Albspirit

Media/News/Publishing

Edlira Dedja: Mesazhe nga humnera e heshtjes

Fragmente

Kushtuar fëmijëve të prekur nga sindroma e autizmit
…Nuk dua të më gjykoni nga pamja e jashtme. Vetëm kur të depërtoni në brendësi të botës time shpirtërore, lidhja me mua mund të bëhet vërtet e fortë. Bota e autizmit mund t’ju duket një vend misterioz. Por duhet të keni durim: nëse më dhuroni pak nga koha juaj për të dëgjuar se çfarë dëshiroj t’ju them, ju mirëpres me kenaqësi brenda saj.
Pra, udhë të mbarë drejt mistereve të botës sime!
………………………….
Mami im më bën shpesh të njëjtën vërejtje: «Përse bën gjëra që s’duhet t’i bësh ?! Të kam thënë me qindra herë që s’duhet t’i bësh ! Sa herë duhet ta përsëris një gjë të tillë»?
Këtë refren e dëgjoj vazhdimisht. Ndonjëherë, shoqëruar edhe me një të bërtitur me zë të lartë sepse vazhdoj të bëj e ribëj të njëjtat veprime. Dikush mund të mendojë se jam djalë i pabindur, por në të vërtetë, realiteti është krejt ndryshe. Ndihem keq kur më qortojnë, pasi kam përsëritur e stërpërsëritur, kushedi sa herë të njëjtin gabim! Por e keqja është rikthimi i situatës së mëparshme, pasi unë e harroj menjëherë episodin e kaluar, e harroj edhe qortimin dhe e humbas përsëri kontrollin. Si ta shpjegoj… është njësoj sikur diçka jashtë meje më shtyn ta bëj e ribëj përsëri…
«Nuk ke për të mësuar kurrë», do të thoni ju. Unë e di dhe jam i bindur që sjellja ime ju trishton, ju frikëson dhe ju mërzit. Ndoshta ju detyron edhe të largoheni nga unë. Por duhet ta dini se ajo që bëj nuk varet nga unë. Më vjen keq, por kjo është e vërteta dhe unë s’kam çfarë të them. Vetëm do t’ ju lutem që kur të merrni vendime për të ardhmen time, mos më lini kurrë vetëm: unë kam shumë nevojë për ju, kam shumë nevojë për ndihmën tuaj!
……………………….
Ju mund të më pyesni me të drejtë: «Përse i largon sytë kur dikush të flet”?
Është e vërtetë, i largoj pothuajse gjithmonë.
«Shikoje tjetrin në sy kur të flet”! Kjo fjali më përsëritet aq shpesh sa që më mërzit pa masë, por e vërteta është se unë nuk arrij ta bëj dot. Kur dikush më drejtohet, kontakti vizual më frikëson, e për këtë arsye përpiqem ta evitoj.
Po atëhere ku i drejtoj sytë? Ju mund të mendoni se thjesht i ul ose i fiksoj në vakum të plotë, por ta dini se gaboheni. Në të vërtetë, vështrimi im është «përqëndruar» mbi zërin e personit që më flet. E di që zërat nuk mund të shihen, por unë mundohem me të gjitha fuqitë e mia që ta dëgjoj duke përdorur gjithë shqisat. Kur bëj përpjekje ta kuptoj se çfarë më thuhet, ndjenja e shikimit tim sikur «bie në gjumë». Është shumë e vështirë për mua e duhet të më kuptoni. Kur nuk arrin ta dallosh atë që ke përpara syve, është njësoj sikur të mos kesh sy e të jesh i verbër.
Gjithnjë më ka mërzitur ideja se mund ta kuptojmë fjalën e tjetrit vetëm atëhere kur e shohim drejt e në sy. Çfarë absurditeti! Nëse kjo do të ishte e mjaftueshme, unë do të isha shëruar nga handikapi im shumë kohë më parë…
………..
Një ditë dëgjova babin tim që i tha dikujt: «Mos u shqetësoni për të. Dëshiron të qëndrojë vetëm në qoshen e tij».
E kam dëgjuar shumë shpesh këtë fjali. Madje nuk arrij ta besoj se si një qënie njerëzore mund të dëshirojë të qëndrojë vetëm!? Është e vërtetë se shpesh pushtohem nga ankthi, pasi e kuptoj se i shqetësoj e ndonjëherë edhe i nervozoj të tjerët. Ankthi im e bën të vështirë qëndrimin mes njerëzve, prandaj në shumicën e rasteve preferoj të qëndroj i vetmuar në këndin më të largët, aty ku nuk më «prek» vështrimi i askujt.
Në të vërtetë, unë kam shumë dëshirë të rrethohem me njerëz. Por e keqja është se gjërat s’mund të bëhen gjithnjë si do të desha unë. Ka kohë, tashmë që jam mësuar të qëndroj vetëm, madje pa kuptuar edhe vetë se si. Por ama, sa herë që dëgjoj dikë që thotë se më pëlqen të merrem me vetveten, ndihem shumë i dëshpëruar dhe thellësisht i vetmuar. Ndjej ftohtësi rreth meje….
………..
«Pse nuk qëndron një minutë në të njëjtin vënd”?
Është e vërtetë se lëviz pa pushim, gjithë kohën. Nuk arrij të qëndroj një minutë i ulur. Kur provoj ta bëj, më duket sikur më ndahet trupi në dy pjesë, sikur diçka shkëputet prej tij e unë e humbas kontrollin. Frikësohem e nervozohem aq shumë saqë s’mund të qëndroj më i qetë në të njëtin vënd. Kërkoj të gjej një rrugëdalje e provoj me të gjitha mënyrat. Me mëndje fluturoj gjithnjë shumë larg por asnjëherë s’kam mundur të mbrrij atje ku dua. Brenda meje jam vazhdimisht në luftë e prandaj nuk mundem të qëndroj në të njëjtin vënd, mbasi kam përshtypjen se jam i bllokuar në trupin tim. Vetëm kur lëviz më duket sikur qetësohem paksa…
«Mjaft vrapove», «Qetësohu”,  “Qendro dy minuta në të njëjtin vend”!… janë fjali që i dëgjoj me mijëra herë. Por duke qënë se ndihem shumë më i relaksuar kur lëviz, më është dashur kohë ta kuptoj se çfarë do të thotë saktësisht «qetësohu». Më në fund, kuptova se ka çaste në të cilat duhet të qëndroj i qetë. Dhe e vetmja mënyrë si ta bëj një gjë të tillë është të ushtrohem, çdo ditë pak e nga pak.
…………………………
Një herë, kur isha ende i vogël, u largova nga shtëpia pa leje dhe munda të kthehem vetëm me ndihmën e policisë që më kërkoi me orë të tëra. Ato kohë kërkoja me çdo kusht të arratisesha, të vrapoja e të vrapoja pa kthyer koken mbrapsht. E sot kam mundur ta kuptoj arsyen. Nuk ikja nga dëshira për të shkuar diku ose për të marrë pak ajër. Për më tepër, është e vështirë të shpjegohet me fjalë, por trupi im lëvizte sikur të ishte i tërhequr nga diçka jashtë shtëpisë.
Është vërtetë e çuditshme, pasi kur largohesha, nuk ndjeja as frikë e as ankth. Përkundrazi, isha i bindur se po të mos dilja, sikur do pushoja së ekzistuari. Pse, do të pyesni ju. Nuk di ta them as vetë se pse, por duhet të vazhdoja të vrapoja e të ecja pa u ndalur ; të vrapoja e përsëri të ecja. Ishte e pamundur të kthehesha nga isha nisur apo t’i hidhja një vështrim udhës që kisha lënë pas, mbasi rrugët ishin pa fund dhe deshira ime e vetme ishte kapërcimi i tyre. Më dukej sikur rrugët më flisnin gjatë gjithë kohës e më ftonin të ecja vetëm përpara. E kuptoj shumë mirë se një gjë e tillë nuk ka kuptim. Madje mund të dëshmoj se nëse dikush nuk do të më sillte përsëri në shtëpi, unë nuk do të kujtohesha të kthehesha përsëri e ndoshta do të harroja gjithshka : ky mendim më ka shqetësuar e më shqetëson gjithmonë, ashtu si do të shqetësonte edhe njerëz të tjerë.
Hoqa dorë nga arratisjet e mia vetëm kur një makinë përpak sa nuk më hodhi tej. Frika e madhe që ndjeva la gjurmë të thella në kujtesën time. Mendoj se frika duhet të vlejë edhe për njerzit e tjerë si unë. Kam pershtypjen se për ta frenuar këtë zakon të keq të largimit pa leje nga shtëpia duhet të ndodhë vërtet diçka e rëndë dhe e pazakontë. Përderisa nuk ndodh, ju lutem, mbajini sytë hapur!
……………..
Çfarë do të ndodhë më pas me mua nëse nuk gjendet një kurë për diagnozën time  Kur isha i vogël, ky ishte shqetësimi më i madh i prindërve të mij. Por edhe unë kam qënë i shqetësuar sepse jetoja gjithnjë me frikën se duke qënën autist, s’mund të jetoja si gjithë të tjerët. Madje kishte shumë gjëra që më mungonin e ndoshta edhe vënde ku s’mund të afrohesha ose të qëndroja gjatë, si gjithë fëmijët e tjerë. Kritikohesha për veprimet e mia në më të shumtën e rasteve e shpesh kisha frikë për mënyrën se si më shihnin të tjerët.
Megjithatë, nuk e kam humbur kurrë shpresën se një ditë mund të hidhet dritë edhe mbi misteret e autizmit. Por kjo do të bëhet e mundur vetëm nëse arrini ta kuptoni të vërtetën time, të cilën po përpiqem ta shpalos përpara syve tuaj. Vetëm atëhere do të ndizet edhe për mua një rreze shprese, e cila do të më japë forcë të rezistoj, duke i përballuar më lehtë vështirësitë dhe trishtimin e jetës sime.
E kur kjo dritë shprese të ndriçojë mbi mbarë botën, jam mëse i bindur se e ardhmja ime do të konektohet me të ardhmen tuaj. Kjo është ëndrra ime, dëshira ime më e madhe, shpresa për të ruajtur ende buzëqeshjen time!
Please follow and like us: