshën brënda akoma pa u shterur currilat e gjakut të përziera me dhé të zi, duke u kujdesur të mos lënë asnjë shënjë apo gjurmë prapa. Kjo ësht historia: Ahmet Hoxhën e futën në ferrin e burgut komunist për ta torturuar fizikisht dhe për ta dërmuar moralisht; faji i tij i vetëm, se deshi ta përdorte të drejtën e tij për të lëvizur lirisht. Ditët që kalonin ia shtonin këtë të drejtë, dëshirën ia bënin uri, dhe prandaj edhe dënimet pasuan njeri tjetrin, për t‘ia venitur e shtypur atë dëshirë, sepse riedukim për komunistët ishte të bëhej një robot i bindur, të pëlqente prangat dhe të mos kishte ëndrra për një jetë me dashuri e familje, të mos gëzonte e të luante me fëmijët e tij, por t u shërbente atyre deri në pleqëri si njeri-makinë që gërmon në galeri. Kjo nuk ndodhi. Përplasja erdhi, Ahmeti nuk arriti të gëzojë lirinë dhe të krijonte familje, por as nuk u bë robot i tyre. Ai s‘e pranoi variantin e kthimit në shtëpi i plakur e i lodhur, pra i gjallë sa për të thënë. Ai u përplas me mundonjësit e tij, me robotizimin e rinisë, dhe bashkë me të u shuan dhe ëndrrat e tij përgjithmonë. Qe nata e fundit të Janarit të 1979, dhe vendi Rruga e Kaçinarit, i shifruar si “variant i druve”, Rrëshen.
Rexhep Goçi i vrarë nga ushtari
Rexhep Goçi i përkiste një familjeje të persekutuar politikisht në rrethin e Tropojës. Babai i Rexhepit, Uk Beqir Goçi (Goçaj) i akuzuar me lloj-lloj akuzash, kishte qenë dënuar në vitin 1952 me 10 vjet burg nga Gjykata Speciale e Sigurimit në Tiranë me kryetar të famshmin kolonel Nevzat Haznedari. Më poshtë do të gjeni akt-akuzën dhe vendimin për Uk Beqir Goçajn.
Republika popullore e Shqipërisë V.F.L.P
Ministria e punve të Brendshme Tiranë më 1952
Gjykata speciale e sgurimit
Nr 19 e regj. Themeltar.
Nr 27 vendimit
Akt – Vendim
Në emër të popullit shqiptar
Gjykata speciale e përbërë prej:
N/ kolonel Nevzat Haznedari – kryetar
Major Muço Saliu – antar
Kapiten i I-rë Dhimitër Gjoni – antar
Duke qënë prezent dhe prokurori i Gjykatës Speciale Kapiten i Irë Xhevit Struga dhe sekretari kapiten Safet Starja me datë 5.12.1952.
Vendosi
Në padije penale të regjisturar nr. _________ të regjistrit themeltar të vjetit 1952, kundër të pandehurit Uk Beqir Goçaj, i biri i Beqirit dhe i Gjykes, lindur dhe banues në katundin Çerem të rrethit Bajram Curri, i datëlindjes 1894, shtresë e varfër fshatar, me profesion bujk, pa arsim, me shtetsi dhe kombësi shqiptare i martuar me 9 fëmijë, i padënuar ndonjëherë, i paraburgosur me datën 15.7.1952 I – akuzuar se: Qysh nga Çlirimi i Shqipërisë ka strehuar t’arratisurit, ka pasur dijeni mbi ardhjen e diversantëve, ka shpërndarë materiale propagandistike dhe se ka pasur tendencë arratisjeje.
Gjykata:
Mbasi ndëgjoi proces verbalin e mbajtur kundër të pandehurit, mbasi ndëgjoi apologjinë e të pandehurit, mbasi ndëgjoi pretencën e prokurorit, i cili kërkoi dënimin e tij dhe 10 vjet privim lirie, mbasi ndëgjoi mbrojtjen e avokatit, mbasi shqyrtoi çështjen në fakt dhe në ligj.
Konstaton – se:
Në vitin 1946, duke qënë kryetar këshilli ka strehue për 25 ditë 5 kriminelë dhe ka mbajtur të fshehur armët dhe municionet e këtyre deri ditën e arrestimit. Në vitin 1948, ka strehue dhe funizue diversantët jugosllavë Murat Rexhën, Çel Shabanin dhe Bajram Hasanin, ka pasur dijeni mbi ardhjen e diversantëve Haxhi Sherbeti, Dulec Ramën dhe Bajram Ramën, në territorin e Ceremit. Ka marrë dhe shpërndarë material prapagandistik të Trockistëve Jugosllavë bashkë me Çel Shabanin kanë kaluar matanë kufirit një sasi bagëti dhe i kanë dorzuar U.D.B-së. Ka pasur tendencë arratisjeje.
Prandaj:
Trupi Gjykues i një mendimi me kërkesën e prokurorit, i cili kërkoi dënimin e tij me 10 vjet privim lirie.
Vendosi:
Dënimin e të pandehurit Uk Beqir Gocaj me 10 vjet privim të lirisë në bazë të nenit 69 dhe 72 në kombinim me nenin 44 të K.P të Republikës Popullore të Shqipërisë. Ky vendim ka formën e prerë u shpall me datën 24.2.1953
Antarë Antar Kryetar
Major Kapiten i I-rë N/kolonel
(Muço Saliu) (Dhimitër Gjoni) Nevzat Haznedari
(vula) (firma)
Amnisti, krisma, gjak,
Kufoma, festë, dekorime.
Rexhep Uk Goçi lindur në vitin 1937 në fshatin Çerem të rrethit Tropojë, ka qenë i martuar me Bora Goçaj dhe kishte 7 fëmijë: tre djem, Perlatin (më i madhi), Esatin, Luanin dhe vajzat Sadete, Valdete, Valbona dhe Servete. Rexhepi kishte arsim fillor dhe ka punuar në ndërmarrjen e gjeologjisë të Tropojës. Në vazhdim të luftës që u bënin si familje, më 14.2.1975 arrestohet edhe ky, ashtu si i ati para 20 vjetëve. Por nëse Uka kishte mbajtur “diversantë” në shtëpi dhe kjo tregon se sa fort e urrente populli rigjimin, arrestimi i të birit, Rexhepit me shtatë fëmijë në ngarkim, për akuzën e përgjithshme ‘agjitacion e propagandë kundër pushtetit’, dëshmon shumë gjëra, dhe kryesisht terrorin e vazhdueshëm edhe mbas 30 vjet pushtet. Më 30.5.1975 Gjykata e Tropojës e dënon me 10 vjet heqje lirie. Më pas e dërgojnë për të vuajtur dënimin në kampin e Spaçit të Mirditës. Tirana vazhdonte të hante pjellat e veta. Ishte koha kur lufta e brëndëshme kishte bërë plot viktima, në ushtri e në parti, dhe priteshin të tjera, deri sa në dhjetorin e 1981 vritet xhelati i madh, kryeministri gjakpirës. Ne të burgosurit politikë këto ngjarje i prisnim me një gëzim të papërmbajtur.Për të justifikuar valën e arrestimeve dhe dënimeve që ua kërkonte si politika e terrorit (thyerja përfundimtare me popullin) ashtu dhe ekonomia në falimentim, sundimtarët mblidhen dhe vendosin madje të ngarkojnë me përgjegjësi ata të cilët i vrisnin vetë.Kësisoj në vitin 1982 në muajin nëntor qeveria bëri një amnisti për të burgosurit politikë. Në burgun e Spaçit përfitonin 373 apo 375 të dënuar, të cilët u liruan më 15 nëntor 1982. I përmenda rrethanat e mësipërme në të cilat kalonte vendi, për ta lidhur me fatin e keq të këtij shoku tonë të vuajtjes . I ndjeri Rexhep nuk përfitoi nga kjo amnisti mbasi sipas pikave të faljes, ai kishte 11 ditë më shumë, ndaj dhe nuk përfitoi. Të nesërmen, më 16 nëntor Rexhep Goçi do të jepte shpirt tek galeria 15/ 1 nga breshëritë e kallashnikovit. Lexuesi do ta kuptojë se me ç‘ndodhi ishim të destinuar të vuanim burgun ne të dënuarit nën atë regjim zemërkasmë; përveç lodhjes raskapitëse, ne duhej të merrnim shpesh edhe të tilla goditje : të asistonim në vrasjen e një shoku baba 7 fëmijësh, pa mundur të bënim asgjë… Ishte “rregull” i komandës që mbasi të vrisnin, vendgroposja të ishte në Shpal të Mirditës. Pas vitit 1990 familjarët e Rexhepit u interesuan dhe, rast i rrallë,e zbuluan vendin ku dergjej; e morën dhe e varrosën në vendin e lindjes ku pushon përjetësisht pranë të parëve të tij.
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
GJYKATA E RRETHIT TROPOJË
NR.I REGJ. THEMELTAR _64
- I VENDIMIT _65
VENDIM
“NË EMËR TË POPULLIT”
Gjykata e Rrethit të Tropojës e përbërë nga:
Shefqet Muçi Kryetar
Imer Sokoli anëtar
Kadire Ismailaj anëtar
me sekretare Vera Doçin dhe pjesmarrjen e prokurorit Kristaq Ngjela, shqyrtoi në seancë të hapur gjyqësore të datës 29 e 30 maj 1975 në Çerem çështjen penale Nr.69, që u përket të pandehurve;
1 – REXHEP GOÇI, i biri i Ukës dhe i Fatimes, i datëlindjes 1937, lindur e banues në Çerem, me origjinë shoqërore fshatar i mesëm, dhe me gjendje punëtor, me arësim fillor, pa imunitet, pa parti, i padënuar më parë, i arrestuar më 14.2.1975. Gjykata, pasi përfundoi hetimin gjyqësor, pasi dëgjoi prokurorin që kërkoi deklarimin e të pandehurve fajtorë sipas akuzës dhe të dënohet i pandehuri Rexhep Goçi me 10 vjet heqje të lirisë, ndërsa i pandehuri Çelë Goçi me 7 vjet heqje të lirisë, pasi dëgjoi edhe fjalën e mbrojtjes dhe të fundit të të pandehurve në të cilën kërkuan; i pandehuri Rexhep të dënohet sipas ligjes dhe i pandehuri Çelë drejtësi,
VEREN:
I pandehuri Rexhep Goçi që në rini të tij ka ushqyer urrejtje për pushtetin popullor, pasi rrjedh nga një familje me qëndrim të keq politik. I ati është dënuar për krim kundër shtetit tonë të demokracisë popullore. Këtë urrejtje i pandehuri Rexhep ja ka ushqyer e mbajtur të gjallë edhe të kushëririt, të pandehurit Çelë Goçi. Të predispozuar për t’iu kundërvënë fitoreve madhështore të revolucionit socialist në RPSH, vijës marksiste-leniniste të Partisë sonë.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E RRETHIT TROPOJË
SHKURTIM VENDIMI
Me vendimin Nr.65 datë 30.5.1975 të gjykatës rrethit Tropojë Rexhep Uk Goçi është dënuar me 10-dhjetë vjet heqje lirie për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor.
KRYETARI I GJYKATËS
/ Besim Trezhnjeva/
Firma
Vula
Ky është telegrami i kobshëm që tre ditë më vonë, u bëjnë familjes së Rexhep Goçit dy miqtë e burgut. Dy vjet më vonë, njëri nga këta dy miq të burgut, Sandër Sokoli, do pësonte të njëjtin fat në revoltën e Qafë-Barit, më 22 maj 1984,por me një ndryshim, ai do jepte shpirt nën tortura në oborrin përpara mencës. Në këtë dhomë na fusnin grupe grupe për të na torturuar e rrahë me dru prej ahu. Kur u futa unë me disa shokë të tjerë pashë llahtar me sy. Dyshemeja e dhomës ishte mbuluar me gjak, po ashtu dhe muret skuqnin nga gjaku. Në tokë kishte copa druri të llangosura me gjakun e atyre të burgosurve që ishin torturuar para nesh. Mbas arrestimit të 20 të dënuarve të cilët i bënë përshesh në dhomën e “takimeve”.i hodhën mbi një makinë të zbuluar e nën rënkimin e dhimbjeve, makina u zhduk në kthesën për në degën e punve të brendshme të Pukës. Ndërsa miku tjetër i Rexhep Goçit, Jetulla Gashi në 1990 arriti të dalë i gjallë nga burgu i Burrelit. Ai jeton në Prishtinë. I plakur, i lodhur e i thinjur tërësisht nga burgu, ai nuk mungon të vijë në fshatin Çerem të Tropojës për të vizituar varrin e mikut të tij që e donte aq shumë kur ishte gjallë e nuk do ta harrojë kurrë e do ta vizitojë sa ta ketë frymën. Mbi varrin e ndritshëm, pllaka e mermertë është mbuluar me lule të ardhura nga Kosova të cilën Rexhepi nuk e hiqte asnjëherë nga goja në bisedat që bënte me miqtë e shokët e tij. Shpesh thoshte: “Zoti i madh mos ma merr shpirtin pa i shkelur ato vise të truallit tonë të grabitura padrejtsisht nga fuqitë e kohës në vitin e mbrapshtë 1913. Shqiptari ka derdhur shum gjak për trojet e veta po nuk dihet sa gjak do të derdhet për të lëvizur gurët e “1913” e ti çojë atje ku duhet”.
Drejtimi Perlat Goci
Qerem Administrata e P.T.
TELEGRAM
Lokali Nr. 7
Marrë data 19-11-82
Prej zyrës B Curri
Marrësi (firma)
Cilësi Për Prej Nr. Fjalë Data Ora Shënime shërbimi
Dragobi Repsi 363 43 18 12:50
Me lotë në sy me hidhrim ne zemer marrim pjes në vdekjen e parakoshme te Rexhepit tone të Dashun. Majuni si burrat duejni dhe ndihmoni njeri tjetrin Tuajt për jetë, Sadri Sokoli dhe Jetulla Gashi.
REPUBLIKA E SHQIPERISË
MINISTRIA E RENDIT PUBLIK
DREJTORIA E ADMINISTRATES BURGJEVE Tiranë, më 9.5.1992
V Ë R T E T I M
Me anën e të cilit vërtetojmë se z.Rexhep Uk Goçi i vitlindjes 1937 është arrestuar më 14.2.1975 dhe është vrarë më 16.11.1982.
Lëshohet ky vërtetim sipas kërkesës së tij.
D R E J T O R I
N/KOLONEL EDMOND CAJA
Firmë Vulë
Republika e Shqiprisë
Noteri
Nr.349-123
V ë r t e t i m
Vertëtohet njësim me origjinalin
Noteri
Mehmet Berisha
(firma)
Rexhep Uk Goci
Varrosur tek vorrezat e Shpalit me nr 42
- Preng
Nisur nga trungu i ullirit pas varrit të dënuarit Hysen Mehdi Merdari i cili e ka nr 41.
Skicë tjetër nuk kemi. Groposja e Rexhep Gocit mban numrin 42 në Shpal. Gjithsej të vrarë në galeri apo të vrarë nga ushtari janë rreth 10 vetë. Shtrohet pyetja po të tjerët, kush janë ata përpara numrit 42 ? Sipas shënimeve të sigurimit aty në Shpal duhet të jenë më shumë se 30 gropa të të vrarëve. Mbas shumë kërkimesh në arkiva kam gjetur informacionin e komandës në të cilën nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me vrasjen. Po ashtu kam gjetur një komunikatë të thatë. Kjo është ndryshe nga komunikimet apo procesverbalet e të vrarëve të tjerë.
Republika Popullore Socialiste e Shqiprisë s e k r e t
Ministria e Punve të Brendshme ekzemlarë Nr.1
Dega e përgjithshme Tiranë, më 17.11.1982
—————
Komunikatë operative nr.272
Mirdita
Më 16.11.1982, ora 8:50, në repartin e riedukimit Spac, i dënuari me 10 vjet heqje lirie Rexhep Uk Goci vjec 45, nga fshati Çerem- Tropojë, u fut 7 metro në zonën e ndaluar. Roja i bëri thirrje të ndalonte, por ai nuk iu bind dhe ajo qëlloi me 2 predha duke e plagosur rëndë. Pasi u shtrua në spital, në orën 13:30 , vdiq.
Zëvëndëskryetari
Ali Korbi
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISE SEKRET
MINISTRIA E PUNVE TË BRENDSHM EKZEMPLAR NR.1
KOMANDA E REPARTIT 303 E PERKOHSHME 5 VJET
- 436 PROT. Dhe gr.III
Spaç më 16.11.1982
INFORMACION
Mbi asgjesimin e të dënuarit Rexhep Ukë Goçi që tentoi të arratisej.
Ministries Punve Brendshme
Drejtoris zbatim vendimeve penale
Tiranë
Degës punve të brendshme
Mirditë
Më datën 16.11.1982 rreth orës 8 e 50 në zonën e dytë të minierës se bakrit Spaç i dënuari për krime kundër shtetit Rexhep Ukë Goçi nga Tropoja, i datëlindjes 1937, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë, futet në zonën e ndaluar në sektorin e vendrojës nr14 e 15, duke e kaluar tabelën “ndalim kalimi,, 16.5 metër në thellësi të zonës së ndaluar. Në kohën kur i dënuari Rexhep Ukë Goçi i afrohet tabelës “ndalim kalimi’’ kthehet mbrapa nga erdhi. Por në të njejtën kohë kthehet përsëri e i afrohet tabelës “ndalim kalimi’’ dhe ushtari i vendrojes nr 14 Bari Koçi, viti i dytë i shërbimit i bën ndaljen, por i dënuari nuk bindet. Për së dyti ushtari i bën ndaljen dhe e paralajmëron se do ta qëllonte, por i dënuari vazhdon rrugën në thellësi të zonës të ndaluar. Në këtë kohe ushtari Bari Koçi i vendrojes nr.14 e qëllon me dy breshëri me 4 fishek. i dënuari Rexhep nuk ndalon. Atëherë ushtari Sami Dyrmishi i V.R. Nr.15 e qëllon me nje breshëri tjetër me dy predha. Po në këtë kohë e ka qëlluar nga V.R 14 dhe ushtar Hysen Uka (përgjegjsi I rojes) me një breshëri. Në këtë mënyrë bëhet neutralizimi fizik i veprimtarisë së të dënuarit, duke e plagosur atë në pjesën e poshtme të trupit me dy predha. Të dënuarit iu dha ndihma e parë mjeksore nga mjeku i repartit 303 dhe u transportua për në spitalin e Rrëshenit, ku vdiq Nga verifikimi dhe analiza që i bënë ksaj ngjarje dalim në këto konkluzione:
1) Efektivi i repartit po paraqitet i mobilizuar e i tendosur në shërbim duke luftuar për rritjen e vigjilencës dhe forcimin e gadishmërisë për sigurimin e elementit armik në ruajtje, mbasi mbajmë parasysh faktin që nga të dënuarit presim që të intesifikohet veprimtaria armiqësore e tyre. Prandaj po forcojmë masat për rritjen e vigjilencës e të gadishmërisë qe të sigurohen të dënuarit, që vuajnë dënimin në repartin tonë.
2) Shkëputja e të dënuarit nga kontrolli i rojes së punës evidencon faktin që policët roje kërkohet të forcojnë kontrollin për t’i mbajtur të dënuarit gjithnjë parasysh, duke mos lejuar që të shkëputet nga brigade qënë i shoqëruar nga roja, qoftë dhe për detyrat e prodhimit. Roja e punës që ishte caktuar në shërbim në këtë brigadë u analizua e u kritikua për faktin se i dënuari i është shkëputur kontrolli i tij.
3) Pretendimi që ngriti i dënuari se gjoja ai shkeli zonën e ndaluar për të marrë trupa betoni për galerinë, nuk qëndron, mbasi frontet e prodhimit në galeritë që janë në shfrytëzim furnizohen me trupa druri nga poshtë (ofiçina) me plan të pjerrët. Këta trupa betony janë nxjerrë nga çveshja e galerisë 16 që ka mbaruar shfrytëzimi dhe nuk përdoren nga miniera në zonën e piritit, por janë vënë stivë për t’i ulur e përdorur në një zonë tjetër të minierës. Pra, del qartë qëllimi i tij, që ky i dënuar shkoi drejt rrethimit të jashtëm në zonë të ndaluar për tu arratisur.
4) Ushtar Bari Koçi e Hysen Uka (përgjegjësi rojes) që ishin në vendrojen nr.14 dhe ushtar Sami Dyrmishi që ishte në vendrojen nr.15 kanë vepruar mirë konformë rregullores së reparteve të riedukimit paragrafi 152, pika 6 faqe 54 për preventimin e ksaj tentative arratisjeje. Grupi operativ i përbërë nga prokurori i rrethit, hetuesi dhe eksperti kriminalist, nga veprimet e para që bëri konkluzoi se ushtarët kanë vepruar konform rregullores së reparteve të riedukimit dhe normave të ligjshmërisë socialiste. Me t’u dhënë sinjali me armë, i gjithë efektivi me armë, antar policie e kuadrot e repartit me shpejtësi të madhe u ngritën në alarm dhe mbyllën menjëherë drejtimet e caktuara. Komanda mendon që për vigjilencën revolucionare dhe gadishmërine e lartë, që tregua nushtarët Bari Koçi (roje), Sami Dyrmishi (roje) dhe Hysen Uka (përgjegjsi roje) t’iu jepet fletë lavdërimi nga zëvendës ministri që ka në linjë repartet e riedukimit. Kjo ngjarje na shtron detyra akoma më të mëdha për të ngritur në një shkallë më të lartë vigjilencën e gadishmërinë e efektivit që të mos kemi asnjë arratisje apo veprimtari tjetër armiqsore në radhët e të dënuarve.
Kryetari i repartit Komandanti repartit
/Pjetër Cara/ / Myftar Myftari/
Çfarë ndodhi realisht më 16 nëntor 1982 në Spaç?
Rreth viteve 70-të, në kupolën e krimit në Tiranë, diktatori po vazhdonte krimet e radhës. Në burgun e Spaçit vinin lloj-lloj informacionesh, ndoshta për t’i pasur ne si ushqim të shpresës. Kurse në vitin 1981, natën e 17 duke u gdhirë 18 dhjetori, në televizion u dha një lajm i gëzueshëm për ne, por edhe i vërtetë: “Nga një krizë nervore, kryeministri i Shqipërisë, shoku Mehmet Shehu, vrau veten”. Të gjithë të burgosurit përfshi dhe unë, u gëzuam shumë. Bisedonim nga dy e nga tre se komunizmi po e çonte drejt fundit ngrënien e pjellës së vet. Gati një vit më von qeveria shpalli me rastin e gjoja zgjedhjeve, një amnisti për të burgosurit politikë dhe më 15 dhjetor 1982, në burgun e Spaçit, u liruan mbi treqindeshtatëdhjetë të dënuar. Në bazë të përllogaritjeve një i dënuar nga rrethi i Tropojës, Rexhep Uk Goçi, nuk përfitonte nga kjo amnisti, sepse kishte njëmbëdhjetë ditë më shumë sipas kartelistit të komandës.Këta që u liruan ishin në brigada të ndryshme nga të pesë zonat e minierës, dhe ishin nga ata më të sfiliturit, pra një mrekulli! Ishin nga ata që e kishin ndier fort peshën e kamzhikut dhe torturave të tjera, (siç janë lidhja me hekura tek shtylla e betonit dhe shumë herë me duar të lidhura mbrapa, ose tek një rrotë vagoni që peshonte vetëm në duart e lidhura, e vendosur ashtu që të mos takonte në tokë..). Të gjithë sa u liruan pra, u shpëtuan këtyre torturave. Problem urgjent tani ishte zona e dytë, ku nxirrej minerali i piritit nën temperaturën 40° – 45° nxehtësi, sepse kërkonte krahë pune. Zyra teknike bëri një organizim të ri për të zëvendësuar në çdo brigadë puntorët që u liruan. E plotësuan brigadën aq sa duhej për planin e piritit. Nuk diskutoheshe asnjëherë që zona e dytë të mos realizonte planin.Unë që në atë kohë punoja në zonën e pestë, më kaluan në zonën e dytë , po minator, bashkë me disa të tjerë. Sollën gjithashtu armatorë nga zonat e tjera. (punëtorët e mirëmbajtjes së galerisë quheshin armatorë). Midis të ardhurve si armatorë në zonën e dytë ishte dhe Rexhep Goçi. Në kohën që do futeshim Brenda në galeri dhe saktësisht në galerinë 15/1, Rexhepi merr një mjet që quhej “karrotrupe” për të ngarkuar disa trupa betoni jo shumë larg grykës së galerisë. Në të djathtë të kësaj galerie, gati 50-100 metra larg, ishte rrethimi dhe një karakoll jashtë tre rrethimeve telash me gjëmba. Këtu vigjëlonte natë-ditë ushtari me mitraloz në dorë. Duhet të sqaroj një gjë për këdo që s`ka dëgjuar për këto gjëra që po rrëfej. Në qoftë se ushtari vriste një “armik” (të burgosur politik), shpërblimi i parë ishte pesëmbëdhjetë ditë leje dhe patjetër, një dekoratë, kur do mbaronte ushtrinë, plus komanda e vishte polic po në kamp. Në brendësi të hapësirës nga rrethimet e 20-25 metra larg galerisë, ishin vendosur disa tabela paralajmëruse në formë trekëndëshi lyer me ngjyrë të kuqe (prej hekuri), që i dënuari nuk duhet tu afrohej dhe as që bëhej fjalë të kalonte mbrapa tyre. Rexhepi, disa metra larg këtyre tabelave, po ngarkonte trupat e betonit për t’i futur në galeri. U dëgjua ulërima e mitralozit, ne shtangëm të gjithë sa ishim nga frika. Sapo u dëgjua zhurma e vdekjes, polici i drejtohet duke i thirrur ushtarit: “Ç’bëre more, ndalo zjarrin, mos qëllo”. Rexhepi kishte rënë brinjazi me trupin e betonit 70-80 kilogramësh në prehër dhe me një zë gati në fikje foli: “Ç’më bëre more ushtar, më vrave, m’i le fëmijët rrugëve, kam një qerre me fëmijë. Oh Zot, pse, pse kështu me mua, mirë që s’më liruat, po pse më vratë? Ti e shef sa larg tabelës jam. Ah, fëmijët e mij mbetën jetimë”. Gjaku dalngadalë po skuqte rrobat e pista nga piriti, ai vari kokën mënjanë dhe nuk u ndie më. Polici qëndronte në këmbë, pranë kufomës duke na ulëritur neve: “Futuni brenda, futuni brenda! Asnjë jasht!”. Për tetë orë rresht, ulur në cepin e galerisë e pa folur asnjë fjalë me njëri–tjetrin mendonim për atë që i ndodhi Rexhepit, rrinim si të mpirë të ndriçuar nga flaka e verdhë e llambës karbitit. Mbas disa orësh mbërriti prokuroria e Rrëshenit për të bërë formalitetet e për ta lejuar komandën të bënte groposjen e radhës në një kodër që e ka emrin Shpal, gjithmonë aty ku e prisnin shokët, të vrarë e groposur më parë. Dihet disa vdesin e disa lindin në mjerim e vuajtje megjithatë jeta vazhdon. Fëmijët e Rexhepit u rritën jetimë në praninë e dhimbjes e të urisë. Patën shtetin kundra dhe drejtësinë po ashtu. Të dy palët duhet të jenë marrë vesh që mbas gëzimit që patëm ne dhe populli me faljen e qindra “armiqve”, ne duhej të provonim edhe peshën e plumbit që të vret edhe kot, për të marrë pozicionin e tkurrur si më parë, dhe kështu në sfidën me popullin, klika e Tiranës ta mbante thikën nga doreza, kurse ne të kishim tehun në lëkurë. Fëmijët e Rexhepit të ngratë u rritën, dhe mbas vitit 1990 ata u martuan. Populli nuk vdes, sado ta mundosh një brez, dy breza. Perlati dhe gjashtë vëllezër e motra, me fëmijët e tyre (nipërit e mbesat shokë e miq të ndjerit Rexhep), u nisën ashtu me kokë mënjanë, të heshtur, të pushtuar nga dhimbja, drejt luginës së shkretë e majave të rrjepura nga erozioni të Spaçit. Drejt kësaj skëterre që mbante të fshehur në barkun e tokës së djegur babanë e tyre. Ata, si të rinj e të pavrarë nga përvoja e hidhur e neve të rriturve, prisnin që babai i tyre të kthehej një ditë, më i plakur e i thinjur, i lodhur nga jeta, por i gjallë; për mendjen e tyre të pastër, vitet e burgut duhet të mbaronin dhe një 50 vjeçar mund të durojë dhe ca. Nuk dinin se ai ishte i dënuar të mos dilte andej, i dënuar ashtu si dhe gjyshi i tyre, dhe kështu kundër tij, kundër një njeriu të vetëm e të paarmatosur, mund të përdorej edhe përmbysja e ligjit që kishte nxjerrë vetë shteti i pajisur me të gjitha armët e nenet . Megjithatë, ata nuk e harruan; ata vendosën ta gjenin edhe të vdekur, duke kërkuar e pyetur gjithandej. Këmbëngulja e tyre bëri që ta gjejnë e ta çgroposin nga ai vend i mallkuar për ta çuar tek varret e të parëve të tyre. Kësisoj eshtrat e tij pushojnë në vendlindje. Pra populli e provoi se është i pavdekshëm. Edhe pse po të vështrosh mbrapa, sheh vetëm trishtim, dhimbje, lot e rënkime, jeta e njerzve vazhdon, populli rron…Fati im ishte ndryshe, unë u ktheva i gjallë pas 15 vjetëve, i thinjur por edhe i dëshpëruar kur shkova pranë familjes. Qetësi, qetësi errësirë, rënkimet i lash atyre përrenjve, pëshpëritjet , gjurmë krimesh e hije pambarim. Ata janë aty në gjirin e tokës që i lindi, dhe që të mos kenë ftohtë toka i mban mbuluar e të sigurtë. Por nuk duhet të harrojmë. Duhet t’i kërkojmë e t’i gjejmë për t’i vendosur atje ku e meritojnë, e mos t‘i lëmë pa varr…
————————
Titulli: Plumba ne ferr
Autori: Bedri Blloshmi
Botues: Mirgeeralb