Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: GJËRAT E VOGLA TË THELBIT

 

 

Më pëlqen e kuqërremta e gjetheve vjeshtake në pemë,

Po limfa e njëlmtë e lastarit që e ushqen, më tepër.

Dallgët mitike kur shkërmoqen mbi brigje e shkëmbenj

Dhe më shumë gjeratorja ku lind fuqia e errës.

 

 

Më shtang ortek – llahtaria që gremiset malit mespërmes,

Kur rrafshon guva, shkurre, pyje, me shpejtësi të vetëtimtë.

E bardha mister që këput, rrëzon, shkatëron si presë,

Topthin nismëtar të dëborës, e qortoj pafundësisht.

 

 

Sa i dua përrenjtë që kërcejnë në shkëmb e gêrxh, si sorkadhet.

Dhe futen prehërit të lumenjve   në rrymën e thellë.

Vrapojnë si kuaj të hazdisur në detet, oqeanet.

Eh, por më shume unë dua, burimin e heshtur, sekret.

 

 

Më djeg kureshtia tek prova e shkretimit, kuqalashe si gaca.

Të jem dëshmues tek e vërteta e rrezikshme, i pari.

Krim e ndëshkim, ligësinë e përvëloftë pa mëshirë flaka,

Sa i dua shkëndijëzat e fërkimit nga dy gurë stralli.

 

 

I dua gjërat e thelbit, ato të voglat, hakngrëna.

Sa shumë… në emër të historive të pathëna…

Please follow and like us: