Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: DASHURIA ËSHTË DIÇKA E ZEZË

Tregim
Ester Bestani mendonte si Picasso; dashuria është diçka e zezë. Ulur pranë dritares në dhomën nr. 5, të katit të dytë të spitalit “Sant Xhovani”, teksa priste përgjigjen përfundimtare të biopsisë, i mbante sytë ngulur mbi kurorën e qiparisëve. I shëmbëllyen si vetëtima të ngulura në tokë. Armiqësore ndaj tyre, besonte se dëshpërimi që e kishte mbërthyer, qe era e marrë që po e merrte me vete atë fletën e bardhë dhe po e çonte në fund të botës.
“Pse pikërisht mua”? Dhe një çekiç druri godiste me egërsi trurin e saj.
“Unë e dua diellin, barin, rininë. Dua të jetoj. Dashuria e jetës më është bërë ves, më vdekjeprurës se kokaina. Unë e gllabëroj ekzistencën time me një oreks të pashuar. Përse”?
Deshi të ndizte cigare, po u kujtua sa pa kuptim i lindi ai neps. Në krevatin përbri qëndronte shtrirë i biri, Nikolin Bestani, pesëvjeçar, kaçurrel, qarkuar me tuba serumesh.
“Si do të përfundojë e gjithë kjo”?
Fshehtas i rrëshqiti sumbulla e lotit dhe iku e trembur duke u mbështetur në trarin e harrimit. Sytë e zinj si dy kokrra vishnje të zeza ishin bërë më të thellë, e kishin zmadhuar shumë rrethin. Dukej se atë çast ishte vetëm sy. Në të vërtetë Esteri ishte gjithë librat që kishte lexuar duke e mbushur atë kokën e rrumbullt me ide nga më të çuditshmet. Ishte gjithë pasionet që mbante strukur gjinjve të vegjël, të fortë si dardhë alpine. Tek arti i ngjyrave që besonte fort, flokët sterrë të zeza e të gjatë si bisht kali, ishte tek ai zëri i ngjirur mëngjesor prej cigareve të panumërta që pinte. Në fund fare ishte tek buzëqeshja që i rrinte si një mace thonjjashtë në cepat e buzëve. Në vitin e tretë të martesës fati e braktisi. Marko, bashkëshorti, lodhur prej tekave të saj a ndoshta në kërkim të një aventure tjetër, si pa e kuptuar ia kishte mbathur në Argjentinë. Prej dy vjetësh nuk bëhej i gjallë. Ikja e tij e dërmoi Esterin. Pinte parreshtur rum e cigare dhe pikturonte si e marrë. Gjithçka që i vinte ndërmend apo e pickonte si grerëz në qafën hollake, në atë lakim të përkryer xhirafe. Si iku Markoja, iku dhe dadua, kështu që Nikolinin u detyrua ta merrte çdo ditë me vete në fabrikë. Puna e përditshme përmblidhej në një tavolinë të thjeshtë dizajni ku modeloheshin kuti lodrash. Kështu deri ditën e martë, ditën që…
Atë mëngjes të 12 shkurtit 1995, Nikolinin e kapi temperaturë e lartë. Gjysmë kokërr paracetamoli me gjysmë gote çaj dhe Esteri besoi se gripi do t’i ikte shpejt. Po për Nikolinin ishte rezervuar diçka tjetër. Puçra të vogla në bark, pastaj rreth buzëve dhe në fytyrë që nisën të përhapen me shpejtësi. Esteri u tremb. E kaloi paraditen duke i bërë kompresë me uthull, duke e ushqyer me supë pule. Në mesditë djali u keqësua. Nisi t’i dalë gjak nga hundët. Pastaj… Tmerr! Gjaku po i dilte nga goja, nga veshët… Dhe…
Ulëriti. I erdhën në ndihmë. Djalit po i dile gjak kudo, nga çdo pjesëz nëpër trup. Gjysmë ore më pas e pa veten në spital. E përmendën. Nikolini i shtrirë në krevat me një tub futur në kokë. U tmerrua. E qetësuan kur i thanë se po e ushqenin me gjak. Klithi sërish dhe ra përdhe. E përmendën. Diagnoza e djalit, trombocitopeni për shkak të reaksionit të prodhuar nga kombinimi i virusit të gripit me paracetamolin. Reaksion që ndodh një në gjashtëdhjetë milionë raste. Po kaq janë edhe shanset e shpëtimit. Gjaku i Nikolinit ishte bërë ujë. Ishte holluar. Sikur protestonte ndaj diçkaje. Trombocidet zero. Enët e gjakut u çanë. Jeta tani i lëkundej në fije të perit.
Gjashtë ditë e netë pa gjumë, te shtrati i Nikolinit në ankth e në tmerr për fatin e tij, e vunë në provën e zjarrit. Çapkënia e dikurshme që s’linte dy gurë bashkë në Akademi të Arteve, e talentuara e pikturës, rrinte si pulë atje në dhomën nr. 5 të spitalit të huaj, duke pritur një përgjigje jete. Si do t’i vejë filli? Fytyrën e saj e kish mbërthyer zymtia. Mërzi dhe ankth. Gjashtë ditë më parë, komshinjtë italianë, Piero Castanjeli dhe Bruno Virante që banonin në të njëjtin pallat me piktoren e ndihmuan ta shtronte djalin me urgjencë në spital. Bruno, komshiu përballë, ishte i pari që rrëmbeu Nikolinin dhe me “Porsh” – in e tij e solli në spital. Si ato thagmat që struken përjetë në skutat e trurit, Esterit nuk i harrohej këmisha e bardhë e Brunos ngjyer me gjakun e djalit të saj. Këmisha ngjante me pikturë surreale varur në shpatullat e gjera të Brunos. Bruno ishte kasap. Dyqanin e kishte në anën tjetër të pallatit. Nga aty dukeshin dritaret e apartamentit të Esterit. Ndonjëherë ajo lëvizte perden kadife ngjyrë alle të dritares dhe shikonte nga dyqani i tij. Në këtë lojë të pafajshme kukamfsheti, sytë e tyre ishin përplasur e shkëndijuar ndonjëherë padashur. Të kuptohemi, Ester Bestani nuk ushqente asnjë ndjenjë për Brunon e stërmadh. Ashtu kot, siç e kishte zakon, shpeshherë i pëlqente të luante flirtrash. Asgjë nuk ishte më anarkiste se ajo lojë ndjenjash, pushteti i së cilës në thelb, bën gjithmonë atë që do. Ndërsa vetë Bruno, ishte praktik. Nuk linte rast pa iu gjendur pranë. Qe i martuar, me tre fëmijë, me gruan shtëpiake, një ukrainase me fytyrë pjepri që ecte kalamendur si marinarët në kuvertë. E ftonte shpesh Esterin dhe Nikolinin të kalonin kohë me familjen e tij, me një intimitet gati të përsosur, një përzierje e çuditshme e dinjitetit dhe çiltërsisë. Me shkathtësi të panatyrshme për atë trup binagjatë, si të lumturohej nga virtyti i pritjes e durimit, Bruno që sikur ishte gatuar nga urtësia, gjente gjithnjë rast për dhurata, festa, ditëlindje, lojëra e aventura të vockëla fëmijësh. Sidomos ca piknikë të paharrueshëm fundjavave në pyllin e liqenit, matanë qytetit. Esteri ngrinte kavaletën dhe pikturonte. Disa nga pikturat ishin varur në koridorin e dhomat e apartamentit të Brunos. Pikërisht ky Bruno, sapo kishte ardhur të pyeste për përgjigjen e analizës. Befja e tij ia bëri shpirtin akull. Ai rrinte në këmbë si gëmushë e madhe. S’dinte ç’të thoshte. Mbante veshur xhupin e zi dhe një këmishë me kuadrate blu. Esteri ktheu kryet dhe u çudit që ai s’kishte të bardhën, këmishën me njolla gjaku të gjashtë ditëve më parë. Këmisha-pikturë i përhihej vazhdimisht në sy. Besonte që zemra e mbyt mendjen në kohën kur i merr të gjithë gjakun. Të gjitha ditët, sytë e mendjes së saj shihnin Brunon me këmishën e gjakosur dhe Nikolinin në duart e gjata të tij si degë të hapura rrapi. Bruno vinte dy, po edhe tri herë në ditë të shihte Nikolinin. Nuk fliste. Esteri nuk i thoshte asgjë nga situata e Nikolinit. E dinte që Bruno ishte i tronditur, por të tronditurit janë përherë të parëndësishëm, të keqinformuar. Gjithnjë e mendonte Brunon si çdo njeri tjetër normal, që rendte pas adhurimit të ndjenjës së tij, e sigurisht që kishte nevojë për një marrëdhënie, për lirinë e duhur që të shijonte rrezikun e dëshirimit të së pamundërës. Por ajo, Ester Bestani, nuk shikonte asnjë ëndërr për Brunon. Ndonëse në zgrip, trupi saj harlisej në rrëketë e zhurmshme të jetës dhe ajo, e gjitha, ishte ende freski dhe aromë përvëluese. Pastaj e vërteta nuk qëndron në një ëndërr të vetme, por në shumë të tilla, të lidhura bashkë, të kapërthyera, të pleksura e të thara në diell.
Çfarë ishte në të vërtetë Bruno?
Jashtë qelqeve të dritareve dukej që bënte ftohtë, bërr… bërr, përderisa iskra të shumta bryme kishin mbuluar sprethët e godinave përqark. Mjergulla qe lëshuar si dush dhe ajri i njomësht e i ftohtë krijonte një llurbë gri të thellë. Pyetjen sfilitëse për Brunon e këputi Nikolini. Pas gjashtë ditësh që sikur ishte fshehur në gjumë, hapi sytë e lëshoi ankimin përkëdhelës.
Mami, nuk të kam xhan…
Zëri i fëmijës qe i lodhur, pa ngjyrë, më i hollë se fill i perit.
Esteri u afrua dhe i pëshpëriti me dashuri:
– Nuk të kam bërë të më duash! Falë teje, kam mësuar t’i dua edhe fëmijët e tjerë të botës. Ja, edhe këta! – dhe i tregoi dy moshatarët e tjerë në shtretërit e dhomës. – Edhe këta janë bij të nënave.
Mami, nuk u mërzite me mua?
Jo shpirt i mamit!
Do të vdes unë?
Po të duash ti nuk vdes. Ai që do të vdesë nuk flet më, që të mos kuptohet.
Vërtet?
Ehë!
Do të jemi bashkë gjithnjë?
Sigurisht, ti e di këtë, pse më pyet kot?
Nuk ke frikë ti, mami?
As ti nuk ke frikë biri im! Kur nuk ke frikë nga mami nuk ke frikë nga asgjë. Bota është shumë më e bukur dhe e gëzuar. Ne jemi të qetë, mendja e zemra zmadhohen e zbukurohen. Edhe sëmundja ikën më shpejt. Kur kemi frikë, lodhemi duke menduar. C’të themi apo të bëjmë që t’i pëlqejë tjetrit? Dhe s’bëjmë atë që duam për veten. Shtiremi sikur na pëlqen një gjë që në të vërtetë s’na pëlqen fare dhe nuk mësojmë çfarë duam.
Mami, po gabimi çfarë është? Bëra unë gabim që u sëmura?
Jo, shpirt. Gabimi është veprimi që nuk kemi mësuar ta bëjmë mirë. Një fjalë që nuk e njohim dhe e përdorim vënd e pa vënd sa ta mësojmë.
Mami ti i di të gjitha… – tha me një ndriçim të trubullt, të këputur.
Zemra mamit, nga ty unë po mësoj gjëra që nuk më kishin shkuar në mend. Ti, biri im më ke bërë të zonjën. Jam bërë nënë dhe jam rritur prej vërteti. Falemderit shumë, biri im!
Gjaku nga përbrenda i hungëriti si bishë, pastaj dhimbja sikur mbërriti nga diku, zbriti te gropat e syve dhe u bë gati që pikërisht aty të hidhte ulërimë. Zgjati dhe preku dorën e tij. Ah, i shpëtoi një fjollë e hollë psherëtime. Duart pastaj u shtrënguan fort. Ishin një zgjatim, një enë gjaku, një shpirt. Atë gjendje mrekullie e ndërpreu Karla Vantelini, profesoresha shtatëdhjetëvjeçare, kujdestare e Nikolinit. Hyri vrulltas në dhomën Nr 5. Nuk duroi dot dhe e rroku atë fëmijë të brishtë në gjoksin e saj të madh.
Superlajm, super… – fliste pa u përmbajtur.
E dija që ti, me këto kaçurrelat kaq të bukura do ta sfidoje shkencën – ju drejtua gjithë seriozitet Nikolinit. Trupi nisi të prodhojë eritrocite, leukocite, trombocite… Dhe… Shumë shpejt do të ikësh i shëruar plotësisht. Po dëgjo, se mos e harron doktoreshë Karlën, nuk vjen ta takosh saora se… Fap ta këputa…
Fjala përkëdhelëse ishte për bibilushin e djaloshit. Ester Bestani nuk po iu besonte veshëve. Qeshi dhe e tëra u bë bukuri. Nuk e ndante dot në ishte era që frynte jashtë qelqeve që ia pëshpëriti ato fjalë magjike shpëtimi apo ëngjëlli mbrojtës që pasi mundi shtrigën Trompocitopeni, iku të prehej me diellin në qoshen e një reje. Kishte ngrirë. Nuk i erdhi në grykë as zë, as britmë gëzimi. Pasi vërshoi mirënjohjen për doktoreshë Karlën, sytë i ndali te Bruno. Më saktë, te këmisha e bardhë e asaj dite, spërkatur me gjakun e Nikolinit. Ester Bestani edhe sot e gjithë ditën mendon si Picasso. Dashuria është diçka e zezë. Por tek e zeza zbërthehen gjithë ngjyrat…
Please follow and like us: