Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Neza & Çerçiz Loloçi: Krime serbe në Kosovë (1)

I.

 

KRIMET PA KOMENT TË REGJIMIT TË MILLOSHEVIÇIT

 

 

  1. Shqiptarë që vriten me armë e me thika

 

Rrëfim i Besim Kadriut nga Prizreni, luftëtar i UÇK-së

 

Ushtria dhe policia serbe kishin rrethuar fshatin për gjithë natën. Ata na kanë nxjerrë forcërisht nga shtëpitë dhe na kanë mbajtur në këmbë rreth 1500 veta. Burra, gra e fëmijë na kanë detyruar të thërrisnim “Serbia-Serbia” dhe të përdornim simbolin e tyre me tre gishta lart. Disa prej serbëve na kërcënonin dhe na shanin me klithma të ndyra e histerike, kush i ulte duart ia prisnin gishtat para syve tanë.

Po para syve tanë tërhoqën disa persona dhe i vrisnin në vend, me një gjakftohtësi cinike. Jo vetëm me armët, por edhe me thika dhe sende të mprehta. Ata shqiptarë që guxuan të largoheshin e paguan me kokën e tyre. Të tjera skena makabre shikoje përreth nesh: njerëz që tërhiqeshin zvarrë, të tjerë që priteshin nga breshëri automatiku dhe të armëve të lehta.

 

  1. Pesë kufoma të pavarrosura

 

Dëshmon Malush Berisha, arsimtar në gjimnazin “Jeta e re”, Suharekë

 

I kemi përjetuar drejtpërdrejt terrorin dhe masakrat e pamëshirshme serbe, i kemi parë me sytë tanë kufomat e ekzekutuara. Në oborrin e shtëpisë sime kam parë pesë njerëz të vdekur; ishin të gjithë burra dhe të gjithë të moshës 35 deri 40-vjeç. Ata qëndruan ashtu, kufoma të pavarrosura, për ditë të tëra. Edhe tani ata ashtu do të jenë sepse atje nuk ka mbetur këmbë njeriu.

Ngjarja nuk ka ndodhur në ndonjë buzë pylli apo në ndonjë vend të shkretë, por në zemër të Suharekës. Gjithashtu ka pasur shumë shtëpi të djegura e të shkrumbuara. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, gjatë rrugës për shpërngulje jemi plaçkitur e vjedhur nga ushtarakë dhe policë serbë. Po gjatë rrugës kemi parë pleq të paralizuar ose të pamundur, nën mëshirën e fatit e duke pritur vdekjen me sy, pasi askush nuk mund t’i ndihmonte.

Krejt familjarët vraponin për t’i shpëtuar tmerrit përndjekës.

 

  1. Një fëmijë masakrohet me hanxhar

 

Flet Elvedin Muharremi, 25-vjeçari nga Peja

 

Kemi dalë në lagje kur dhjetra makina me ushtarë serbë kanë zbritur rrufeshëm. Ata shtinin në ajër, po edhe në banesat tona. Na kanë marrë me forcë të gjithë banorët dhe na kanë degdisur në mal. Aty u bashkuam me grupe të tjera njerëzish të dëbuar nga fshatra përreth Pejës.

Ishim të gjithë të kërcënuar dhe me rrezikun e vdekjes mbi kokë. Unë arrita të largohem së bashku me njërin vëlla, me nusen e vëllait dhe me fëmijët e tij, por kam lënë atje nën kërcënimin e vdekjes vëllain tjetër, motrën, babain dhe nënën.

Rrugës kemi parë që fshatrat të përfshihen në flakë. Një fëmijë që u largua nga babai, i prenë gishtin me hanxhar dhe filluan të luanin para nesh me gishtin e tij të prerë.

 

  1. Kamion i mbushur me kufoma shqiptarësh

 

Dëshmia e Vesel Kryeziut, arsimtar i shkollës së mesme “S. Luarasi”, Suharekë

 

Pas 5 ditësh bombardimi në shtëpitë e shqiptarëve dhe pas 5 ditësh të vrasjes së dhjetra banorëve, gjithçka ishte nën një terror të plotë; trupat serbe kontrollonin krejt terrenin dhe kryenin masakra sa hasnin ndër njerëz.

Një mbrëmje vjen një kamion i mbushur me kufoma, që mund të ishin disa dhjetra. Ata i sollën dhe i vendosën në oborrin e shkollës së mesme të përgjithshme “Jeta e re”, e pushtuar nga forcat ushtarake dhe policore serbe.

Disa ushtarë serbë i zbritën kufomat njerëzore prej kamionit dhe i qarkuan me goma makinash. Më pas një prej tyre i spërkati trupat e pajetë me benzinë dhe u vuri flakën. Kufomat morën zjarr menjëherë…

Kur po largoheshim të tmerruar nga fshati, tri kilometra afër kufirit, disa ushtarë serbë na plaçkitën, na vunë tytat e armëve në fyt dhe na kërcënuan. Shumë të afërt na kanë mbetur atje, mua personalisht më kanë mbetur 2 motra dhe asgjë nuk di për jetën e tyre.

 

  1. Një krim më makabër se tjetri

 

Një plak 70-vjeç që nuk pranon të identifikohet

 

Jemi larguar nga vatrat tona vetëm me rrobat e trupit, sepse nga momenti në moment mund të vriteshim. Kemi një javë që flemë në male dhe mezi mundëm të kapërcenim kufirin pa u përballur me forcat serbe. U ruheshim edhe vendeve të minosura, po më shumë na ka ruajtur Zoti. Prapa nesh mbetën vetëm shtëpi gërmadha, dyqane të plaçkitura dhe kufoma që i gjeje sa andej-këtej dhe të pavarrosura.

 

Disa gra të moshuara nga fshati Tranë i Prizrenit

Serbët donin të na largonin me çdo kusht na trojet tona, na bënin thirrje dhe na kërcënonin që të largoheshim një orë e më parë, na vinin para fytyrave edhe tytat e armëve. Na thoshnim që të përshëndesnim “Serbia-Serbia” dhe na qëllonin me kondakë pushkësh.

Shqiptarët që kundërshtonin vriteshin në vend. Vriteshin gjithashtu edhe të paralizuarit, të sëmurët e të pamundurit; qëlloheshin pa asnjë shkak edhe ata që nuk kundërshtonin. Ikëm po e dinim se në fshat kishin mbetur disa kufoma.

 

Blerim Gugalla, fshati Lubisht

Disa persona të moshës sime i vranë pranë shtëpisë sepse ata nuk trembeshin, por edhe nuk donin të largoheshin. Ne vazhdimisht kemi vuajtur prej tyre, por këtë herë dukeshin si të tërbuar fare, nuk kishin pikë mëshire. Ishte e vështirë të dalloje se cilët ishin më mizorë, ushtarët, policia, paraushtarakët apo mercenarë të ardhur nga vende të tjera sllave e kryesisht nga Rusia.

 

Mazmut Hodaj, 49-vjeçari nga Prizreni

Në kohën kur me makinën time po transportoja 10 fëmijë të fisit tim, ushtarët serbë më nxorrën nga automjeti, më lidhën duar dhe më detyruan të shtrihem në mes të një pellgu të madh me ujë e llucë; më pas kanë filluar të më godisnin e të më rrihnin në sy të fëmijëve.

Gjatë rrugës për t’u larguar nga tmerri, djemtë e rinj i ndanin nga turmat e mëdha dhe i hipnin nëpër makina. Para se t’i hipnin atje, ata i mbështesnin mbas murit dhe i qëllonin me mjete hekuri. Kush nga shqiptarët e grumbulluar donte të lëvizte e priste vdekja. Një djaloshi 20-vjeçar i ngulën bajonetën në brinjë dhe asnjë tjetër nuk lejohej ta ndihmonte e t’i ndalonte rrjedhën e gjakut… Në fshatin Landoviç 20 djemve të rinj u prenë qafat me thika dhe u nxorrën sytë; ata u dogjën me djegien e krejt fshatit…

Nuk është e vështirë të gjesh në periferi të fshatrave tona varre masive ose grumbuj kufomash; ushtarët serbë i bëjnë me qëllim dhe sistematikisht këto krime që të na kallnin datën. Të gjithë silleshin harbutërisht dhe secili përpiqej të mburrej para shokut për masakrat e kryera.

 

Ram Krasniqi, 62-vjeçari nga Krusha e Madhe

Ushtarët serbë kishin mbledhur më shumë se 60 veta duke filluar nga pleqtë, gratë, fëmijtë e djemtë. Më të rriturit, që i kishin lidhur, i spërkatën me benzinë dhe i dogjën të gjallë. Të gjithë ata që nuk pranonin të largoheshin nga trojet e tyre, serbët, në shenjë hakmarrjeje, i përvëluan të gjallë.

 

Nestan Hodaj, 60-vjeçari nga Lasheca

Shqiptarët nuk donin të braktisnin shtëpitë dhe vatrat e tyre të motmotit, megjithë kërcënimin dhe presionin serb e megjithë paralajmërimet e civilëve e çetnikëve të kombësisë sllave. Terroristë të forcave militare, të tërbuar nga kundërshtimi ynë, vranë me bajoneta 10 djem të rinj. Pastaj grumbulluan me forcë të gjithë banorët e fshatrave Lashec, Kobanjë dhe Atmaxha dhe i nisën drejt kufirit; të gjitha fshatrat u përfshinë nga flakët. Ishte një skenë e llahtarshme, teksa shikoje që digjej gjithçka dhe përpihej nga flakët.

 

Bashkim Morina nga fshati Rugovë

I pashë me sytë e mi ushtarët serbë që ekzekutuan 7 pjestarë të familjes Muhaxhaj. Për ata dyshonin se kishin lidhje me luftëtarët e UÇK-së, ndaj edhe i pushkatuan dhe i lanë ashtu të pavarrosur. Ne na vunë përpara si lopët duke na shoqëruar me breshëri armësh.

 

Shpresa Kastrati, 19-vjeç, fshati Hoça e Vogël

Paramilitarët serbë dyshuan se edhe nga familja Qerreti kishte luftëtarë. Ata hynë në banesën e kësaj shtëpie, morën vëlla e motër, Nazmien-15 vjeç e Gëzimin-9 vjeç dhe i therën para syve tanë.

 

Floreta Gashi, 17-vjeç, komuna Suharekë

Çfarë nuk na kanë parë sytë? Vjedhje, vrasje, bastisje. Na plaçkisnin jo vetëm shtëpitë e bagëtitë, por edhe na vidhnin në trup; na kanë marrë unaza, vathë, medalione, orë e sende të çmuara. Kam parë shoqet e mia të përlotura dhe me fytyra të nxira.

Kur po largoheshim nga banesat tona kemi hasur rrugës njerëz të pamundur, pleq apo të sëmurë dhe nuk i ndihmonim dot, pasi vraponim për t’i shpëtuar ndjekjes nga ushtria serbe.

 

Rexhep Lenici, 29-vjeç, fshati Damjan, komuna Gjakovë

Ushtarët serbë erdhën në fshatin tonë dhe nën kërcënimin e armëve na detyruan të braktisim banesat. Koha ishte tepër e shkurtër. Ishim të lemerisur, unë kisha edhe 4 fëmijë që duhet t’i merrja në mbrojtje. Gjatë rrugës kemi dëgjuar mjaft granatime dhe goditje me artilieri në fshatrat tona.

 

Abaz Gashi, 34-vjeç, fshati Atmaxha, komuna Prizren

Dhuna dhe spastrimi serb ka filluar qysh prej një muaji dhe vazhduan pa ndërprerje shumë kohë para bombardimeve të NATO-s.

Fshati ynë ka qenë i grumbulluar dhe ne, banorët e tij ishim të detyruar të largoheshim dhe të strehoheshim përkohësisht në mal. Por edhe këtu nuk na lanë rehat me goditje artilierie, ndaj u detyruam të marrim rrugët.

Kemi parë tym e flakë në të gjithë komunën tonë. Kur kaluam në Landovicë pamë se familjarët e Ali Thaçit ishte djegur. 12 pjestarë të saj ishim mbytur në bodrum. Bëmë përpjekje t’i ndihmonim, por ata kishin vdekur, madje edhe 7 fëmijë.

 

  1. Tre burra të varur në pemë

 

Fitije Cahani, 20-vjeç nga fshati Rugovë, komuna Gjakovë

 

Kur na dogjën fshatrat, atëhere e kuptuam se duhej të largoheshim menjëherë. Nuk kishim ku të flinim, nuk kishim si të jetonim, por edhe këmbët nuk na bënin për ta lënë të shkretë fshatin dhe banesat tona.

Rrugës kemi parë shumë të vrarë e të plagosur, ndërsa 2 kilometra afër kufirit kemi parë me sytë tanë 3 burra të varur në pemë, njeri prej të varurve na thanë se ishte banor i Pejës.

Makinat ushtarake vinin kryq e tërthor vendit dhe kontrollonin pothuajse gjithçka, herë pas here ato shtinin me armë mbi shtëpitë e qytetarëve, madje edhe në kolona njërzish që po largoheshin me shpejtësi.

Njerëzit rrinin të strukur dhe të tmerruar, nëse do lëviznin i goditnin trupat serbe dhe po të rrinin në vend prapë nuk i linin rehat paramilitarët dhe civilët e armatosur.

Kur e shikonin që njerëzit nuk lëviznin nga trojet e tyre, policët serbë ia nisnin nga kurbanet në çdo fshat, pra fillonin të vrisnin meshkuj ose djem të rinj në çdo krahinë dhe në çdo qytet, pa përjashtuar intelektualët dhe njerëzit me emër.

Jo vetëm fshatrat e Gjakovës ishin shkretuar, por edhe shumë qytete dhe fshatra të tjera sepse ushtarët e policët serbë i kishin marrë me radhë duke mbjellë frikë e terror.

Përpara se të hynin në fshat ose në një qytezë të banuar, ata godisnin me armë ose me artileri të rëndë në periferi të fshatit dhe pastaj hynin si bisha në banesat tona.

 

  1. Tetëdhjetë e nëntë shqiptarë të vrarë dhe të djegur

 

Dëshmia e Agim Asllanit, 40 vjeç nga Krusha e Vogël

 

Që më 25 mars 1999 forcat ushtarake dhe paramilitare serbe kanë rrethuar fshatin tonë që ka 90 shtëpi shqiptare dhe 30 serbe. Ditën e nesërme, më 26 mars, ditën e premte, një lukuni paramilitarësh me dhe pa maska si dhe mjaft policë me uniforma të kaltra e shirita të bardhë, që u vareshin supeve, hynë si të tërbuar në fshat.

Ata na ndanë veç burrat e veç gratë. Pasi i kontrolluan të gjithë duke u rrëmbyer dokumente dhe paratë, grave u kanë dhënë dy mundësi: nëse do rrinin këtu do vriteshin, nëse do iknin duhet të shkonin në Shqipëri.

Ata e nisën kasaphanën duke vrarë fillimisht 5 vëllezër Shehu që e kishin shtëpinë e tyre pranë rrugës kryesore Prizren-Gjakovë. Pasi kanë degdisur gratë në kufirin shqiptar, të 96 burrat e grumbulluar i kanë detyruar të ulen në gjunjë, me duart prapa, duke i pyetur të gjithë për lidhjet që kishin me luftëtarët e UÇK-së.

Pasi nuk morën asnjë përgjigje i kanë rreshtuar në kolonë për tre dhe i kanë futur në stallën e bagëtive të një fshatari. Ka hyrë sakaq një ushtarak dhe ka gjuajtur me mitraloz mbi kokat e tyre. Unë bëra sikur rashë, ashtu siç bënë edhe 3 të tjerë. Donim të shpëtonim kokën nga ky ferr. Pati edhe të tjerë që donin të lëviznin apo t’u shmangeshin breshërive, kishte mes tyre edhe mjaft të plagosur, por policët i vranë para syve tanë me plumb në kokë.

Kështu numri i të vrarëve ka qenë rreth 89 vetë, mes të cilëve edhe babai im me 2 vëllezër dhe xhaxhai me 3 djemtë. Aty janë masakruar meshkujt e fisit të Asllanëve, Limanëve, Shehut, Hajdarëve, Çollakëve, Berishajve dhe Haxhiajve.

Na vunë flakën të gjithëve. Pasi ikën ata, munda të çohem ngadalë e fshehurazi, pas meje vinin dhe 3 të tjerë. Po ashtu dalluam edhe disa të plagosur që mundën të largohen. Mua m’u dogj dora e parakrahu, por e durova dhimbjen për t’i shpëtuar vrasjes, siç e pësuan bashkëfshatarët e mi. Askush nga të vrarët apo të plagosurit nuk kishte lënë shkak për këtë masakër, nuk ishim të armatosur, nuk kishim vrarë apo plagosur asnjë polic, ushtar apo paramilitar serb.

 

  1. Tre djem të vdekur në rezervuar

 

Tregon Myrto e Fatmira Ibrahimi, fshati Bobaj-Boks, komuna Gjakovë

 

“Policët serbë na kanë rrahur, silleshim si bisha të egra dhe jo vetëm me burrat, por edhe më gratë e fëmijët. Vetëm qënia shqiptar u provokonte atyre një ndjenjë hakmarrjeje dhe silleshin ndaj nesh me tërbim kashëror”, thotë Fatmira Ibrahimi dhe tregon vendet e mahisura të trupit. Ende janë të freskëta gjurmët e dhunës së ushtruar ndaj trupit të saj të brishtë.

Bashkëshorti i saj, Myrto Ibrahimi thotë se trupat serbe na dëbuan 3 herë nga fshati dhe na dërguan në mal. Ne po tri herë u kthyem me shpresë se dhuna do të mbaronte. Atëhere serbët i vunë flakën shtëpive që ndodheshin në fshat. Te pragu i shtëpisë u vra Nexhat Bytyçi dhe Behije Gashi. Këtë e bënë për të na treguar ne se po u kthyem për herë të katërt do të pësonim të njëjtin fat. Ne shihnim banesat të përfshira nga flakët, dëgjonim klithma e kuje nga të katër anët. Na u bënë plot 10 ditë në mal. Kur e pamë që fshati u shndërrua në hi e grumbuj varrezash, u detyruam të kalonim kufirin me çfarë të mundnim.

U përpoqëm t’i binim nga një rrugë e shkurtër, por u diktuam nga policët serbë. Ata na rrethuan si dhëntë në vathë dhe filluan të talleshin e të na përgojonin. Na terrorizonin me grykat e armëve, të cilat i shkrehnin mbi kokat tona. Na kërkonin të përshëndesnim sipas ritit serb me tre gishta, por ne nuk na thoshte zemra të bënim një veprim të tillë. Pastaj na hipën në një makinë me karroceri të hapur, sërish vazhdonin provokimet dhe kërcënimet me armë. Në çdo kilometër që bënim na dilnin na dilnin grupe-grupe policësh dhe prapë na kërcënonin. Herë-herë e çonin makinën buzë greminave të rrugës dhe na thoshnin se do ta shtynin atë drejt humnerës.

Në fshatin Landovicë, afër Prizrenit, forcat serbe zbritën 20 djem dhe i zhytën në një rezervuar. Ata filluan të shtinin me breshëri armësh mbi kokat e tyre. 3 veta mbetën të vrarë në ujë dhe ne nuk patëm mundësi që t’i ndihmonim. Ne e pamë krejt këtë skenë me tmerr në sy. Pastaj na hipën përsëri në makinën me karroceri të hapët dhe na çuan drejt kufirit.

Aty na plaçkitën e na vodhën gjithçka kishim: orë, varse floriri, unaza, byzylykë, medalione dhe na lanë të lirë të kalojmë kufirin për të hyrë në Shqipëri. Disa çetnikë na thoshnin se toka juaj do të zhuritet, do të kthehet në një shkretëtirë që do ta mbani si kartolinë. Kur një serb nxorri një thikë të mprehtë, fëmijët tanë ia plasën vajit e klithmave…

 

  1. Tiradë masakrash

 

Maskarat serbe në Kosovë në vitet 1998-1999, sipas agjencisë Rojter

 

Shkurt 1998 – Likoshanë – 26 të vrarë.

Mars 1998 – Prekaz – 54 të vrarë.

Mars 1998 e deri sot – Kufiri perëndimor – Zonë e spastruar, tokë e djegur dhe e pabanuar ende.

Korrik 1998 – Prilep – mbi 95 për qind i shkatërruar.

Korrik-gusht 1998 – Tri javë masakra, mbi 85 për qind i territorit është i shkatërruar dhe i djegur.

Gusht-shtator 1998 – Lodja – 90 për qind e djegur dhe e shkatërruar.

Shtator 1998 e deri sot – Çiçavica – operacione të vazhdueshme spastrimi.

Tetor 1998 – Obrinjë – 18 të vrarë.

Dhjetor 1998 e deri sot – Llapashticë – luftime të vazhdueshme.

Janar 1999 – Reçak – 45 të vrarë.

Shkurt 1999 e deri sot – Zona kufitare e Pashtrikut- seri incidentesh.

Shkurt 1999 e deri sot – Malishëvë – spastrime.

Mars 1999 e deri sot – Llaushë e Klinë – spastrime.

Fundi i marsit 1999 – spastrime e masakra në Podujevë, Mitrovicë, Drenicë dhe Lugina e Pagarushës.

Pas bombardimeve ajrore të NATO-s filloi në Kosovë një represion i madh dhe i papërmbajtshëm. Më 30 mars forcat serbe grumbulluan mbi 100 mijë shqiptarë në qendër të Prishtinës. Synimi i tyre ishte mbajtja peng për t’i ekzekutuar në rastin më të parë si kundërpeshë ndaj vendosmërisë së trupave të Atlantikut Verior për të vazhduar edhe më rreptësisht goditjet ajrore.

Kryeqyteti kosovar dhe popullsia e tij është rrethuar nga disa radhë forcash ushtarake e trupa militare. Milicia serbe po kryen terror i mbështetur nga të gjitha strukturat shtetërore, si pjesë e politikave të zyrtarëve të lartë përpara se NATO-ja të fillonte bombardimet ndaj objektivave strategjikë ish-jugosllavë.

Prishtina tashmë ngjason me një fantazmë. Banorët bëjën të ditur se ata e kanë të vështirë të largohen nga qyteti që po digjet nga frika e reparteve special ndëshkuese. Një gazetar anonim në 30 mars 1999 tha për agjencinë se ushtarakët serbë i mashtrojnë civilët gjoja për shfarosje nga bombardimet dhe i nisin drejt kufirit me Maqedoninë. Po sipas një gazetari italian të radios radikale, zoti Ruso, tmerret e sotme ndaj shqiptarëve janë të pakrahasueshme edhe me ato fashiste. Në rrugët e kryeqytetit të Kosovës shihen vetëm vetura me policë dhe flamuj serbë.

Në mesditën e 30 marsit rrugët e Prishtinës u mbushën me shqiptarë të tmerruar që donin të iknin nga qyteti tashmë i rrënuar. Shumë banorë vendas u hipnin veturave dhe nisen drejt kufirit maqedonas, por serbët i zbrisnin prej tyre dhe i hipnin në një tren ku nuk dihej më fati i mëtejshëm. Rreth 500 mijë shqiptarë vazhdojnë të mbahen të izoluar duke u mbështetur nga forca të shumta ushtarake e militare si dhe autoblinda.

Artileria jugosllave ka nisur bombardimin e Luginës së Pagarushës dhe forcat e sigurimit serb kanë përdorur tanke dhe autoblinda për të mbështetur sulmin. Agjencia ‘Rojter’ shton se serbët po përpiqen të depërtojnë nga tri drejtime: Malisheva, Suhareka dhe Rahoveci. Ne mendojmë se qëllimi serb është i dyfishtë: Të shkatërrojë njësitë e UÇK-së dhe të dëbojë për në Shqipëri mijëra njerëz të kombësisë shqiptare.

Qysh kur ka nisur bombardimi ajror i NATO-s, serbët e kanë bërë edhe më intensive pastrimin etnik të shqiptarëve. Madje edhe periudha e bisedimeve serbo-kosovare në Rambuje të Francës i shërbeu Millosheviçit për të dëbuar mijëra shqiptarë nën hundën e komunitetit ndërkombëtar. Gati një e treta e popullsisë është e shpërngulur nga trojet e veta dhe gjendet ose në Shqipëri, Mal të Zi e Maqedoni ose në vende të tjera perëndimore.

90 mijë vetë janë larguar të tmerruar që mbas ofensivës së NATO-s më 24 mars, ndërsa 464 mijë persona i kishin braktisur vatrat e tyre para fillimit të ofensivës; pothuaj në të gjitha territoret shqiptare të Kosovës mbretëron një panik i madh që buron nga masat represive serbe. Shifrat janë bërë publike nga burime të besueshme amerikane. Madje zyrtarë të lartë të NATO-s shkojnë më tej duke deklaruar sanksione të mëdha për shtetin serb.

 

Please follow and like us: