Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: SHTEGTIME…

Reportazh
“Jemi ba si kokrrat e misërit, të shpërndarë nëpër botë”, tha emigranti Myrvet nga Dibra e Vogël, tek po rendnim me nxitim nëpër mjediset e pafundme të Aeroportit të Düsseldorf-it në Gjermani… Sapo kishim zbritur nga avioni Eurowings që u ngritë në qiellin e Athinës në orën 7 të mbrëmjes dhe, pas tre orësh, po shpalosej ‘e panjohura’, këtë herë në një shtet të madh të Europës, të ringritur nga “zeroja”, që 77 vite më parë ishte kthyer në hi e gërmadha nga lufta e çmendur e Adolf Hitlerit… Të dhemb zemra, kur sheh në ekranet televizive të mbërthyera nëpër mure, të përcillen të tilla pamje shkatërrimi dhe kufoma të mbështjella në thasë plastike që hidhen nëpër varre masive në Ukrainë, po nga armata ruse e Adolf Putinit! Jetët tona vazhdojnë të jenë akoma në tymnajën e luftës, ndërkohë që ky Myrveti nga Dibra kërkon të punojë në Gjermanin e rilindur dhe unë ta takojë tim bir, Aleksandrin, në Düren, pranë qytetit të madh Këln me një milion banorë. Jemi ngarkuar rishtazi me rraqe në shpinë e nëpër duar, tek na zuri mesnata jashtë aeroportit të madh, midis turmës së të panjohurve, kur na u afrua edhe një zonjë elegante me pardesy të bardhë për të na ndihmuar. Qe shqiptare edhe ajo, e ardhur nga Tirana para 20 vitesh, nga ato “kokrrat e misrit”, tonat, që u shpërndanë udhëve të botës. Pas saj, edhe një tjetër shqiptar që na njohu nga fjalët shqip e nga rraqet e shumta që mbanim, si përherë me këto kusuret tona të pambaruara, për t’u shpurë evlatëve edhe këtë, edhe atë, edhe këtë tjetrën qe i duhet me domosdo… Kurse shqiptarin e fundit të kësaj nate do ta gjenim jashtë aeroportit, tek po priste t’i vinte vëllai i vet e ta merrte. Qe mërzitur keq i ngrati njeri, që doli se ishte patrioti im nga “Qafa e Gjashtës”, si i themi ne sarandiotët Metoqit. E quanin Gëzim Beqiri, djali i një çami të vendosur aty qysh në 39-ën, pas vdekjes së të cilit kishte emigruar në Naplio të Greqisë, më pas në ishullin Kohë dhe tani vinte pranë të vëllait në Gjermani, i mbetur përsëri pa punë, me dy djemtë që i kishin ikur në Angli, me gjyshen e vetmuar aty, në “Qafën e Gjashtës”… Edhe ata, të vërtitur nëpër Botë si e tha ai dibrani, duke kujtuar kokrrat e misrit… Mbi fytyren e tij kishin rënë disa vilare të verdha drite nga llampat e zbehta të neoneve të mesnatës…
DÜREN
Kërshëria për të parë një qytet gjerman, ku punon e jeton im bir, midis 91 mijë banorëve të tij, me shtynë instiktivisht të ecij deri në sheshin qëndror, ku ndodhet Bashkia, po edhe dyqanet kryesore, kafenetë e institucionet kryesore. Më shoqëron krushku im nga Armeni i Vlorës, Virion Kocka, ulem me të në një kafene italiane dhe sodit me nge njerëzit që shëtisin të qetë tashmë, pemët dekorative nëpër trotuaret që kanë nisur të lulëzojnë, godinat e veshura me tulla të kuqe, nënë çatiat e pjerrta gri, që ngarkohen nga dëbora e dimrit dhe e gjithë hapësira në këtë ditë me diell të ngrohtë, më ngroh edhe mua shpirtin, duke më bindur se Düren, nuk është kursesi një fshat, sikundër më thoshte im bir, po një qytet i madh e i bukur, i ngritur i gjithi rrishtazi nga gërmadhat që la lufta, e tri a katër shtëpi gjithësejt që shpëtuan nga bombardimet e zjarret e katjushave ruse… “Këtu, më thotë krushku, ka një përkudesje për njerëzit e sidomos për pensionistët, të cilët i ka pajisur qeveria e tyre me karroca dore e me gjithçka që u duhen. Ndjehet shteti ligjor ndado e kudo që i hedh sytë. Nuk ndodhin më aksidente automobilistike e çdo pëllëmbë tokë e territorit të qytetit menaxhohet nga Bashkia e Qytetit. E veçanta është se ka edhe një bashkëjetesë harmonike midis komunitetit turk-grek-polak e italian, si edhe i pakicave të tjera me gjermanët. Sidomos me turqit, që janë këtu berberët më të shkëlqyer dhe kanë dyqanet e tyre. Kohët e fundit jane shtuar edhe refugjatët nga Ukraina, që janë mirëpritur këtu pas mjerimeve që u erdhi atje nga “oreksi” i Putinit për t’i zaptuar me hekura e me zjarr! Po edhe ne shqiptarët nuk jemi të paktë këtu… Na duan… Sepse bëjme çdo punë… Ja, pardje erdhi këtu një delegacioni ynë që bëri të mundur njohjen e patentave tona dhe u tha që së shepjti do jemi edhe ne brenda Europës… Gjë e madhe, apo jo?! Megjithse kjo është thënë shumë herë, dreqi të na marrë…”.
Dhe na gëzon xhani brenda, kur mblidhen së toku ato, “kokrrat e misrit”, si tani që erdhi për të parë babain me makinën e saj, ime bije nga Londra, Universitarja e Uellsit, bashkë me bashkëshortin, piqerasiot nga rrënja edhe ai, mjekun fizioterapist, që te dy londinezë tashmë… E që na mblodhi përsëri ky qytet i panjohur që quhet Düren, në një ditë me diell, në pragun e Pashkës së Madhe dhe që unë, kam kënaqësinë t’i ul ata në një tryezë përsëri, sipas traditës piqerasiote, me një tigan përvëlaku, përvëlimë përpara, si dikur në fëmijërinë time e atyre u kënaqet shpirti, duke e ndjerë veten rrishtazi si në “barkun e Shën Marise”.
COLOGNE, KËLNI I SOTSHËM (KÖLN)
Në ditën e katërt do të shihnim njerin prej katër qyteteve më të mëdhenj të Gjermanisë, Këlnin (Köln) që është bërë si traditë ta quajnë Koloni (Cologne), sipas aromës së kolonjës, emërtuar kështu prej romakëve të vjetër, sikundër e quante gruaja e bukur romake Claudia Ara Agripemensium. Qyteti i hershëm shtrihej qysh atëhere buzë lumit Rin, i cili rridhte prej alpeve të Zvicrës e derdhej në Detin e Veriut, i madhërishëm e i lundrueshm. Dhe do të qëndronim të mrekulluar përpara katedrales së tretë ne botë për nga madhështia e stili i përkryer gotik, me ato “Shigjetime” të shumta që “çajnë qiellin”. E projektuar dhe ngritur përfundimisht në vitin 1248. Për Katedralen “DOM” janë dashur 682 vjet pune e pandërprerë. Ajo shpëtoi prej bombardimeve të vitit 1945, po u godit vetëm ura e vjetër e Këlnit e ndërtuar që në vitin 1911. Ky qytet të mahnit me vlerat arkitekturore, me njerin prej universiteteve më të vjetër të Europës, me 30 muzeumet e tij, me traditën e mrekullueshme e të pandërprerë të festës së karnavaleve qysh prej dy mijë vjetësh, si edhe me teatrin më të hershëm të marionetave, që nga viti 1820, po edhe me teatrin e Filarmonisë gjithashtu. Pa harruar kishën e famshme të Shën Markut që daton në vitin 960… Kemi të bëjmë me një qytet të kulturuar, me hapësira të gjelbëra, me lokale të shumta brënda qytetit, ku pihet birra me etje të madhe edhe nën vrundullin e shiut, nën ndonjë strehë çatie, po edhe anës lumit Rin, i cili ka edhe limanet e veta, anijet lundruese deri në Amstredamin e Hollandës, si edhe ura të shumta, të vjetëra e moderne, sikundër është edhe “Ura e të Dashuruarve”, të cilët, sa herë që kalojnë mbi të do të lënë shënjën e tyre dashurore… Kafenetë e restaoantet që shtrihen sidomos buzë lumit, e ku do te ulej edhe grupimi i familjes sime, krijojnë një shlodhje të këndshme, nga ku syri i njeriut do të bredh e do të ngopet prej natyrës së këtij qyteti të rrallë, që banorët e turistët e huaj e krahasojnë vetëm me Selanikun e Greqisë… Pikërisht këtu do të hanim edhe drekën, pas nje pritjeje të gjatë, sa të lirohej ndonjë tryezë që e zinte dielli, kur dita kishte filluar të thyhej e freskia që vinte nga ana e lumit ta shtinte ca më tepër dridhjen e trupit e urinë e kësaj dite fort të pasur, në këtë ditë të veçantë të baresjes nëpër qytetin e lashtë me aromën e kolonjës. E veçanta shtohej akoma edhe prej zërash në gjuhën tonë, nga një tjetër grupim familjarësh pak më tejë nesh… Kur, si të thuash, “zorët kishin filluar të kërcasin” e padurimi ynë po mbaronte, gjersa u lirua njëra nga tryezat e do të uleshim të hanim si të babëzitur edhe këtë drekë të vonuar të Këlnit gjerman, aty, nënë “pushtetin ” e katedrales së paramesjetës, të “mbetur gjallë” nga trazirat e asaj kohe, me dy luftëra të mëdha shfarosëse…
Dhe vetëm kur dreka do të mbaronte, do të kujtoheshim se kishim edhe një detyrim familjar, që të gjenim e të takoheshim, brenda një milion njerëzve të këtushëm edhe me Arjan Memin nga Piqerasi, njerin prej kushërinjëve të parë të Arëzës, që ishte edhe ai njeri prej “kokrrave të misrit”, të “mbjellur” këtu, anësh lumit Rin, në fshatin Glesen të Këlnit, njëzet vite më parë, pasi nuk i kishte prirë jeta në Greqi, afro një orë më larg prej këndej. Aty edhe do ta gjenim emigrantin nga Piqerasi, më të voglin e nëntë femijëve të nostromit Koço Memi e te Melpomenit të shenjtëruar, që i rriti këta fëmijë me trahana, duke hedhur në të nga një grusht piperi të kuq, që ata të pinin sa më shumë ujë në ato vite të urisë së pasluftes, kur mallin na i “përlau” shteti i “të gjithëve e i askujt”!… Arjani truplartë, që kishte lënë mjekër e ngjante si një gjerman i vërtetë, sa ishte kthyer nga puna e kishte ngrënë edhe ai drekën e përgatitur nga nusja e re qe kishte marrë nga Shqiperia, muajt e fundit, pas ndarjes me të parën që i “ishin hapur sytë katrash, sa kishte shkelur ne Greqi e…”! Dhe, me një kafe të zezë përpara, si në ksodh, do të njiheshim edhe me shpërndarjen e tyre nëpër botë, po njëlloj si ajo që e tha bukur ai emigranti nga Dibra e vogel: Panua me githë fëmijë, i shpërngulur nga Piqerasi në ishullin Spec te Greqisë dhe tani i sistemuar në nje fshat gjerman, paksa më tej Arjanit, Maria me Mondin kishin sosur gjer në Islandë, afër akullnajave të Polit të Veriut! Ndërsa Anastasia, Dhimitri e Kiçoja, nuk e kishin lëshuar Greqinë ende. Në Shqipëri kishin mbetur vetëm, Landa e martuar në Delvinë dhe Romeo në Piqeras, ma ato pesë kokë bagëti të tij… Po fati i tyre nuk dihej si do të përfundonte, kur një pjes e femijëve të tyre të rritur, qenë kthyer në krahë pune dhe kishin mbërritur deri e Mbretërine e Bashkuar… Tek të zë trishtimi që Piqerasi, fshati ynë i bukur e i bagatë, buzë Detit Jon, ka mbetur thuajse i braktisur nga forca e gjallë e punës, e shpërndarë nëpër botë…
GËZUAR PASHKËN E MADHE!
Sipas asaj fjalës popullore që thotë, ta hedhësh hapin si të jetë vendi, edhe ne sot duhet të festojme, së bashku me katolikët gjermanë Pashkën e Madhe, një javë më përpara pashkës së krishterë, që është e jona, e ortodoksëve, pra edhe e piqerasiotëve, që i zu hera këtu, në truallin e një shteti tjetër që edhe festat fetare i ka ndryshe. Po ama me mishin e pjekur në hell, me verën përpara e me të njëjtat urime e gëzime, si dhe tonat. Ja që njerëzimit i duhet që të eci përpara, me të tilla hapa, edhe në besimet e veta. Edhe pse në kohë të turbullta, kur pranë nesh bëhen ende luftëra e tymnaja e tyre ndjehet deri këtu, e përcjell jo vetëm nga ekranet televizive, po edhe nga refugjatët e brengosur të Ukrainës martire, që u bë pre e kohës dhe që ne tani duhet të lutemi për popullin e saj, lënduar, vrarë e djegur!
Dhe gjithmonë vjen një çast i bekuar, kur do te ulen besimtarët rreth tryezës së ditës së shenjtë, për paqe e mirësi, per dashurinë njerëzore. Me një qingj të pjekur ne hell në tavernën greke “Dhimitra” të zotërisë nga Serezi Pavllo Savidhis, në një ditë të bukur, mbi barin e gjelbër, në atë “qylim” të blertë, anës pemëve të qershive të mbushura me lule të bardha e përbri statujës së Perëndisë Mitologjike të Poseidonit… Për ta mbartur, coptuar e shtruar në tryezën e madhe të avllisë së shtëpisë së tim biri, poshtë tendës gri që frenon rrezet e diellit të mesditës, si edhe për të qenë më pranë Zotit që besojmë se është në qiell dhe midis nesh që e duam akoma, në këto rite të lashta e trazira që skanë të sosur…
E përsëri do të vijë çasti i dëshiruar i ngritjes se gotës së urimit të Pashkës së Madhe! Këtu në Duren të Gjermanisë, po njëlloj si të ishim në vendin tonë, me shpresën e të madhit Zot: jo më si “kokrat e misrit”!
DÜREN, Gjermani, me 17 prill 2022.
Please follow and like us: