Albspirit

Media/News/Publishing

Donila PIPA: A JEMI, NDIHEMI TË BARABARTË NE KUSHTET E  PUNËSIMIT, TË NJË PAGË TË NJËJTË  APO ME VLERË TË NJËJTË?!

Të gjithë janë të barabartë para ligjit”, ndonjëherë në realitetin e përditshëm ku përballet secili nga ne, ky parim më duket si një sllogan i një fushate elektorale!

Po vallë a trajtohemi njësoj dhe paguhemi njësoj pa u diskriminuar në një marrëdhënie pune, në shpërblim për punë të njëtjë dhe me vlerë të njëjtë?

Si palë e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, kemi ratifikuar shumë konventa dhe rekomandime.

Si pjesë e Këshillit të Europës, kemi ratifikuar, njohur  dhe duhet të respektojmë Konventën Europiane për të drejtat e njeriut, apo dhe nenin 14 të saj dhe Protokollin nr 12.

Si një shtet që duan të aderojmë në Bashkimin Europian kemi përshtatur “ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi” apo “Kodin e PUNËS”, me traktatet apo direktivat  e Bashkimit Europian në këtë fushë.

Sa mirë! Kemi ligje, institucione, organe kompetence, por edhe njerëz që paguhen për t’i vënë në praktikë dhe respektuar ato, por sa individë që janë ndjerë dhe ndihen viktima kemi akoma?

Sa viktima kemi të sjelljeve arbitrale, nga lart-poshtë, viktima të trajtimeve diskriminuese në punësim apo pagë?

Sa herë kemi punuar si skllevërit në një botë demokratike dhe kemi heshtur?

Ndonjëherë ndodhemi brenda nesh të viktimizuar, viktima, pasi nuk jemi vlerësuar për punën që kemi bërë, nuk jemi paguar njësoj me burrat, apo me koleget e tjera pavarësisht se punojmë në një vend pune apo kryejmë një punë me vlerë të njëjtë?

Sa herë jemi ndjerë si jetime, sikur kemi humbur betejën para se të përballemi me faktet reale dhe prova apo të vërtetën?

DHE E DINI PSE HEQIM shumë herë DORË, të luftojmë dhe të dalim nga guaska e personit viktimë dhe të kërkojme të drejtat tona; e thjeshtë pasi shumë herë ndihemi vetëm në një vend ku paguajmë taksat, ku shpenzojmë shumicën e ditës dhe kohës sonë, për të punuar dhe harrojmë shumë herë të jetojmë, prioritetet tona, përveç punës, harrojmë familjen, jetën private dhe harrojmë  dhe veten tonë sa vlejme! DHE NE, prape,  shumë herë heshtim, se e dimë që do të jemi prapë vetëm para institucioneve, punëdhënësit, ndonjëherë individëve të korruptuar, ndonjëherë jo profesionistë, para institucioneve gjykatave etj, ku nuk respektohet dhe mbrohet e drejta dhe invidi!

Por, përsëri nga gjithë ky negativitet, si ai tërmeti që na shkundi dhe na nxorri jashtë shtëpive tona… apo Covid-19 që na izoloi, na futi në karantinë jo vetëm fizike por dhe shpirtërore dhe besimi, në mendjen time  si për çudi mu kujtua “Deklarata e Filadelfias”, apo edhe “Kushtetuta e ONP”, lëndë që jua kam shpjeguar me shumë pasion studentëve, drejtësi sociale, tripalëshe, punëdhënës-punëmarrës-shtet…  “Drejtësia sociale është themelore për të siguruar një paqe universale dhe të vazhdueshme; Duke qënë se zhvillimi ekonomik është themelor, por nuk është i mjaftueshem për të siguruar drejtësinë, progresin social dhe zhdukjen e varfërisë, duke konfirmuar kështu nevojën që ILO të promovojë politika sociale solide, drejtësi dhe institucione demokratike”.

Vetëm kur të kemi një bashkëpunim midis palëve qofshin institucione publike, shtetërore, Inspektorat i Punës, Komisoner për mbrojte nga diskriminimi, sindikata,

Vetëm kur funksionimi, njohja dhe respektimi i të drejtave, që bëhen shumë herë në  workshope, takime, informime thjesht për t’u bërë, të bëhen në praktikë, duke u ulur “gju me gju” për zgjidhjen e mosmarreveshjeve gjithe palët e interesuara, duke menduar si të përmirësohet sistemi, për të pasur drejtësinë sociale dhe jo nga frika e gjobave, ndëshkimit, apo deri tek mbyllja e një aktiviteti apo insitucioni jo publik, si formë ndëshkimi, vetëm atëhere do të themi jetojmë në demokracinë sociale!

Konkurrenca dhe tregu i lirë ekziston ku punëmarrësi që punon për të jetuar dhe siguruar jetësën e tij, duhet të punojë me dinjitetit dhe jo të ndihet si një person në një skllavëri moderne, që shumë herë nuk duhet të flasë, të bëjë sikur nuk kupton, apo proteston, apo dhe të shqiptojë fjalen me fuqinë e shpiritit… boll më durova edhe durimi ka një kufi!

Të duash demokracinë do të thotë të duash të ndihesh demokrat në vendimarrje, informim apo konsultime, ku palët nuk diskriminohen, por trajtohen në mënyrë të barabartë si palë në një marrëdhënie kontraktuale!

Kështu që,

  • Vetëm kur te kemi kontrata kolektive dhe dialog social,
  • Vetëm kur të kemi vendime dhe paga transparence që në momentin e rekrutimit për të aplikuar për një vend pune, rritje page, apo zgjidhje kontrate duke respektuar afatet dhe njoftimin,
  • Vetëm kur të kemi zyra burimesh njerëzore dhe performance që përmirësohen dhe tranjohen për të pasur politika jodiskriminuese dhe sociale,
  • Vetëm atëherë mund të quhemi një vend demokrat… në të kundër do të mbetemi si një vend ish-komunist në tranzicionin e veprimeve unilaterale pa nje vizion për të parë dhe menduar për të ardhmen!

 

21.03.2021

 

Please follow and like us: