Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro Fotiadhi: “Nderi i Kombit” i munguar për legjendën vlonjate, Leonidha Çurri!

 

Leonidha ÇURRI, EMBLEMA E FUTBOLLISTIT DHE TRAJNERIT STRATEG, PERSONALITETI BRILANT I ‘SHKOLLËS’ SË FUTBOLLIT VLONJAT!

Portret i paautorizuar kushtuar një prej figurave më ambicioze dhe prestigjiozë, trajnerit të madh, Leonidha Çurri, virtuozit që ndryshoi kursin e historisë së futbollit vlonjat.

 

 

Në vend të prologut…

 

Cilido individ, në hapat e rrugëtimit të tij jetësor, në fushën e profesionit ku angazhohet, gjithësesi ravijëzon dhe shkruan histori. Individë dhe figura që me pasionin që i karakterizonte qysh në moshën fëminore, mundën të spikatnin me veprimtarinë dhe ofertën e tyre në çdo fushë të jetës e veçanërisht tek sportet. Me të drejtë, rrethanat e sotme imponojnë që të hidhet një vështrim retrospektiv në të kaluarën sportive duke ravijëzuar figura dhe individë që spikatën. Që me përkushtim, sakrifica, vizione dhe këmbëngulje arritën lartësitë e suksesit me bluzën kuqezi të «Flamurtarit», ekipin e të cilit e shndërruan një mit të pathyeshëm në funddekadën e viteve 80-të.

Nuk është asfare e lehtë sfida e prezantimit dhe portretizimit të jetës dhe veprimtarisë së një individi dhe personaliteti, duke kapërcyer apo shmangur gjithësesi mundësitë e njëanshmërisë apo gabimeve rastësore. Aq më tepër kur në qendër të kësaj sfide, vihet një figurë brilante rrezatuese siç është Mjeshtri Leonidha Çurri, një ndër figurat dhe personalitetet e futbollit vlonjat që ende e ruan të pazvetënueshëm shkëlqimin e tij.

Jeta dhe gjithë rrugëtimi profesional i Leonidha Çurrit, ishte përkushtimi intensiv tek magjia çudibërëse që ofron topi i rrumbullakët, në hapësirat e fushës së blertë. Duke kontribuar realisht në lartësimin e mitit dhe vizionit universal, në ringritjen e një ekipi provincial,siç ishte «Flamurtari» i Vlorës në dekadën e viteve 80-të, në lartësitë dhe magjinë e një «ekipi surprizë», simpatik dhe të fuqishëm, ekip cilësor të sukseseve dhe arritjeve në sallonet e famshme të futbollit evropian.

Emblema e futbollit Leonidha Çurri, si një prej gjigandëve të fushës së blertë e mandej të bankinave, një sportist korife, një futbollist i shkëlqyer dhe shumëdimensional në të gjitha pozicionet dhe pikat e fushës. Por njëherazi në vijimësi edhe një trajner tepër i suksesshëm, modest dhe i pakrahasueshëm. Falë ambicieve por edhe frymëzimit si edhe vizioneve të guximshme të tij, tepër të përparuara për kohën, përvijoi dhe ndoqi një rrugë paksa të mundimshme, të vetmuar e plot sakrifica. Por që fati e privilegjoi duke shndërruar në elementë aktivë dhe pjesëza energjike të ëndrrave pasionante të tij, lojtarët talente e të sprovuar në fushën e lojës,që luanin denjësisht për ngjyrat kuqezi të ekipit «Flamurtari» të qytetit të Vlorës

Leonidha Çurri, personifikimi i njeriut serioz dhe me energji të pashtershme, që me iniciativën, përkushtimin dhe punën e tij pasionante, demonstroi dhe nxorri në pah në mënyrën e tij të mrekullueshme, suksesin e një ekipi ansambël. Një ekipi që mishëroi tonet e tij pasionante dhe risitë e guximshme në aspektin tekniko-taktik, që u lartësua në një ekip mit, siç dëshmoi «Flamurtari» i dekadës së viteve 80-të. Duke u përballur, sfiduar dhe tronditur ekipet me emër të kohës në mbarë futbollin evropian, siç ishte emërmadhja «Barcelona», apo «Partizani» i Beogradit, e një sërë të tjerash që shquheshin në evenimentet sportive evropiane.

Leonidha Çurri, simbioza e një figure modeste, që asnjëherë nuk vetkënaqej me rezultatet e arritura, por me ambicie synonte nivelet e larta bashkëkohore dhe lartësitë e suksesit. Pak a shumë prezenca e tij fillimisht si futbollist në rradhët e ekipit brilant e të papërsëritëshm të «Shkëndijës» rinore mbresëlënëse, e më vonë i ekipit të «Flamurtarit», natyrisht që ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Por edhe në vijimësi, duke drejtuar bankinën e «Flamurtarit», pa mëdyshje dhe me të drejtë mund të thuhet, se Leonidha Çurri ishte «Njeriu i duhur, në vendin e duhur, në momentin e përshtatshëm».

Leonidha Çurri, me performancën dhe meritat e tij, besimplotë në rolin e pazëvendësueshëm të trajnerit si një lidership dhe udhërrëfyes i ekipit të «Flamurtarit», aplikoi dhe promovoi me sukses futbollin modern, duke dëshmuar e i mëshuar formatit të një ekipi të disiplinuar taktikisht, që preferonte dhe luante një futboll të shpejtë por edhe tepër të thjeshtë.

Leonidha Çurri, një personalitet rrezatues që me seriozitetin, ndjenjën e lartë të përgjegjësisë, profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributdhënien e tij, lartësohet në panteonin e të njerëzve të mëdhenj e mbresëlënës në historikun e ndritur të futbollit vlonjat dhe sportit mbarëshqiptar. Madje nuk e teproj asfare duke e konsideruar si një prej trajnerëve të rrallë e mëndjemprehtë, me një inteligjencë dhe intuitë të pakrahasueshme me askënd tjetër, duke u rradhitur në elitën e 10 trajnerëve më të shquar të futbollit shqiptar ndër vite.

Realisht është një nder i jashtëzakonshëm, të vlerësohet nëpërmjet aradhave të një portreti modest, vepra dhe kontributdhënia e një personaliteti të shquar të futbollit. Duke promovuar dhe nxjerrë në pah aspektet e vlerave të vërteta si edhe rrugëtimin jetësor,por njëherazi edhe kontributdhënien përkushtuese, të pasionantit Leonidha Çurri, si një prej emrave më të mëdhenj e dinjitoz, që ka nxjerrë futbolli vlonjat por edhe ai shqiptar.


Rrugëtimi jetësor dhe profesional…

 

Mjeshtri i njohur Leonidha Çurri, një njeri fisnik, zemërbardhë dhe i dashur, imazhi legjendar i magjisë futbollistike vlonjate të gjeneratës së artë të «Flamurtarit», të dekadës së mirënjohur të viteve 80-të dhe 90-të, i cili faktorizoi në aspektin evropian, suksesin e papërsëritshëm të kohës, për ngjyrat vlonjate kuqezi. Një lojtar dhe trajner specialist intuitiv i patejkalueshëm në futbollin vlonjat, gjurmët dhe kontributi të cilit në shkollën dhe individualitetin e futbollit vlonjat, janë ende të dukshme e të ndritshme, teksa me kalimin e viteve, ato fitojnë vlera reale të jashtëzakonshme.

Leonidha Çurri erdhi në jetë në qytetin e Vlorës, një ditë pranverore Maji, teksa kalendari shënonte datën 7 Maj, të vitit 1951, si gëzimi i parë me djalë në familjen e nderuar të Kolë Çurrit. Vitet e para të fëmijërisë së hershme Leonidha i kalon në mjediset rurale të lagjes ku ai banonte, në qendër të qytetit të Vlorës. Starton dhe vijon të ndjekë mësimet respektive në vendlindjen e tij. Kontaktet e para me topin ashtu sikundër gjithë bashkëmoshatarët e tij, nisin pikërisht fillimisht në mjediset e rrugës jashtë shtëpisë së tij. Mandej në fushat e lagjes e në mënyrë të veçantë në fushën sportive të asaj kohe, që ndodhej shumë pranë shtëpisë së tij atërore, e cila funksiononte dhe përmbushte nevojat e domosdoshme të Shtëpisë së Pionierit të qytetit të Vlorës. Spikat dhe shquhet për talentin e tij në përdorimin e topit duke tërhequr vëmendjen dhe interesimin e specialistëve të asaj periudhe kohore. Starton aktivizimin e tij me ekipet e futbollit të moshave, e kryesisht në kampionatin që zhvillohej ndërmjet lagjeve të qytetit, duke u shquar ndër bashkëmoshatarët e tij e duke përfituar shprehitë fillestare të akademisë së para-futbollit, një epoke të paharruar, që natyrisht ka lënë gjurmët e saj në formimin e një sërë talenteve vlonjatë të fushave të ndryshme.

Në vitin 1967, pas përfundimit të shkollës 7 vjeçare, Leonidha Çurri, si një talent i shkëlqyeshëm, vendosi të ndiqte hapat e një rruge profesionale, për të shndërruar në realitet ëndrrën e tij, për t’u bërë një futbollist profesionist, duke sfiduar me sakrifica vështirësitë e panumërta momentale. Konkurron në testimet e miratuara për të mundësuar vijimin e shkollës së Mesme të Mjeshtërisë sportive të futbollit në Tiranë. Shpallet fitues dhe seleksionohet prej Komisionit respektiv në përbërje të të cilit ishin personalitete si Loro Boriçi, Anton Mazreku, Ismet Bellova dhe Skënder Jareci. Ky Komision kryesohej prej specialistit të përzgjedhjes së talenteve të reja të futbollit, Profesorit Zyber Konçi. Starton dhe ndjek mësimet pranë kësaj shkolle fidanishte të Mjeshtërisë Sportive për talentet e reja, duke qënë pjesëz e një plejade të mrekullueshme përkrah bashkëpatriotëve të tij vlonjatë, si Agron Sulaj, Lavdosh Malaj. Por gjithësesi në përbërjen e atij grupi me 22 individë tepër të talentuar, duke filluar prej Kapitenit të ekipit, Petrit Gjoni, si edhe prej Vasillaq Zërit, Arjan Hoxha, Xhorxh Puka, Mehmet Spahiu, Lulëzim Tagani, Shkëlqim Kurti, Bashkim Tufa, nga Tirana, Edmond Zalla, Vladimir Ajazi, Agim Bulku nga Durrësi, Fisnik Kosova, Bajram Hushi, Agim Arkaxhiu nga Kavaja, Agim Medja e Ritvan Koxhaj nga Shkodra, Milto Gurma nga Saranda, Gjergj Ballço nga Korça.

Në këtë periudhë kohore, Leonidha Çurri punoi shumë për të zhvilluar dhe perfeksionuar talentin e tij si edhe trajnimin e tij teknik, duke u inkuadruar si një lojtar i rëndësishëm e një ndër protagonistët e ekipit të futbollit të «Shkëndisë». Futbollist dhe pjesë e ekipit të parë, një ekipi pasionant talentesh, i drejtuar prej trajnerëve të shquar si Zyber Konçi apo Shyqyri Rreli, si impakt i një përgatitjeje serioze me baza shkencore, të përshtatur me kushtet respektive, duke dëshmuar një ekip të jashtëzakonshëm, një ansambël me një lojë brilante, sa tërheqës po aq edhe perfekt e dinjitoz në fushën e lojës. Kurrësesi nuk mund të ishte rastësore, që ndonëse e nisur prej hiçit, d.m.th. si fillestarë, kjo skuadër e talenteve të ardhshme të futbollit shqiptar, do të shpallej si Kampione në Kampionatin Kombëtar të të rinjve, për dy sezone rradhazi, respektivisht për kampionatet e viteve 1968 -1969 dhe 1969-1970.

Leonidha Çurri posedonte cilësi të vyera si futbollist, e falë shkathtësisë por edhe teknikës së lartë që zotëronte, u vendos në pozicione të ndryshme të mbrojtjes së ekipit, por edhe në mesfushë. Kudo ku ai luajti, duhet thënë pa e tepruar, se me aftësitë e tij të mëdha si mbrojtëse, po ashtu edhe organizative ndërtuese, ai shkëlqeu. Sepse paralelisht me detyrat në repartin e mbrojtjes, duke manovruar me mjeshtëri, hera-herës ndërmerrte misione të vështira në fushën e lojës. Kësisoj Leonidha i kudondodhur, të spikaste për fantazinë dhe dinamizmin e tij në ndërtimin e lojës dhe aksioneve, për gjakftohtësi të madhe në kontrollin e topit, duke u veçuar si një lojtar i kontrolluar dhe modern për kohën e tij.

Ndonëse tepër i ri në moshë, duke qënë pjesëtar i një ekipi protagonist, siç ishte fidanishtja shqiptare e futbollit bashkëkohor, «Shkëndia» e dekadës së viteve 70-të, Leonidha Çurri me pjesëmarrjen e tij sistematike në ndeshjet e Kampionatit Kombëtar, përfitoi një sërë cilësish në aspektin personal por edhe profesional. Duke formuar karakterin e tij, duke kalitur durimin, disiplinën e domosdoshme brenda e jashtë fushës së lojës, e mbi gjithçka të krijonte bindjen se vlera të jashtëzakonshme posedonin përpjekjet sistematike dhe kurrësesi rezultati momental.

Vite pasionante, vite përpjekjesh, vite përpjekjesh për t’u konsoliduar por edhe për t’u afirmuar si një individualitet në fushën e futbollit profesionist. Ndonëse pa mbushur të 20-at, qysh prej vitit 1968 e deri në vitin 1974, për hir të cilësive të vyera që ai dëshmonte në lojën kompakte të ekipit ku luante, për përgatitjen e lartë fizike, për qarkullimin e topit me befasitë marramendëse, në anën e majtë të mbrojtjes, por shpesh herë edhe në mesfushë, Leonidha Çurri seleksionohet dhe bëhet pjesëz e ekipit kombëtar «Shpresa», duke përmbushur kësisoj një prej ëndrrave të tij të kahershme fëminore, në mbajtjen e fanelës kuqezi. Si pjesëtar i një brezi futbollistësh pasionantë, Leonidha Çurri, duke veshur fanellën e ekipit «Shpresa», së bashku me kolegët e tij, në fushën e blertë, spikat për një lojë të shpejtë, me finesë por edhe rezultative, duke dëshmuar një harmonizim dhe lojë kolektive, një lojë të sigurtë dhe njëherazi me nivel të lartë. Përmes lojës së tyre ekselente, ai afirmohet si një lojtar dominues, edhe në takimet ndërkombëtare, duke u lauruar dy herë me titullin e Nënkampionit të Ballkanit, fillimisht në Sofje të Bullgarisë në vitin 1970, e mandej në kryeqytetin e Rumanisë në Bukuresht, në vitin 1974.

Në vitin 1972, Leonidha Çurri, si pjesëtar i ekipit simpatik të «Shkëndisë», përballet me një sfidë tjetër ndërkombëtare në kuadrin e Kupës Ballkanike. Shorti i hedhur i përball me ekipin e «Ethnikos-it» të Kavallës së Greqisë, ku takimin e parë të zhvilluar në Tiranë, e fiton me rezultatin e ngushtë 2-1, por fatkeqësisht humbet në ndeshjen e kthimit në qytetin e Kavallës, me rezultatin 2-0. Ndërkohë që me ekipin e «Vardarit» të Shkupit, takimi i zhvilluar në Tiranë, përfundon në barazim 1-1, teksa në ndeshjen e kthimit në Shkup, takimi përfundon me rezultatin 2-1 me fitoren e ekipit të Vardarit» të Shkupit. Ekipi surprizë i «Shkëndisë» spikat denjësisht edhe në këtë veprimtari ndërkombëtare me lojën e saj ritmike mjeshtërore të shkëlqyer, e njëherazi tepër admiruese, me agresivitet në vijën sulmuese, duke lenë përshtypje të jashtëzakonshme për nivelin e saj të lartë. Por që ndëshkohet padrejtësisht, pa mundur të kualifikohet për në finale, duke humbur vendin e parë në grup, thjesht për shkak të golaverazhit jopozitiv.

Në vjeshtën e vitit 1971, pas përfundimit të shkollës së Mesme të Mjeshtërisë Sportive, Leonidha Çurri starton dhe vijon studimet universitare në shkollën e Lartë «Vojo Kushi», në degën e futbollit. Edhe gjatë kësaj periudhe kohore, paralelisht me kryerjen e ciklit të studimeve, Leonidha aktivizohet energjikisht me ekipin e «Shkëndisë» në ndeshjet e Kampionatit Kombëtar si edhe në Kupën e Republikës. Në fushën e lojës, Leonidha Çurri dëshmonte performancën e tij të jashtëzakonshme, aftësitë e larta teknike, elegancën në kontrollin e parë të topit, pasime të shpejta e të sakta, një mbrojtës dhe mesfushor në formë të mirë sportive,krejt i palodhur në të gjithë hapësirat e fushës së lojës.

Në verën e vitit 1974, pas përfundimit me sukses të studimeve dhe diplomimit, ndonëse ekipet e njohura të kryeqytetit e joshën me një sërë propozimesh dhe oferta tepër serioze për të vendosur vijimin e karrierës së tij sportive në Tiranë, Leonidha Çurri së bashku me kolegun dhe shokun e tij të ngushtë të ekipit Agron Sulaj, rikthehen në vendlindjen e tyre, si futbollistë me ngjyrat e ekipit «Flamurtari».

Tanimë vijimësia e karrierës së Leonidha Çurrit në futboll, identifikohet me klubin historik «Flamurtari» të qytetit të Vlorës, me të cilin ai shkroi një histori të shkëlqyer të futbollit në periudhën kohore të dekadave të viteve 70-të, 80-të, 90-të.

Si një mbartës ogurmirë, si një lajmëtar i impenjuar me dëshirat e vrullshme për të konkretizuar arketipin e një mentaliteti bashkëkohor si në konceptim po ashtu edhe duke kontribuar praktikisht në sendërtimin e një loje dinamike e të zhdërvjellët në ekipin e qytetit të lindjes, «Flamurtari», Leonidha Çurri së bashku me Agron Sulon e Lavdosh Malaj, u bashkohen emrave të njohur të këtij ekipi, të dekadës së viteve 70-të, që kan lënë gjurmë të pashlyeshme, siç ishin portieri Vilson Radhima, kapiteni i ekipit, Beniamin Nelaj, mbrojtësit Krenar Shakaj, Nako Saraçi, Cane Ahmeti, Gëzim Troqe, Mane Zeqiri, Uran Xhafa, Edmond Liçaj, Vasil Bifsha në mesfushë, sulmuesin e rrezikshëm potencial, Mexhit Haxhiu, Shemsi Zilja, Pandeli Xhaho si edhe më i riu premtues, vëllai i tij, Spiro Çurri.

Ekipi i «Flamurtari» në atë periudhë kohore, ishte një ekip me ritme mesatare, larg pretendimeve për tituj e trofe. Për shkak të një sërë faktorëve objektivë apo subjektivë, ndonëse në përbërje të ekipit ndodheshin lojtarë cilësorë që spikasnin, në realitet dëshmoheshin përpjekje rastësore, mungonte vijimësia dhe nuk mund të sigurohej qëndrueshmëria sportive, stabiliteti dhe rivaliteti për të sfiduar ekipet që shkëlqenin si «Partizani», «Dinamo» apo «Vllaznia». Kësisoj, ishte krijuar psikologjia e një ndjenje kënaqësie duke u renditur përherë në mesin e tabelës së klasifikimit.

Aktivizimi i Leonidha Çurrit dhe Agron Sulos në formacionin bazë të ekipit «Flamurtari», natyrisht që shënoi ndryshime thelbësore në lojën e ekipit, por edhe në paraqitjen dinjitoze, brenda edhe në fushat kundërshtare. Cili ekip nuk do të dëshironte të kishte në rradhët e tij, futbollistë cilësorë me aftësi të lindura, me një performancë admiruese, me një lojë të shkathët e të përkryer teknike. Pak a shumë starton një periudhë reflektimi e kthese në rradhët e ekipit vlonjat, duke i mëshuar kolektivitetit por edhe përgatitjes së duhur psikologjike, për të ravijëzuar konceptimin dhe mentalitetit e shpirtit luftarak dhe fitues në çdo përballje në fushën e lojës. Leonidha Çurri ndërkohë spikat si një futbollist me shumë vlera, tepër aktiv në lojë, dinamik, duke demonstruar një nivel të lartë teknik, zgjuarësi, fantazi në mbrojtje dhe në mesfushë. Si indicie dhe prerogativa të dukshme jo vetëm të një soliditeti në lojën e ekipit, por me shumë rëndësi ecuria tepër pozitive në përmbushjen graduale të synimeve të tij.

Padyshim një rol krejt të veçantë në ringritjen e nivelit të futbollit vlonjat, përpos angazhimeve serioze të gjithë lojtarëve të ekipit, i takonte edhe trajnerit të pasionuar Bejkush Birçe, i cili me përkujdesjen që e karakterizonte, hodhi bazat e duhura në procesin stërvitor por njëherazi duke afruar në rradhët e ekipit, talente të reja e tepër premtues, siç ishin fillimisht Petro Ruci dhe Kreshnik Çipi e në vijimësi Vasil Ruci, Bujar Braho, Bashkim Begaj e një sërë të tjerësh.

Në verën e vitit 1979, frenat e drejtimit të stolit të ekipit «Flamurtari», i besohen futbollistit vlonjat Agron Sulaj, i cili për shkak të një dëmtimi të pariparueshëm në gjurin e këmbës, iu ndalua prej mjekëve që të luante futboll.

Ndonëse në një moshë tepër të re, tejet i përkushtuar ndaj futbollit, me një formim të jashtëzakonshëm në fushën e futbollit, me një dëshirë dhe korrektesë admiruese, trajneri Agron Sulaj i mbështetur edhe prej shokut e kolegut të tij, Leonidha Çurri, prezanton një ekip simpatik në fushën e lojës, një ekip modest që synonte rezultate dhe arritjen e majave të larta të futbollit shqiptar.

Ekipi «Flamurtari» gradualisht shfaq me seriozitet indicie protagonizmi duke dëshmuar një nivel e cilësi loje krejt të pakrahasueshme me periudhat e mëparshme. Dhe përpos rezultateve në rritje të dukshme në kampionatin kombëtar, ekipi «Flamurtari», në vitin vitin 1981 përballet në kuadrin e Kupës Ballkanike, me ekipin e njohur «A.E.K» të Athinës dhe «Velezh» të Mostarit, ku ia del të triumfoj si fitimtare në ndeshjet e zhvilluara në Vlorë. Sfida e parë e përballjes me ekipet e huaja, kapërcehet me sukses të plotë. Ndonëse privimeve të padrejta të disa lojtarëve tepër të rëndësishëm për formacionin e ekipit vlonjat, duke dëshmuar një ekip kompakt, me një temperament dhe lojë të shkathët, duke dalë fitimtare në sfidat e përballjes me këto ekipe të huaja, falë drejtimit të suksesshëm të trajnerit Agron Sulaj dhe ndihmësit të tij, Nako Saraçi dhe Fatmir Gjebrea.

Gjithësesi, ndonëse në një formë të shkëlqyer, fati nuk e lejoi Leonidha Çurrin, të vijonte karrierën e tij të suksessshme futbollistike, për shkak të një dëmtimi. Kësisoj në vitin 1981, për arsye shëndetësore, imponohet të largohet nga fushat e blerta, duke i dhënë fund karrierës së tij brilante.


Karriera sportive si trajner…

 

Trajneri Leonidha Çurri dhe ekipi kuqezi i «Flamurtarit», simbioza të një bashkëjetese tepër të suksesshme e të pandashëm prej njeri tjetrit. Ekipi që me performancën e tij brilante, justifikoi plotësisht rolin e pazëvendësueshëm dhe mitik të një trajneri pasionant e të pabujë. Që me ambiciet dhe vizionin e tij personal, me vetëmohimin e pakrahasueshëm, punoi dhe kontribuoi me oazin e shpirtit të tij, për t’u takuar me lartësitë e suksesit.

Pas largimit nga karriera aktive futbollistike, Leonidha Çurri në harkun kohor deri në vitin 1983, angazhohet si specialist dhe trajner në klasat sportive të shkollës «Ismail Qemali», e cila ishte fidanishtja e talenteve të reja të futbollit vlonjat. Si një profesionist i zoti dhe i mrekullueshëm, duke ofruar njohuritë e tij si edhe përvojën e vyer në fushën e lojës, tek gjeneratat e ardhshme dhe filizat e talentuara që ishin dashuruar me futbollin.

Në vitin 1983 do të përjetojë një përvojë të shkëlqyer, por njëherazi edhe startin e një karriere të re, por edhe tepër premtuese. Me largimin e trajnerit Agron Sulaj për t’u specializuar në Itali, ende 32 vjeçar, Leonidha Çurri, i besohet timoni i drejtimit të bankinës së ekipit të «Flamurtarit». Në këtë kampionat, tanimë Leonidha do të udhëheqë e drejtojë ekipin ku kishte luajtur e kishte kaluar momente të panumërta të bukura, emocionante por edhe të spikatura si futbollist. Por që në rradhët e të cilit, ende ndodheshin një sërë bashkëlojtarësh të tij.

Leonidha Çurri, i ngjizur me dhuntitë më të vyera të një futbollisti e mandej të një strategu drejtues të bankinës, inicioi një filozofi bashkëkohore, me elementë të përparuar evropiane, duke ia përshtatur ashtu siç duhej nivelit të ekipit «Flamurtari» që ai së bashku me stafin e tij, stërviste dhe drejtonte. Njëherazi me aftësia e trajnerit vizionar, duke vlerësuar siç duhet potencialin ekzistues si edhe karakteristikat e lojtarëve të skuadrës, ai mundi të improvizojë një taktikë krejt të veçantë, me frymëmarrje dhe hapësira në stilin e lojës, duke krijuar një skuadër kompakte me nivel si edhe një identitet krejt specifik në fushën e blertë. E falë rezultateve pozitive që nuk vonuan të dukeshin, falë prezantimit dinjitoz e me rivalitet përballë ekipeve me emër, mundi që ekipi i «Flamurtarit» të siguronte kësisoj vendin e 4-ët në klasifikimin përfundimtar të kampionatit të atij sezoni.

Në arritjen e synimeve madhore, si mundësi për t’u përballur me sfidat reale, pjesë e rëndësishme e drejtimit dhe stërvitjes për një trajner si Leonidha Çurri, konsistonte tek impakti i frymëzimit që ofronte tek ekipi por edhe tek gjithësecili lojtar në veçanti. Duke mundësuar njëherazi mbisundimin kolegjial të synimeve dhe ambicieve të reja, të cilat përmes një stërvitjeje intensive, me durim e këmbëngulje, por edhe me punë të palodhur, mundësoi t’i materializonte si risi në fushën e lojës, duke befasuar kundërshtarin dhe ofruar një lojë të shpejtë e mjaft të bukur, dinamike dhe të pëlqyeshme.

Emblematiku trajner Leonidha Çurri, në kampionatin e sezonit 1984-85, dëshmon një ekip «Flamurtari» surprizë e të pathyeshëm, me një temperament loje mbresëlënëse qysh në startin e javëve të para e deri në ndeshjen e fundit të kampionatit. Një ekip me një ritëm të lartë dhe intensitet loje, që iu përgjigj më së miri sfidës shumë të rëndësishme në procesin e rritjes dhe protagonizmit. Një ekip me futbollistë që treguan pjekuri, personalitet dhe karakter, tepër të aftë për të përballuar ndeshje të mëdha e të frytshme, një skuadër favorite të denjë, duke rivalizuar tanimë për titullin kampion.

Gjithsesi, ekipi «Flamurtari», krijesa elegante e trajnerit Leonidha Çurri, në një përballje dinjitoze, me një përmirësim të dukshëm të cilësisë së lojës, me një qartësi dhe kthjelltësi në harmonizimin e taktikës së sulmit me mbrojtjen e pakalueshme hermetike, në 8 shkurt 1985, do të thyejë tabutë duke u shpallur më së fundi fituese e Kupës së Republikës e sjellë në qytetin e Vlorës, trofeun e parë ogurmirë e të shumëpritur. Në përballjen me ekipin e «Partizanit», në ndeshjen finale tepër emocionale që u zhvillua në stadiumin e Elbasanit, ekipi vlonjat triumfon me rezultatin 2-1, falë golave të shënuar prej sulmuesve potencialë, Vasil Rucit dhe Agim Bubeqit. Por edhe një loje të paharruar me meritën e padiskutueshme të gjithë ekipit vlonjat, si Luan Birçe dhe Aleko Berberi, Petro Ruci, Kreshnik Çipi, Rrapo Taho, Përparim Lushaj, Roland Iljadhi, Vangjel Laluci, Latif Gjondeda, Alfred Zijai, Alfred Ferko, Agim Canaj, Eqerem Memushi, Agim Bubeqi, Vasil Rucit, Vasil Ziu, Viron Daullja, Dritan Sadedini, Ilir Muça, Thanas Gjyli, Gjergji Dema, Erion Mëhilli, Viktor Paço e Besmir Shabani.

Ku gjithësecili prej lojtarëve, duke dhënë maksimumin e energjive të tyre, mundën të shkruajnë një histori suksesi, duke siguruar një titull nderi futbolli për ngjyrat e ekipit kuqezi, «Flamurtari».

Meritat e këtij trajneri të palodhur dhe me një modesti shembullore, duke mos u stepur asnjëherë për arritjen e synimeve, vijojnë qasjen e tyre pozitive edhe në edicionin e kampionatit kombëtar 1985-86. Ekipi i «Flamurtarit» sistematikisht e në çdo ndeshje, demonstron rivalitet dhe një lojë me cilësi të lartë, përmes një taktike sa elastike po aq edhe moderne, shpirt luftarak e besim në fitore.

Një prej shtyllave thelbësore të suksesit që performonte loja e ekipit të ndërtuar prej Leonidha Çurrit, natyrisht që ishte mbrojtja hermetike, duke harmonizuar kësisoj dinamikën e aftësive fizike me aspektin teknik. Mbrojtja e zellshme dhe perfekte që dominohej prej portierëve Luan Birçe dhe Aleko Berberi e në vijimësi prej Anesti Arapit, prej mbrojtësit të djathtë, spektakolarit Petro Ruci, atyre rezistues e të padepërtueshëm të qendrës si Kreshnik Çipi dhe Rrapo Taho, në harmoni të plotë me anën e majtë ku operonin mbrojtësit Përparim Lushaj, Roland Iljadhi, Vangjel Laluci, dëshmuan një origjinalitet të pakrahasueshëm deri në ato momente në ekipet e futbollit shqiptar. Por pavarësisht këtyre faktorëve, prapaskenat ashtu sikundër edhe intrigat dashakeqëse të kurdisura në kulisat e komploteve të kryeqytetit, krijuan premisat që në një mënyrë sa flagrante aq edhe të shëmtuar, t’i privohej paturpësisht titulli i Kampionit ekipit vlonjat. Në ndeshjet e fundit të kampionatit, ndonëse «Flamurtari» ishte 1 pikë si diferencë prej vendit të dytë, gjirokastritët e «Luftëtarit» ia dhuruan ndeshjen ekipit të «Dinamos», që të mund të shpallej ajo Kampione dhe ekipi vlonjat të ndihej i rehatuar me titullin e Nënkampionit.

Me të drejtë që protagonizmi krejt i heshtur dhe modest i Leonidha Çurrit, të vlerësohet dhe konsiderohet si një prej trajnerëve impenjues, më të shquar e të spikatur në stolin e drejtimit të ekipit të «Flamurtarit», veçanërisht për sukseset dhe arritjet spektakolare në përfaqësimin dinjitoz të Kampionateve Evropiane. Si një trajner i aftë me ambicie të qarta për të udhëhequr skuadrën e Flamurtarit drejt trofeve evropiane, Leonidha Çurri me stafin e tij drejtues, veçohet si një prej figurave emblematike në historinë e stolit kuqezi të qytetit të Vlorës, duke prezantuar e formatuar një ekip ndër më të ndriturit e më protagonist në historinë e shkëlqyer të futbollit vlonjat e atij shqiptar. Sepse loja teknike e ajo mbrojtëse, kontrolli i mesfushës duke ushtruar një presion sistematik tek ekipi kundërshtar, dëshmoi një risi e novacion të papërsëritshëm në futbollin shqiptar të asaj periudhe kohore. Jo rastësisht në sezonin e vitit 1985, ekipi i «Flamurtarit» shorti e përball në kuadrin e Kupës së Kupave Evropiane, me ekipin finlandez të «HJ.K Helsinki». Ndonëse shpalosi një futboll me nivel të lartë, ndonëse spikati për shkallën e lartë të profesionalizmit dhe impenjim të jashtëzakonshm, ekipi vlonjat për mungesë përvoje në këto veprimtari evropiane, nuk ia doli të kapërcente këto sfida, duke humbur si në takimin e parë të zhvilluar në Helsinki me rezultatin 3-2, po ashtu edhe në takimin e kthimit, të zhvilluar në qytetin e Vlorës, duke u dorëzuar në humbje me rezultatin 1-2. Gjithësesi, edhe në këto momente realisht të vështira, asnjë lloj dekurajimi apo zhgënjimi nuk mund të mbisundonte tek rradhët e këtij ekipi.

Leonidha Çurri kryelartë, si një trajner i rreptë por edhe kërkues, krejt i patunduar, vijoi punën e tij misionare. Përsosmërinë e lojës së ekipit dhe funksionimin perfekt të rolit të lojtarëve, e bazonte kryesisht tek aspektet dhe rëndësia e jashtëzakonshme e stërvitjes por edhe në proceset e përgatitjes së ekipit. Duke u fokusuar dhe i mëshuar skemës klasike 4-4-2 dhe u përqëndruar e kushtuar vëmendje të madhe rolit aktiv dhe specifik, por edhe tepër rigoroz të pozicioneve të lojtarëve në fushë e veçanërisht në respektimin e distancave ndërmjet reparteve por edhe në momentet që lojtarët nuk ishin zotërues të topit të rrumbullakët. Sepse mënyra e vetme për të funksionuar në mënyrë efikase, po aq edhe të pëlqyeshme e brilante një ekip, konsistonte që lojtarët në aspektin kolegjial, të mund të flisnin dhe luanin me të njëjtën «gjuhë» skematike dhe teknike, duke ofruar maksimumin e potencialit të tyre në fushën e blertë.

Shpengimet ashtu sikundër njëherazi edhe tundimet në fushën e lojës, fitoret dhe arritjet natyrisht që ishin objektive dhe motivuese për ekipin simpatik dhe kompakt të «Flamurtarit». Ndërkohë që për modelin frymëzues, Leonidha Çurrin, vlera e jashtëzakonshme dhe tepër e rëndësishme, ishte origjinaliteti dhe shkathtësia, fryma luftarake, impenjimi maksimal dhe dëshira e zjarrtë për të triumfuar e dalë fitimtar. Jo më kot dhe asfare rastësisht, Leonidha Çurri vlerësohet si trajneri dhe simbioza e çelsit të artë që zhbllokoi dhe çeli rrugën e ndritur të sukseseve evropiane të ekipit të «Flamurtarit». Sezoni i vitit 1986, në kuadrin e Kupës së UEFA-s,e përball ekipin e «Flamurtarit» në ndeshjet e turit të parë, me ekipin spanjoll të «Barcelonës», ndër më të mirat në historinë e futbollit evropian dhe njëherazi tepër e vështirë për ta mposhtur ekipe të përmasave të «Flamurtarit», madje pa përvojën e duhur në veprimtaritë futbollistike evropiane. I nxitur dhe motivuar prej magjisë së fantazisë dhe ambicieve e deri në sendërtimin në fushën e lojës, duhet thënë se për Leonidha Çurri, realisht ishte një sfidë marramendëse dhe hera herës edhe mosbesuese e skeptike.

Pavarësisht përballjes me një kundërshtar shumë të fuqishëm siç ishte «Barcelona», gjenerata brilante e përzgjedhur për t’u përballur në fushën e lojës nga ana e trajnerit Leonidha Çurri, luajti shumë seriozisht ndaj kësaj skuadre. Ndonëse një ndeshje tejet e vështirë, shfaqi një performance dhe formë të përkryer dhe përmes një loje të mrekullueshme dhe një mbrojtje të kujdsesshme hermetike, mundën që në stadiumin e «Kamp Nou-ut», të arrinin një rezultat surprizë 0-0. Pak a shumë e njëjta situate impresionuese u zhvillua edhe në takimin e kthimit që u zhvillua në qytetin e Vlorës, teksa ekipi i «Flamurtarit», përballoi me sukses një ndeshje me intensitet dhe tension të madh. Por falë përgatitjes krejt të veçantë, në fushën e lojës u dëshmuan si një ekip i shkëlqyeshëm me një paraqitje dinjitoze dhe nivel të lartë loje, duke vënë në pozitë të vështirë gjithë ekipin e suksesshëm por veçanërisht trajnerin e saj Teri Vejnebëlls, (një prej yjeve të bankinës evropiane, madje edhe ish trajner i ekipit kombëtar anglez) duke u dorëzuar dhe pranuar rezultatin e barazimit 1-1. Ekipi i «Flamurtarit» të emblematikut të bankinës vlonjate, Leonidha Çurri, tanimë kishte hyrë në historinë e salloneve evropiane, si një trajner dinjitoz për të drejtuar edhe klubet e mëdha europiane.

Sezoni i viteve 1987-1988, dëshmon përpos të tjerash se ekipi i «Flamurtarit» të maestros Leonidha Çurri, lartësohet si asnjëherë tjetër si një ekip perlë dhe korife. Me një lojë që mahniste gjithkënd,me një teknikë të përsosur e brilante, me një taktikë efikase dhe një vijë sulmuese me rrezikshmëri të lartë, duke sfiduar në pozita të barabarta ekipe evropiane me emër. Ekipi vlonjat në kuadrin e Kupës së Kupave, përballet në turin e parë me ekipin e «Partizanit» të Beogradit, ku përmes një loje dinamike e shpërthyese, fiton takimin e parë në Vlorë me rezultatin 2-0. Ndërkohë që në takimin e kthimit të zhvilluar në Beograd, humbet me rezultatin e ngushtë 2-1. Por falë golit legjendar të Sokol Kushtës, fati i buzëqesh dhe ekipi i «Flamurtarit» kualifikohet për në turin e dytë. Shorti e përball me ekipin gjermanolindor të «Vismute Aue» ku në takimin e parë në fushën gjermane, ekipi vlonjat humbet me rezultatin e ngushtë 1-0. Ndërsa në ndeshjen e kthimit që u zhvillua në qytetin e Vlorës, ekipi i «Flamurtarit» me një paraqitje dinjitoze, fiton me rezultatin 2-0, falë golave të realizuar nga Rapo Taho si edhe sulmuesi Vasil Ruci. Duke shkruar një histori të artë e të lavdishme, duke siguruar kualifikimin për turin e tretë të Kupës së Kupave Evropiane, një arritje krejt e pazakontë për klubet e futbollit shqiptar, deri në ato momente, që askush nuk ia kishte arritur.

Përballja në turin e tretë me ekipin e «Barcelonës», yjeve të futbollit evropian, ishte realisht një sfidë e këndshme për ekipin vlonjat të «Flamurtarit». Dhe pavarësisht që u eleminua, sepse në takimin e parë të zhvilluar në stadiumin e «Camp Nou-ut», humbi me rezultatin 4-1, me golin e vetëm të realizuar nga nuhatësi i portës, Vasil Ruci. Në ndeshjen e kthimit në qytetin e Vlorës, pavarësisht se «Flamurtarit» duke demonstruar shpirtin e tij luftarak, fitoi me rezultatin e ngushtë 1-0, me golin e realizuar nga Sokol Kushta. Gjithësesi prezenca e këtij ekipi, përballë ekipeve madhore duke konkuruar ndërmjet ajkës së ekipeve të futbollit evropian, ishte me të vërtetë një sukses i jashtëzakonshëm si për ekipin e «Flamurtarit» po ashtu edhe për futbollin shqiptar.

Shpërthimi dhe efikasiteti, thjeshtësia dhe befasia, shpirti luftarak si edhe përballja e barabartë e «Flamurtarit» me kundërshtarë potencialë dhe legjendarë në fushën e blertë, siç ishte «Barcelona» e mandej «Partizani» i Beogradit apo «Vismute Aue» e Gjermanisë Lindore, ishin pak a shumë aspektet sinjifikative të punës ngulmore sistematike, të stërvitjes metodike, të konceptimit dhe mentalitetit të arkitektit të stolit, Leonidha Çurri. Sepse gjatë gjithë këtij rrugëtimi, gjithçka u krye me një ndjenjë të rreptë të përgjegjësisë, me seriozitet dhe dinjitet, për të formatuar një ekip me mentalitet fituesi, një ekip sa modest po aq edhe pretendues, për arritje, trofe dhe tituj. Kësisoj kurrësesi nuk mund të anashkalohet edhe roli dhe ndihmesa e bashkëpunëtorëve të stafit të tij të afërt, të cilët me rolet e tyre, ndonëse vështirësitë ishin të panumërta dhe të paparashikuara, ndikuan në mënyrë metodike me performancën e tyre, edhe tek protagonizmi i pakrahasueshëm i ekipit të «Flamurtarit». Siç ishte ndihmësi i tij, Skënder Elmazi, trajneri i portierëve, Aqif Sulo, si edhe ekipi i bashkëpunëtorëve të tij të përgatitjes fizike, ku spikaste përpos të tjerëve edhe Harallamb Babe, si edhe stafi i mjekëve me në krye të përkushtuarin, mjekun e njohur sportiv, Sotiraq Peto si edhe ndihmësmjeku Asllan Asllani. Pa anashkaluar dhe rolin e padiskutueshëm motivues dhe drejtues të Ilir Çelës, si kryedrejtuesi i sporteve të rrethit të Vlorës ashtu sikundër edhe të Mynyr Begajt, si Drejtues i pasionuar i Klubit të «Flamurtarit».

Leonidha Çurri, strategu i bankinës që posedonte të kristalizuara ide tepër të qarta lidhur me potencialet dhe aftësitë e ekipit në tërësi, por gjithësesi edhe të lojtarëve të saj individualë. Me mënyrën e tij të konceptimit krejt të veantë,impakti i tij ishte përparësia në fushën e lojës,e futbollistëve me një përgatitje fizike të lartë, me vullnet të fortë. Por edhe të shpejtë dhe me mendim krijues, duke kërkuar shkathtësi dhe zhdërvjelltësi por njëherazi edhe respektimin me rreptësi të disiplinës së lojës.

Por që përmes mendjemprehtësisë, zgjuarsisë së shpirtit, perceptimeve të rralla, admirimit të tij të thellë për të krijuar një lojë futbolli skematike e bazuar thellësisht në universalitetin e ideve të tij, me një mjeshtëri karakteristike, Leonidha Çurri me durim e aftësi mundëson krijimin e një ansambli simpatik, një ekipi me një paraqitje dinjitoze në fushat e blerta,madje përtej parashikimeve edhe në fushat kundërshtare. Kurrësesi nuk mund të ishte krejt rastësor protagonizmi i ekipit të «Flamurtarit», një ekipi frymëzues që shpaloste energjitë pozitive të drejtuesit pasionant Leonidha Çurri, i aftë për të qenë ndër protagonistët e futbollit shqiptar, teksa për tre sezone rradhazi, 1986,1987,1988 qëndron në hijen e Nënkampionit, ashtu sikundër edhe Fitues i Kupës së Republikës për sezonet 1985 dhe 1987.

Si një trajner i jashtëzakonshëm që sfidonte pothuajse në çdo ndeshje, ekipi i «Flamurtarit» i stërvitur prej tij, në fushën e lojës, demonstronte kompaktësi dhe një lojë krijuese, një temperament shpërthyes, një ekip që dëshmonte karakteristikat thelbësore të ekskluzivitetit të filozofisë së tij të suksesshme futbollistike. Pavarësisht faktit kokëfortë se Leonidha Çurri, përpos se ishte një njeri i mrekullueshëm ashtu sikundër edhe një trajner i shkëlqyeshëm, kjo shihej fare qartë nga rezultatet e arritura, si edhe nga fryma dhe konceptimi i ri që ai mishëroi, në mesvitin 1988, në një mënyrë krejt të pashpjegueshme e të habitshme, largohet prej ekipit pa asnjë shkak. Për të mbetur si trashëgimi e vyer, gjithë ato momente emocionale krejt të papërsëritshme, të një drejtuesi me personalitetin kaq të larmishëm e shumëplanësh, të një trajneri me energji e mahnitës në fushën e blertë, duke arritur suksese të jashtëzakonshme e me vlera thesar për kohën.

Gjithësesi, Leonidha Çurri, duke u vlerësuar për sukseset e tij krejt të pazakonta, emërohet si ndihmës trajner i ekipit Kombëtar,në krah të mikut e shokut të tij, Agron Sulo, duke kontribuar tanimë në lartësimin e ekipit kombëtar drejt niveleve të reja. Pa harruar dhe anashkaluar faktin se 8 lojtarë të ekipit të tij magjik «Flamurtari», të stërvitur prej tij, si Sokol Kushta, Alfred Zijaj, Rrapo Taho, Kreshnik Çipi, Roland Iljadhi, Alfred Ferko, Latif Gjondeda, Agim Bubeqi, konsideroheshin si lojtarë të padiskutueshëm të formacionit bazë të Kombëtares së Shqipërisë, në atë periudhë kohore. Duke promovuar një skuadër kompakte, dinjitoze, me iniciativë dhe me një qarkullim ideal të topit, krejt të lirë e guximtarë në kontrollin e topit, pak a shumë të ngjashëm me një ansambël që gjithësecili ofron maksimumin e potencialit të tij në fushën e lojës.

I mirënjohuri Leonidha Çurri, si një trajner serioz e novator për kohën, në Kampionatin e 1990-1991, angazhohet me një sfidë impresionuese, për të ringjallur dhe rigjallëruar ekipin e Traktorit të Lushnjës. Duke dëshmuar edhe për një herë tjetër dëshirat dhe pasionet e tij, duke ofruar gjithë potencialin e tij, për të krijuar një ekip sa të besueshëm, po aq edhe të fortë, që mund të rezistojë dhe përballet me dinjitet në fushën e lojës në takimet e kampionatit kombëtar. Me meritë Leonidha Çurri konfiguron dhe paraqet një ekip krejt të transformuar, me një lojë me nivel dhe cilësi të shkëlqyeshme, me futbollistë që dominonin dhe dëshmonin klasin e lartë në lojën e tyre si individuale po ashtu edhe kolegjiale ekipore, duke lënë mbresa të jashtëzakonshme dhe ofruar përpos të tjerash edhe një spektakël krejt të pabesueshëm.

Μe shpërbërjen e sistemit diktatorial, në periudhën kohore të viteve 1991 – 1993, Leonidha Çurri emigron familjarisht në Greqi dhe angazhohet si ndihmës trajner pranë ekipit grek të kategorisë së parë, «Levadiakos» të Thivës. Me impenjimin e kontributdhënien e të cilit, ekipi grek i «Levadiakos» spikaste për një lojë të shpejtë dhe me temperament, duke dëshmuar një ekip modest e simpatik, me indicie dhe dëshira për të pretenduar dhe luajtur edhe rolin e ekipit protagonist.

Pas kësaj përvoje të suksesshme evropiane, në sezonin e vitit 1996-97, Leonidha Çurri rivjen në vendlindjen e tij në Vlorë, për të rimarrë frenat e drejtimit të ekipit të tij të zemrës, «Flamurtarit», tashmë me një brez të ri e me lojtarë pasionantë, të etur dhe me dëshira për të vijuar traditat e vyera të ekipit vlonjat, për t’u lartësuar në rolin e protagonistëve të futbollit shqiptar. Por që fatkqësisht kjo sfidë ndërpritet befasisht, duke u ndaluar edhe vijimi i kampionatit, për shkak të ngjarjeve dhe turbullirave që ndodhën në mbarë vendin,e veçanërisht në qytetin e Vlorës, në vijimësinë e vitit kaotik 1997.

Me pasionin dhe përkushtimin e tij për t’i shërbyer futbollit, Leonidha Çurri angazhohet dhe merr përsipër drejtimin e «timonit» të ekipit kombëtar grek të minifutbollit, duke e konsoliduar dhe riaktivizuar vlerat dhe performancën e suksesshme, për një periudhë dy vjeçare,në harkun kohor të viteve 2000-2002. Edhe në këtë sfidë jetësore, trajneri legjendar Leonidha Çurri, dëshmon performancën e tij duke e udhëhequr në mënyrën më të mirë dhe efikase të mundshme, duke përgatitur një ekip të denjë dhe konkurrues. Duke harmonizuar me saktësi taktikat respektive në ndërtimin e lojës dhe dëshmuar impresionet e tij krejt të veanta në krijimin e strategjive taktike, por edhe duke harmonizuar më së miri përvojën me talentet e reja në fushën e lojës.

Leonidha Çurri, si një prej idhujve të sportit magjik të futbollit, me zjarmin e shpirtit të tij, ishte mentaliteti i tij krejt modern dhe bashkëkohor, që inicioi dhe motivoi mbështetjen e tij tek angazhimi dhe aktivizimi i talenteve të reja. Një risi vendimarrjeje, që u shoqërua me një hop dhe ndryshim të papërsëritshëm në lulëzimin dhe suksesin e futbollit vlonjat në dekadën e viteve 80-të. Duke u impenjuar si një trajner dhe njëherazi udhërrëfyes, si brenda po ashtu edhe jashtë fushës së blertë, me aftësitë e tij, me natyrën e tij krejt modeste, me personalitetin dhe karakterin e një lidershipi të vendosur e të pabujë, ai mundësoi krijimin e raporteve dhe marrëdhënieve të shkëlqyeshme me lojtarët e gjithë ekipit që ai drejtoi.

Personaliteti i larmishëm Leonidha Çurri, trajneri mitik, personi rrezatues dhe frymëzues në bankinë, që me fantazi dhe urtësi, mundi të krijonte dhe stërviste një ekip kompakt me mentalitetin e fituesit. Në vijimësinë e karrierës së tij të suksesshme, mundi të shpaloste dhe evidentonte një sërë lojtarësh premtues dhe talente mbresëlënës e me vlera shumëdimensionale, si një prej impakteve shumë të rëndësishme të kohës. Sepse si trajner i besoi besnikërisht filozofisë së tij, se mënyra e vetme për të arritur tek formula e suksesit, ishtë vlerësimi maksimal i gjithë potencialit të djersës dhe përpjekjeve kolegjiale të bashkëharmonizuar me disiplinën e rreptë taktiko-teknike në fushën e lojës. Në periudhën kohore të drejtimit të ekipit «Flamurtari» prej tij, u promovuan një sërë talentesh të spikatur të cilët në vijimësi u bënë shtylla të fuqishme në fushën e blertë për këtë ekip protagonist, sa modest po aq edhe mbresëlënës. Si të tillë, mund të përmendim Vasil Ziun, Anesti Arapin, Thanas Gjylin, Viktor Daullja, Erion Mëhilli, Gjergji Dema, Viktor Paço, Dritan Sadedini, Gjergji Iliadhi, Ardian Ciruna, Bashkim Shaqiri, Gramoz Murati, Edmond Lutaj, Anesti Vito, etj. Ndërkohë që duhet nënvizuar fakti se pikërisht gjatë kësaj periudhe kohore lojtarë që stërviteshin prej tij, spikasin duke u vlerësuar si të jashtëzakonshëm, nga ku duhet të përmendim, përzgjedhjen e mesfushorit brilant Alfred Ferkos, si fitues i anketës «10 sportistët më të mirë të vitit», për vitin 1986, të sulmuesit të talentuar Agim Bubeqi, si fitues në anketën «Sulmuesi më i mirë i vitit», për sezonin 1986-1987, të mbrojtësit të fuqishëm Rapo Taho, si fitues në anketën «10 sportistët më të mirë të vitit», për vitin 1987, të sulmuesit të rrezikshëm Sokol Kushta, si fitues i vendit 18-të, në anketën evropiane «Guerin Sportive» të revistës ”Bravo”, të mesfushorit të palodhur e të papërtuarit Latif Gjondeda, si fitues në anketën «Mesfushori më i mirë i vitit»për sezonin e vitit 1988, të talentit sulmues tepër premtues, Viktor Daullja,si «Sulmuesi më i mirë i vitit për të rinjtë 18 vjeçarë», për vitin 1988.

Modeli frymëzues, Leonidha Çurri, me mënyrën e tij, krejt të veçantë dhe unike, dëshmoi trajnerin punëshumë e fjalëpak. Trajnerin që me mendjemprehtësinë, me strategjinë e taktikat e përzgjedhura, me indiciet dhe iniciativat befasuese në fushën e blertë, me vizionin e ri të një loje kompakte, startoi dhe krijoi një rrymë epokale në shkollën e futbollit vlonjat e mandej atë kombëtare.

Duke mishëruar kësisoj dhe provuar në praktikë risinë, që pas çdo ekipi simpatik, të suksesshëm, kompakt dhe të qëndrueshëm, gjithmonë fshihet fizionomia e një strategu dhe trajneri karizmatik.

Legjenda e gjallë, protagonisti Leonidha Çurri, spikati në rolin e një misionari, fjalëpak e punëshumë, me natyrën e tij të përmbajtur por edhe tepër të disiplinuar e njëherazi praktike, me një këmbëngulje të jazhtëzakonshme për arritje dhe suksese, me mençurinë futbollistike për ekipin e «Flamurtari» të Vlorës, u shndërrua në një njeri mit, në një prej trajnerëve më të mëdhenj të kohës, për realitetin shqiptar. Duke lënë natyrisht gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar por edhe në kujtesën e sportdashësve të zjarrtë vlonjatë dhe atyre mbarëkombëtarë.


Vlerësimet për një personalitet të përmasave të tilla…

 
Fisniku Leonidha Çurri, futbollisti dhe trajneri legjendar që e lidhi emrin e tij me një periudhë kohore brilante për futbollin vlonjat e mandej edhe atë kombëtar. Një personalitet dhe individ mjaft interesant dhe tepër dinjitoz. Një misionar që frymëzonte talentet e reja, me vizionet e tij bashkëkohore, me mënyrën krejt origjinale të konceptimit të lojës së futbollit bashkëkohor. Figura dhe simbioza e një trajneri realist, tepër modest por edhe modern. Njëherazi edhe depërtues, nuhatës dhe i motivuar nga inteligjenca e tij e pakrahasueshme duke skicuar dhe përvijuar aspekte të mirorganizuara krijuese dhe progresive të mrekullueshme në fushën e blertë.Të cilat me natyrshmëri, entuziazmonin dhe magjepsën gjeneratat e panumërta të futbolldashësve vlonjatë, mbarëshqiptar e atyre grekë, ku ai kontribuoi me përkushtim e devocion.

Teksa analizojmë dhe shohim kontributdhënien shumëdimensionale e të përkorë, të një legjende reale të futbollit vlonjat e atij shqiptar, realisht është e habitshme që mirënjohja dhe vlerësimet të mungojnë dhe të jenë inekzistente. Krahasuar me vlerat e shumëanëshme dhe kontributin e tij të jashtëzkonshëm, çuditërisht, konstatojmë me hidhërim, se vlerësimet për një personalitet të përmasave të tilla, janë tepër minimale. Vlerësimi i tij i vetmuar konsiston me mbajtjen e titullit e Lartë si «Mjeshtër i Merituar».

Madje edhe ditën e Jubileut të 70-të vjetorit të ditëlindjes të këtij personaliteti rrezatues, askush nuk u kujtua të artikulonte një fjalë, një urim, një falenderim. As në Vlorë e për më keq as në kryeqytet në Tiranë nga ana e Federatës së Futbollit Shqiptar, emisarëve që paguhen dhe përfaqësojnë vlerat dhe interesat reale të këtij sporti kaq popullor e të dashur.

Pikërisht, ky fakt më imponon të thyej heshtjen e paskrupullt, për mosrespektimin e një personaliteti vetëmohues, që ofroi dhe kontribuoi në gjithçka për rilindjen e lartësimin evropian të një ekipi të një qyteti. Madje edhe të dinjitetit të futbollit shqiptar, pa as më të voglin përfitim material…

Përse vallë kjo harresë krejt e papërligjur dhe hipokrizi e papërshkrueshme e shurdhmemecëve, krejt të paaftë për të vlerësuar gjenialitetin e të aftit dhe performancën e vlerave të tij…?

Përse vallë hipokrizia dhe pacipësia e gjithë këtyre që ushtrojnë funksionet e pushtetit ekzekutiv si në qendër në Tiranë po ashtu edhe në Vlorë si vendorë, tregohen kaq mizorë me personalitetet e spikatura dhe vlerat e patjetërsueshme, duke kapërcyer caqet e mirësjelljes njerëzore?

Si një personalitet i jashtëzakonshëm, i vlerësuar dhe i njohur ndërkombëtarisht për kontributin e tij të vyer në sukseset e sfidave futbollistike, Leonidha Çurri, i shërbeu më së miri misionit të tij. Triumfi i «Flamurtari» të Vlorës në edicionet mbresëlënëse evropiane të viteve 1986, 1987 dhe 1988, i atribuohet së pari atij dhe më pas gjithë lojtarëve që ishin pjesë e atij ekipi historik e të papërsëritshëm. Si një talent dhe pjesëz e futbollit vlonjat, me angazhimin, me përkushtimin dhe punën e tij misionare, sfidoi me sukses gjithë kushtet e pafavorshme dhe ofroi pikërisht për futbollin, për talentet e reja, për progresin dhe rritjen e nivelit të futbollit shqiptar. Madje duke promovuar qytetin e tij të lindjes, Vlorën, në metropolet e njohura futbollistike evropiane si askush tjetër, duke i shërbyer prosperitetit të vetë kombit.

Atëhere si mundet që mjeranët militantë partiakë, neveritësit karrikembajtës, kostumkapardisësit kokëboshë, që nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër në shërbim dhe favor të komunitetit vlonjat, për të cilin edhe paguhen, përveçse të shquhen për zellin në praprapanicëlëpirjen dhe servilizmin neveritës të Njëshit Sulltanqehaja, ende hezitojnë të shpallin qytetar Nderi të Vlorës, për karrierën e tij të merituar, legjendarin Leonidha Çurri?!

Si mundet që Qarku i Rrethit të mos e nderojë dhe vlerësojë me titullin e «Mirënjohjes së Qarkut të Vlorës»?

Si mundet që Presidenca e Republikës, dekoron lojtarët e stërvitur dhe frymëzuar prej tij dhe paturpësisht anashkalohet dhe nuk vlerësohet iniciuesi dhe strategu i gjithë arritjeve dhe sukseseve spektakolare. Vallë a nuk e meriton dekoratën e Nderit të Kombit apo Nderi i Sporteve Shqiptare, apo «Çmimin e Meritës», ky model i jashtëzakonshëm?

Vetë klubi «Flamurtari» dhe drejtuesit e sotëm, përse duhet të jetë i vonuar dhe indiferent dhe me një vlerësim të pamjaftueshëm, për një trajner me dhuntitë dhe cilësitë si Leonidha Çurri, e të mos përfshihet në Librin e Artë të këtij klubi?

Sigurisht që personalisht Leonidha Çurri, me modestinë e tij proverbiale që e karakterizon, as ka kërkuar ndonjëherë, por gjithësesi as ka nevojë për këto nderime. Sepse për të flet entuziazmi, arritjet dhe sukseset spektakolare që janë fiksuar tanimë në historinë e ndritur.

Por është veçanërisht e rëndësishme dhe një detyrim madhor i Institucioneve të Larta të vendit,ashtu sikundër edhe e Bashkisë së Vlorës, për të dëshmuar mirënjohjen dhe nderuar personalitetet që kanë kontribuar me pasion. Në respekt të historisë së ndritur, gjithë komuniteti dhe qytetarët futbolldashës vlonjatë, detyrohemi me përulje dhe ndiejmë detyrimin moral, për të vlerësuar dh nderuar figura të tilla dinjitoze, si historia e gjallë e suksesit futbollistik vlonjat, Leonidha Çurri.

Vlerësimet apo medaljet që mbajnë me meritë një serë figurash të shquara si lojtare të ekipit legjendë të «Flamurtarit», zbehen dhe humbasin shkëlqimin, teksa iniciuesi, krijuesi,strategu dhe maestroja e kësaj Legjende modeste, ikona historike e futbollit vlonjat, harrohet enkas dhe lihet i pavlerësuar për kontributet dhe punën e përkushtuar.

Janë momentet që pa humbur kohë, institucionet përgjegjëse të reagojnë me seriozitet dhe pa humbur kohë, të rikthejnë nderin e zvetënuar, një figure të tillë misionare, që na bëri të gjithëve të ndihemi entuziaztë dhe krenarë, si Leonidha Çurri. Sepse ky trajner virtuoz,nuk synoi të isht vetëm një njeri i suksesshëm, por me ambicie dëshmoi se ishte një individ tepër efikas dhe i vlefshëm.

Leonidha Çurri, me modestinë e personalitetit të suksesshëm të futbollit vlonjat, me idetë, me impresionet, me bindjet, me njohuritë dhe filozofinë e tij, mundi të ndryshonte imazhin e një epoke në histori suksesi, për ngjyrat e ekipit «Flamurtari». Për t’ia dalë mbanë kësaj sfide, ai lipsej të ndiqte me vendosmëri rrugë dhe mënyra krejt të reja, të zbatonte praktikisht metoda të reja bashkëkohore. Me punën dhe shembullin e tij, ai jo vetëm inkurajoi por edhe tregoi rrugën e duhur, si të konceptohen dhe legjitimohen qëllimet serioze, si të ndiqen, gradualisht dhe hap pas hapi, si të arrihet dhe zbatohen konkretisht në fushën e lojës, duke synuar përherë në lartësitë e suksesit. Duke entuziazmuar dhe nderuar me krenari të përligjur, jo vetëm qytetin e tij të lindjes, Vlorën, as Palasën, vendin e origjinës së prindërve të tij të mrekullueshëm, por gjeneratat e sportdashësit e futbolldashësit në mbarë kombin shqiptar.

Natyrisht që për hir të meritokracisë, për hir të përmasave të një protagonisti dhe idhulli të tillë, një personaliteti dinjitoz, të mahnitshëm dhe emocionues, të gjithë lipset të tregojmë mirënjohje ndaj tij përgjithmonë. Kësisoj, pa i mbetur hatri askujt për këtë propozim, do të sugjeroja, që është në nderin e gjithë Vlorës e vlonjatëve, që stadiumi aktual, ku ai ishte i pranishëm edhe si futbollist por edhe si trajner, aty ku ai dëshmoi forcën e jashtëzakonshme të talentit dhe përkushtimit të tij, aty ku ëndrra e tij u shndërrua në një realitet entuziast të jashtëzakonshëm, të emërtohet dhe të mbajë emrin e tij. Organizmat respektive le ta shqyrtojnë menjëherë me përparësi dhe objektivitet, duke korrigjuar një padrejtësi aktuale lidhur me vlerësimin e këtij personaliteti të suksesshëm.

Faleminderit i jashtëzakonshmi dhe modesti Leonidha Çurri, për gjithçka që ofruat, për arritjet që kontribuat, për gjithë ato mësime të vyera që na dëshmuat me përkushtimin dhe qëndrimin tuaj, në fushat e blerta, por edhe jashtë tyre. Me sinqeritet u detyrohemi për shumëçka na dhuruat me zemërgjerësinë e shpirtit tuaj.

 

Në vend të epilogut…

 

Natyrisht që duhet pohuar se është një sfidë tepër e vështirë, për të mundësuar në aradhat e një portreti përpjekjet, sakrificat, arritjet e kontributdhënien e një jete të gjatë përkushtimi në fushën e blertë e jashtë saj. Të një njeriu modest dhe thelbësor, të një figure brilante, të një prej ikonave legjendare, më të spikatura në futboll, qëllimi i vetëm dhe interesat e të cilit, përkufizoheshin eskluzivisht tek pasioni i tij i jetës, futbolli.

Njeriu befasues, individi frymëzues Leonidha Çurri, që magjinë e futbollit e shndërroi në një pjesëz integrale të gjithë jetës së tij. Si një trajner ambicioz dhe reformator, mundi të ndryshonte e riformatonte historinë moderne të futbollit por edhe të shkollës vlonjate futbollistike, duke i dhënë impresione, detaje si edhe penelata bashkëkohore. Gjithë rrugëtimi i tij jetësor dhe profesional, gjithë arritjet e sukseset që e lartësuan në karrierën e tij brilante, përbëjnë natyrisht thesare të një trashëgimie tepër të vyer. Si në aspektin e historisë së lavdishme për ngjyrat e fanelës kuqezi të «Flamurtarit» legjendar të dekadës së viteve 80- të e 90-të, që shkëlqyen në kursin triumfues të futbollit, po ashtu edhe për gjeneratat e ardhshme,vlonjate dhe mbarëkombëtare.

Si futbollist si me lojën e tij me ekipin e «Shkëndijës» po ashtu edhe me «Flamurtarin», Leonidha Çurri dëshmonte se ishte një talent i shkëlqyeshëm, duke spikatur për mjeshtërinë e tij të lartë në lojë. Kësisoj, ai jo rastësisht arriti të luaj me përfaqësuesen e ekipit kombëtar të Shpresave, në turnetë e zhvilluara jashtë vendit. Në ato kohëra krejt të vështira teksa gjithë vendi përballej me një izolim total, përpos të tjerash edhe në fushën e sporteve dhe pjesëmarrjes në veprimtaritë futbollistike evropiane dhe ato ndërkombëtare.

Leonidha Çurri u përket atyre njerëzve krejt të veçantë që gjithë potencialin e energjive, të forcës, përkushtimit dhe besimit e shndërroi në një vepër dhe punë të suksesshme impresionuese. Një misionar me madhështi spektakolare, që me arritjet dhe rezultatet e arritura, do të vijojë të mbetet si krejt i veçantë dhe i respektuar në memorien dhe historinë e ndritur të futbollit vlonjat. Jo vetëm për kohën e sotme por edhe për gjeneratat që do të pasojnë

Me përulësi, me respekt dhe mirënjohje, duke shpresuar se shprehim ndjenjat e njëjta dhe impresionet e jashtëzakonshme të sportdashësve të zjarrtë vlonjatë ndër vite. Për lojtarin gjithë shkëlqim, për futbollistin me një temperament të fortë që frymëzoi, mahniti dhe entuziazmoi. Për «arkitektin» e suksesshëm të ekipit «Flamurtari», që ia doli mbanë të shkaktonte tronditje dhe çarje në profilin e ekipeve që i përkisnin superfuqive të futbollit evropian. Me bindje se në analet e historisë së futbollit evropian, emri, aftësitë e tij, arritjet çudibërëse si një trajner i klasit të lartë, por edhe të kontributit si një figurë publike edhe si strateg i stolit kuqezi, Leonidha Çurri, do të jehojnë të dëgjohen dhe admirohen plot me krenari, për dekada e vite në vijimësi. Për altruizmin, për dinjitetin sportive, për dinamizmin dhe ambiciet e sinqerta të një prej figurave legjendare të futbollit vlonjat e atij shqiptar,si edhe për kontributin e paçmuar sportiv të Leonidha Çurrit. Si nxitës dhe promovues i një mentaliteti dhe fryme të re, ashtu sikundër edhe për zhvillimin e vrullshëm dhe arritjet e futbollit vlonjat, po ashtu edhe më gjerë, në shkallë vendi.

Leonidha Çurri, padyshim që i përket figurave dhe futbollistëve me një kontributdhënie e rrezatim krejt të veçantë. I cili është fiksuar në memorien e sportdashësve vlonjatë, atyre kryeqytetas e mbarë vendit, por njëherazi edhe analeve të historisë së futbollit, fillimisht si lojtar e mandej si trajner që ofroi gjithçka në vizionet bashkëkohore të pjekurisë dhe zhvillimeve cilësore të jashtëzakonshme, tek ekipi i zemrës së tij, kuqezinjtë e «Flamurtarit», por edhe tek ekipi kombëtar i të rriturve.

Si një prej idhujve të fubollit vlonjat e atij mbarëkombëtar shqiptar, Leonidha Çurri është fiksuar në memorjen e qytetit të Vlorës por edhe mbarë Shqipërisë, si një prej personaliteteve brilante. Një figurë që realisht e nderoi me përkushtimin e tij, statusin e futbollistit dhe lojtarit. Ashtu sikundër njëherazi edhe një trajner i shquar, përçues dhe promovues i filozofisë së tij ashtu sikundër edhe mentalitetit të fituesit në fushën e blertë, ka lënë gjurmët e tij të pashlyeshme në futbollin vlonjat. Pa e tepruar i përket panteonit të njerëzve të mëdhenj e të lavdishëm, me arritje, suksese dhe kontribute krejt të papërsëritshme.

Leonidha Çurri, trajneri i sprovuar, me një karrierë të spikatur si në fushën e blertë, por ashtu edhe jashtë saj, pjesëz e asaj plejade të ndritur dhe i kategorisë së individëve të veçantë dhe personaliteteve autentike e me moral të lartë, që me jetën dhe kontributdhënien e tyre, ofruan dhe ndikuan fuqimisht, në rritjen e nivelit të futbollit vlonjat e atij shqiptar, si edhe spektakleve entuziaste të përjavshme, në fushat e blerta.

Të tejemocionuar dhe impresionuar, të frymëzuar prej madhështisë së shpirtit, por edhe punës përkushtuese sistematike e të papërtuar, përkulemi me mirënjohje, me sinqeritet dhe respekt absolute, tek personaliteti Leonidha Çurri.

Duke nderuar një personalitet të përmasave të tilla, një shpirt dhe zemër fituese si Leonidha Çurri njëherazi shprehim falenderime të panumërta, për vlerësimin dhe nderin ndaj fanellës kuqezi të «Flamurtarit», për modelin dhe gjithë ato impresione e momente emocionale që ofroi me talentin e tij, me tepri dhe dashamirësi, për afro 3 dekada si protagonist aktiv në stadiumet kombëtare si edhe ato ndërkombëtare.

Gjithë jeta e maestros së fushës së blertë, Leonidha Çurri, e iniciuesit të surprizës urragan, «Flamurtarit», ekipit brilant e prestigjioz në Kupat e Evropës, një kolonadë e gjatë e sfidave, e frymëzimit, e gëzimit, e arritjeve, e sukseseve, e harmonisë familjare, e mbushur plot me dashuri, respekt dhe mirënjohje të pakufishme.

Ndonëse ditëlindja kaloi, pranoni urimet tona të përzemërta, sepse ne që ju adhuruam për mrekullitë e fushës së blertë që na ofruat, përulemi me mirënjohje dhe respekt të jashtëzakonshëm.

Gëzuar ndër Mote Përvjetorin e Ditëlindjes, futbollisti i mahnitshëm, trajneri i talentuar, mjeshtri plot shkëlqim, virtuozi Leonidha Çurri!

 

Αthinë, 02. 06.2021.

 

Please follow and like us: