Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Boll me Lushnjen

 

 

Asgjë nuk më dhëmb më shumë se sa kur shoh skupe shtypi me qytetin tim. Në historikun e tij nga një gojëdhanë me çezmën në periferi, tek kuvendi i dimrit 1920, ku u hodhën themelet e një shteti me pjesëmarrje kolegjiale, dmth për demokracinë e deri më sot, askush tjetër nuk e ka dëmtuar rëndshëm se sa politika. Në diktaturë e populluan me armiqtë e klasës. Nga veriu në jug fusha e Myzeqesë u mbush me fshatra të izoluar banorët e të cilëve ishin ‘armiq të partisë dhe popullit’. U bë vendi i të internuarve etj., por edhe hambar i prodhimeve bujqësore. Cili qe dënimi këtu nga politika e kohës? Ironia që pikërisht ata, bujqit, sidomos Darsia, për çdo dimër u ndalohej buka e grurit, kishin privilegj tullat e thata të misrit plot krunde. Dikush mund të thotë që e kanë dëmtuar edhe bandat, por edhe ato ishin produkte të politikës. Madje asaj politike që jep shenja akoma me mllef, barbari, aq sa kultura e ideve dhe e traditës ka marrë fund.

Ka një mllef të ndërsjellë sa e shumta e qyteteve nuk kanë më qytetarë, por militantë. Lagjet janë të shënjuara në të kuqe, në blu, gri etj. Kafenetë e qosheve po ashtu. Mos shko aty, se atje vetëm kriptot mblidhen. Mos bli tek ai se është qen i këtij apo atij. Një barrë me kulturë ka tjetri, burri në moshë, profesori i thinjur, por flet me gjuhën e një militanti të thekur partie. Domosdo e nesërmja, që është kjo e sotshmja, nuk ka se si të prodhojë demokraci, por grupe me protokolle të qarta mbi kulturën e rryshfetit, përqindjet e tenderimeve, shtëpitë ekstra në buzë të detit, vendet e punës me diploma fallco, meritokracia… puro një shkërdhatokraci që ka ndarë gjakun nga gjaku. Një socialist nuk e sheh të pi një kafe me një demokrat. Do shenjohen me gisht. Do kërcënohen me vendin e punës. Tenderimet nuk janë vetëm përqindje fitimi, janë edhe pistoleta tek koka, bomba poshtë makinave. Rrëmbime, a marrje peng. Kësisoj edhe dekoratat.

Mos prit më për të tjera… është kjo një nga arsyet që  brezi i ri ka mbushur parcelat e varreve dhe lufta për territore sot është prezente thuajse në gjithë qytetet e Shqipërisë. Kësisoj mos prisni ujë 24 orë, as rrugë të shtruara, as vende të reja pune, as paga normale. Në këto 30 vjet demokraci, kur ngec në rrjetë një merimangë e djathtë, çirren të majtët. Kur ngec një merimangë e majtë, heshtin të majtët dhe çirren të djathtët.

Korrupsioni, vjedhja, zhvatja, nuk ka ngjyrë, ka vetëm metastaza se është kancer për të dyja palët. Kështu që edhe ky rasti me kryebashkiakun e Lushnjes nuk bën përjashtim. Eshtë produkt i kohës që po hamë njëri-tjetrin. Mua më dhimbset vetëm për një gjë, emri i qytetit tim. Vendi i atyre njerëzve të cilëve u ka humbur pesha e fjalës. Ka një batalion me intelektualë, por janë të nëmur të gjithë. Dominon militanti, madje dhe i deleguari nga lart. Mungon kolegjialiteti.

Sot Lushnja dhe shumë qytete të tjera në vend, nuk përfaqësohen nga njerëzit e tyre, por nga të deleguarit. Që këtu fillon politika anti truall, anti traditë, anti kulturë. Ta dini mirë se në ato tenderime ka gisht e pjesë edhe këta të deleguarit nga lart. Pastaj si është e mundur bash aty në Lushnjen time. Jo në Elbasan, jo në Durrës. Madje ndërsa me lushnjarin tim Edi Rama u distancua pa kaluar as 5 minuta nga skupi në internet. Me atë të Durrësit jo. Bile, biles e mori në mbrojtje, tha që, nuk më duhet mendimi i Amerikës, e kam mik Gjushin etj.

Dua t’i them edhe atij panelisti majtist, përse nuk i nxjerr të njëjtat argumenta kur mbronte Gjushin, kur denigronte non gratan e një ish kryeministri shqiptar, edhe për kryebashkiakun e Lushnjes. Eshtë fare e thjeshtë, shkërdhatokracia e kohës në emër të partisë me piketimet për listën e armikut të klasës. Po ky panelist i majtë nuk mund ta bëj, nuk do ngiste më makinë X5 apo Porshe me porosi. Boll me Lushnjen, përgjegjësitë janë personale.

Please follow and like us: