Albspirit

Media/News/Publishing

Helena Halilaj: Unë jam vendlindja!

Unë jam vendlindja. Sytë e vendlindjes janë si sytë e nanës, të gjejnë gjithkund e të presin gjithnjë edhe kur vonon…
Gjurmët e origjinës janë pjesë shoqëruese e përjetshme, është e pamundur me iu largu genit, frymës me të cilën je rritur. Vendlindja gjithnjë jo vetëm të thërret, po është me ty kudo ku shkel. Të njohësh përmasat e plota të individit duhet me kthy kokën mirë e me u ndalu te rrënjët e tij, sa fort të mbajnë rrënjët nuk të mbajnë as degët më të mëdha, as ato të lartat, as të ngatërruarat, as të huajat.
Unë jam vendlindja, kur e dëgjoj edhe rastësisht dialektin tim, jam vendlindja kur flas me gjyshen e njerëzit e mi, kudo ku ata janë e jetojnë. Aroma e tokës së lindjes është liri, asnjë tokë nuk të mban gjithmonë, si toka e babës. Thua krejt vendlinjdet janë kaq të bukura sa e imja? Ne i bëjmë të çelin vlera sa herë i prezantojmë hiret e tyre, sa herë i kujtojmë, sa herë kthehemi tek to.
Të hijshme janë të gjitha shkurret dhe lisat e vendit ku ta sollën dimrin e pranverën, ta ushqyen vegjëlinë e të bënë burrë. E rrallë ndodh që një tokë e vogël të mbajë kaq histori të madhe, Gjallicën e lartë, mikpritjen në çdo shtëpi e burrat e besës që e lanë të shtruar udhën që ecim sot krejt krenari.
Vendlindja është pasqyra në të cilën ne i tregojmë vetes kush jemi, sa jemi rritur në rrjedhë të Drinit të Zi e të Bardhë. Unë jam vendlindja jo në pasaportë, por në pasaportën e përditshme që i tregoj gjithkujt se e di nga e kam fuqinë e fjalës së dhënë, të njeriut punëtor që e shikon në sy gjithkënd.
Unë jam në çdo hap vendlindja e atij që s’e di se Kukësi i vogël është më i madh se shumë të mëdhenjë në luftën e Kosovës, unë jam vendlindja kur më tregonte gjyshi për Lumën e Kuqe, jam vendlindja e sotme e njerëzve të suksesshëm të biznesit, jam vendlindja e një cope toke të zakonshme e që sot pret bijtë e vet në aeroport.
Unë jam vendlindja edhe në metropol dhe me larg ku njeriun e vërtetë, djalin kuksian s’e këmben dot me asgjë.
Unë jam cuca e Lumës, jam kënga e burrave ku odat mbusheshin plot, jam vallja e shpejtë e Kukësit, artizanja e qilimave shumëngjyrësh. Jam bjeshka dhe nëntoka e pasur.
Jam nana që rri e pret djalin e i këndon nuses së re, jam fëmija që vrapon rrugëve të qytetit të paqes e që dritë mbjell gjithkund…
Please follow and like us: