Altin Kajtazi: ROZAFATI
Një mollë e këputa
kur u nisa drejt teje i vetëm
aq fortë i rrahur nga jugu
sa mu thanë dhe buzët
ndoshta nesër s’do shoh atë fushë më gjethe t’kaltra
s’ka gjë, i dua agimet pa fjalë
e më mollën e ndaluar të përtokshme do eci!
Do t’ve n’krahë tjetër të botës, sipër do t’mbajë
ku këngët këndohen vetëm nga zogjët
e fjalët mbesin t’varura si shkurre të virgëllimta
ku shikimi mbet si kokërr gruri
po si dy sy t’hutit
e vjen një zog e futet n’zgavër t’lisit
të vjetër për t’mos dal më kurrë!
Ti fli e shih ëndrra ku do pulsesh nga etja
unë do i jap ngjyrë zgjimit të pritjes
drejt harrimit të ditës dhe natës të ç’thurur
kur t’nisem që t’kthehemi merr më vete shikimin e hutit
dhe shko më një ofshamë drejt perëndimit në të vjela
siç hyhet e dilet përjetësisht në arën ku rron i miri
e vdes fjalëmbajtesi mbi urën e fshehtë të Drinit!