Albspirit

Media/News/Publishing

Cikel poetik nga Mimoza Bici

Parajsa s’ka ngjyra të ndezura
Parajsa s’ka ngjyra të ndezura,
ato i ndezi natyra,
kur pa njeriun e dashuruar.
Parajsa s’ka tinguj të fortē,
ato i shfaqi natyra,
kur pa se
rrotull saj e keqja rrotullohej
e klithi së bashku me njeriun.
Unë linda pa emër,
emrin ma vure ti,
nga frika e humbjes,
duke më mbajtur peng rreth vetes,
…si mbrëmja e Vitit të Ri… tek na shuan gëzueshëm!
Dëshirat e pashprehura
E mban mend?!
Vjet
në të njëjtën kohë
uronim për një vit të mbarë
Uronim të na ndodhte ndonjë mrekulli me paratë
pasi shpesh konkuronte me shëndetin
Të gjithë uronim për mbarësi, por
dëshirat e fshehura ishin më të fuqishmet
Të gjithë të etur për seks
duke shëtitur ëmbëlsisht hojesh të së njëjtit mjalt
Tani jemi përsëri
me të njëjtin urim
Asgje e re nuk ka ndodhur
veçse spostimeve
Burri iku me një tjetër grua
Gruaja nuk ka kohë të shaj
pasi joshja e djemve të rinj
tundojnë egon e saj.
Pleqtë lëpijnë buzët
ditën e pensionit
Të rinjtë modernë nuk kanë kohë të merren me asnjë
shijojnë spontanitetet
Vdekjet janë spostuar
nga aksidentet, vrasjet
në Covid-19
Janë të njëjtat gjëra çdo vit
çdo kohë
veçse të spostuara me ‘veshje’ të re.
Urimet janë të njëjta
festohet nata e vitit të ri
si nyja lidhëse
mes gënjeshtrës dhe të vërtetës.
Ajo që i mban lidhur
janë ato,
dëshirat e pashprehura.
Ah ato dëshira
ku shtyjnë ditët të ndezin zjarre
mes pyllit të gënjeshtër
të gjyshit gënjeshtar
mbetur pa pension…
E bardhë si mjergulla
Me një vështrim rrafshoj gjithë pyjet
Ti më ndal?
Ç’bën ti për to
Gjithë ato dije mbi supe
Përse nuk më ndal?
Të kam marrë zemrën
O i marrë
Do kthehesh si nga ëndrra
Mërmëritur hijesh
Makthit
Se mos kishe prekur
një mallkim.
Porse në do ta dish
Ti
jeton zhveshur.
Pemët malet lartësohen,
unë pas tyre luaj
vallen e jetës.
E bardhë si mjergulla
Duke të përpirë ty.
Please follow and like us: