Albspirit

Media/News/Publishing

Iris Halili: Lideri narcisist…

“Lideri është si bariu. Ai qëndron prapa kopesë, duke lënë më të dobëtit të shkojnë përpara dhe të tjerët t’i ndjekin pas, të gjithë përgjatë të njëjtës rrugë dhe duke mos e kuptuar se janë drejtuar në heshtje dhe nga pas”.

Nelson Mandela

Bazuar në studimet e Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë (1994) narcisismi është një lloj personaliteti që përfshin një dëshirë ekstreme për admirim, një ekzagjerim të ndjenjës së epërsisë personale, një dëshirë të papërmbajtur për pushtet, bindjen se e drejta është gjithmonë në anën tende, si dhe një mungesë të theksuar empatie. Ndonëse narcisismi është trajtuar si një tipar me pasoja negative në lidership, studiuesit gjithsesi besojnë se pikërisht narcisismi është forca që i drejton shumë liderë drejt pushtetit ndoshta edhe drejt misionit të lidershipit.
Antropologu dhe psikoanalisti Maccoby (2004) konsideron dy tipa narcisismi, narcisismin produktiv dhe atë joproduktiv. Anët produktive të personalitetit
narcisist e ndihmojnë liderin të arrijë fitoren, ashtu sikurse anët e errëta e pengojnë atë t’i shkojë deri në fund misionit për të cilin ndjekësit kanë synim dhe
nevojë duke e kthyer në joproduktiv.
Po të flitet për anët e mira, bazuar te Sankowsky (1995), narcisismi krijon një profil mistik që e bën liderin shumë të besueshëm, i jep atij tiparet e heroit, i
jep atij imazhin e individit tërësisht të angazhuar ndaj ndjekësve, bile deri në atë shkalle sa vetë ndjekësit fillojnë ta adhurojnë dhe përkushtohen deri në verbëri. Falë këtyre cilësive liderët narcisistë fitojnë admirimin e ndjekësve dhe ndihen të plotësuar për aq kohë sa e gëzojnë atë, pasi lideri narcisist gjithmonë kërkon të jetë i rrethuar nga admirues.
Maccoby shikon gjithashtu te lideri narcisist një aftësi gati mbinatyrore për arritjen e qëllimeve, një aftësi krijuese gati të pakrahasueshme, si dhe një fuqi të
brendshme për t’u përballur me situata të rrezikshme apo të vështira. Njëzëri është pranuar që lideri narcisist ka aftësi të pakrahasueshme për të frymëzuar vartësit e tij. Kjo ka çuar në arsyetimin që në raste krizash apo ndryshimesh të mëdha vetëm lideri narcisist mund të jetë në gjendje të ngjallë optimizmin e ndjekësve dhe t’i çojë ata drejt ndryshimit. Nuk është rastësi që gjithmonë në kthesat e mëdha të historisë kemi parë në krye një lider narcisist.
Në përgjithësi personaliteti narcisist e kthen liderin në një individ shumë kompleks. Kjo çon natyrshëm në pyetjen: A është më shumë pozitiv apo negativ
narcisismi për liderin? Kësaj pyetjeje teoricienët e lidershipit do t’i përgjigjeshin: “ Sa mirë që e ka, sa mirë sikur të mos e kishte!!” Ky kompleksitet përbën
edhe pikën më të vështirë për të pasur një konkluzion final rreth liderit narcisist. Nëse rreshtojmë disa pika kyç për suksesin në lidership të liderit narcisist ato janë padyshim besimi që liderët kanë te vetja dhe aftësia vizionare për ta përcjellë këtë besim te ndjekësit dhe duke i frymëzuar ata deri në pikat më të larta dhe në momentet më të vështira. Pa këto dy tipare vështirë se mund të nisësh rrugën e gjatë e të vështirë të lidershipit dhe vështirë se mund të pranohesh nga ndjekësit. Në fakt janë këto dy tipare që e prodhojnë liderin dhe e lançojnë atë si të tillë. Janë pikërisht këto që plotësojnë fjalinë “sa mirë që është narcisist”. Çështja shtrohet nëse ky tipar vazhdon të ketë të njëjtën peshë dhe të luajë të njëjtin rol pozitiv kur lideri është afirmuar dhe tashmë duhet të ushtrojë pushtetin e tij? Çfarë roli luan narcisismi që nga ky moment? Më së shumti anët e errëta të narcisismit ngrenë krye dhe e drejtojnë liderin nëse ai nuk është në gjendje t’i kontrollojë ato, dhe mbi të gjitha të kontrollojë – unin e sëmurë që shfaqet shumëformësh, prej të cilëve po shënojmë më
të dukshmit.
Unë dhe lumi
Miti i vjetër i Narcisit që u mbyt në lumë duke u mahnitur nga bukuria e vetes mund të ketë shumë interpretime. Vërtet Narcisi u mrekullua me veten dhe
donte ta përqafonte atë në imazhin e ujit dhe humbi pa kuptuar, apo atij iu duk se në lumë ishte dikush tjetër, e ai rendi ta shpëtojë, apo ta përqafojë?? Apo mos kemi një lumë aq mahnitës, të kthjellët si një pasqyrë saqë Narcisi që nuk dinte çfarë ishte efekti pasqyrë u mahnit e tentoi ta prekë por u shkri në të? Pra thjesht mund të pyesim: Ishte vetë Narcisi aq i vetëndjerë sa që ra e u mbyt i dashuruar pas vetes apo efekti pasqyrë e turbulloi atë dhe e zhyti në thellësi për të mos dalë më?
Pra sa me peshë është roli i lumit në mbytjen e Narcisit? Kudo që ta shpiem analizën ka vetëm dy anë dhe një ndjenjë, nga njëra anë është Narcisi, nga ana tjetër lumi e në mes dashuria. Kurrë nuk e kemi gjetur nëse ka qenë dashuria për të rrokur veten apo imazhin e tij ajo që e turbulloi Narcisin apo efektet shumëngjyrëshe e shumëformëshe të lumit e përhumbën atë? Duke dalë nga metafora letrare bëjmë një analizë më jetësore duke përmendur Narcisin si protagonist. A do e njihnim Narcisin po të mos që mbytur në lumë? Ndër shekuj njerëzit janë marrë me Narcisin por kanë harruar lumin duke harruar faktin që ishte lumi që krijoi efektin, e solli dramën narcisiane.
Po ta shtrojmë analizën te lidershipi mund të pyesim – janë shoqëritë narcisiste që krijojnë liderë narcisistë apo e kundërta? Po t’i hedhim një sy liderëve
më dominantë të Shqipërisë që në kohën kur ky vend filloi vërtet të kishte shtet, shikojmë se në shumë pika ata shfaqin karaktere të ndryshme por në një pikë ata janë të gjithë bashkë, dhe ky është narcisismi! Kjo do të thotë se ata trashëgojnë të gjithë një tipar dominues të shoqërisë që përfaqësojnë.
Një ndër leksionet bazë në teoritë e praktikat e lidershipit është: lideri është produkt i shoqërisë që përfaqëson. Fakti që një shoqëri prodhon gjithmonë e
gjithmonë një tipar lideri, rrëfen se shoqëria e ka këtë tipar të sajin. Lideri është rrjedhshmëri. Kjo do të thotë se një shoqëri narcisiste do prodhojë liderë narcisistë.
Unë jam sui generis
Lideri narcisist e konsideron veten të famshëm dhe shumë të rëndësishëm. Beson se është qenie speciale me vlera të jashtëzakonshme, i zgjedhur special i cili
duhet ndjekur me çdo kusht, pasi mbetet alternativa e vetme shpëtuese. Ka aq besim në atë që thotë dhe atë që bën sa natyrshëm e përcjell këtë besim te ndjekësit. Në paradat e 1 Majit që zhvilloheshin çdo vit në Tiranën komuniste, njerëzit thoshin: “Kur del Enveri pushon shiu e del dielli”. Kjo lloj shpëlarje masive e trurit, ku udhëheqësi shihej si një perëndi me forcë të pashtershme dhe ku adhurimi arrinte përmasa të tilla, ktheheshin në ushqimin kryesor të Hoxhës narcisist.
Unë duhem dashur me çdo kusht
Lideri narcisist kërkon admirim të pamasë nga ndjekësit. Ai nuk jeton dot pa këtë lloj admirimi. Jo më kot të gjithë liderët narcisistë janë të fiksuar që të kenë
nën kontroll artin i cili duhet të prodhojë lavde dhe himne vetëm për të.
Për mua të tjerët janë vetëm sende
Lideri narcisist ka një mungesë të theksuar empatie dhe mungesë ndjenjash ndaj nevojave të të tjerëve. Përgjithësisht ai i shikon ndjekësit krejt si objekte dhe
kjo vjen nga fakti se narcisistët vuajnë nga mungesa e empatisë. Sipas Dimaggio (2002), si dhe disa studiuesve të tjerë bashkëpunëtorë me të, lideri narcisist e shikon veten si zoti dhe beson se është në të drejtën e tij t’i trajtojë ndjekësit sikur të jenë thjesht sende. Ndonëse ai hiqet sikur ka ndjeshmëri ndaj ndjekësve, në fakt ai pothuaj nuk ka asnjë lidhje emocionale me ta. Ky është edhe rreziku më i madh i shoqërive që drejtohen nga liderë me personalitet narcisist; ata shumë shpejt kthehen në autoritarë e po të mos ndalohen në kohë në diktatorë të pamëshirshëm.
Të gjithë duhet të mendojnë e të veprojnë si unë
Liderët narcisistë kanë aftësi të prodhojnë ndjekës narcisistë dhe shoqëri narcisiste. Mes këtij procesi ata fare natyrshëm fuqizojnë pushtetin e tyre, mbrojnë
pushtetin e tyre dhe në këtë mënyrë e kanë më të lehtë ecjen përpara. Këtu duhet të theksojmë se problemi më serioz në lidership nuk është çka vetë lideri
përfaqëson, por çka ai frymëzon e formëson. Liderët formësojnë më shumë se kushdo në shoqëri, ndaj edhe misioni apo roli i tyre është më i rëndësishëm se ai i çdo profesioni në botë. Një lider sado gjenial të jetë, i vetëm nuk mund të arrijë asgjë, por pasi ka formësuar ndjekësit dhe i ka dhënë “imazhin e tij”, ai tashmë është bërë faktor social që ka në dorë çdo gjë, vetë fatin e njerëzimit. Hitleri është padyshim lideri narcisist më klasik, apo më saktë të shprehemi, më lehtësisht për t’u identifikuar lehtësisht si i tillë. Ai e përcolli krejt natyrshëm narcisismin e tij te shoqëria gjermane e kohës aq sa shumë shpejt u pa që nuk patëm vetëm një lider narcisist, por një shoqëri gjermane krejt narcisiste.
Fitore dhe vetëm fitore për mua
Liderët narcisistë duan të shohin vetëm fitore. Ata e kanë gati të pamundur të pranojnë humbjen apo disfatën. Edhe kur humbja është tërësisht e
dukshme ata fillojnë të gjejnë shkaktarin përtej vetvetes dhe t’i heqin vetes çdo përgjegjësi për humbjen. Ndërsa paradoksalisht te sukseset lideri narcisist gjithmonë kërkon t’i theksojë si të vetat.
Edhe nëse suksesi nuk arrihet ai duhet të imagjinohet i arrirë, dhe duhet spekuluar deri në atë pike sa të shpiket edhe nëse nuk ekziston. Po t’i referohemi të
gjithë propagandës komuniste në kohën e diktatorit Hoxha do të shohim se kudo flitej për fitore dhe suksese. E tërë makina propagandistike ishte ndërtuar
për të glorifikuar suksesin, që në fakt nuk ekzistonte, por që duhej përfytyruar apo pranuar si i tillë. Mua nuk më duhet të dëgjoj, unë vetëm jap direktiva
Lideri narcisist nuk ka aftësinë të dëgjojë apo të shkëmbejë mendime. Ndonëse ai deklamon sikur i pëlqen të dëgjojë, në fakt ai është më i prirë të rrethohet
vetëm nga manekinë.
Në këto kushte, në vend që të ndërtojnë raporte njerëzore dhe të ndershme, liderët narcisistë shfaqin dëshirat ekstreme për të dominuar dhe ndjejnë
kënaqësi të veçantë duke goditur të tjerët, pasi për ta jeta është një konkurrencë ku ata duhet të jenë vetëm fitimtarë (Blair, 2008).
Çdo ide, vendim apo propozim duhet të dalë nga lideri narcisist. Duke krijuar këtë ai ndërton një presion mbi këdo që e rrethon. Kjo bën që në të shumtën e rasteve liderët narcisist e kanë gati të pamundur të shfaqin tendenca të lidershipit pjesëmarrës apo bashkëpunues. Fatkeqësisht, këto tipare rriten edhe më shumë dhe fillojnë të dalin në pah kur lideri narcisist fuqizon pushtetin apo suksesin.
Me fuqizimin e pushtetit këta lloj liderësh bëhen tërësisht jo tolerantë ndaj mendimit ndryshe, ndaj ideve që bien në kundërshtim me të tyret apo krijojnë
argumente. Dëshira parësore dhe synimi i narcisistit pas këtij momenti është përjashtimi, apo lufta e hapur ndaj kujtdo që ka forcën ta kundërshtojë, dominojë apo luftojë. Sipas Blair (2008) kjo vjen edhe sepse narcisismi është i lidhur ngushtë me sindromën e paranojës.
Unë bëj çfarë dua
Kontrolli mbi pushtetin është synimi kryesor i liderit narcisist. Abuzimi me të është një normë e këtyre lloj liderëve. E gjitha kjo vjen sepse lideri narcisist kërkon të ketë patjetër një pushtet absolut. Në përgjithësi e arrin këtë duke emëruar individë që janë totalisht nën kontrollin e tij. Këtu fillon gradualisht abuzimi me pushtetin. Kjo dëshirë e pamat për pushtetin dhe për të mos e humbur atë, i bën liderët narcisistë shumë
të rrezikshëm, pasi ata janë në gjendje të marrin çdo vendim gati ekstrem vetëm e vetëm që të mos humbin kënaqësinë që u sjell pushteti. Sipas Sankowsky (1995), lideri narcisist është në gjendje t’i mashtrojë, t’i tradhtojë dhe braktisë ndjekësit e tij vetëm me synimin e ruajtjes së pushtetit personal. Duke qenë se liderët narcisistë nuk kanë empati apo nuk shohin askënd përtej vetes, ata kanë aftësi të shfrytëzojnë këdo pa pasur ndonjë vrarje ndërgjegjeje apo keqardhje, mjafton që të arrijnë egon e tyre personale e të egër për pushtet.
Përfundime
Jo pa qëllim çdo paragraf i mësipërm ka një titull ku përemri vetor “unë” është aplikuar pothuaj në të gjitha rasat. Kjo gjetje e fjalës mbart domethënien që
ekziston për çdo personalitet narcisist, pak rëndësi ka nëse ai është lider apo ndjekës, për të çdo gjë fillon e mbaron te vetja, te madhështia e unit që nuk njeh kufij vetadmirimi dhe që kërkon të realizohen nëpërmjet një pushteti absolut. Fatkeqësisht, në pasqyrën e jetës një narcisist nuk sheh kurrë veten por atë që ai do të shohë në të. Këtu fillon drama e tij personale dhe këtu fillon padyshim drama shoqërore nëse ky narcisist i bie të jetë një lider.
Please follow and like us: