Albspirit

Media/News/Publishing

Vera Xhabija: Krenari

Image result for eni vasili

Tregim

Është dita e fundit e nëntorit 2019 dhe drejtuesja e emisionit “Open” Eni Vasili po i kërkon gazetares të marrë live intervista nga banorët e prekur nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit që tronditi gjithë vendin dhe shkaktoi viktima e dëme në Durrës e Tiranë. Për një çast gazetarja po duket jo shumë me fat për të peshkuar ndonjë banor të vonuar që nxiton rrugëve të shkretuara të Durrësit, ca se ora është 21:30 e ca nga fakti se të gjithë e kanë braktisur qytetin tashmë fantazmë nga frika e ndonjë tërmeti tjetër. Ajo ecën në drejtim të një pallati shumë katësh të rrethuar me kordonin e verdhë “Ndalohet kalimi” dhe në trotuar i drejtohet një burri të vjetër rreth të 60-tave i vockël, fare i vockël që ka rrasur duart në xhepat e një palltoje të gjatë e të zeze dhe me një fytyrë të vrerosur ku qëndron krenare një ciroto e bardhë që mbulon një pjesë të faqes së djathë. Pa dyshim që është një plagosje nga tërmeti i kaluar dhe që burri e mban me krenari si për të treguar se ai është aty i mbijetuar nga tërmeti e kurrë nuk do të dorëzohet!!!

Pyetjes së gazetares ai i përgjigjet me zë më të fortë se ç’pritej  të dilte nga gurmazi i tij i shkurtër dhe flet sikur dikush e ka lënduar.

Gazetarja: Me falni t’ju pyes,  pse keni dalë këtu dhe ku do të flini sonte?

Burri: Kemi dalë këtu sepse nuk kemi si të futemi në shtëpi sepse është e rrethuar me kordon siç e sheh, dhe do të rrimë këtu, nuk do të flemë, bashkë me gruan e djalin.

Gazetarja: Po pse nuk keni shkuar me banorët e tjerë të strehoheni në hotel?

Burri: Ne ishim atje dhe meqënëse ikëm të marrim ilaçet ata na përzunë, na thanë që ne nuk duhet të jemi atje. Dhe ne ikëm e erdhëm këtu në shtëpinë tonë e do të rrimë këtu, nuk shkojmë gjëkundi tjetër, e nuk shkojmë më as në hotel. Unë do të rri këtu deri sa të baltosem, nuk e braktis shtëpinë time dhe  Durrësin unë!

Gazetarja po përpiqet ti mbushte mendjen të shkojnë në hotel por burri vetëm kundërshton me një ton të lartë nervoziteti, sikur ta nuhase  që ata që e kanë përzënë po e dëgjojnë.

Gjatë kësaj kohe drejtuesja e emisionit lidhet me gazetarë të tjerë për të parë se ç’bëhet në Durrës apo Tiranë me shpresë për të gjetur një frymë njeriu diku të ulur në ndonjë bar, por më kot. Dy gra të moshuara i thonë gazetares se të gjithë kanë ikur nga qyteti dhe ajo i pyet gjithë shpresë se mos ndofta kishin ikur për festat e nëntorit??

JOOO kanë ikur nga tërmeti është përgjigja e grave që nxitojnë të ikin nga kjo gazetare “naive” që duket sikur nuk jeton aty. Këtë tashmë e dijnë edhe fëmijët motakë që flenë në sediljet e pasme të makinës së gjyshit dhe shikojnë ëndërra të bukura si ato para një jave. Por të rriturve u është prishur gjumi dhe nuk shohim më ëndërra se nuk flenë më. Gjumi i ka braktisur qëkur tërmeti bëri fole në trurin e tyre. Ata enden natën  me makina si fantazma nëpër qytet dhe i ruajnë të vegjëlit e tyre duke pritur ditën të agojë.

Ndërkaq në orën 21:55 një tërmet tjetër i madh krijon panik në sallën e drejtueses e cila  lidhet direkt me gazetaren. Këtë herë gazetarja ndodhet pranë burrit  me ciroto në faqe dhe pranë tyre ndodhet një makinë e bardhe e re fringo e policisë bashkiake. Burri mban në dorë një kuti kartoni. Me sa duket tërmeti i para pak minutave e ka bërë punën e vet dhe burri i vockël i shoqëruar bashkë me familjen  hypin në sediljen e pasme të makinës duke shtrënguar fort kutinë ku ndodhen cigaret e veta e ilaçet e së shoqes që sapo i mori nga shtëpia. Një çast para se ata të nisen gazetarja kujtohet ta pyesë:

Zotëri mund të më thoni që po shkoni në hotel me dëshirën tuaj apo po ju detyrojnë?

Burri i vockël që është tendosur tashmë në makinë kruan zërin për ta trashur pak e i përgjigjet duke zgjatur qafën, si për tu bërë pak më i dukshëm për të gjithe audiencën prej 4-5 vetësh rrethe qark:

Unë po shkoj me dëshirën time por jam i detyruar të zbatoj ligjin e policisë Bashkiake që e ka rrethuar pallatin e nuk na lejon të shkojmë në shtëpi!

Pra ai po shkon me dëshirë por i detyruar nga rrethanat! Bukur kjo, prapë ka vend për të ruajtur krenarinë e sëmurë të këtij plaku që ka pesë ditë që lufton kundër tërmetit e çdo frymori që i del përpara, natyrisht duke rritur edhe dozën e burrërisë në sytë e gruas e të djalit… Në kutinë që e shtrëngonte fort mbi gjunjë  ai kishte marrë nga shtëpia cigaret e veta e ilaçet e së shoqes.

Së fundi Eni Vasili nga studio lajmëron se familja ka mbrritur në hotel dhe dëshiron të na njoftojë përfundimin e këtij aksioni të guximshëm ku gazetares iu desh të përballonte një njeri kaq krenar e të paepur që vetëm tërmeti e  kandisi të ndrrojë vendimin për tu gdhirë në trotuarin e ftohë të kësaj nate nëntori.

Ne shohim burrin e vockël që prin përpara me një lloj buzëqeshje ngazëllyese kur papritur ai habitet sepse sheh përballë sa dyfishi i tij ministrin e turizmit. Burri mahnitet, shtanget dhe thotë: të rroni ju e të rrojë qeveria që po kujdeset për jetën tonë dhe i hidhet që ta përqafojë por, meqënëse nuk e arrin dot në qafë e përqafon si ata fëmijët e vegjël që hapin krahët e të rrokin në atë lartësi që ata arrijnë me krahët e tyre të vegjël. E pas kësaj një e qarë e madhe me ngashërimë ah, aah, aah aah aaah mbush sallën e madhe me gulçimat e dufit të mbledhur ndofta që kur ishte fëmijë, por që nuk lejohej ta nxirrte sepse është “Burrë”.

 

 

Toronto, 30 Nëntor 2019.

Please follow and like us: