Albspirit

Media/News/Publishing

Timo Flloko, poezia e lamtumirës për Ali Podrimjen

Takimi i fundit kishte qenë vetëm dy muaj më parë në takimet letrare “Azem Shkreli” në Pejë, që përkonte me 15-vjetorin e vdekjes së poetit e prozatorit kosovar. I kishte dhënë dhe një poezi. Aktori Timo Flloko e përjetoi jo me pak dhimbje ndarjen nga kjo jetë të mikut të tij, Ali Podrimja. “Jam njohur me të personalisht pas viteve ’90. Madje ka qëlluar të jemi takuar bashkë me Bekim Fehmiun. Jemi takuar shpesh, në Kosovë e në Shqipëri, madje kemi këmbyer edhe poezi e dorëshkrime”, kujton Flloko. Por i paharrueshëm do të mbetet për të takimi më i fundit. I kujtohet se si një fotograf kërkonte Ali Podrimjen, por nuk e njihte e aktori, për shaka, i thotë: Jam unë! Ata që ishin përreth qeshën. “Të gjithë duam të kemi diçka prej poeti, si Aliu, u thashë”. Në këtë takim të fundit, Podrimja i dhuroi aktorit një poezi të vetën, të cilën e kishte shkruar në vitin 2006. Titullohet “Në teatrin ilirik”. Në dedikim i shkruan: “Timos me zemër! Tani gjendemi në teatrin “Estref Begolli”. Me zë të dridhur aktori lexon poezinë. Ia ka kushtuar poetit Mihal Hanxhari. Në një dëgjim të parë duket kështu, por në të vërtetë duket si një kumt për fundin e tij të papritur në Francë. Poezia mbyllet “Tek varri i poetit mbinte Pylli Magjik i Vajit”. Trupi i pajetë i poetit kosovar u gjet më 21 korrik, në një pyll afër qytetit Lodeve në Francë, ku merrte pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë “Zërat e Mesdheut”.
Për mikun që nuk jeton më, Flloko ka shkruar një poezi, titulluar “Hyu i Pyllit të heshtjes”, e cila botohet për herë të parë.

30 qershor 2012

 

TIMO FLLOKO: HYU I PYLLIT TË HESHTJES

THONË SE HYRE NË PYLLIN MAGJIK, NË BOIS DE BOULOGNE,
NË PYLLIN E DASHURISË…
THONË HUMBE KUJTESËN – NDOSHTA DHE SHPRESËN (!),
NË IKJEN TEJ VETES,
ZHVESHUR,
NË VDEKJE,
MBI TRUP TË NATYRËS.
NGA PEZMI MIK,
A KOHËS PËR TË IKUR,
ATJE,
NË ZEMËR TË PYLLIT,
IA ZURE SHTEGUN TË PËRKOHSHMES JETË,
NATËS PLOT MISTERE?…

TË DEHU AROMA DHE ËNDËRROVE NJË PEMË,
TË LASHTË SA KRIJIMI,
PEMËN E LUMIT,
BIRIT,
NGA AMSHIMI,
NDJEVE MALL, ETJE,
LUAJTE ME VDEKJEN,
PREJ DËSHPËRIMIT…
ERDH’ KOHA, THE,
MË LINI KËTU, NË SHPIRT TË PYLLIT,
ME NIMFAT ENIGMA,
TË FLE…
KJO FSHEHTËSI PËRJETË ËSHTË E IMJA…
JAM HYU I DASHURISË,
ALI PODRIMJA…
DHE PORTAT E ERËRAVE MBYLLE.
U SHTRIVE ENKAS MBI SHTROJËN E HESHTJES,
NË ZGRIP TË HARRESËS,
PËR T’IA LËNË PENG MISTERIN,
BOTËS,
UNIVERSIT…

RE, FJETE NË PYLL,
DHE U PA NJË YLL,
QË TË MBULOI ME RREZE…
VALLË ASHTU DESHE!…

(NË ËNDRRA, ARTEMIDA,
ME HARK TA SHËNJOI ZEMRËN,
TË QËLLOI NË ASHT,
DHE ËMBËLSISHT TË VRAU.)

VDEKJE E LEHTË,
PËR NJË POET!

HARRESË SUBLIME,
MBI DRITHËRIMA GJETHESH QË SHUSHURIJNË VARGJE
ORFEIANE,
U SHTRIVE, FJETE,
ME ZOTIN MBI VETE.

KËSHTU ISH PARATHËNË,
E PAPRITURA IKJE,
E JOTJA,
E ANKTHTË,
E FRIKSHME,
E MISTERTË,
E MAHNITSHME…
PREJ POETI.

Please follow and like us: